Friday, April 26, 2013

A ka të Majtë apo të Djathtë?


 Alban Daci

Për 50 vite gjatë Regjimit shoqëria u politizua aq shume sa çdo gjë varej prej "Nënës Parti". Për të shkuar në shkollë duhet të ishe anëtarë partie. Për të bërë karrierë duhet të ishe anëtarë partie. Për të ardhur në Tiranë duhet të rekomandoheshe po nga Partia. Kjo tradite e shëmtuar u trashëgua edhe pas viteve '90, sepse ishin të njëjtët njerëz me të njëjtën mendësi. Në këto rrethana, nuk u krijua një ideologji e djathtë, por një kamuflazh djathtas e me bindje ekstreme majtas. Kjo shpjegon edhe mendësinë të ushtruar në vazhdimësi “o me ne”, “ose kundër nesh”. Për fat të keq këtë gjë të shëmtuar po e zbaton edhe Rama kundrejt Aleancës Kuq e Zi. Ai tregon se është vazhdimësi e mendësisë së vjetër. Në këto rrethana, shqiptarët nuk mund të kërkojnë te Majtë dhe të Djathtë, sepse ato nuk ekzistojnë, por duhet të besojnë tek fryma dhe burimet njerëzore që ka një parti. Aleanca Kuqezi e Zi ka fryme patriotike dhe djem të rinj e vajza të reja që e duan këtë vend. Qytetarët shqiptar duhet të shikojnë se cila parti përfaqëson interesat e shqiptarëve dhe kush përfaqëson interesat e grekeve, serbëve e të atyre që nuk e kanë dashur kurrë Shqipërinë. Shqiptarët nuk duhet të mendojnë nëse të shkojnë Majtas apo të shkojnë Djathtas. Shqipëria ka pasur në 23 vite një grup halabakësh dhe hajdutësh që nuk kanë menduar gjë tjetër veçse xhepat e tyre. Si mund të ketë të Majtë në Shqipëri, kur nuk ekziston një shtresë e mesme? Isha para ca ditësh në Prenjas. Një mjerim i vërtetë dhe një qytet i braktisur, pa punë, pa të ardhura e njerëzit jetonin me borxhe. Nëpër bare pinin kafe turke se ishte 300 lekë të vjetra dhe jo ekspres që kushtonte 500 lekë. Hyra bashkë me një mik në barë, i cili aty përshëndeti një të afërm të tij. Pasi e përshëndeti e pyeti se si ishte? Ai i tha: si të jemi dashamirës, po pimë kafe me lekë borxh. Pra, nuk kishte lekë as për kafe. Kjo për botën Perëndimore do të thotë mjerim. Në Shqipëri në këto vite tranzicion ka qeverisur edhe ajo që është quajtur e Majtë dhe jam kureshtar të ditë se cili ka qenë kontributi i saj për shtresat sociale nën nevojë. Një ditë tjetër shkova në qytetin e Durrësit në takim me qytetarët. Aty po më thoshte njëri se kishte 20 vjet proces gjyqësor për një pronë private dhe në fund kishte dhënë dorëheqje nga gjykimi se nuk po ja dilte dot. Në këto 20 ka qeverisur dhe ajo që quhet e Djathtë. Jam kureshtar të di se çfarë ka bërë e Djathta për pronën? Asgjë, premtime e vetëm premtime dhe si përfundim prona nuk ka shkuar tek i zoti. Kjo është historia e të Majtës dhe të Djathtës në këto vite tranzicioni. Përtej të Majtës false dhe të Djathtës së kamufluar zgjidhni Aleancën Kuq e Zi, e cila si parti patriotike pronën private e vlerëson se bazë e organizimit shoqëror. Ndërsa njeriun e shikon si gjënë më të rëndësishme të Atdheut e për këtë arsye ka nevojë për kujdesie sociale që ai të rritet, të edukohet dhe të formohet sipas standardeve më të mira.