Monday, January 30, 2012

Pse nuk fiton dot PS

 Alban Daci

Edhe pse liderët aktual të PS hiqen sikur i kanë fituar betejat e fundit elektorale, por që sipas tyre votat e elektoratit janë vjedhur nga mazhorancë, nuk do të isha dakord me këtë tezë. Liderët aktual të PS janë të bindur se kjo është tezë e dështuar, por e vetmja mënyrë e tyre për të justifikuar betejën e tyre të humbur për të marr pushtetin. PS, i humbi zgjedhjet e 2005, të cilat e dërguan atë në Opozitë. A meritonte që të shkonte në Opozitë? Absolutisht, sepse kështu vendosi virdikti i popullit, i cili thjeshtë duhet të pranohet dhe nuk diskutohet. PS-ja u kthye në Opozitë për mungesë transparence, për rritje galopante të korrupsionin në institucionet qeverisëse. Megjithatë, shkaku kryesor i kthimit të PS në Opozitë, ishte papërgjegjshmëria dhe ‘ngopja’ e madhe që kishte me pushtetin, lideri i saj Fatos Nano. Edhe pse PS, në të kaluar ka qenë një parti me struktura të mirëorganizuara, ajo identifikohej me liderin e saj historik z. Nano. Pra, nëse PS fitonte kishte fituar, sepse kishte fituar edhe Nano, nëse PS humbiste kjo do të ndodhte nëse do të humbiste po z. Nano. Pra, fitorja dhe dështimi i një partie ishte i lidhur ngushtë me humbjen dhe fitoren e një individi të vetëm, i cili si një lider kishte cilësi të larta karizmatike dhe aksioni i tij publik e politik ishte gjithmonë i shoqëruar me mbështetje masive të qytetarëve. Siç me çdo qenie njerëzore që vjen një moment që mërzitet me profesionin që bën, ashtu ndodhi edhe me z. Nano, i cili le të themi ishte i mërzitur me profesionin e Kryeministrit. Mbaj mend që vitin e fundit para se Nano të humbiste zgjedhjet politike, të cilat ishin të pritshme, ky i fundit më shumë qëndronte më së shumti jashtë vendit se sa në krye të detyrës. Madje disa programe humoristike televizive filluan në atë kohë të thoshin, kur vinte Nano në Shqipëri, se erdhi Kryeministri i Shqipërisë për vizitë tre ditore në Shqipëri. Megjithatë, në 2005 ndodhi ajo pritej dhe që ndoshta edhe vetë Nano e kishte kërkuar, PS-ja humbi zgjedhjet dhe kaloi në Opozitë. Ashtu siç duhet të ndodh me çdo forcë politike, kur humb zgjedhjet ashtu duhet të ndodhte edhe me PS, e cila duhet të bënte një analizë të thellë për humbjen dhe të bënte reformimin e strukturave të saj, duke i freskuar me njerëz të rinj. Në të vërtetë kjo tek PS-ja nuk ndodhi, të gjitha fajet e humbjes ia dorëzuan vetëm liderit të saj z. Nano. Në krye të PS erdhi z. Rama, i cili thjeshtë u bë kryetari i ri, por duke mos ndryshuar asgjë në stafin dhe strukturat e PS. Përgjegjësit e humbjes së PS, vazhduan të qëndronin aty dhe të mos pranonin faktin se ndoshta cikli i tyre ishte mbyllur bashkë me liderin e tyre historik, i cili si rrallë herë në politikën shqiptare mori përgjegjësitë që i takonin për humbjen e shkaktuar dhe hoqi dorë nga drejtimi i partisë. Pra, tek PS-ja u ndryshua vetëm kryetari, por stafi dhe mendësia e kësaj partie nuk ndryshoi. Sot, PS ka më shumë problem brenda llojit se sa vizione apo forcën për të fituar betejat elektorale. PS-ja në gjirin e saj ka politikanë të cilët janë prej më shumë se 20 vitesh aty dhe tashmë ndodhen në gjendjen e një konsumimi të vërtetë. Këta persona jo vetëm që janë të shteruar tashme me ide dhe vizione politike, por janë ndoshta deri diku të padëshiruar më edhe nga elektorati socialist. Një ndër problemet më të mëdha që ka sot PS është fakti se PS nuk mbledh më turma rreth vetës dhe krijon besueshmëri alternative. PS-ja nuk është më një shpresë e fortë tek qytetarët për ndryshimin e këtij realiteti të papranueshëm në Shqipëri. PS-ja i ka të gjitha kartat për të fituar zgjedhjet dhe për të bërë ndryshimin e kërkuan nga qytetarët e lodhur, por kjo nuk mund të ndodh me personazhe politike që kanë mbi 20 vjet në politik dhe jo vetëm që nuk mund të japin më për këtë vend, por ndoshta janë bërë edhe të neveritshëm. PS-ja nuk ka një koalicion fitues politik. Kjo ka ndodhur për faktin, sepse PS-ja ka marrë brenda vetës partiçka. Persona të rëndësishëm në PS-në, për shkak të rivalitetit të brendshëm janë larguar nga ajo për të formuar parti të cilat nuk kanë as kuptim politik dhe as peshë elektorale. Pra, drejtuesit e këtyre patiçkave janë persona që nuk kanë vlerë të shtuar elektorale për t’ia ofruar PS përmes koalicionit. Prandaj koalicionet e PS me ish anëtarët e drejtuesit e saj politik që kanë formuar e përfaqësojnë parti të reja, jo vetëm nuk e ndihmojnë atë të fitojnë zgjedhjet, por e bëjnë më qesharak besueshmërinë e koalicionit që pretendon të fitoi betejat politike. PS duhet të krijoi një atmosferë të re në bërjen e politikës. Nuk duhet të mbajë dhe të prezantohet me personazhe të cilët në 20 vite pluralizëm akuzohen për gjithçka. PS-ja duhet të kthehet në një forcë të madhe besimi për qindra e mijëra qytetarë shqiptarë të cilët janë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale. PS-ja aktuale nuk fiton dot, sepse ajo ka lidhje të fortë me të kaluarën, nuk ka një vizion të ri dhe një dëshirë reale për ta ndryshuar këtë vend. Ajo nuk fiton, sepse mendësia e saj e strukturimit dhe funksionimit nuk është aspak e ngjashme me partitë perëndimore. Aty nuk ka frymë demokratike dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë vizione alternative për vendin.