Friday, June 27, 2008

Albanianpolitik, një vizion i ri për të ardhmen

Dr. Alban Daci
Botuar me 4 korrik 2008
Gazeta "Ndryshe" si dhe me 7 korrik 2008
tek gazeta kosovare "Lajm"
Viti 2008, besoj se ka qenë viti më i rëndësishëm në fillimin e këtij shekulli të ri për shqiptarët dhe kauzën e tyre, që u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës, e cila çoj në formë de fakto dhe de jure krijimin dhe njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik. Lindja e Republikës së Kosovës, bën që faktori shqiptar të jetë jo vetëm më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimorë, por vendimtar në implementimin e proceseve integruese në zonën euro-atlantike për gjithë Ballkanin.
Aktualisht po të analizojmë në bazë të kriterit hapësinor, faktori shqiptarë ka një shtrirje të gjerë dhe një prezencë të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, pa lënë mënjanë dhe Diasporën që është e kudo gjendur nëpër botë, ku në pjesën me të madhe ka arritur integrim të plotë shoqëror, ekonomik, kulturor dhe akademik.
Kjo situatë e favorshme për shqiptarët, ka nevojë për nisma të reja efikase dhe të shpejta në kuadrin e një forme të re politike që e shikoj të drejtë ta cilësoj “albanianpolitik” e konceptuar si rrymë e re e politikës shqiptare që duhet të ketë në qendër të vëmendjes krijimin dhe raforcimin e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet që kanë politika dhe interesa të përbashkëta me faktorin shqiptar në Ballkan.
Albanianpolitik, nuk duhet të jetë e organizuar mbi baza partiake, ideologjike dhe nuk duhet patjetër të jetë e përfaqësuar nga individ që politikën e bëjnë për profesion nevoje si të vetmen mënyrë për të bërë karrierë, por nga intelektual, specialist të fushave të ndryshme, të rinj që besojnë dhe aspirojnë në një politik pro shqiptare, e cila mendon se shqiptarët duhet të mbrojnë në mënyrë legjitime të drejtat e tyre si në politikën e mbrëmshme dhe atë të jashtme, që besojnë se faktori shqiptar ka një forcë të madhe, të cilën mund ta shfrytëzoj për të çuar përpara procesin e integrimit evropian për rajonin e Ballkanit, që mund të jap një kontribut të fortë dhe të rëndësishëm në mbajtjen dhe ruajtën e paqes në rajon.
Në situatën aktuale të krijuar në Ballkan mendoj se shqiptarët duhet të ndërmarrin disa hapa të rëndësishëm për sa u përket marrëdhënieve ndër veti, sepse premisat e reja mendoj se në të ardhmen nuk do të jenë vetëm pozitive, por ndoshta herë-herë edhe negative, nëse nuk veprohet që tani në krijimin e një baze të shëndoshë për të ardhmen e përbashkët dhe të pa ndarë.
Pavarësia e Kosovës, ishte me të vërtetë një fitore e merituar për faktorin shqiptar, por nëse e studiojmë me gjakftohtësi ecurinë e saj drejt krijimit të Shtetit të ri bashkë me komponentët e tij formues. Mund të shprehemi se kjo mund të çoj në të ardhmen në krijimin e një “kombi të ri” (Kombi Kosovarë) që do të mohonte në simbole kombëtare, në histori, traditë dhe kulturë identitetin e tij të vërtet shqiptarë.

Kjo mendoj se mund të ndodh në të ardhmen nga dy faktor.
1. Liderët aktual të Kosovës kanë qenë ish luftëtar në luftën e fundit për Liri, dhe duan të krijojnë mitet e tyre duke e konceptuar Kosovën si një realitet të ri që e krijuan ata dhe që ju përket vetëm atyre.
2. Faktori ndërkombëtar që ka rol të drejtpërdrejtë ne çështjet e brendshme të Kosovës, nuk lejon dhe dëshiron identifikimin e Shtetit të ri vetëm me vlerat e identitetit kombëtar shqiptar nga frika e ndonjë konflikti të ri jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.
Për të mos gjetur këto situata praktikë në të ardhmen e parashikuar, mendoj se shqiptarët duhet të ndërmarrin një seri nismash bashkëpunuese ndër veti në fusha të ndryshme të cilat në finalitet nuk duhet të jenë kundër rrymës së integrimit euro-atlantik, por pjesë integrale e tij.
Këto nisma besoj se duhet të merren nga albanianpolitik, e cila duhet të veproj nëpërmjet agjencive të ndryshme, të cilat mund të jenë në formën institucionale, ose mund të jenë të organizuara në lobingje apo grupe presioni për të arritur objektivat e dëshiruara.
Aktualisht mendoj se bashkëpunimi më i qartë ndërinstitucional brenda faktorit shqiptar, mund të bëhet mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse kemi të bëjmë me dy shtete sovrane që kanë maxhorancë shqiptare në përbërjen e popullsisë. Duhet të bëjmë të qartë se mes Shqipërisë dhe Kosovës kemi marrëdhënie ndërshtetërore dhe kombëtare dhe jo ndërkombëtare, sepse realisht kemi të bëjmë me dy shtete, por me një komb të përbashkët.

