Monday, February 11, 2008

Projekti: Mirë se erdhët në Atdhe


DOTT. ALBAN DACI, kryetar
I organizates shqiptare
Gjenerata Re Shqiptare
http://www.studenti.forum-2007.com/


Projekti: Mirë se erdhët në Atdhe



Projekti " Mirë se erdhët në Atdhe" ka për qëllim kthimin në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve dhe integrimin e tyre në vendet e punës sipas shkallës së kualifikimit, jo vetëm të studentëve, por të të gjithë intelektualëve që për arsye ekonomike dhe ato të tranzicionit ndodhen aktualisht jashtë Shqipërisë. Të gjithë këta shqiptarë që për arsye të ndryshme sot janë jashtë vendit, kanë mall dhe dashuri të madhe atdhetare te kthehen, të investojnë dhe të punojnë në atdheun mëmë, Shqipëri. Gjenerata e Re Shqiptare do të jetë ura lidhëse në mes qeverisë shqiptare dhe studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë vendit. Në punën e gjatë e të palodhur për implementimin e këtij projekti ne e konsiderojmë veten partner të Qeverisë dhe partner të studentëve. Ideja : Organizata mbarë shqiptare "Gjenerata Re Shqiptare", duke pasur në gjirin e saj një numër të madh të studentëve që studiojnë në universitet më të mira në Botë, si dhe e vetëdijshme për nevojën që ka vendi ynë, dhe dëshirën e madhe që kanë këta studentë për t'u kthyer në Atdhe ideoi këtë projekt si proces të domosdoshëm dhe të pa shmangshëm, nëse vendi ynë ka dëshirën e mirë për të ecur në rrugën e prosperitetit dhe zhvillimit ekonomiko-social, politiko-organizativ dhe intelektual-kulturor . Aktualisht, mendohet se jashtë vendit studiojnë rreth 25000 studentë, të cilët me eksperiencat jetësore dhe profesionale-intelektuale mund të sjellin një frymë dhe koncept të ri kryesisht perëndimor për sa u përket reformave të domosdoshme në proceset e zhvillimit nëpër të cila po kalon vendi. Ky projekt duhet të mbështet në dy kolona: 1) Kolona e parë janë studentët që studiojnë jashtë 2) Kolona e dytë është Qeveria Shqiptare Ndërmjetësuese, ose urë lidhëse do të jetë organizata "Gjenerata Re Shqiptare", sepse pikërisht "Gjenerata Re Shqiptare", sepse është organizata e parë që e ka ideuar këtë projekt. Gjithashtu është e para dhe e vetmja organizatë që ka një shtrirje të madhe (konkretisht në disa kontinente, aty ku bota shqiptare është e pranishme dhe zëri i saj duhet të dëgjohet mbi bazën e vlerave universale të drejtave të njeriut, demokracisë, paqes dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve). "Gjenerata Re Shqiptare", ka punuar me përkushtim të madh dhe kjo vërtetohet nga rruga që kemi ndjekur që nga akti i themelimit deri sot. Ne kemi qenë të parët në diasporë që kemi ngritur zërin kundër diskriminimit racor dhe fizik që është ushtruar, me dashje apo pa dashje, kundër shtetasve shqiptarë. Si organizatë kemi realizuar një numër të madh tubimesh para Selisë së Kombeve të Bashkuara në New York. Kemi qenë të parët që kemi organizuar protesta masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera kundër keqqeverisjes, korrupsionit që bëhej në Shqipëri, etj. Madje ne kemi qenë ata që kemi dhënë kontribut të çmuar për të sjellë ndryshime pozitive duke e menduar Shtetin në shërbim të qytetarëve dhe jo qytetarët në shërbim të shtetit dhe shtetarëve. Jemi e para dhe e vetmja organizatë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, që kemi marrë letër falënderimi nga Presidenti Bush, për rolin që kemi luajtur