Saturday, July 27, 2013

Ambasadori Arvizu ngre dolli me nacionalistët shqiptarë

Alban Daci

Pak ditë më parë, larg objektivit të shtypit. pinë së bashku nga një gotë birrrë z. Arvizu, Ambasador i SHBA dhe z. Kreshnik Spahiu, Kryetar i Aleancës Kuq e Zi.  Edhe pse ky takim nuk ishte njoftuar nga mediat, e përditshmja prestigjioze shqiptare “Gazeta Shqiptare” arrin të sigurojë ca foto gjatë kohës që z. Arvizu dhe z. Spahiu po bisedonin së bashku. Kjo e përditshme ngriti menjëherë pyetjen e rëndësishme se: çfarë mund të jetë biseduar vallë mes tyre? Përgjigjet e kësaj pyetje nuk do e marrim asnjëherë përderisa asnjëri nga palat nuk është prononcuar se kush ishte qëllimi i këtij diskutimi.
Megjithatë, sipas një analize të thjeshtë ky takim është bërë para tre të vërtetave të mëdha.
Së pari, pak ditë na ndajnë nga thirrja e Parlamentit të ri dhe krijimin de jure të qeverisë së re. Megjithatë, si në kahun e Opozitës ashtu edhe në kahun e Pozitës kanë ndodhur fenomene që nuk i shkojnë për shtat aspak kulturës politike amerikane apo një demokracie perëndimore. Shoqëria amerikane nuk para pëlqen beteja politike të fituara në shifrat mbi 80%. Këto lloj shifrash janë përshtat për demokracitë e brishta dhe për ish vendet komuniste, ku Oligarkia vendos gjithçka në shërbim të saj duke dëmtuar qoftë edhe demokracinë.
Është e vërtetë se Pozita aktuale ka në parlament mbi 70% të mandateve dhe për rrjedhojë do të krijohet një Qeveri me një shumicë të fortë, e cila dëmton dialogun dhe bashkëpunimin me Opozitën. Në këto rrethana, Shqipëria nuk ka një Opozitë institucionale, sepse kartonët e saj në Parlament nuk vlejnë për asgjë.
Z. Spahiu kishte të drejtë, kur thoshte pas zgjedhjeve se: votat tona (Aleancës Kuq e Zi) në kuptimin e mandateve ne Parlament kanë të njëjtën vlerë sa votat e PD. Me pakë fjalë asnjë lloj vlerë apo forcë legjislative e institucionale. Euforia e një fitoreje të madhe nga maxhoranca aktuale dhe geni i konfliktualitetit i trashëguar në vite nga sistemi politik shqiptar mund të dëshmojnë në një optikë të mesme krisje e kriza institucionale e pse jo edhe prishje të marrëveshjeve politike.
Pra, me pak fjalë kjo situatë pas zgjedhore nga amerikanët mund të përkthehet me mundësi reale të destabilitetit politik.
Amerikanët, besojnë e investojnë tek demokracia, kudo qoftë ajo. Megjithatë, mendoj se amerikanët janë pak më shumë të interesuara për demokracinë shqiptare se  të disa vende të tjera të Rajonit, e cila kur është funksionale përkthehet në stabilitet të brendshëm dhe në një farë mënyrë ky stabilitet i brendshëm duhet të reflektojë edhe një garanci për stabilitet të eksportuar nga Shqipëria në Rajon. Në këto rrethana është e logjikshme që z. Arvizu të ketë biseduar me z. Spahiu për rolin që mund të ketë Aleanca Kuq e Zi në një riekuilibrimin demokratik të sistemit politik shqiptarë.
E vërteta e Dytë është fakti, se sot Shqipëria përballë kësaj shumice të fortë të maxhorancës aktuale ka nevojë për një front të ri Opozitar, të institucionalizuar, të riorganizuar dhe funksional mbi bazën e principeve demokratike. A kemi aktualisht në Shqipëri një front të përbashkët opozitar? Përgjigja është jo! Sot kemi një Parti Demokratike, e cila po kalon një fazë tranzitore nga lidershipi i “vjetër” i saj tek një lidership i “ri”.
