Thursday, June 25, 2009

Shqipëria, dje dhe sot

Kohë më parë , Shqipëria ishte e mbushur plotë me bunker. Aq shumë kishte bunker dhe aq shumë ishte përhapur fara e tyre në territorin shqiptar, sa mund t’i gjeje të ndërtuar edhe në maje të malit të Korabit. Të lind pyetje, po si kanë arritur t’i ndërtojnë deri aty, ku në të vërtetë nuk ka asnjë rrugë automobilistike që të bëj të mundur transportimin e materialeve të nevojshme për ndërtimin e tyre. Në lidhje me zgjidhjen e kësaj dileme, nuk e di nëse është histori e vërtetë, apo legjendë, por jo shumë kohë më parë bisedova rastësisht me një person të nderuar që në kohën e izolimit ka punuar mësues pikërisht në zonat e thella malore, i cili më tregoj historinë se si një ditë, Partia e zonës kishte dhënë urdhër për punë vullnetare, sepse do të ndërtonin bunkerët në zonë për tu mbrojtur nga armiku. Ish mësuesi-tani në pension- më tregoj se si i kishte marrë materialet e nevojshme për ndërtimin e bunkerit në krahë dhe në shpinë duke ecur në këmbë rrëzës së malit deri sa i kishin dërguar në vendin e duhur. Ai tregon se: në fillim të rreshtit për dhënë shembull personal për dashurinë e Partisë dhe “Atdheut” ishte vetë kryetari i partisë për rrethin, të cilit po i dilte shpirti nga ngarkesa dhe lodhja, por që nuk kishte guxim të thoshte se u lodhëm dhe kemi nevojë për pushim, sepse i dinte pasojat që e prisnin (komunisti i vërtetë nuk lodhet asnjëherë, nuk ndalet para asnjë pengese dhe sakrifikon gjithçka për Partinë).
Sot, në fushën e atij mali, blegërojnë bagëtitë e zonave për rreth, të cilat kullosin të qeta dhe të lira, pa pasur frikë se do të kalojnë pa dashje kufirin dhe do të shpallen armike të Partisë dhe për këtë do të dënohet dhe internohet çobani që po i ruante, sepse i ka ndihmuar të arratisen. Delet, kullosin të qeta, sepse edhe po të kalojnë “kufirin” nuk ka asnjë incident shtetëror, sepse matanë për fat të mirë, tashmë do të takojnë delet motra kosovare të cilat të lira dhe forta kullosin me plot krenari në fushat e tyre.
Kohë më parë, një malësor për të ardhur në Tiranë, duhet të rrinte në radhë të gjata për të blerë një biletë autobusi (kishte vetëm një autobus që bënte një herë në ditë rrugën për Tiranë) dhe duhet të zgjohej me natë ( autobusi nisej në katër të mëngjesit), duhet të bënte një udhëtim me orë të gjata, me plotë kthesa, ku rruga i përshtatej natyrës si pas relievit.
Sot, malësori mund të shkoj në Tiranë, kur të dojë, sepse makina ka në çdo moment dhe të lusin sikur t’i duash, rruga është autostradë moderne, me bare anash, krejt e drejtë, me tunele të gjata dhe me drita ( gjëra të tilla për malësorin ishin krejt të panjohura dhe të pa imagjinueshme, kurse tani janë realitet) ku për pak orë, arrin si kokrra e mollës në kryeqytetin tonë. Madje, nëse e ka me ngut, pasdite mund të rikthehet përsëri në shtëpi për qenë pranë familjes.
Dje, biri i një intelektuali jo komunist nuk gëzonte as një të drejtë elementare si ajo e mundësisë për tu shkolluar, kurse sot djali i tij, me krenari lundron në sallonet e dijes perëndimore, duke ngritur lart vlerat e familjes dhe të vendit.
Sot, ai është më i lirë se kurrë më parë dhe i vendosur të realizoj ëndrrat e tija individuale, por edhe ato të familjarëve të tij, të cilët për faj të sistemit mizorë nuk munden t’i bënin realitet dhe ndonjëherë pa arsye rrezikuan jetën e tyre, sepse ato ishin më para në kohë dhe në mënyrë të menduarit se sa shtresa injorante drejtuese e asaj kohe.