në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi organizuar një numër të madh aktivitetesh, ku përfshihen edhe aktivitetet ndërkulturore të organizuara nga "Gjenerata Re Shqiptare" në Itali, për shembull: Për herë të parë në Gjenova kremtuam festën e 28 Nëntorit, pikërisht në ambientet universitare. Në këtë kremtim kanë marrë pjesë jo vetëm studentë dhe emigrantë shqiptar, por edhe mjaft studentë nga vende të ndryshme të botës, si dhe dashamirës, të cilët së bashku me ne kanë kënduar himnin kombëtarë dhe kanë kërcyer vallen e vjetër tironse, napolonin. Qëllimi i kësaj feste kremtuese ishte ngritja lart e vlerave kulturore dhe parimeve të shoqërisë shqiptare si një shoqëri me prejardhje nga qytetërimi i moçëm Ilir Unë Alban Daci, në rolin e kryetarit të "Gjeneratës Re Shqiptare" në Itali dhe më gjerë kam marrë pjesë dhe kam përfaqësuar të gjithë të rinjtë shqiptarë, në Kongresin e Parë të Diasporës Shqiptare organizuar në Rimini të Italisë. Jemi e para organizatë shqiptare në Itali që kemi bashkëpunuar me qendrën Mesdhetare të Emigracionit, si dhe me Fakultetin e Informacionit në Gjenova, për kryerjen e një studimi statistiko-akademik mbi familjet emigrante shqiptare. Gjithashtu jemi po të parët dhe të vetmit që kemi ngritur zërin kundër procedurave burokratike të lejeve të qëndrimit, të cilat mbanin peng ardhjen e studentëve shqiptarë për festat e fundvitit pranë familjeve dhe të dashurve të tyre. Madje për këtë kemi përpiluar edhe një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës z. Alfred Moisu. Kjo letër është botuar te gazeta ditore shqiptare "Koha Jonë". "Gjenerata Re Shqiptare", ka mbrojtur jo vetëm interesat e studentëve në veçanti, por edhe të emigrantëve në përgjithësi. Kjo mund të konfirmohet në shumë raste dhe çështje të ndryshme, por më domethënëse ishte pjesëmarrja e gjithë stafit drejtues, si edhe mjaftë studentëve në përvjetorin e vdekjes të një punëtori shqiptar, i cili humbi jetën gjatë punës për ndërtimin e muzeut të Marinës Detare, tek Porti Antik në Gjenova. Në përkujtim të tij "Gjenerata Re Shqiptare" si përfaqësuesja e studentëve shqiptarë, ka mbajtur një rol mjaft kritikues mbi kushtet e punës, si dhe shfrytëzimin që bëhet jo vetëm kundrejt emigrantëve shqiptarë, por dhe kundrejt çdo qenie njerëzore që shfrytëzohet dhe ndjehet e pa përkrahur . Gjithashtu vlen të përmendet dhe të vlerësohet puna e "Gjeneratës Re Shqiptare" në Maqedoni nën drejtimin e z. Xhelil Bajramit që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për sa i përket çështjes kombëtare. Në bashkëpunim me lidhjen shqiptaro-amerikane ka mbledhur mijëra firma për pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu ka luajtur një rol vendimtar për zgjerimin dhe rikonstruktimin organizativ të "Gjeneratës Re Shqiptare", në të gjitha zonat e banuar me shqiptarë në Maqedoni. Politika të rëndësishme të programit për zgjerim kanë qenë artikujt e shumtë, intervistat e ndryshme të realizuar si në medien vizive ashtu dhe në të përditshmet shqiptare. Pra, jemi krenar për të gjitha këto, si dhe për në hartimin dhe realizimin e këtij projekti që është i pari lloj tij dhe që mban firmën "Gjenerata Re Shqiptare". Jemi të vetëdijshëm se një strategji e tillë nuk rezulton të jetë strukturuar deri më sot as nga strukturat administrative të shtetit. Prandaj i bëjmë thirrje qeverisë që të na jap të gjithë përkrahjen e duhur, si dhe të vejë