Sapo u mbyll procesi i  zgjedhjes së Kryetarit të ri dhe siç duket ky proces pati problemet e veta e nuk kalojë pa qejf-mbetje apo edhe me tendenca për përplasje të forta brenda llojit. Kështu edhe pse drejtuesit e PD, kanë bërë shpesh thirrje për një front të ri opozitar, siç duket ato për shkak të problemeve të brendshme nuk janë në gjendje ta konkretizojnë këtë iniciativë.
Pastaj, edhe sikur të jenë në gjendje ta realizojnë, Opozite klasike, dmth PD me aleatët e saj klasik nuk prodhojnë aq konsensus të mjaftueshëm sa të jenë në gjendje të krijojnë një ekuilibër të ri të natyrës demokratike me maxhorancën e re.
Në një vend si Shqipëria,  Opozita e dobët përbën rrezik për demokracinë e brishtë të këtij vendi dhe krijon premisa për destabilitet politik. Në këtë rrethana z. Arvizu duhet të ketë biseduar me z. Spahiu për mundësinë reale e një fronti të ri demokratik opozitar dhe për rolin që duhet të ketë Aleanca Kuq e Zi. Nuk duhet të harrojmë faktin se z. Spahiu gjithmonë ka deklaruar e ka pretenduar se: Aleanca Kuq e Zi është e vetmja forcë e vërtetë opozitare në vend. Ai tashmë ka të gjitha mundësitë që ta dëshmojë një gjë të tillë.
E vërteta e tretë ka lidhje ndoshta pikërisht me mbarimin e mandatit e largimin e z. Arvizu si dhe me ardhjen e fillimin e mandatit në Shqipëri të ambasadorit të ri të SHBA z. Lu. Kohë më parë, pak para fillimit të fushatës elektorale z. Berisha edhe pse ishte në detyrën e Kryeministrit fillojë një fushatë të fortë me deklarata nacionaliste.
Disa thanë se Berisha ka qenë gjithmonë kështu e disa të tjerë e argumentuan se ai po i përgjigjet me të njëjtën monedhë Aleancës Kuq e Zi, e cila që kur ishte lëvizje në bazë të filozofisë së saj politike kishte mbrojtur nacionalizmin patriotik. Ç’është e vërteta reagimet e ambasadorit z. Arvizu qenë me tone të larta duke thënë se duhet të uleshin tonet e nacionalizmit.
Unë, në atë kohë përmes një shkrimi të publikuar në një të përditshme shqiptare argumentova se: Ky reagim nuk është kundër Aleancës Kuq e Zi dhe filozofisë së saj të nacionalizmit patriotik. Historia ka treguar se nacionalizmi është problem, kur bie në dorën e mendjeve të sëmura. Në atë kohë Aleanca Kuq e Zi nuk ishte një mendje e sëmurë. Pastaj, Aleanca Kuq e Zi nuk përfaqësonte një politikë të nivelit shtetëror, por dëshirat dhe ëndrrat e disa shqiptarëve. Pra, me pak fjalë ajo përfaqësonte vetëm dëshirat dhe ëndrrat e shoqërisë civile.
Ngritja e “dollisë” e z. Arvizu me z. Spahiu dëshmoi se kisha qenë i saktë në analizën time racionale.  Dihet se politika e Jashtme e SHBA është afatgjatë e hartohet për periudha edhe 100 vjeçare e pse jo edhe 200 vjeçare. Në këtë optikë, edhe pse z. Arvizu mbaron mandatin e tij duke ja lënë vendin ambasadorit të ri z. Lu, mos ky takim me z. Spahiu do të thotë se politika e jashtme amerikane nuk ndryshon në lidhje me Shqipërinë e pse jo edhe me vetë Rajonin. Atëherë lind një pyetje: Pse z. Arvizu pranojë pas zgjedhjeve dhe pak para largimit të tij të takohej e të ngrinte dolli me z. Spahiu, kryetarin e nacionalistëve patriotë shqiptarë? Mos vallë amerikanët nuk janë kundër nacionalizmit patriotik të z. Spahiu, i cili siç kam thënë po përmes një shkrimi kohë më parë se mbështetet parimisht dhe në principe në patriotizmin amerikan? Apo ndoshta këtë nacionalizëm të shëndoshë të Aleancës Kuq e Zi amerikanët duan ta venë në shinat institucionale?