Shqiptarët, në fillim të viteve 90-të ishin në sheshet e qyteteve kryesore të Shqipërisë duke thirrur “Liri dhe Demokraci”, për të mposhtur dhe shembur regjimin më mizor që kishte njohur njerëzimi në shekullin e fundit. Parulla “Liri dhe Demokraci” ishte një thirrje e fuqishme që dilte nga zemra e çdo shqiptari, që kishte përjetuar tmerrin individual, familjar, shoqërorë dhe kombëtar. Kjo thirrje ishte një shpresë, një domosdoshmëri për ne shqiptarët, ishte një nevojë për brezat e ri që besonin shumë në të ardhmen e lirë që do të ndërtonin.
Sot, në Shqipëri përsëri nëpër sheshe të rinj dhe të reja thërrasin “Liri dhe Demokraci”, por me ndryshim me të djeshmen, sot ato kanë pjekuri, e njohin mirë fenomenin, dhe nuk thërrasin për të ndërtuar diçka për herë të parë, të pa njohur dhe përjetuar, por flasin me bindje se: Demokracia është e pacenueshme dhe duhet ta forcojmë akoma më shumë për ta bërë model pozitiv edhe për vende të tjera që në këto momente po përjetojnë të njëjtat situata që ne përjetuam kohë më parë.
Ato dalin në sheshe për t’iu dhënë kurajë vendeve të tjera që po luftojnë për të mposhtur diktaturat dhe për të ndërtuar Demokracinë, që të mos mposhten, por ta çojnë deri në fund iniciativën e tyre, sepse po luftoj për një kauzë të drejtë dhe të domosdoshme.
Dje, në të largëtin vitin 90-të, Ministri i Kulturës i asaj kohe, kur shkon në Qytetin Studenti, të takohej me studentë që ishin të “uritur” për liri dhe demokraci, nuk zbret nga makina derisa shoqëruesit e tij i vendosin ca dërrasa që të mos i bëheshin pis me baltë këpucët e tija llustrafine.
Sot, i njëjti personazh shkon përsëri tek Qyteti Studenti, për të bërë një miting elektoral duke ju premtuar studentëve, se ka ardhur për të bërë ndryshimin. Me siguri me ndryshimin e ka fjalën, që përsëri ai të jetë ministër, që studentët të jenë përsëri në lëvizje për liri dhe demokraci, dhe kur të shkoj për ti takuar, të mos të zbres nga makina pa u siguruar mirë që këpucët nuk do ti bëhen me baltë.
Dje, liderët e të njëjtës familje, të njëjtës parti, për lojëra interesash personale, për egoizëm karriere nuk lanë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, për pasoj vendosën të ndahen, më i forti dhe më i madhi qëndroj për pak kohë drejtues tek familja e madhe dhe historike, kurse ky tjetri më i prapi dhe i pabinduri u larguar për të krijuar një familje të re dhe logos së familjes i shtoj ca element të vegjël për të ruajtur origjinalitetin.
Familja e vjetër nuk gjeti përsëri qetësi, sepse biri i radhës, që kishte qëndruar në Perëndim, ku ishte mësuar pa rregulla, duke bërë një jetë endacaku, nuk mund të qëndronte për nga karakteri dhe natyra i qetë dhe për rrjedhojë nuk kishte qejf urdhrat dhe udhëzimet e të vjetrit. Ai vendosi të revoltohej, por këtë radhë ky ishte më i vendosur, më kokë carë se vëllai tjetër për ta sfiduar deri në fund babën. Kështu, familja e vjetër përsëri nuk gjeti qetësi, derisa i vjetri i lodhur dhe i pa fuqishëm pranoj humbjen dhe vendosi për pak kohë të shkoj me pushime për tu qetësuar dhe për të reflektuar se si të qetësoj fëmijët e tij dhe si mund të rifitoj respektin e tyre, që ta respektonin ashtu siç kishin bërë më parë.