në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetëror për integrim real në punë dhe në shoqëri të të gjithë atyre studentëve shqiptarë që kryejnë me sukses studimet jashtë vendit. E shohim të arsyeshme që kthimin dhe integrimin e studentëve ta konsiderojmë si strategji kombëtare për realizimin e kthimit të trurit të emigruar. Të jesh shqiptar është nder, ta ruajmë këtë nder e kemi për detyrë. Ne, "Gjenerata Re Shqiptare" jemi krenar që jemi shqiptare dhe ketë krenari do ta mbajmë dhe do ta mbrojmë me të gjitha metodat demokratike. Do të punojmë pa reshtur për të përmisuar imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në botë, për të treguar vlerat e larta kulturore dhe njerëzore që zotërojmë ne në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë drejtim kemi planifikuar dhe do të ndërmarrim një seri fushatash sensibilizuese nëpër qytetet evropiane. Elementët përbërëse të kësaj fushate do të jenë: 1) Bashkëpunimet që do të bëhen me organizatat ndërkombëtare në aktivitete ndërkulturore, historike, integruese si dhe binjakëzime. 2) Pjesë e pandarë e këtij procesi do të jenë edhe seminaret dhe konferencat që kemi ndërmend të organizojmë në bashkëpunim me universitet perëndimorë për të pasqyruar dhe informuar qytetarët e botës mbi çështjet dhe proceset nëpër të cilat po zhvillohet Shqipëria. 3) Do të promovojmë artin shqiptar në botë, duke ndihmuar në realizimin e ekspozitave të talenteve të rinj shqiptarë që aktualisht kanë mbaruar ose janë në rrugë e sipër të studimeve universitare. 4) Do të mundohemi, me sa do të na jepet mundësia, për promovimin e turizmit shqiptar, për t'i treguar botës që Shqipëria është vend i mrekullueshëm, me bukuri të rralla natyrore që mund të eksplorohet nga turistët nga e gjithë bota. Shqipëria është një vend demokratik, me një rend të normalizuar që jo vetëm mund të vizitohet për turizëm, por fare mirë krijon mundësia të shkëlqyera investimesh në drejtime të ndryshme ekonomike. 5) Imazhi i shkëlqyer i Shqipërisë në botë mund të përfaqësohet dhe të promovohet nga studentët shqiptarë që studiojnë jashtë, të cilët kanë sjellje shembullore, si dhe rezultate shumë të mira, për sa i përket në drejtim të studimeve si para, gjatë dhe pasuniversitare. Pra, ne do t'i tregojmë botës se kush jemi dhe do t'i krijojmë përshtypjen Evropës që integrimi i saj nuk do të kishte kuptim pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen tonë, sepse ne bashkë me kombet e tjera kemi dhënë kontribut të vyer në krijimit e civilizimit të sotëm Evropian. Bashkëpunime dhe binjakëzime Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" ju bën thirrje gjithë organizatave shqiptare që kanë statute, qëllime dhe ide të ngjashme me tonat të bashkëpunojnë me ne, duke dhënë kontributin e tyre në dobi të ardhmes sonë të përbashkët me plotë lumturi, prosperitet, të drejta, liri dhe detyrime që kemi ndaj Shqipërisë. Jo gjithmonë duhet të presim se çdo të bëj Shqipëria për Ne, por çdo të bëjmë Ne në të ardhmen për Shqipërinë tonë të dashur. Me keqardhje shikojmë krijimin e disa organizatave studentore mbi qëllime politike dhe që nuk përfaqësojnë aspak të drejtat dhe aspiratat e shqiptarëve. Madje kanë qëllim thjeshtë përfitimi dhe përçarje. Ne nuk pranojmë dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që qëllimet politike t'i vendosim mbi qëllime kombëtare. Nuk veprojmë dhe nuk simpatizojmë asnjë parti politike. Ne duam dhe mbështesim vetëm një parti të madhe, atë që quhet Shqipëri, anëtarët e së cilës janë shqiptarët. Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjitha organizatave shqiptare të bashkëpunojnë me ne, pa dallime ngjyrimesh politike që mund të kenë, sepse Shqipëria është një dhe shtetasit e saj janë shqiptarët që sot, o kurrë, kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje. Ne nuk jemi të pavdekshëm dhe nuk pretendojmë të jemi të tillë, e pa pavdekshme dhe e përjetshme është Shqipëria. "Gjenerata Re Shqiptare" mendojmë se ky bashkëpunim mund realizohet: 1) Që në emër të shqiptarizmit t'i bashkëngjitemi familjes së madhe "Gjenerata Re shqiptare". Të gjitha organizatat që do të pranojnë t'i bashkëngjiten organizatës "Gjenerata Re Shqiptare", aspak nuk do t'iu kufizohet imazhi i tyre. Do të ruhet me rigorozitet autonomia e tyre. Për veprimtari të rëndësisë veçantë që kërkon një mbështetje masive dhe gjithëpërfshirëse, me seriozitet të lartë, në bazë të rregullave të lojës, do të përfaqësohemi bashkërisht nën drejtimin e përgjithshëm të "Gjeneratës Re Shqiptare". Pra, do të punojmë dhe do të krijomë një konfederatë të madhe organizative të bazuar në të drejtat dhe liritë universale të njeriut, si dhe në respektimin marrëdhënieve miqësore ndërmjet kombeve. Këtë konfederatë kemi menduar ta quajmë Konfederata "Gjenerata Re Shqiptare" 2) Shkëmbim linkesh, letrash, falënderimesh, ndihmesash, idesh dhe mendimesh 3) Pranojmë edhe bashkëpunime në nivel individësh. Këtu kemi parasysh personazhe mjaft të spikatura të Diasporës shqiptare, që deri më sot nuk e kanë gjetur vetëm e tyre në asnjë formë organizative, por që kanë kapacitet e duhura dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në ndihmë të zgjidhjeve më të mira përsa i përket çështjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Roli i Qeverisë shqiptare Ne e konsiderojmë vendimtar rolin e "Qeverisë shqiptare". Pa ndihmën dhe bashkëpunimin e saj projekti ynë nuk mund të realizohet. Organizata "Gjenerata Re Shqiptare" në bashkëpunim me qeverinë aktuale ka realizuar kthimin e një numri të konsiderueshëm studentësh në Atdhe dhe punësimin e tyre në të gjitha nivelet e administratës. Ky kthim është bërë mbi baza vullnetare, sepse konsiderohet vendim personal. Megjithatë në këtë drejtim ende duhet punuar. Ne mendojmë dhe propozojmë se : 1) Mendojmë që Qeveria Shqiptare duhet te krijoi një grup pune për të shqyrtuar kërkesat për punësim nga studentët që studiojnë jashtë "Gjenerata e Re Shqiptare" do t'i jap asaj të gjithë informacionin e duhur dhe mbështetjen e nevojshme në lidhje me politikat që do të ndiqen në dobi të vendit dhe të 25. 000 studentëve ( numër gjithmonë në rritje) që studiojnë jashtë. 2) Kërkojmë që Ministria e Arsimit të bëj reformë të vërtetë lidhur me njësimin e diplomave, duke eliminuar plotësisht zvarritjet burokratike dhe vonesat e pa justifikuara. Për njësimin e diplomave procedurat duhet të jenë sa më të thjeshta dhe praktike, që nuk kërkojnë kohë dhe burokraci. Duke përfunduar shpreh bindjen, se më përkrahjen dhe mbështetjen e Qeverisë, Gjenerata e Re Shqiptare do të realizoj me sukses projektin e saj ambicioz "Mirë se erdhët në Atdhe". Jemi të bindur se atdheu ynë ka nevojë për të gjithë ne. Të gjithë së bashku do të bëjmë një Shqipëri të zhvilluar demokratike, me shqiptarë të lumtur, të ditur dhe të kualifikuar.