Friday, February 8, 2008

"Vallja" e poshtërimit të vlerave kombëtare

Dott. Alban Daci
Nuk duhet të duartrokasim tek sa shohim palaçot që, për qëllime përfituese, tallen me identitetin tonë kombëtar
Kohët e fundit disa televizone private gjatë sezonit verorë kanë organizuar dhe pasqyruar një seri programesh artistike.
Në pamje të parë këto programe e pasqyrojnë shoqërinë shqiptare si një shoqëri përparuese që emancipohet nën ndikimin e modeleve moderne botërore. E vërteta është se disa nga këto programe nuk janë gjë tjetër veç se kopje dashakeqase, fasadë false, mbrapa së cilës fshihen mjerimi, turpi dhe antivlerat kombëtare shqiptare. Këto programe na kujtojnë televizionin dhe programet televizive të diktaturës komuniste në të cilën pasyroheshin vetëm zyra luksoze, familje të pasura me njerëz të lumtur, por në të vertetë në këtë luks bënin pjesë një përqindje shumë e vogël e popullsisë.
Faktesia e kësaj kategorie kanalesh televizive shqiptare eshte se programet e tyre janë imitime, kopje dhe shembëlltyra te kanaleve televizive të vendeve fqinje, si Italia. Koha ka treguar se kush kopjon është nxënës i dobët, nuk është vetvetja dhe suksesi i tij në jetë është mjegullues dhe jo i sigurt. Të tillë janë edhe stafet drejtuese, në veçanti prezantuesit jo profesional, që i kanë rënë në qafë profesionit të gazetarisë. Mos profesionalizmi si dhe dëshirat cinike që rrjedhin nga interesa dhe faktor të ndryshëm, të jashtëm apo të brendshëm, nuk ju jep dhe nuk duhet t’iu jap të drejtë për të mohuar, deformuar, keqinterpretuar historinë e një kombi të tërë.
Këto kanale televizive nuk përfaqësojnë identitetin, kulturën dhe traditat e kombit shqiptar. Krejt rastësisht ndoqa spektaklin televiziv te ashtuquajtur " Shtojzavallet", të organizuar dhe pasqyruar nga një kanal televiziv privat. Ky program nuk ishte asgjë tjetër, veçse vallja e poshtërimit të vlerave dhe personazheve historike, ku hapjen dhe mbylljen e saj e bëri duke talluar, nëpërkëmbur dhe personalizuar Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu "me shtegun e dhisë".
Në këtë program, ashtu dhe në programe të tjera të një së njëjtës trupë, Skënderbeu paraqitet si personifikim i njeriut të paditur, i malësorit "kokëgdhë", që s’di të bëj politikë, që s’di ç’është shoqëria, që s’ka haber nga kultura e emancipuar, që s’di as të bëj dashuri etj.etj. , sikur ai ka jetuar në një periudhë izolimi te plotë shoqëror. Po , nuk gjetën tjetër temë për humor këta shakaxhinj të rëndomtë ? Vetëm figura e deformuar me keqdashje e Skënderbeu mund të bëjë për të qeshur shqiptarët e mjerë?!
Kjo që ndodh në Shqipëri u garantoj që nuk ndodh në asnjë vend të botës. A ka vende në këtë botë që vlerat e tyre kombëtare i përdorin për të ngjitur vlerat e egoizmit e të karrierës personale fitimprurëse?
Simboli i bashkimit te Italise identifikohet pikërisht me figurën e Garibaldit, kurse Turqia moderne identifikohet me figurën e Ata Turkut.
Si në Itali, Turqi dhe në çdo vend të botës askush nuk ka dëshirën dhe guximin që të tallet me simbolet dhe figurat historike të vendit të tij. Sa kohë do të vazhdojmë të kemi njerëz paradoksal dhe antikombëtar do të jemi vendi i paradokseve të mëdha, por kam një besim të hekurt se kësaj kategorie koha u kalon përpara dhe idetë ju ngelim mbrapa.Per rrjedhojë koha do t’i nxjerr jashtë, duke i lënë si të pa vlerë dhe të harruar edhe nga vetë paradoksi .