Sot, pas shumë kohësh, djali i madh i ribën përsëri thirrje për ndihmë babës, se vëllai tjetër po i nxjerr shumë probleme dhe po i prish interesat personale. Babai, krejtësisht i relaksuar nga periudha e gjatë e pushimeve, ku reflektoj gjatë se djalë i madh nuk është aq shumë problematik sa rebeli i vogël, i përgjigjet pozitivisht për të rifilluar një betejë të re në familje me shpresën me rifituar prestigjin e mëparshëm. Pra, kemi të bëjmë me një luftë brenda llojit që duket se nuk ka paqe, shpresoj që të mos jetë me pasoja për ne qytetarët e lirë e të thjeshtë që nuk kemi qenë, nuk jemi dhe nuk do të jem anëtarë të asaj familje.
Dje, djem nënash, për një jetë më të mirë, udhëtonin me gomone në ujërat e ftohta të detit drejt Italisë, ku ndonjëherë të braktisur nga zoti dhe Shteti, humbitnin jetën duke u fundosur në ato ujëra me imazhin e nënës, të djalit, babës, nuses dhe të fëmijëve të dizenjuar në qiell duke ju thënë se bën gjithçka për të bërë një jetë më të mira, por fati nuk deshi...
Sot, shqiptarët shumë shpejt do të kenë mundësinë të lëvizin të qetë dhe të lirë në botën perëndimore, jo vetëm për të kërkuar punë, por për turizëm, për marrëveshje ekonomike, për të realizuar shkëmbime akademike dhe shoqërore. Kjo do të ndodh, sepse Shqipëria ka ecur shumë, mandej me vrap në procesin e plotë të integrimit në zonën-euroatlantike. Prandaj, edhe Evropa paksa e habitur për ndryshimet që Shqipëria ka bërë për një periudhë të shkurtër, është e bindur se shqiptarët e duan Evropën dhe janë të vendosur me çdo kusht për tu bërë pjesë e saj.
Dje, Kosovarët, vëllezërit tanë, vuanin në robëri, vriteshin, dhunoheshin, keqtrajtoheshin, vetën për faktin se historia ju kishte dhënë identitetin shqiptarë, me gjuhë, kulturë, histori, traditë, dhe pse zoti i kishte zgjedhur të lindnin dhe të rriteshin në tokën e tyre, Kosovë.
Sot, ato janë të lirë, të pavarur, të qetë, të fortë të vendosur për të qenë të denjë në botën perëndimore për të cilën identiteti i tyre shekullor ka dhënë një rol të rëndësishëm. Ata, sot më në fund janë të bashkuar në të gjitha kuptimet me vëllezërit e tyre që nuk kanë pasur kurrë më parë mundësi që t’i takonin.
Dje, Shqipëria ishte e “vogël” dhe izoluar nga bota, kurse sot është pothuajse me përmasat e saja natyrore, e lirë, krenare dhe e fortë për sfidat e të ardhmes.
Dje, ishim në diktaturë të egër dhe çnjerëzore, sot jemi në Demokraci, me liri dhe të drejta, të integruar në NATO dhe shumë shpejt do të integrohemi edhe në Evropë.
Dje, Shqipëria nuk njihej në Botë, kurse sot të rinjtë e saj me inteligjencë, promovojnë shumë mirë imazhin e saj në universitet më të mira perëndimore, në shoqëritë civile të tyre.
Dje, Shqipëria, ishte një vend me bukuri të mrekullueshme natyrore, historike dhe kulturore të pa zbuluara, kurse sot ajo është një vend i reklamuar deri tek kanali televiziv amerikan CNN, që më parë e kishim ëndërr ta shikonim dhe jo më ishin protagonist për të promovuar para syve të Botës, bukuritë tona të mrekullueshme natyrore, kulturën tonë të magjishme dhe historinë tonë që nis me fillimet e para të shfaqjes së njeriut në tokë dhe deri tek ditët tona e mbushur plotë me sakrifica, beteja, fitore, zhgënjime, dredhia, pabesi, suksese etj. Shqipëria është një pamje e virgjër që ia vlen të shikohet, është një mozaik kulturash që ja vlen të zbulohet, është një vend me qytetarë të mrekullueshëm që janë karakterizuar gjithmonë me tre fjalë: bujari, besë dhe mikpritje.
