Sunday, December 8, 2013

Kodi Zgjedhor është antikushtetues dhe ja argumentet

Nga Alban Daci

Gjykata Kushtetuese Italiane pas një kërkesë të Gjykatës të Kasacionit në lidhje me kushtetutshmërinë e Ligjit Elektoral parmes një sentence, e cila do të publikohet javën që vjen e shpall atë antikushtetues dhe urdhëron Parlamentin të hartoi një Ligj të ri elektoral.
Ankimimi në Kushtetuese lidhet kryesisht mbi procedurën e përzgjedhjes së përfaqësuesve në pushtetin legjislativ (Parlament) përmes një sistemi proporcional me lista të mbyllura. Ankimuesi shprehen se modeli aktual “…vendos në rrezik lirinë e votës së qytetarit…”, i cili nuk mund të shpreh preferencën e tij mbi kandidatët”.  Duhet të kemi parasysh se edhe Shqipëria përmes kodit aktual zgjedhor ka të njëjtin sistem, atë proporcional me lista të mbyllura.
Kodi aktual zgjedhor që është i zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë është miratuar në mënyrë konsensuale prej PD dhe PS në dhjetor 2009.
Ligji i ri zgjedhor përcaktoi të gjitha rregullat e nevojshme për të zbatuar për të herë të parë në Shqipëri një sistem proporcional me lista të mbyllura.
Po kush janë efektet antikushtetuese të këtij kodi zgjedhor?
  1. Bie në kundërshtim me nenin 2 pika 1, 2 sipas të cili: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket Popullit dhe Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejti”. Listat e mbyllura plotësohen e prezantohen ekskluzivisht nga partitë politike, të cilat edhe pse në formimin e tyre parashikohen nga Kushtetuta, ato nuk shprehin vullnetin e qytetarëve. Për më tepër që strukturat drejtuese të partive shqiptare janë tipike klasike dhe nuk zgjidhen përmes parimit “një anëtar, një votë” (Edhe pse është tentuar nga PD dhe LSI të zgjidhet organet drejtuese dhe kryetari përmes procesit “një anëtar, një votë”, mund të themi që kanë qenë një dështim i vërtetë dhe janë shoqëruar me një mungese reale të alternativave konkrete për të rivalizuar). Pra, sipas Kodit aktual zgjedhor Sovraniteti u përket partive dhe jo populli dhe ky i fundit nuk ka mundësi ta ushtroi as përmes përfaqësuesve të tij, përderisa de facto e de jure nuk ka përfaqësues.
  2. Bie ne kundërshtim me nenin 45 të Kushtetutës sipas të cilit: “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”. Kodi aktual zgjedhor me sistemin proporcional të listave të mbyllura përmbush vetëm pjesën e parë të këtij neni, se çdo qytetarë që ka mbudhur tetëmbëdhjetë vjeç edhe në ditën e zgjedhjeve ka të drejtë të zgjedh. Megjithatë ky Kod nuk përmbush pjesën e dytë që ka të drejtë edhe të zgjidhet. Praktikisht përderisa hartimi dhe publikimi i listave të mbyllura është eskluzivitet vetëm i partive, këta të fundit duke mos përfaqësuar interesin dhe linjën e gjithë shqiptarëve, bëjnë diskriminime duke zgjedhur persona që përfaqësojnë interesat e tyre ose të klaneve, por jo të shoqërisë. Çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e fundit? Ka ndodhur një diskriminim dhe përjashtim i një ose i disa shtresave sociale si të punëtorëve dhe intelektualëve, të cilët ç’është e vërteta përbëjnë për nga numrat shumicën e vetë shoqërisë. Partitë politike kanë preferuar të fusin në listat e tyre persona që vijnë nga bota e biznesit, të cilët nuk përfaqësojnë aspak interesat e gjëra shoqërore, por vetëm ato të sipërmarrjes. Ky Kod elektoral me lista të mbyllura minon edhe vetë sistemin demokratik të vendit duke vënë në dyshim zbatimin e ligjit për partitë politike, sidomos pjesën e transparencës për investimet dhe sponsorizimet. Sipas këtij ligji është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive sipas rregullave të këtij ligji. Duke qenë se Komisionet Qendror i Zgjedhjeve është i përbërë nga partitë, të cilat nuk kanë marrë parasysh preferencën e qytetarëve dhe për rrjedhojë as nuk i përfaqësojnë. Atëherë edhe vetë zhvillimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhje në monitorimin dhe kontrollin e financave të partive le shumë për të dyshuar për pa njëanshmërinë e tij. Nuk besoj se Partitë kanë dëshirën dhe vullnetin të monitorojnë e