Figura e Gjergj Kastriot Skëndërbeu është piedestali i qëndresës së popullit shqiptar për liri. Kjo figurë historike nuk është vetëm e përmasave kombëtare, por edhe ndërkombëtare, sepse i tillë qe edhe roli tij si mbrojtës i qytetërimit Perëndimor.
Per nder të tij në Itali dhe në vende të tjera të botës kemi një sërë monumentesh që janë ngritur për ta nderuar dhe respektuar, si një strateg dhe mbrojtës të pa lodhur të kristianizmit.Ai mbahet mend dhe do të kujtohet brez pas brezi si një nga figurat ushtarake më të mëdha që ka njohur historia njerëzore. Me Gjergj Kastriot Skenderbeun mburret jo vetëm Shqipëria, por e gjithë Europa.
Të tallesh me këtë Hero, do të thotë të tallesh me historinë e lavdishme të vendit tënd, do të thotë të tallesh me vetëveten, të mohosh vlerat dhe të krijosh antivlera.
Puntata e radhës e këtij misioni qe pikërisht "Prishtina", kryeqyteti i qëndrësës, simboli i vlerave njerëzore. Pas luftës së shqiptarëve te Kosovos për liri, në Prishtinë u vendos monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu, në shënjë triumfi ku liria fitoj mbi mizorinë, ku të drejtat fituan mbi dhunën. Vendosja e monumentit në Prishtinë, i tregoj botës që ne jemi shqiptar dhe që kombi ynë është Shqipëria. Pra ky akt simbolizonte nderin e qindra luftëtarëve që dhanë jetën për Atdhe.
Nuk ka kombe pa histori dhe nuk mund të ketë histori pa komb. Shqipëria ka nevojë, si asnjëherë tjetër për vlera që mbajnë lart atdhetarizmin. Ne kemi qenë objekti i tratativave keqdashëse për të na mohuar lashtësinë, origjinën, gjuhën, civilizimin, si dhe shtrirjen tonë kombëtare. Nuk mund të ecim përpara nëse nuk shikojmë mbrapa, nëse nuk vlerësojmë historinë dhe personat që e kanë bërë këtë histori. Ne, si shoqëri civile, duhet të reagojmë përballë këtyre akteve, sepse cënojnë integritetin tonë kombëtar.
Nuk duhet të duartrokasim tek sa shohim palaçot që për qëllime përfituese tallen me identitetin tone, por duhet te reagojmë për të mbrojtur historinë nga kanosjet, deformimet dhe influencat antikombëtare.
Perkundrazi intelektual, historian, akademik duhet të punojnë pa reshtur dhe me plot vullnet për të ndriçuar jo vetëm figurën e lartë të Gjergj Kastriot Skënderbeu, por të gjitha figurat e larta kombëtare si dhe gjithçka historike që ka mbetur në errësirë, te bëjnë kërkime shkencore për të hedhur në dritë të "vërtetën e madhe", dhe për të fshirë fragmentet e pavërteta të dalura nga periudha komuniste, e cila ishte e mbushur me plot ideologji dhe nuanca partiake.
Për më tepër qe viti 2005 është viti jubilar, 600 vjetori i lindjes së tij.
Prandaj, me Gjergj Kastriot Skënderbeu duhet të krenohemi, ti falemi zotit që na e dhuroj në castet më të vështira kombëtare, këtë shpëtimtar të çeshtjes sonë kombëtare. Nuk duhet të hedhim baltë, por duhet ta kujtojmë dhe ta mbajmë si "piedestal të pashuar", pse jo dhe si shembull qëndrese që do të jetë gjithmonë në zemrat e çdo shqiptari.