Shqiptari, gjithmonë ka ditë të pres dhe të respektoj edhe kur ka qenë në vështirësi, ka ditë të ofroj bukë edhe kur nuk ka pasur për vete, ka ditur të dhuroj dashuri edhe kur ka qenë në hidhërim, ka mundur të jetë guximtar kur jeta e tij ka qenë në rrezik, ka ditë të fal kur padrejtësia ishte e pafalshme, të bisedoj për paqen edhe kur lufta ishte e pashmangshme, të jetë i fortë edhe kur forca po i shteronte, ka ditur të ec gjithmonë me kohën edhe kur koha është përpjekur me çdo kusht ta lerë mbrapa, ka ditur të ruaj identitetin e tij edhe kur të tjerët me dhunë janë përpjekur ta asimilojnë ose ta zhdukin.
Për të gjitha këto, shumë popuj të tjerë do të ëndërronin të ishin si ne, të ndërtonin shembullin e tolerancës tonë fetare në shoqëritë e tyre, të kishin optimizmin dhe shpresën tonë për të projektuar të ardhmen, do të ëndërronin të kishin popullsinë e re të mbushur me djem dhe vajza të reja ashtu siç e kemi ne, të karikuar me energji të pashtershme me një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë gjithmonë një hap me kohën.
Shqipëria, në krahasim me dje dhe sot është ndryshe, dhe ky ndryshim është aq i madh sa ai i djeshmi me të sotmin. Ky ndryshim do të jetë po aq i rëndësishëm nëse nuk do të lejojmë që e djeshmja të bëhet përsëri e sotme. E sotmja është aktualja që më shumë munde dhe sakrifica e kemi ndërtuar, kurse e djeshmja ishte diçka e pashmangshme për shumë arsye, por nuk duhet të jetë më e përsëritshme. Ajo, është një dhimbje që na jep forcë për të sotmen që kemi dhe për të nesërmen që na pret. Ne e kemi në dorë të zgjedhim mes të djeshmesh që nuk kishte asgjë të gëzueshme dhe të kënaqshme dhe të sotmes që do të shërbej edhe për të nesërmen. E sigurt është se një ardhme më e mirë na pret nëse do të vazhdojmë të bëjmë hapa të mëdhenj dhe të sigurt për të përmisuar kushtet e jetesës sonë.

Sunday, June 21, 2009

Tuesday, June 16, 2009

Votoni me mendje dhe jo me hamendje

Të dashur miq, bashkatdhetarë, qytetarë, vëllezër, motra, besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se jemi në zonën e nxehtë të fushatës elektorale, sepse pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Dikush nga ju është përfshirë drejtpërdrejt në këtë atmosferë politike si militant, si simpatizant i ndonjë subjekti politik, si vëzhgues indiferent, ose nuk është përfshirë aspak duke mbajtur pozicion krejtësisht indiferent mbi betejën politike që po zhvillohet në këtë periudhë.
