Sunday, July 7, 2013

Rilindje kombëtare apo ringjallje njerëzore



Alban Daci

Shqiptarët me të drejtë kishin pritur rotacionin e pushtetit, por ndoshta duke analizuar zgjedhjet e fundit mund të themi se kishin kërkuar thjeshtë ndërrimin e fytyrave. Ideja ime dhe ndoshta kisha të drejtë ishte, se shqiptarët janë lodhur me klasën e vjetër politike dhe këtë radhë do të votonin ndryshe.  Nga rezultati i zgjedhjeve del se unë qenkam gabuar. Ç’është e vërteta nuk jam gabuar unë, por vetë elektorati del se ka qenë i ç’orientuar dhe i paqartë me veten se çfarë kërkon nga politika. Ngado që kam shkuar dhe kam pasur takime politike me qytetarët kam vënë re dy fenomene që lidhen me simpatinë për LSI. Në shumicën e rasteve qytetarët nga ajo që kishin parë dhe kishin dëgjuar shpreheshin hapur se nuk do të votonin për LSI dhe se kjo e fundit do të dalë me zero mandate.  Së dyti, në raste të tjera nuk flitej fare për këtë forcë politike.
Atëherë si ka mundësi që krejt papritur 24 orë para se të vinte dita e zgjedhjeve, kjo parti siguroi një përkrahje historike? Ka mundësi dhe kjo shpjegohet me faktin se populli shqiptarët sot është ndoshta një ndër popujt më pak të informuar në Rajon dhe kjo vjen nga fakti se nuk lexon fare ose shume pak. Qytetarët shqiptarët akoma ecin me idenë më ka thënë baba, e kam dëgjuar nga ai ose ajo dhe në asnjë rast nuk thotë se e kam lexuar vetë si e zeza mbi të bardhë.
Gjithashtu, që shqiptarët kanë probleme serioze me varfërinë dhe jetesën, ky është një fakt tjetër tashmë i njohur dhe i pranuar. Megjithatë varfëria nuk është një argument për të thënë se ky popullit ka të drejtë të zgjedh robërinë dhe skllavërimin e tij. Ka plot popujt të varfër, por me shpirt të madh për liri dhe dinjitet që kanë sjellë ndryshime të mëdha. Mjafton të përmendim ndryshimet e mëdha të Indisë në kohën e Gandit. India ishte e varfër sa më s’ka, por pati fatin të kishte një njeri me shpirt të madh si Gandi, me ndjenjë sakrifice por edhe me një filozofi të madhe për të bërë rilindjen e një kombi të madh siç është ai indian.
Pra, jam i bindur se fakti që një pjesë e mirë e qytetarëve vendosën të shesin votën e tyre tek parti të pamoralshme, kjo nuk ka ndodh më shumë për faktin se kishin nevojë për para, por për shkak të mungesës të një alternative të re të besueshme të ndryshme nga zgjedhjet dhe fytyrat e këtij tranzicioni.
Mendoj, se qytetarët shqiptarët u ndodhën para dilemës së fatkeqësi: “nuk kemi alternativë reale, nuk kemi të ardhme e për rrjedhojë të marrim ca para se u pa kjo punë”. Pra, në këtë realitet dëshpërimi të tejzgjatur të tranzicionit ku po jetojnë qytetarët, përfituan parti të pamoralshme dhe njerëz të pamoralshëm, të cilët përdorën mekanizmin e blerjes dhe marrjes peng të qytetarit.
Atëherë  lind një pyetje e madhe: a kemi rotacion dhe nëse po a është garanci për më shumë  demokraci? Së pari, rotacion nuk kemi, sepse një parti si LSI, pasi mbaroi pazarin me PD ku bashkëqeverisi për një mandate të plotë kaloi po me të njëjtat fytyra në kahun e Opozitë për pak ditë dhe menjëherë u bo përsëri Pozitë.
Tek qytetarët në kohën e fushatës ka qarkulluar edhe anekdota e LSI: një muaj do të jemi në Opozitë e pas një muaj do të jemi përsëri Pozitë. Pra, nuk ndodhi rotacioni, por rrotullimi i të njëjtës rrotë të mbushu me skandale që rrotullohet sipas interesave njëherë Majtas e njëherë Djathtas.