Ky bashkëpunim duhet të mbështetet në disa shtylla kryesore si:

Ekonomike
a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit evropian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese.
b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkët për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit.
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimorë. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlej si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen.
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdhaja si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve.
e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar.
Hapi i pari dhe më i rëndësishëm do të ishte krijimi i një kompanie të përbashkët korporuse mes dy vendeve. Këtë rol mund ta bëj shumë mirë KESH (Kompania Energjetike Shqiptare) që mund të veproj si kompani kombëtar.
Hap tjetër i rëndësishëm do të ishte investimi i përbashkët për forcimin e rrjetit ekzistues si dhe krijimin e rrjeteve të reja të standardeve moderne të kohës që do të lehtësonin shpërndarjen e energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve si dhe mundësinë e eksportimit të saj më vendet e tjera të rajonit. Mund të ketë projekte të përbashkëta për ndërtimin e hidrocentraleve dhe termocentraleve me aksione te përbashkëta investuese për të pasur një shfrytëzim të përbashkët dhe të barabartë në të ardhmen.

Politike
a) Të krijohen organizma ndër institucionale si “Këshilli Kombëtar për Integrim”, i cili duhet të përfaqësohet nga nivelet me të larta drejtuese të dy vendeve si dhe në nivel specialistësh që duhet të mblidhet në çdo katër muaj në vit, ku të diskutohen implementimet e politikave të përbashkëta për një integrim të përbashkët dhe uniformë në Bashkimin Evropian. Selia e këtij këshilli mendoj se duhet të jenë Prishtina dhe Tirana. Ky këshill do të bënte që faktori shqiptar të ketë politika të përbashkëta për çështjet e përbashkëta në Ballkan.
b) Krijimi i një Politike të jashtme të përbashkët (PJP) që duhet të përfaqësohet nga nivelet e larta drejtuese të dy vendeve dhe të ketë objektiva parësore implementimin e reforma për integrim të shpejtë në zonën euro-atlantike, të jap kontribut dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe të mbroj interesat e faktorit shqiptarë në botë në sintoni më politikat e aleatëve të deklaruar.
c) Mund të krijohen konfederata partiake, ku forcat kryesore partiake të dy vendeve sipas programeve dhe ideologjive që kanë në zbatim mund të bashkëpunojnë duke krijuar organe të përbashkëta këshilluese në realizimin e objektivave të përbashkëta, por gjithmonë duke venë në qendër të vëmendjes interesat kombëtare.

Kulturore
a) krijimi i një “Komisioni kulturor” të përbashkët, që do të diskutoj çështjet e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës, në mënyrë që të mos krijohen distanca më rryma të ndryshme dhe të largëta. Një rol të rëndësishëm mund të luaj instituti i Albanologji duke operuar në të gjitha nivelet e arsimimit.
b) Krijimi i një “Komisioni Gjuhësie” që duhet të analizoj problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht gjuha shqipe si në aspektin drejtshkrimor, gramatikor si dhe nga huazimet e shumta që po e mbysin. Ky komision besoj se duhet të përbëhet nga niveli më i lartë i akademikëve të gjuhësisë dhe duhet të mblidhet njëherë në gjashtë muaj. Gjuha shqipe duhet të evoluoj bashkë me proceset e tjera. Kongresit i fundit i gjuhës shqipe pa komentuar rrethanat në të cilat është zhvilluar, është bërë shumë kohë më parë, kurse proceset e tjera jetësore kanë ndryshuar me hapa të mëdhaja. Kjo ka bërë që gjuha shqipe të përballet me sfidën kohë dhe hapësirë, sepse shtrirja e përdorimit të saj falë ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon është rritur, duke bërë që të mos ketë një harmonizim të plotë dhe uniformë përdorimi si dhe mos koherencë me proceset e tjera si globalizimin. Prandaj, e shikoj të drejtë të punohet dhe të bëhen rishqyrtime që gjuha shqipe të jetë si koherente dhe uniforme në të gjitha zonat shqipfolëse .

