Friday, February 8, 2008

Ju e dini, por nuk reagoni!!!

Dott. Alban Daci
Botuar tek gazeta Ndryshe

Po e nis këtë artikull me këtë konfirmim që është i qartë, i dukshëm në vetën time si dhe tek ata që do të kenë dëshirën dhe kohën për ta lexuar.
Ndoshta ju, lexuesit e mi, nuk e dini që, unë jam shqiptar si ju, por për një jetë më të mirë dhe për një formim më të mirë intelektual si shumë nga bashkombasit e mi, u largova nga Atdheu duke marrë rrugët e largëta të mërgimit. Ndoshta, ju vëllezërit e mi shqiptare, që vazhdoni të jetoni në Shqipëri, nuk e dini se arsyet e vetme që na detyruan të largoheshim nuk ishin vetëm ato që përmenda më sipër.
Unë, u largova nga dëshira dhe kurioziteti për të eksploruar vendet dhe kulturat e tjera. Gjithashtu u ndjeva i obliguar duke qenë në koherence edhe me konceptin aktual të globalizimit që të eksportoja në këto vende kulturën dhe traditën e vendit tim.
Duke jetuar dhe studiuar jashtë në një vend të zhvilluar të Bashkimit Evropian, vura re nga krahasimet që bëra se gjërat në Shqipëri, nuk po lëvizin në binarin e duhur që të dërgon drejtë të ardhmes që kemi ëndërruar dhe pritur me dekada të tëra.
Miqtë e mi të vendit, ku studioj, më shikojnë që drekoj në një restorant, që darkoj në një mensë universitare, por ato nuk e dinë që shumë nga bashkombasit e mi që jetojnë në Shqipëri e marrin bukën me listë.
Kur, ata vijnë për vizitë tek shtëpia ime që është një rezidencë universitare, ndjehen ngrohtë jo vetëm nga mikpritja ime, por sepse ashtu si apartamenti im, çdo apartament këtu është i pajisur me sistem ngrohje.
Kur, ju tregoj atyre se në Shqipëri njerëzit rrinë nën batanije për tu ngrohur dhe përdorin qirinjtë për të shikuar, duke krijuar një atmosferë kishtare, ku e vetmja shpresë është besimi tek zoti se një ditë do të bëhet më mirë edhe pse, ditët, vitet dhe shekujt kalojnë, por situata mbetet po e njëjtë. Ata me shikojnë me kureshtje, çudi dhe ndjejnë keqardhje, por dhe në të njëjtën kohë nuk arrijnë ta konceptojnë.
Ju, vëllezërit e mi, që jetoni në Atdhe, e dini se politikanët duhet të kenë në misionin e tyre lumturinë e qytetarëve, që të sjellin ngrohjen në shtëpitë tuaja, që t’iu garantojnë dritat, sigurinë, të drejtat dhe liritë e garantuara me ligje.
Ju, e dini dhe e keni mësuar nga formimi juaj intelektual, familjarë dhe shoqërorë që vjedhja është krim, është akt turpi dhe papërgjegjësie, por disa politikanë ndoshta nuk e dinë ose e kanë harruar nga zelli për tu pasuruar sa më shpejtë
Të gjithë ju, e dini që kush vjedh ose abuzon me pushtetin duhet të përballet me ligjin, por hajdutët mjeran në pozicionin e drejtuesit nën abuzimin me pushtetin e legjitimuar nga vota juaj, vazhdojnë të abuzojnë mbi ju, dhe mbi besimin tuaj. Jo vetëm kaq, por herë herë persona të tillë na përfaqësojnë në nivel zyrtarë jashtë vendit. Imagjinoni dhe mendoni për një çast se si mund të integrohet vendi ynë në organizmat euro-atlantike, kur ne përfaqësohemi me persona të tillë që janë të korruptuar.
Ju, e dini që duhet të keni drita, ushqim të bollshëm, mirëqenie, por unë dhe shumë të tjerë si unë që janë për pak kohë vëzhgues të jashtëm nuk e kuptojnë se përse nuk reagoni që ti garantoni!
Çdo gjë në këtë botë, përfshi dhe vetë botën, e kanë pasur zanafillën nga një reaksion i fuqish aktiv.
Kështu mendohet se u krijua dhe universi i gjithësisë.
Prandaj, të reagosh në mbrojtje të interesave të përbashkëta, në kërkim të mirëqenies, lumturisë, jo vetëm që e shikoj të drejtë, por të domosdoshme dhe të vetmen mënyrë për ti pasur të realizuara në realitet dhe jo më në ëndrra.
