Sunday, June 10, 2012

Lidhja e Prizrenit simboli i shqiptarizmit

 Alban Daci

Më 10 qershor 1878 u themelua Lidhja e Prizrenit. Ashtu si sot, edhe atëherë ishte një ditë e nxehtë qershori. Situata në Rajonin e Ballkani nuk ishte aspak e qetë dhe shumë re të zeza po shfaqeshin në horizont për popullin shqiptar. Fqinjët shoviniste dhe të uritura, duke shfrytëzuar lodhjen e Perandorisë Osmani, po prisnin momentin magjik për të gllabëruar tokat e trojeve shqiptare. Shqiptarët po e kuptonin shumë mirë situatën gjeopolitike në rajon dhe e dinin fort mirë, se nëse nuk bënin diçka, fati i tyre ishte në rrezik. Prandaj, një nga çështjet kryesore që ato shtruan në pranverën e vitit 1878, në mbledhjen e krahinave të vendit ishte formimi i Lidhjes Shqiptare. Lidhja Shqiptare ishte respektimi i traditës shqiptare dhe sipas kësaj tradite sa herë që vendi apo viset ishin në rrezik, secila krahinë shqiptare thërriste kuvendin e saj dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin të gjithë së bashku në një kuvend të madh mbarëkombëtar. Kjo është një karakteristikë shumë e rëndësishme për të vërtetuar faktin, se shqiptarët çdo vendim e merrnin ne formë kolegjiale dhe duke respektuar në maksimum principin e demokracisë. Pra, që në fillimet e shtetit modern shqiptar, demokracia ka qenë një model qeverisës jo vetëm i dëshiruar nga shqiptarët, por edhe i aplikuar drejtpërsëdrejti në vendimmarrje. Duhet theksuar se në këtë kohë viset shqiptare si brenda ashtu edhe jashtë kishin figura shumë të ndritura dhe largpamëse, të cilat i kishin të gjitha kapacitet intelektuale dhe ishin të mbushur me ideale për të marrë çdo iniciativë në mbrojtje të çdo pëllëmbe toke shqiptare dhe të drejtave të shqiptarëve. Një rol të rëndësishëm po luante edhe Diaspora shqiptare, sidomos Komiteti i Stambollit, i cili ishte truri i çdo platforme politike për hapat që do të merreshin më tej. Duhet theksuar se ky komitet për shkak të rrethanave vepronte në fshehtësi të plotë. Pra, ky është vetëm një ndër faktet, se shqiptarët duhet ta respektojnë dhe ta përkrahin rolin e diasporës që ka pasur në shekuj në mbrojtje të kazus shqiptare. Edhe sot Diaspora shqiptare mund të luaj një rol të rëndësishëm për kauzën tonë të përbashkët të Bashkimit Kombëtar. Mbledhja e Kuvendit Mbarëkombëtar u vendos të mbahej në Prizren, sepse ky ishte një ndër qytetet më të mëdha shqiptare dhe afër tij ishin pikërisht krahanit shqiptare të cilat rrezikoheshin drejtpërsëdrejti nga copëtimi dhe shkëputja. Për thirrjen e Kuvendit u ngarkuar një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve e të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Shpejtësia e mbledhjes së Kuvendit varej drejtpërsëdrejti nga ngjarjet ndërkombëtare, të cilat do të caktonin linjat e reja në rajon. Kështu, sapo e morën veshtë se u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, katër Vilajetet, i Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinën filluan të përzgjidhnin delegatët që do të merrnin pjesë në Kuvend. Edhe pse mund të duket krejt normal një akt i tillë, ai ka shumë rëndësi në prizmin e Çështjes Kombëtare, sepse tregon edhe njëherë faktin, se të gjitha trojet shqiptare, kur behej fjalë për Kombin ishin të bashkuara dhe të një mendje, atë të mbrojtjes së Kombit edhe me gjak e me çdo sakrificë. Shqiptarët, ishin vigjilent për hapat që po ndërmerrnin dhe për rëndësinë e aktit historik që po bënin, kështu ato vendosën që të mos ishte në cilësinë e delegatit asnjë person që kishte pasur orientime sulltanor, ose që kishte qenë i implikuar në rrethanat e tradhtisë kombëtare. Shqiptarët ishin të vendosur të thërrisnin një Kuvend shqiptarë, të bërë vetëm nga ato shqiptarë që ndiheshin krenar për identitetin e tyre dhe që ishin të gatshëm të ndërmerrnin çdo lloj sakrifice që ta mbronin atë para çdo rreziku që i kanosej. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e bejlerë sulltanistë. E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Në Kuvend u mbajtën shumë fjalime, por u ruajt vetëm një fragment nga fjala e Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Megjithatë, nuk duhet të harrohen edhe kontribute si ai i Pashko Vasa, i cili i paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një prememorje në emër të popullit shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Edhe pse vitet kalojnë, duke sikur situatat për ne shqiptarët nuk ndryshojnë, Sot, ashtu si Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë të mos kenë administratë të modelit sulltanor dhe as qeverisje të modelit sulltanor. Ne, shqiptarët duhet t’i shkëpusim njëherë e përgjithmonë lidhjet nga modelet e despotizmit oriental dhe duhet të orientohem drejt demokracisë perëndimore, e cila është pjesa natyrale e karakterit tonë kombëtarë. Megjithatë, zëri më i fuqishëm i shqiptarizmit në atë kohë padyshim që mbetet Abdyl Frashëri, i cili botojë një seri shkrimesh në shtypin vendas dhe atë të huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane, gjatë pranverës dhe verës të vitit 1878. Në një artikull të botuar në muajin prill në gazetën turke “Basiret” (Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe t’u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka të drejtë t’u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria ishte gati të përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i njiheshin të drejtat e saj kombëtare. Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit e majit në organin austriak “Messager de Vienne” (“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar, si një nga kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor, me kulturë, me ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare. Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë, të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do ta dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian. Sot, shqiptarët në rajon, le të themi, se janë identik në të njëjtin situatë ashtu siç ishin në momentet e vështira pas Traktatit të Sh. Stefanit dhe më vonë atij të Berlinit, ku të tjerët padrejtësisht bën pazare me tokat dhe identitetin tonë kombëtarë. Megjithatë, era po fryn përsëri në anën e shqiptarëve, të cilët e kanë kuptuar se nëse janë të bashkuar janë më të fortë, të fuqishëm dhe më të mbrojtur. Sot, ashtu si me datë 10 qershor, është krijuar një Lëvizje Politike Shqiptare,e cila ka si filozofi Bashkimin e shqiptarë. Kjo Lëvizje Mbarëkombëtare është Aleanca Kuq e Zi, e cila me datë 16 qershor, vetëm gjashtë ditë më vonë se sa 10 qershori i Prizrenit ka vendosur të thërras Kuvendin Mbarëkombëtare Shqiptarë, me delegate nga të gjitha trojet shqiptare (Vilajetet) si dhe nga Diaspora (ashtu siç ishin në atë kohe Komitet Kombëtare. Për t’u vlerësuar ishte ai i Stambollit). Aleanca Kuq e Zi e mbështet fuqishëm ashtu si Abdyl Frashëri, Çështjen e Bashkimit Kombëtar jo vetëm si të drejtë legjitime të shqiptarëve, por edhe si një mundësi më shumë për të pasur siguri dhe paqe në rajon. Sot, si atëherë Shqipëria, ka burra dhe njerëz të mençur, të cilët kanë ideal të lartë për mbrojtjen e Kauzës Shqiptare dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Për herë të parë që pas Prizrenit, Çështja e Bashkimit Kombëtarë po trajtohet si një çështje e mirëfilltë politike. Këtë po e bën të mundur Lëvizja Mbarëkombëtarë Aleanca Kuq e Zi, e cila tashmë e ka integruar në Programin e saj politik dhe është e vendosur ta konkretizojë atë në një afat të shkurtër kohorë. Sot, shqiptarët, që nga Koha e Lidhjes së Prizrenit, kanë mundësi reale që shumë padrejtësi të bëra në shekuj t’i rregullojnë. Kjo për vetë faktin e situatave gjeopolitike rajonale dhe globale. Sot, në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare është i pranishëm një brez i ri, i shkolluar, i mbushur me ideale dhe i motivuar drejt Çështjes së Bashkimit Kombëtar. Gjithashtu, situata Rajonale është në favorin e shqiptarëve. Sot Fqinjët tanë kanë probleme të mëdha për shkak të politikave të gabuara që kanë ndjekur dhe për këtë arsye nuk shihen me sy të mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Problemi më i madhe i fqinjëve tanë, duke përjashtuar Turqinë, është se ata nuk shkëputen dot nga lindja. Për, këtë arsye ato nuk janë shumë të dëshiruar nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa, brezi i ri i shqiptarëve, është kryesisht i shkolluar në Perëndim dhe për rrjedhojë i mbushur me vlerat e demokracisë, barazisë mes popujve dhe të drejtës për të ruajtur densitetit kombëtar, si një vlerë të shtuar në familjen europiane. Çështja e Bashkimit të shqiptarëve u ka rezistuar kohërave dhe momente të vështira, por sot ajo i ka të gjitha shanset që të realizohet. Realizimi i saj, do të bënte shqiptarët de facto një popull të barabartë me popujt e tjerë.