të denoncojnë veten. Këtë e tregon vetë historiku i këtyre 20 viteve që nuk kemi asnjë rast të publikimit të shkeljeve ligjore për parat që përdorin partitë në fushata dhe për operimin e objektivave të tyre. Kjo sjellë një rrezikshmëri të lartë për vetë demokracinë si dhe për përfaqësimin e interesave të qytetarëve shqiptarë. Ndoshta mund të ketë subjekte politike shqiptare që financohet nga subjekte juridike ose individuale edhe ndërkombëtare që nuk përfaqësojnë interesin kombëtar, por ndoshta e cenojnë atë me ekzistencën dhe operimin e tyre. Kodi elektoral përjashton edhe një kriter tjetër të rëndësishëm të demokracinë, të drejtën për informim. Përderisa në fletën e votimit shkruhet vetëm logoja dhe emri i subjektit politik dhe përderisa votuesit shprehin preferencën vetëm për këtë të fundit, ata nuk kanë informacion në lidhje me kandidatët dhe në shumicën e rasteve kur janë të interesuar janë të detyruar t’i gjejnë vetë informacionet e mundshme. Kodi gjithashtu përjashton kriterin e konkurrencës dhe të meritokracisë. Listat e mbyllura nuk e bëjnë fushatës të jetë konkurruese mbi bazën e aftësive debatuese, alternativave dhe projekteve të ofruar nga kandidatët. Pra, me lista të mbyllura kandidatëve u hiqet e drejta të shpalosin idetë e tyre dhe në të njëjtën kohë votuesve u hiqet e drejta të zgjedhin më të mirë. Me anë të listave të mbyllura nuk zgjidhet ai që është më i zoti, por ai që ka më shumë pushtet në parti dhe që është më i preferuari nga kryetari i partisë. Fitoren e kandidatit nuk e përcakton oratoria dhe forca bindëse e tij, por forca e partisë dhe pozicioni i tij në renditjen e listës. Kjo bën që qytetarit t’i hiqet e drejta të zgjedh atë që dëshiron.
  3. Bie në kundërshtim me nenin 45, pika 4 të Kushtetutës sipas të cilit: “Vota është vetjake, barabartë,  lirë dhe e fshehtë”. A mund të konsiderohet  lirë vota përderisa votuesit i është hequr e drejta për të zgjedhur të votuarin. Sipas listave të mbyllura kemi kandidat të imponuar, të cilët zgjidhet në çdo rast pavarësisht preferencës së qytetarëve. Zgjedhësi de jure nuk ka mundësinë të shpreh preferencën mbi kandidatin duke qenë i detyruar të votoi një sigël partiake që është e lidhur me një listë bllokuese emërore ku radhitja e kandidatëve brenda saj është përcaktuar nga formacioni politik. Pra, është radhitja në listën partiake dhe jo vullneti i votuesit që shpall fituesin apo jo fituesin.  Ky Kod është antidemokratik dhe vërteton më tej faktin se votuesi nuk ka të drejtën e preferencën është rast klasik wshtw momenti, kur një deputet për rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose për shkak të vullnetit të tij lëshon mandatin. Ai zëvendësohet nga një kandidat tjetër i listës që vjen menjëherë pas tij për shkak të numrit të votave të marra. Ky është një akt klasik se deputetë emërohen nga partitë dhe nuk zgjidhen. Gjithashtu, në këtë proces shumë të rëndësishëm, votuesi (sovrani) është totalisht i përjashtuar). Deputeti që emërohet për  shkak të pozicionit në listë mund të jetë i padëshiruar nga qytetarët, por këta të fundit i kanë të lidhur duart me një kod antikushtetues për të dhënë preferencën e tyre. E njëjta situatë mund të ndodhte nëse me të vërtetë nëse deputetet e Partisë Socialiste të betuar si ministra do të lëshonin mandatin e deputetit ashtu siç kishin premtuar në fillim. Pra, do të ishte një numër relativisht i madh deputetësh (mbi 15) që do të merrnin mandatin pa u shprehur fare preferenca e votuesve. Pra, 15 deputet që nuk përfaqësojnë interesat e sovranit.

Kush do të ishin pasojat e një sentencë të Gjykatës Kushtetuese që do të shprehte se Kodi Zgjedhor është antikushtetues? Që  Parlamenti, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe të të gjithë organet që rrjedhin nga këto tre kolona janë jo legjitim dhe antikushtetues. Ky do të ishte një precedent i parë në historinë e shtetit shqiptar që vetë ky i fundit do të ishte jo legjitim kundrejt sovranit (qytetarëve). Shqiptarët duhet të marrin shembull nga precedentit italian për ta denoncuar pa Kushtetutshmërinë e Kodit Zgjedhor.