Tuesday, October 9, 2012

Aleanca Kuq e Zi (AK) dega Maqedoni: Një front i përbashkët për një të ardhme të përbashkët

Një delegacion i lartë i Aleancës Kuq e Zi i përbërë nga dr. Alban Daci-Sekretar i Arsimit, Bekim Adili Përfaqësues i AK për Degën e Maqedonisë, Valton Kurtishi Përfaqësues i AK për Degën e Maqedonisë, dr. Eduar Kaca- Sekretar Politik e Lumturi Raktoceri- Sekretare për Cështjet Sociale e të Punës, morën pjesë në takimin e Aleancës Kuq e Zi dega Maqedoni të organizuar në Shkup, ku u prezantua projekti: Një front i përbashkët për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë shqiptarët me një front të përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të përbashkët.
Në këtë takim morën pjesë edhe personalitete të shoqërisë civile si dhe mediat e shkruara dhe vizive. Nga ky takim pjesëmarrësit dolën me një qëndrim të përbashkët: Atdheu mbi të gjitha si dhe bindjet politike nuk duhet të jenë shkas për përçarje, por për të mbrojtur më mirë të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Gjithashtu, duke vazhduar me iniciativën “një Flamur në çdo dritare”, përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi e mbuluan Shkupin me flamuj Kuq e Zi.  Me rastin e këtij takimi AK u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë që me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, me datë 28 Nëntor t’i bashkohen të gjithë iniciativës së Aleancës Kuq e Zi për të festuar në Pikën e Morinës, në kufirin që ndan shqiptarët me shqiptarët. Muri virtual që ndan shqiptarët duhet të rrëzohet.

Aleanca Kuq e Zi dega Maqedoni, shpalosi platformën e saj politike, e cila ka mbështetjen dhe simbolizon politikën e Aleancës Kuq e Zi. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi të ardhur nga Tirana bekuan fillimin e aktivitetit të Aleancës Kuq e Zi në Maqedoni dhe shprehën mbështetjen e plotë të garantuar nga selia e Tiranës.