Të dashur qytetarë, zgjedhjet e përgjithshme për rinovimin e parlamentit janë shumë të rëndësishme për disa arsye:
- përbëjnë bazën e funksionimit ose mosfunksionimit të demokracisë liberale
- ndërtojmë të drejtën tonë themelore sociale dhe politike, mundësinë për të ushtruar votën e lirë
- na ofrojnë mundësinë të zgjedhim me kujdes alternativën dhe programin më të mirë politik në treg
- janë shumë të rëndësishme, sepse na jepet mundësia të konfirmojmë se ne shqiptarët jemi popull demokrat dhe demokracia për ne tashmë është një proces që duhet të vij në perfeksionim
- të ritheksojmë përmes ushtrimit të votës së lirë se ne shqiptarët jemi të vendosur të ecim në rrugën e integrimit dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit, në Evropë dhe pse jo edhe në Botë
- na jepet shansi t’i rikujtojmë vetës dhe të tjerëve se fati është në duart tona dhe vetëm ne mund ta rindërtojmë atë në mënyrë të suksesshme me anën e ushtrimit të votës së lirë
- ushtrimi i votës me vullnet të lirë, është arma më e mirë në një demokraci për të shmangur kthimin mbrapa në kohë, vizione, në mënyrë të menduarit dhe të vepruarit
- vetëm me ushtrimin e votës së lirë do të ndjehemi të përfaqësuar, të identifikuar dhe të përfshirë me drejta të barabarta në ndërtimin dhe zbatimin e projektit që do të projektoj të ardhmen tonë ashtu siç e kemi menduar ne dhe jo të diktuar/imponuar nga të “tjerët”
- ushtrimi i votës së lirë me dinjitet, moral dhe vullnet të lirë do të na sjellë si pasojë një konsensus të përgjithshëm mbi vizionet dhe sfidat që na presin në arën kombëtare dhe ndërkombëtare

Të dashur qytetarë, ne nuk kemi një histori të gjatë në bërjen e zgjedhjeve të lira, periodike dhe demokratike, por në të njëjtën kohë ky cikël që kemi përjetuar në dy dekadat e fundit nuk është fare i vogël sa për të mos kuptuar se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje.
Prandaj, unë do ju bëja thirrje të merrni pjesë masivisht në procesin e votimit, sepse fati, dëshira dhe ëndrra e secilit përfaqësohet nga vota që do të hidhni në kuti si dhe fati ynë i përgjithshëm si popull dhe si shtet do të varet nga votat tona të bëra të gjitha së bashku në numër sipas preferencave të mençura që kemi bërë.
Ju bëj thirrje të votoni duke përdorur logjikën, analizën, moralin, identitetit tuaj duke e konsideruar votën jo si një mall që ka vlerë vetëm për një ditë, një javë apo një muaj, por si aksion kryesorë politik dhe demokratik nga ku do të varet e ardhmja juaj dhe brezave që do të vijnë pas jush.
Nuk duhet ta konsideroni votën si mundësi për të fituar një thes miell, sepse vota e lirë përfaqëson zgjedhjen tuaj, burrërinë tuaj, mendjen tuaj, të ardhmen tuaj dhe unë sinqerisht nuk jam dakord se të gjitha këto mund të kenë vlerën e një thesi miell.
Nuk duhet t’ia lejoni vetes të votoni për persona që kanë vendosur të bëjnë sukses në politik, edhe pse kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë sjellje jo civile dhe të pëlqyeshme në komunitet, sepse ashtu do të jetë ose edhe më keq sjellja e tyre edhe në jetën politike nga ku varen fatet e të gjithëve.
Nëse dikush si qytetar ka qenë imoral i tillë do të jetë edhe në jetën politike ose parlamentare.
Nëse dikush ka qenë dhe vazhdon të jetë i papërgjegjshëm për aksionet që ka bërë si individ ashtu do të jetë edhe nëse zgjidhet deputet, ku duhet të përfaqësoj me siguri një komunitet të tërë.
Nëse dikush nuk ka ditë të ndërtoj një familje të shëndoshë, ose e ka ndërtuar, por nuk ka mundur ta shoqëroj me sukses deri në fund, nuk do të jetë në gjendje të mbaj as premtimet e bëra dhe të zgjedh problemet dhe hallet tuaja.
Nuk duhet të votoni pa analizuar mirë faktet, sepse mund të ketë persona që në mandatet e mëparshme ju kanë kërkuar votën dhe ju ja dhatë, sepse i besuat për ato që ju premtoj, por sapo u shpall fitues nuk u bë i gjallë që t’iu ofronte qoftë edhe mundësinë për ta takuar nga afër dhe jo më t’iu realizonte ato që ju kishte premtuar.
