Thursday, September 13, 2012

Zogu dhe Historia

 Alban Daci 

Debati i madh që është hapur në lidhje me figurën e Zogut mendoj, se po futet në ca kanale turpi dhe përçarje. Mendoj, se figura e Zogut nuk është analizuar asnjëherë me gjakftohtësi dhe me realizëm. Sot kemi një luftë të heshtur mes Veriut dhe Jugut, mes ish anëtareve të Partisë dhe Nacionalistëve në lidhje me figurat dhe ngjarjet historike. 
Është një turp dhe e pafalshme, se ato klane që nxitën përçarjen e shqiptarëve në Veri dhe në Jug, po vazhdojnë akoma edhe sot, të bëjnë të njëjtën gjë. Zogu, duhet të analizohet si udhëheqës (Mbret), si strateg ushtarak (i shkolluar dhe i graduar jashtë). Normalisht ka edhe të këqijat e veta si çdo figurë, por në fillim të viteve 20 e gjithë Shqipëria kishte gjithsej vetëm tre makina të vjetra Ford, për të ardhur keq të lënë pas nga një mision humanitar amerikan dhe asnjë rrugë të ndërtuar. 90% e popullsisë merrej me bujqësi ose me mbarështimin e bagëtisë, ndërkohë që vetëm 9% e tokës ishte e punueshme. Industria ose nuk ekzistonte, ose ishte vetëm në fazë zejtarie. Burimet minerale qen të shpërfillura, ndërsa siç thamë më sipër, sistemi i transporteve ishte primitiv. Ndërsa Tirana ishte një fshat i madh, me rrugë me balt në të cilat vetëm gjatë muajve të verës mund të qarkullonin makinat. 
Shqipëria para Zogut nuk ishte një Komb i bashkuar politikisht, çdo kapadaji bënte sikur t’i donte qejfi. Në aspektin politik në fillim të viteve 20 duke lënë mënjanë çështjen e bashkimit (mbetet akoma edhe sot e pa zgjidhur), shqiptarët vuanin nga një sëmundje e trashëguar prej Perandorisë Osmane, që shprehej nga një ndjenjë e ofertë e mosbesimit ndaj qeverisë dhe qytetit, e çiftuar kjo me finokërinë që shtihej në punë për t’ua hedhur autoriteteve-një mënyrë e vepruari që konsiderohej jo vetëm normale, por edhe e lavdërueshme. Megjithatë, mendoj se historia duhet të rishitet. Historia jonë e shkruar gjatë periudhës së Diktaturës është një histori e mbushur me propagandë partiake dhe komuniste. Në këtë vështrim thuajse çdo gjë që nuk kishte lidhje me komunizmin duhej të shihej si tradhtare dhe çdo gjë që kishte lidhje me Komunizmin merrej si një vërtetë e madhe. 
Gjithashtu, ka një diskriminim të theksuar mes ngjarjeve historike të ndodhura ne Veri dhe atyre të ndodhura në Jug. Ka pasur një far tendence që ngjarjet e mëdha historike të ndodhura në Veri të trajtoheshin sa më pak dhe të minimizoheshin sa më shumë. Një shembull është Beteja e Kolosianit në Kukës, ku Luma e Dibra për një ditë me mjet krejt rrethanore vranë rreth 17 mijë serb në një betejë të përgjakshme. Kjo ngjarje jo vetëm që nuk është trajtuar ashtu si është në të vërtetë, por thuajse nuk është trajtuar fare dhe brezat e rinj, të krahinave të tjera shqiptare nuk e kanë idenë dhe nuk e dinë se ka ndodhur një betejë e tillë. 
“Arritja më e prekshme e Zogut ishte sigurimi i stabilitetit politik në vend, sado që i kufizuar. Ai ishte aq i mençur sa të kuptonte që për ndërtimin e shtetit të tij nuk mjaftonte thjesht të kopjonte modele shtetesh që ishin aplikuar në vende të tjera, pa marrë në konsideratë realitetin politik në vend. I mbështetur në dualizmin e tij politik, Zogu krijoi eventualisht një sistem duke kombinuar idetë Lindore me ato Perëndimore, me gjasë Perëndimore në formë dhe Lindore në përmbajtje”-kështu shkruan autori Bernd J. Fischer për Ahmet Zogun në librin e tij “Diktatorët e Ballkanit”. 
Për vlerësimin e figurave kyçe që kanë qenë protagoniste në momentet më decisive të historisë dhe për të cilat janë hedhur mjegulla e paqartësi, ndoshta në shumicën e rasteve në mënyrë krahasuese duhet t’u referohemi edhe historianëve të huaj. Në shumicën e rasteve historianët e huaj nuk janë të implikuar drejtpërdrejt në ngjarjen e ndodhura ne vendin tonë dhe për këtë arsye rrëfimet e tyre i kanë pa emocione dhe jo të njëanshme.