Albanianpolitik mendoj se është shumë e domosdoshme të operoj dhe brenda në Shqipëri, ku me aksionet e saja efikase, demokratike dhe kombëtare mund t’iu jap përgjigje modeleve mesjetare të përfaqësuara dhe ideuar nga sharlatan të servilosur që me aksionet e tyre ksenefobike përpiqen të cenojnë integritetin tonë territorial dhe kombëtar.
Në këtë arenë të gjerë që po analizojmë, nuk duhet të harrojmë as Diasporën tonë, e cila është pjesë integrale shpirtërore dhe fizike e botës shqiptare. Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të fortë dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për të përfaqësuar imazhin shqiptar denjësisht, për mbrojtur interesat politike kombëtare të faktorit shqiptar si dhe pa harruar rolin më kryesor atë ekonomik, ku fal kontributeve të derdhura nga emigrantët, Shqipëria ka ecur përpara në reforma ekonomike, duke zbutur varfërinë dhe ndezur shpresën e mirëqenies në familjet shqiptare.
Disa forma organizuese politike të sapo krijuar që nuk mund të kenë një emërtim të saktë organizues dhe një klasifikim po të saktë dallues më në fund janë kujtuar se Diaspora shqiptare nuk ka vetëm detyrime por edhe te drejta. Pra, këto forma organizues po mundohen të ndërmarrin fushata për të drejtën legjitime të votimit të emigrantëve. Kjo iniciativë si sipas analizës time është vetëm një hap i dështuar politik në interes të një pakice në dëshira dhe interesa që nuk parashikon dhe përfshin interesat e Diasporës për disa arsye:
1) Sipas së drejtës kushtetuese nuk ekziston vetëm e drejta të zgjedhësh por edhe të zgjidhesh, jo vetëm të jesh i përfaqësuar por edhe të përfaqësosh, jo vetëm të jesh aktor por edhe autor në vendimmarrje. Prandaj, unë mendoj se nëse duhet të flasim për këtë argument duhet të mendojnë se Diaspora nuk duhet jo vetëm të votoj por edhe të votohet, që do të thotë të ketë përfaqësuesit e saj vendimmarrje.
2) Aktorët aktual që kanë marrë këtë iniciativë nuk kanë akoma kredibilitet dhe elektorat të garantuar. Prandaj, mendojnë se duke ardhur nga perëndimi, ku kanë pasur historira të shkurta studimore apo ku ta di unë, mund të sigurojnë votat e mjaftueshme nga emigrantët sa për të pasur një karrige politike.

Siç e kam cilësuar në një artikull timin të botuar në 2005 në shtypin shqiptar me titull “Diaspora, duhet të votojmë edhe ne” se: emigrantët e kanë të garantuar me kushtetutë të drejtën që të zgjedhin dhe të zgjidhen, pra që të votojnë dhe të jenë të votuar. Historia njerëzorë gjithmonë na ka treguar se të drejtat fitohen dhe nuk dhurohen.
Prandaj, mendoj se Diaspora mund ta bëj realitet këtë drejtë duke u bërë pjesë e rrymës albanianpolitik dhe duke përdorur mjetet demokratike dhe legjitime. E drejta e votës së emigrantëve duhet shikohet si një e drejtë kushtetuese, si një domosdoshmëri për demokracinë e vendit tonë dhe jo si akt që mund të përdoret për të përmbushur aspiratat personale politike të njerëzve që mendoj patjetër të bëjnë karrierë dhe që politikën e ushtrojnë për profesionin.
Albanianpoltik, duhet të jetë një rrymë e politikës shqiptarë që nuk bazohet në bindje partiake, por kombëtar, me njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, që integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët por për gjithë rajonin. Kjo rrymë kaq e domosdoshme për kohën që po kalojmë mund t’iu jap përgjigje efikase të gjithë argumenteve që rreshtuam dhe të atyre që ndoshta i kemi harruar ti rreshtojmë, për të krijuar vizionin pozitiv me plotë shpresë dhe ndriçim për të ardhmen.

