Sunday, September 30, 2012

28 Nëntorin ta festojmë në Morinë

Alban Daci
Në një botë të globalizuar dhe gjithnjë e më të hapur, ku kufijtë nuk kanë më as vlerë virtuale dhe as fizike, ne Shqiptarët ndoshta jemi të vetmit në këtë mjedis Lirie që kemi një mur të madh që na ndan ndërveti.
Ka ardhur momenti vëllezër që atë mur ta shembim njëherë e përgjithmonë. Ngjarjet e fundit në Kosovë na  bindin që shembja e atij muri është e vetmja zgjidhje. Prandaj, të gjithë masivisht nga Shqipëria dhe Kosova në mënyrë krejt paqësore me datë 28 nëntor të mblidhemi tek Pika e Morinit për të vënë themelet e bashkimit real kombëtar..
Doganat (pikat e kontrollit) që ekzistojnë ndërveti jo vetëm na japin alergji, por dëshmojnë edhe një padrejtësi shekullore të popullit tonë. Askush nuk ka të drejtë të na ndalojë për të hyrë në vendin tonë, Kosovën.
Prandaj, le të organizohemi ashtu siç bënë Gjermanë Perëndimorë, të kalojmë masivisht dhe brenda një periudhe të shkurtër pikat e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Po nuk e bëmë ne si popull askush tjetër nuk ka për ta bërë.
Me duket se ka ardhur momenti që ky Bashkim të ndodh.
Bashkimi është e drejtë natyrale dhe ndërkombëtare, sepse mbështet mbi vullnetin tonë, i cili është i fortë dhe i hekurt ashtu si historia jonë.
Ne nuk duhet të shkojmë në Kosovë për të bërë protesta, por për të dëshmuar se ai është vendi ynë dhe se aty janë vëllezërit tanë. Kosova është vendi, që simbolizon një pjesë të rëndësishme të historisë ballkanike, ku protagonistët kryesore e të vetëm para se të ndodhte dyndja sllave, ishin padyshim Ilirët.
Aleanca Kuq e Zi ndryshe nga PD dhe PS, apo LSI, nuk preferon ta festoi 100 Vjetorin e Pavarësisë me Shakirën apo Ciljetën, por me shqiptarët pikërisht në Morinë, në vendin ku qëndron “Muri” virtual që ndanë padrejtësisht një popull, që ndanë shqiptarët me shqiptarët.
Të gjithë së bashku të bashkohemi me 28 nëntor në Pikën e Morinës, për t’i dëshmuar Botës, se nuk ka gjë që na ndanë, se ne jemi populli që kemi pësuar nga historia padrejtësitë më të mëdha, gjenocide, ndarje, okupime e shtypje.
100 Vjetori i Pavarësisë, ky akt i madh historik dhe kombëtar duhet të jetë një dëshmi reale kombëtare për të dëshmuar se ne duan të bashkohemi, sepse kjo është rruga e drejtë e popullit shqiptar, i cili ashtu si popujt e tjerë duhet ta përjetoi historinë e tij në realitet dhe jo në virtualitet siç ka ndodhur gjer më sot.
Në fillimet e Aleancës Kuq e Zi, kur ajo fliste hapur dhe qartë për Bashkimin, skeptikët dhe tradhtarët mund të kenë thënë se, kjo forcë e re politike po flet për çart. Me kalimin e kohës Aleanca Kuq e Zi dëshmoi dhe u tregoi shqiptarëve që nëse kemi pasionin dhe vendosmërinë, Bashkimi jo vetëm se është i mundur, por edhe mund të ndodh shpejt.
Aleanca Kuq e Zi me politikën e saj Atdhetare e Patriotike bëri që shqiptarët t’i kthejnë sytë tek flamuri Kuq e Zi dhe të mos e zëvendësojnë më atë me flamujt partiak siç kishte ndodhur në këto vite tranzicioni.
Aleanca Kuq e Zi po krijon kulturën e krenarisë kombëtare dhe të vetëdijes shqiptare, e cila, le të themi, se për shkak të politikanëve të vjetër tradhtarë ishte venitur dhe quhej demode.
28 Nëntorin ta festojmë në Morinë, për të respektuar Hasan Prishtinën, Iljaz Pash Dibrën, Haxhi Zekën, Isa Boletinin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e të tjerë të cilët gjithën jetën e tyre ja dedikuan Bashkimit Kombëtar. Nëse nuk rikujtojmë veprat dhe bëmat e tyre, nuk mund të kuptojmë thellë rëndësinë e Bashkimit.