Monday, February 11, 2008

Dita e Verës


Dott. Alban Daci
Botuar me 15 mars 2008
Gazeta Ndryshe

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shëkuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri ( sipas kalendarit Gregorian, "14 Mars") Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshmë, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të "Ditës së Verës" njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as istitucionet kleriakale nuk futnin hundët në kremtime të ashtëquajtura pagane. Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica,i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant.
" Cështë Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur skish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shlegjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që siellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të pagamizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rralë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.
Përshkrimin e dytë , i cili flet për kremtimin e " Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj. Ai shkruante dy dekada pas Faik Konicës:
" Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjestarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtasët demtuese: gjarpnin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krymbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me cartë krojet, në mënyrë qi mos me i pam këto sende asnji rob i shtëpis, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditet e para të Marsit. Mbas darkë, të gjithë pjestarët e shtëpis bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpis merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue nji nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave! Unë pak e Zoti shum! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit kët veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krymba e kodra qi don me lidhë
Po në Verilindje si festohet " Dita e Verës"? Hapat e para të fëmirisë i kam kaluar në vendilindjen time Dibër, ku e kam përjetuar drejpërsëdrejti dhe kam qenë dëshmitarë se si Dibranët e festojnë " Ditën e Verës ". Prandaj po përshkruaj pikërisht trevën e Dibrës, duke e simbolizuar me pozicion gjeografik Veri-Lindje, pasi edhe zonat përreth në shumë element e festojnë dhe kanë shumë ngjashmëri me dibranët.
Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u berë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.
Kur, Dielli ulet dal nga dal nga orizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe ( është mjet i trashwguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë permasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë qw pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë "bereqet", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar peirudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trazhguara dhe të tramsetuara brez pas brezi që i kushtohen " Ditës së Verës" Ky ritual vazhdon deri me datë "14 Mars".
Me "14 Mars " në mengjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes ( sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkoj i gjithë viti në të shumtën ë kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.
Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnw vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjëve me fitimas ( që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet ).
Këto ngjarje ndodhin zakonisht në një livadh ose në qëndër të fshatit, ku përvec këtyre riteve bëhen edhe mjaft lorja të tjëra si: "Kala Dibrane", mundje mes djemve të rinjë e etj. Gjatë paradites nënat përgatisin drekën e bollshme, ku një vend të vecante zë flija ( gatim tradicional kryesisht i zonës së Dibrës).
Pas drekës, njërëzit dalin për vizita tek të afërmit.
Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.
Vitet e fundit "Dita e Verës" është bërë me të vertet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë " Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhë që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona.
Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhë mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithcka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.