Para se të vendosni se për kë do të votoni duhet të shikoni e rishikoni me
shumë kujdes programet politike, subjektet që i përfaqësojnë dhe i kanë hartuar, si dhe të shikoni në tashmen dhe në të kaluarën kush nga këto subjekte politike ka mbajtur në shumicë premtimet e saja përball jush dhe për ju.
Prandaj, ju bëj thirrje të votoni masivisht me mendje dhe inteligjencë, me moral dhe vendosmëri duke zgjedhur alternativën më të mirë që ju ofron tregu politik, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jenë në gjendje të vazhdoni të ecni në rrugën e zhvillimit politik, ekonomik dhe demokratik, të integrimit në Evropë, të modernizimit infrastrukturor, të përmisimit të kushteve të jetesës.
Mos u mashtroni nga i mazhi, por besoni në vlerat që dikush mund t’iu ofroj.
Mos votoni persona që nuk janë në gjendje të mbajnë një ligjëratë, që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë në shqip, të hartojnë një projekt politik, një propozim, të ngrejë zërin në kuvend për diskutuar për hallet dhe nevojat tuaja.
Mos votoni për ato persona që politikën nuk e shikojnë si shërbim, por si një mundësi për pasuruar shpejt duke abuzuar në kurrizin tuaj.
E rëndësishme është të votoni të gjithë, të zgjidhni alternativën më të besueshme, më reale, më të realizueshme, më të mirë sepse kjo është e vetmja mënyrë demokratike që garanton të ardhmen që meritojmë.
Këto zgjedhje do të jenë në gjendje t’i tregojnë Botës se shqiptarët janë udhëtarë që po ecin me hapa të mëdhenj në rrugën e Integrimit Evropian dhe se shumë shpejt jam i sigurt që do të arrijnë në Finishin e ëndërruar ndër shekuj duke u anëtarësuar me dinjitet dhe me krenari në Bashkimin Evropian.
Nëse ju e keni kuptuar se kush ju ka ofruar me pranë Evropës dhe Botës Perëndimorë se kurrë më parë, atëherë jam i sigurt se ju do të dini të bëni konfirmimin e fuqishëm me anën e votës tuaj të lirë për t’i dhënë mundësinë vetës dhe kombit që ky proces të jetë sa më i shpejt dhe i plotë në kompleksitet.
Besoj se ju e keni kuptuar, sepse jeni dëshmitar okular se si tashmë natyra nuk është më pengesë për komunikimin tonë, ne atë e kemi mundur dhe e kemi bërë një faktor të papërfillshëm në zhvillimin tonë shoqëror dhe kombëtar.
Besoj se të gjithë ju, keni dëgjuar në dokumentare, apo në libra ose e keni takuar drejtpërdrejt kafshën çakall ( çakejtë jetojnë në kope dhe jetojnë mbi bazën e përfitimit oportun) të cilët kohë më parë livadhisnin për shtatë palë qejfe në Shqipërinë tonë të dashur duke përfituar mbi kurrizin tonë. Prandaj, ne me votën tonë të lirë nuk duhet të lejojmë që hijet e tyre me lëkurën dhe stilin e vjetër të shfaqen përsëri fuqishëm në vendin tonë duke kontrolluar dhe abuzuar mbi jetën dhe ëndrrat tona.
Ne duhet të votojmë me përgjegjësi dhe me bindje të palëkundur që nesër brezat e ri që do të vijnë do të jenë krenar për të ardhmen që ne ju krijuan dhe do të thonë se ne jemi vend demokrat nga zgjedhjet e zgjuara që bënë etërit tonë.
Bota pret me sy hapur se çfarë do të ndodh në Shqipëri, kurse ne shqiptarët me mençuri duhet t’i themi Botës që thjeshtë realizuam zgjedhjet politike, ku rikonfirmuam dhe forcuam demokracinë dhe riformuam bindjen se e ardhmja e jonë ka të njëjtin fat me tuajin atë të zhvillimit, të konsensusit dhe të integrimit dinjitoz në arenën ndërkombëtare.