Wednesday, June 4, 2008

Besimi dhe Politika


Dr. Alban Daci
E Diele, 08 Qershor 2008
Gazeta "Ndryshe"

Antonio Gramshi ka cituar se: me rënien e besimit fetar (në kuptimin tradicional të fjalës), njerëzit me ankth kërkonin një sistem të ri kredencash me principe të përgjithshme rreth së cilës mund të grupoheshin dhe të gjenin arsyet intime për të jetuar me dinjitet.
U ndërtuan kështu një pafundësi me “kisha” të reja , sipas shtresave të ndryshme shoqërore: disa gjejnë fat në sallone mondane, të tjera mes intelektualëve dhe të tjera tek populli.
Ndërsa Jean-Jacque Rousseau në 1756 arsyeton se: sapo njerëzit jetojnë në shoqëri kanë nevojë për një besim që ti mbaj. Nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistoj asnjëherë një popull pa besim fetar.
Sipas tij kush nuk beson në një jetë të ardhme është frikacak ose një i çmendur, po është shumë për tu theksuar se në çfarë mase shpresa e jetës së ardhme mund të shtyj një fanatik që të abuzoj me jetën tokësore.
Lirojeni fanatikun nga vizionet e tija dhe jepni atij të njëjtën shpresë si çmim të virtytit dhe keni bërë një qytetar të vërtet.
Me këtë hyrje Rousseau zhvillon në Kontratën sociale (1762) konceptin e një besimi civil, në të cilën forca shpirtërore është e domosdoshme për bashkimin politik të shtetit të ri kombëtar të mbështetur në sovranitetin e popullit.
Në bazë të këtij koncepti ishte nevoja për të kaluar frakturat e provokuara nga besimi i krishterë, që me institucionet e kishës kishte vendosur mbi tokë “një mbretëri, duke ndarë sistemin teologjik dhe politik”, kishte thyer bashkimin e trupit politik, duke shkaktuar ndarje të brendshme që nuk kanë pushuar së ekzistuari me popujve të krishterë.
I vetmi ilaç i kësaj të keqeje, konfirmonte Rousseau, ishte formula e propozuar nga Thomas Hobbes për të ribashkuar pushtetin shpirtëror dhe pushtetin politik, “ me bashkuar dy kokat e shqiponjës”.
Gjithashtu është e nevojshme, për demokracinë për të formuluar një “ profesion besimi plotësisht civil, ku i përket sovranit të vendos artikujt, jo pikërisht si dogma fetare, por me sentimenta.
Rousseau flet për dogmën pozitive te besimit civil, ku jep lumturi për të mirët dhe ndëshkim për kafshërorët si dhe dogmën negative, që sipas tij është mos toleranca.
Liberali Givani Amendola, antifashist dhe viktimë e dhunës, që ndoshta ishte ndër të parët që bëri lidhjen mes totalitarizmit dhe besimit politik, ku ndër të tjera citon:
Një parti mund të lakmoj dominimin e jetës publike, por jo të tej kaloj kufijtë e ndërgjegjes private, në të cilën kushdo është i lirë të kërkoj strehë. Fashizmit nuk i mjaftonte vetëm pushteti, por kërkonte dhe ndërgjegjen private të gjithë qytetarëve, donë “bisedën” e gjithë italianëve.
Sipas Amendolës karakteristika me e dukshme e motos fashiste do të mbetet, për ato që do e studiojnë në ardhmen, shpirti “totalitar”, i cili nuk do të lejoj në të ardhmen që të ketë agime që nuk do jenë të përshëndetura me gjestin roman.
Për besimin fashist fliste W. Shneider, një studiues amerikan që jeton në Itali mes 1926 dhe 1927. Fashizmi në konkluzionin e tij ishte një “besim i natyrshëm që përdor teknikat e një kulti fetar. Si pasoj Schneider parashikonte tensione dhe konflikte mes Kishës dhe besimit fashist.
Besimi politik është një formë shenjtërimi e politikës që ka karaktere ekskluzive dhe integraliste; nuk pranon ekzistencën me ideologjitë dhe lëvizjet e tjera, mohon autonominë e njeriut në kolektivitet, shenjtëron dhunën si armë legjitime lufte kundër armiqve, merr kundrejt besimeve tradicional një qëndrim pengues, duke admiruar eliminim, ose kërkon të vendos me ato një raport të bashkëjetesës simbiotike, në kuptim që besimi politik admiron të përziej besimin tradicional pikërisht në sistemin e besimeve e miteve, duke i rezervuar një funksion nënshtrimi ndihmës.
Besimet e politikës janë fenomene moderne. Lindja e tyre presupozon shekullarizimin, modernizimin, afirmimin e autonomisë e dimensionit politik nga besimet tradicionale dhe ndarjen e Shtetit nga Kisha.
Pra, nuk do të thotë se besimi politik nuk ka asnjë lloj lidhje me besimet tradicionale dhe domosdoshmërish nuk sjell situatë antagonizmi dhe konflikti.