Sunday, May 20, 2012

Sllova ime, bora të izoloi, Berisha të la në errësirë

Alban Daci* 

Sllova është një ndër komunat më të rëndësishme të rrethit Dibër, për bukuritë natyrore, për historinë e saj të lavdishme dhe për numrin e madh të intelektualëve që ka nxjerrë ndër vite. Sllova ka qenë zona e njerëzve bujar, e njerëzve punëtorë, vendi ku prodhimi i frutikulturës, sidomos i mollëve dhe i kumbullave jo vetëm zinte vendin e parë në vend, por ishte shumë i preferuara edhe për tregun evropian. Po sot në çfarë gjendje ndodhet kjo komunë e rëndësishme e Dibrës? Në ditë më të vështira të saj. Ajo ndjen çdo ditë dorën e abuzimit dhe të braktisjes nga pushteti qendror berishian. Berisha dhe deputetët e kësaj zonë, interesohen dhe e kuptojnë ekzistencën e saj vetëm, kur janë në fushatë elektorale e kur kanë nevojë për votat e tyre. Sllova është shquar siç thamë për numrin e madh të intelektualëve që ka nxjerrë ndër vite. Megjithatë, në 22 vite tranzicion nuk kam dëgjuar qoftë edhe një herë një deputet të kësaj zone, si të majtë ose të djathtë të dali e të mbajë interpelanca parlamentare në mbrojte të banorëve të këtyre zonave. Neglizhenca e deputetëve të kësaj zonë është aq e madhe, sa banorët e kanë të vështirë të arrijnë t’i takojnë qoftë edhe formalisht. Sllova, kjo komunë ashtu si komunat e tjera Veri-Lindore, kaloj një Dibër të vështirë. Fshatrat e kësaj komune mbeten të izoluar për javë të tera dhe rrugët u hapën vetëm, kur bora u shkri vetë për shkak të rritjes së temperaturave. Gjithashtu, ajo ndjeu dhe braktisjen e pushtetit vendor. Ndihmat që shteti dërgoi në kohën e borës së madhe, jo vetëm ishin qesharake, por edhe një ofendim për banorët. Për më shumë se 60 familje u dërguan vetëm 30 kg miell, 6 kg kripë, 2 kg sheqer e 2 kg vaji, të cilat u hodhën nga makina në qendrën e komunës të futura në dy kartonë të grisur. Sikur të mos mjaftonte bora izolues për këto banorë, të cilët gjithnjë e më tepër ndjehen të zhgënjyer tek politika e vjetër 22 vjeçare që vetëm i ka keqpërdoru dhe nuk u ka ofruar asgjë. Ato kanë më shumë se një muaj e gjysmë që janë në errësirë totale. Kjo ka ndodhur, sepse transformatori i vjetër është djegur dhe transformatorin e ri nuk e vendos kompania CEZ, sepse sipas saj banorët janë debitor. Gjithashtu vetë banorët nuk kanë mundësi ta blejnë, sepse nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar dhe jo më për të blerë një transformator. Unë, jam i idesë që taksat duhen paguar, që dritat duhet paguar. Megjithatë, lind pyetja a ka moral kompania CEZ dhe shteti shqiptar t’iu kërkojnë banorëve respektimin e pagesave? Kompania CEZ po i rrjep shqiptarët me faturat e saj marramendëse. “Viktimë” e këtyre faturave të çmendura jam edhe unë. Situata ekonomike e banorëve të Sllovës është në limitet e mbijetesës dhe varfërisë se thellë. Janë familje të tëra që nuk kanë asnjë lloj forme të ardhurash. Nuk përfitojnë as nga bujqësia, e cila është në kushtet e parmendës së kalit e gomarit dhe të prashitjes së me shatë. Shumë fshatra nuk kanë rrugë lidhëse me qendrën. Qendra shëndetësore është më shumë se primitive. Arsimi është katastrofë me mësues pa shkollë dhe të paaftë. Banorët kalojnë me muaj të tërë pa marrë ndihmën social. Megjithatë, edhe kur e marrin bëhen diskriminime mbi bazën e bindjen politike. Shumat që jepet në kuadrin e ndihmës sociale, nuk mjaftojnë për të pirë kafe dhe jo më për të jetuar. Unë, u them banorëve të Sllovës, të vendlindjes time, të bëjnë durim deri në 2013 dhe përmes votës politikën e vjetër t’i japin përgjigjen që meriton. Aleanca Kuq e Zi është alternativa e vetme jo vetëm për Sllovën, por për gjithë Shqipërinë. Me të ardhur Aleanca Kuq e Zi në pushtet do të prish të gjitha kontratat dhe koncesionet mafioze, të cilat pasuritë e gjithë shqiptarëve i kanë privatizuar për familjet e tyre personale. Aleanca Kuq e Zi do u jap përgjigjen e merituar ligjore dhe kombëtare të gjithave kompanive të huaja, të cilat nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por i vjedhin ato çdo ditë. U them banorëve të Sllovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë t’i japin përmes votës së lirë lamtumirën e fundit politikës së vjetër dhe të injorantëve e hajdutëve që ajo prodhoi në 22 vjet tranzicion. Sllova në histori ka luftuar për flamurin e Skënderbeut dhe ajo nuk mund të gjunjëzohet para një grushti tradhtarësh e antikombëtarësh, të cilët të veshur me petkun e pushtetit nuk lanë pasuri kombëtare pa shkatërruar në 22 vjet tranzicion. Berisha po u le në errësirë sot, por ju keni mundësin të gjeni dritën e merituar, atë Kuq e Zi, të trashëguar nga të parët. Prandaj, përmes votës tuaj, jo të shitur për pak lekë, por të dhënë me ndjenjë kombëtare dhe me mençuri dibrane, keni mundësi të rigjeni vetën tuaj të humbur. Alternativa e vetme është Aleanca Kuq e Zi.

 *Përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi