Tuesday, September 10, 2013

Rinia, pa një model të ri

Alban Daci

Në Shqipëri është e vështirë ose thuajse e pamundur të jetosh pa simpatizuar ndonjë parti dhe më e mira është të dish të zgjedhësh pikërisht atë parti që fiton gjithmonë pushtetin ose patjetër të paktën do të jetë pjesë e tortës së pushtetit.

Në Shqipëri është e vështirë ose thuajse e pamundur të mendosh në mënyrë të pavarur dhe të kritikosh në mënyrë të varur. Fatkeqësisht Shqipëria të ngjan me momentet më të vështira të Sicilisë, ku qytetarët i kishte pllakosur frika dhe për çdo ngjarje po tu kërkoje informacione thoshin: as nuk kemi parë e as nuk kemi dëgjuar.

Në Shqipëri është e vështirë të shkruash ose të thuash opinionin tënd të lirë. Shqipëri çdo gjë është e varur dhe për rrjedhojë edhe opinioni duhet të varet. Më e rëndësishmja është që opinionin ta varësh në gozhdën nga anon pushteti se përndryshe opinioni kapet për fyti, censurohet dhe hidhet tutje sikur të ishte një virus i rrezikshëm që dëmton mendjet e manipuluara më së miri nga pushteti i korruptuar.

Në Shqipëri është e rrezikshëm të deklarosh hapur vizionin tënd e për më tepër nëse ai bie ndesh me vizionet e shumicës. Qytetarët janë doktrinuar aq keq sa nëse ti kritikon njerëzit  e pushtetit ato menjëherë të sulmojnë dhe të etiketojnë me epitete te ndryshme si: tradhtar, i djathtë, i majtë, revolucionar etj.

Aq shumë është sëmurë mendja e qytetarëve me informacione të gabuara ose manipuluara sa thuajse kanë humbur mundësinë e të menduarit në mënyrë racionale, të pavarur dhe të drejtë.

Pushteti në Shqipëri, për shkak të politizimit të tejskajshëm dhe servilizmit anadollak është bërë një fushë e minuar dhe nëse e shkel sulmohesh ndonjëherë edhe padrejtësisht nga të katër anët.

Të thuash të vërtetat e mundshme për shoqërinë shqiptare dhe për pushtetin në Shqipëri është po aq e rrezikshme sa të thuash të vërtetën në një vend ku gjithmonë ka mbizotëruar gënjeshtra.

Megjithatë e vërteta është e vërtetë dhe gjithmonë mbetet e tillë dhe në fund siç ka dëshmuar historia njerëzore ajo do të mbizotërojë mbi çdo lloj forme tjetër të devijimit të mendimit dhe aksionit njerëzorë.

Rinia shqiptare është pjesë e kësaj vërtete të madhe që pushteti për interesa të ngushta e ka fshehur dhe gjithmonë e ka manipuluar sipas qejfeve dhe dëshirave personale.

A ka rinia shqiptare sot një model? Jo nuk ka! Kjo është një e vërtetë e madhe që prej dekadash fshihet dhe izolohet. Rinia shqiptare fatkeqësisht sot nuk ka një model zhvillimi apo progresi as në politikë as në jetën sociale e as në atë arsimore.

Politika në Shqipëri mbetet zanati dhe monopoli i të vjetërve, të cilët e kanë përdorur rininë gjithmonë si fasadë apo lule të bukur për të romanizuar mjediset e tyre të ndotura.

Zgjedhjet e fundit e dëshmuan më së miri këtë gjë. Në Shqipëri nuk fitojë modeli rinor, sepse nuk ka një të tillë, por fituar si risi pikërisht ata që janë po aq të vjetër sa të humburit e të larguarit.

Rama nuk është më i ri, ai është tashmë i vjetër me pushtetin, zgejdhjet dhe rizgjedhjet dhe gjithashtu edhe me moshë nuk përfaqëson më modelin rinor që duhet të ketë Shqipëria.

Rinia shqiptare për fat të keq vazhdosh të mos ketë një model rinor frymëzues dhe guximtar që mund të ofrojë një model të ri në moshë dhe në mendësi. Kjo është një e vërtetë e madhe!

Pse nuk e ka një model të ri?! Sepse, të vjetrit kanë monopolizuar gjithçka dhe kanë nën kontrollon çdo mendje të re, të cilët sapo tenton të gjeneralizohet e sulmojnë menjëherë që ta manipulojnë sipas kokave të tyre e nëse nuk ja dalin e përjashtojnë tutje duke e sulmuar, denigruar dhe cilësuar si një virus të rrezikshëm për gjithë shoqërinë shqiptare.

Të rinjtë shqiptarë nuk kanë mundësi reale për të pasur një frymëzim të ri. Arsimi në çdo vend të botës mbetet vlera kryesore për të çliruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë nga mendjet e sëmura.

Fatkeqësish arsimi shqiptar mbetet nën nivelet e duhura. Në Shqipëri pesimizmi dhe nepotizmi e kanë kapur për fytin arsimin dhe dëshirën për të lexuar. Kjo ka bërë që të rinjtë të largohen gjithmonë e më shumë nga dija dhe librat.

Gjithashtu, ky pesimizëm i pa shpjegueshëm ka shkaktuar një seri aksionesh pesimizmash në fushën e dijës. Njerëzit e dijës nuk shkruajnë më, sepse librat e tyre nuk blihen e nuk lexohen. Përkthyesit nuk përkthejnë më, sepse veprat e përkthyera nuk blihen. Kjo ka bërë që në Shqipëri në shumë fusha të ketë një mungesë të theksuar të literaturës moderne e bashkëkohore.