Unë, dhe bashkëmoshatarët e mi shqiptare, identifikohemi në Evropë dhe në botë me emrin “tranzicione”, sepse vendi ynë ka vite të tëra që vazhdon të jetë në pozicion dhe situatë kalimtare jo stabile ekonomiko-politike.
Për sa kohë do të vazhdojmë të quhemi “Unë jam Tranzicioni”?
Ndoshta për aq kohë sa ky emër do të jetë bërë monoton, i bezdisëm, i lodhshëm dhe i pa durueshëm.
Për aq kohe sa ne duhet të jemi të bindur dhe të vendosur për ti dhënë fund.
Ju, shikoni dhe gëzoheni, kur dëgjoni së do të fillojnë punimet e ndërtimit të një x rruge, sepse mendoni dhe e dini shumë mirë që infrastruktura është vendimtare në garantimin e progresit dhe zhvillimit ekonomik, por pa kaluar shumë kohë ju kuptoni se rruga nuk do të ndërtohet, sepse fondet janë vjedhur.
Ndoshta ju nuk reagoni me pretekstin se rruga është e të gjithëve. Mos marroni se interesat e përbashkëta mbrohen vetëm në mënyrë të përbashkët.
Ju e dini se klasa aktuale politike është autokratike, regresive, miope, por nuk reagoni që ta ndryshoni dhe ta zëvendësoni më një klasë të re që beson se pushteti rrjedh nga populli dhe që i përket popullit.
Unë, ashtu si dhe ju, e di që jeni të lodhur nga realiteti i pranishëm, por nuk ndalojmë për pak çaste që të ç’lodhemi dhe të reflektojmë në të njëjtën kohë se si mund të ndryshohet, duke e bërë optimistë dhe jo pesimistë, progresistë dhe jo regresistë, të sigurt në harmoni me lumturinë dhe jo të rrezikshëm në harmoni me mjerimin.
Ju, vëllezër që jetoni në Shqipëri, doni që ne, bijtë tuaj që jemi larguar jashtë të kthehemi në Atdhe, për të ndërtuar së bashku të ardhmen, por ju, ndoshta nuk e dini se edhe pse kemi shume mall për vendin dhe dëshirë për tu kthyer nuk mundemi, sepse Shqipërinë e ka mbuluar militantizmi dhe injoranca.
Injoranca frikësohet nga dituria. Nga ky arsyetim kuptojmë se të dyja nuk mund të bashkëjetojnë në formë paralele së bashku.
Prandaj, ne dhe ju duhet t’iu tregojmë vendin që meritojnë mediokërve dhe injorantëve.
Të gjithë së bashku, duhet të jemi te vendosur dhe të bindur se nuk mund të vazhdohet më me konceptin e xhunglës se me i forti mbijeton.
Nuk duhet te jemi dakord dhe të pranojmë se populli është vetëm një turmë .
Nuk duhet t’i besojmë Aristotelit teksa thotë se: disa njerëz për nga natyra janë të lindur për të qenë të shtypur dhe skllevër.
Nuk duhet të pranojmë faktin që të jetosh pa drita në shekullin e 21-të është diçka normale.
Nuk duhet të pranojmë faktin që nuk kemi ujë në shtëpitë tona edhe pse në na natyrë na ka dhuruar plotë burime ujore.
Nuk duhet të pranojmë të udhëtojmë në rrugë me gropa dhe të thyejmë qafën në puseta, sepse është abuzuar me fondet.
Nuk duhet te mbetemi analfabet, sepse nuk kemi lekë të blejmë tekstet shkollore, ose sepse fondet janë vjedhur dhe tekstet nuk janë botuar.
Nuk duhet të sëmuremi, sepse nuk kemi lekë që t’iu japim doktorëve.
Nuk duhet të pranojmë vetëvrasjen, vrasjen në familje për shkak të depresionit ekonomik i shkaktuar nga klasa politike që është totalisht neglizhent për hallet tona si dhe për listat tona që vetëm shtohen në dyqane dhe furra buke.
Ju dhe unë i dimë të gjitha, por nuk reagojmë.
Duhet të besojmë se nëse jemi të vetëdijshëm në kapacitet tona ju garantoj se një e ardhme më e mire dhe më e sigurt na pret.
Prandaj, le të punojmë të gjithë së bashku për ta ndërtuar atë, duke i garantuar vetës dhe brezave që do të vijnë një jetë më të mirë me standarde bashkohore.
Le ti them stop sjelljes pasive në mbrojte të lirive, të drejtave për të ndërtuar jetën që meritojnë në harmoni të plotë më mirëqenien ekonomike dhe lumturinë shpirtërore.
Çdo kush është zot i vetvetes të gjithë jemi zot i vendit tonë që ka shumë nevojë për ne të gjithë që të lulëzoj si vendet si motra të familjes Evropiane.