Së dyti, dihet se shumica e mandateve të LSI është garantuar përmes blerjes së votës, e cila jo vetëm është antidemokratike, por edhe një vepër penale. Nuk mjafton vetëm kaq, por  nuk ka një transparencë për burimet financiare që kandidatët dhe kjo parti ka harxhuar për fushatën. Dihet se një ndër skandalet më të mëdha të Italisë, është ai i vitit 92 i quajtur “Tangentopoli” dhe kishte të bënte pikërisht për financimet e partive politike.
Pra, LSI që sot është pjesë e maxhorancës së re ka ardhur në pushtet përmes blerjes së votës dhe mungesës totale të transparencës. Këto të dyja janë një kancer për një demokraci të shëndosh. Atëherë lind pyetja cili do të jetë kontributi i kësaj force politike për demokraci gjatë mandatit qeverisë? Do të jetë zero dhe i orientuar për nga negativja.
Disa qytetarë të shitur dhe të kënaqur me ofertat e bëra në kesh nga LSI, u shprehën se: ne votuam këtë forcë politike për shkak të programit të saj. Kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse jo vetëm që kjo forcë nuk ka një program të mirëfilltë politikë, por shumica e atyre që sot do të jenë deputet si përfaqësues të kësaj partie, jo vetëm që nuk e kanë idenë se çfarë program ka partia e tyre, por as nuk e kanë marrë mundimin më të vogël që ta lexojnë. Ato thjeshtë kanë përdorur logon e një subjekti politik dhe kaq.
Një ndër pikat e forta të LSI në këtë fushatë ka qenë punësimi. Le të bëjmë pak historik për punësimet që kjo parti ka bërë në mandatin bashkëqevërisës me PD. Cilësia e të punësuarve të LSI ka qenë më e dobëta profesionalisht,. Madje nuk kanë munguar edhe rastet e skandaleve për abuzim me detyrën siç ishte rasti i kualidimit të makinave.
LSI ka krijuar një parim shumë të rrezikshëm në politikë, atë të “Kamikazit”. Çfarë duhet të kuptojmë me këtë? LSI zgjedh njerëz që kanë fise ose impakt social, por që nuk kanë asnjë përgatitje profesionale. Kështu ajo u jep mundësi njerëzve të dëshpëruar të bëjnë një jetë që nuk e kanë imagjinuar kurrë. Njeriun me tetëvjeçare për pak vota e bën edhe drejtor, e ky i fundit duke mos e besuar se çfarë ka ndodhur me jetën e tij,  kurrë kthehet në një kamikaz për partinë.
Ky koalicion është quajtur “Rilindje”. Një turp i madh për historinë dhe Rilindjen e vërtetë shqiptare të ndodhur në fund të viteve tetëqind e deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912. Kreshnik Spahiu me të drejtë e ka cilësuar “Rilindja Greke”. Kjo është e vërtetë duke analizuar faktin, se një si Bollano, krejtësisht antishqiptar mund të zër një vend në Parlamentin tonë.
 Po le të lëmë argumentin e “Rilindjes Greke”, se ky do një analizë në vetë, por le të merremi pak me krahasimet politike. Rama ka shumë të drejtë që e ka quajtur Rilindje. Ç’është e vërteta kjo nuk është aspak rilindje kombëtar, por rilindje ose ringjallja e disa individëve që edhe vetë koha duhet t’i kishte harruar.
Me këtë rezultat zgjedhjesh rilindën njerëzit e bllokut komunist dhe fëmijët e tyre. Rilindën njerëz që i kanë kaluar të 60 dhe tashmë duhet të gëzonin pensionin.  Ose siç i ka quajtur Kreshnik Spahiu “ringjallja e kufomave”. Kjo padyshim do të jetë dhe është “ringjallja e të vjetërve” dhe e korrupsionit pa limit. Pra, është ringjallja e unit dhe vdekja e interesit qytetar.