Friday, January 10, 2014

Qeveria e Kosovës dhe Shqiptare po luajnë shpijash


Shumë nga shqiptarët kur ta lexojnë këtë do të thonë, aman more Alban çfarë hallesh e problemesh kemi e çfarë na thua ti. Kanë të drejtë deri diku, sepse si shqiptarët në Shqipëri ashtu edhe shqiptarët në Kosovë po kalojnë një periudhë të vështirë që lidhet që me krizën e ashpër ekonomike, mos-funksionimi i Shtetit dhe izolimi me Europën. 

E në gjithë këtë terr, Rama e Thaci gjejnë momenti të bëjnë takime mes dy “qeverive”, që duken si loja e që bënim në fëmiri e quhej “shpijash” e ndryshimi i vetëm mes asaj që luanim ne kur ishin të vegjël dhe kjo që bëjnë Thaci me Ramën, është se në këtë rast vetëm Rama që shkon tek Thaci. Rama po bën faktor Thacin dhe po i jep kredibilitetin e një Shteti të ndryshëm nga ai shqiptar. Konotacioni takohet Thaci me Ramën dalëngadalë po tingëllon si në rastin e takimit të Thacit me Dacic. 
Bashkëpunimi i sinqertë dhe real i Kosovës me Shqipërinë do të ishte në të mirë të shqiptarëve. A janë të sinqerta dhe në të mirë të shqiptarëve këto takime që po bëjnë Rama me Thacin? Këto nuk quhet aspak takime dypalëshe e me perspektivë bashkëpunimi. Më shumë më duken siç thonë tironsat “qoka”, ku Ramës si duket herë pas herë i bjerë në mendje të haj një “flijë” e qofte e më mirë se në Prizren nuk ka ku ti gjejë. 
Misteri i këtyre takimeve është a i madh sa nuk e dimë se kush e paguan edhe faturën e këtyre drekave apo darkave. Besoj e paguan Thaci, se është treguar më i sinqertë me deklarimin e pasurisë, ndërsa Rama jeton me qira, ose tek miqtë si ka thënë nusja e tij. Shpresojmë që Thaci e ka kuptuar vështirësinë ekonomike që po kalon Rama e kështu mos e bën zëmrën e mirë i fal ndonjë shpi ose tokë andej nga Kosova. 
Përtej këtyre banaliteteve që nuk janë të çuditshme të ndodhin, Kosova e Shqipëria nuk kanë pse të bëjnë vetëm takime formale dypalëshe të cilat janë të zakonshme mes dy shteteve. Këto lloj takimesh nuk prodhojnë asgjë konkrete, sepse të dyja palët janë kapadaji e kështuqë nuk lëshojnë pe. 
Shqipëria e Kosova duhet të krijojnë organe të përbashkëta bashkëpunimi të mbështetura në protokolle apo marrëveshje konkrete që i obligojnë palët të marrin hapa konkrete. Si Thaci ashtu edhe Rama me qokat e tyre po abuzojnë me gjithë shqiptarët, por më shumë me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kohët e fundit të dyja palët po bëjnë retorike për shqiptarët e Preshevës, të cilët janë nën diktatin e Serbisë dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Situata e tyre është njëlloj ashtu siç ishte e shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Milloshevicit. 
Thaci e Rama duhet qoftë edhe për njëherë të vetme të dalin nga retorikat e tyre e të marrin seriozisht çështjen e Shqiptarëve në Rajon. Shqiptarët e Preshevës nuk kanë nevojë për një donacione, por kanë nevojë për mbrojtje nga Tirana dhe Prishtina. 

A. Daci