Friday, January 27, 2012

Koalicioni i integrimit apo vendnumërimit

Alban Daci

Koalicioni aktual qeverisës edhe pse në fillim u duk absurd, ai u pa nga qytetarët si i dobishëm. Optika e dobishmërisë ishte për faktin, se shqiptarët ishin të lodhur nga krizat politike të së shkuarës, të cilat thuajse gjithmonë kishin pasuar me kriza institucionale e për pasojë me konflikte dhe shqetësime shoqërore. Pra, qytetarët edhe pse e panë si absurd këtë koalicion, ato e pranuan atë si të keqën më të vogël. Autorët e koalicionit të vetëdijshëm për absurditetin e krijesës që po krijonin, e veshën atë, e zbukuruan dhe e shitën tek qytetarët si nuse të integrimit europian. Nuk duhet harruar se protagonistët e këtij koalicioni në të kaluarën nuk kishin lënë akuza pa i bërë njëri-tjetrit. Megjithatë, e kaluara u harrua shpejt nga të dyja palët dhe kjo ndodhi vetëm për shkak të dashurisë së madhe që kishin për pushtetin. Zelli, forcat e premtimet e tyre fillestare u dukën fantastike, por mbajtja dhe realizimi i tyre nuk zgjatën as sa një ditë dimri. Shpejt filluan të shfaqeshin problemet brenda llojit e mes aleatëve. Kjo ndodhi për shkak, se PS-ja ishte një parti e majtë, me histori dhe ideologji të caktuar. Po ashtu edhe PD-ja, si parti e shpresës në fillim të viteve ’90, dhe si shpresa fillestare e demokracisë kishte fituar edhe ajotë kishte fizionominë e ideologjisë liberale. Ndërsa, LSI-ja si një parti e tipi revolucionar, nuk kishte asnjërën nga cilësitë e dy partive të mëdha. Ku shihet kjo? Në Ballkan dhe në Shqipëri akoma kultura politike dhe sociale e qytetarëve nuk është e një niveli të lartë, sa kur votojnë të shkëputen nga emocionet politike, nga ideologjia, nostalgjia dhe nga e kaluara. Pra, sidomos në Shqipëri, akoma nuk votohet për cilësitë e kandidatit dhe për platformat politike. Për shembull, një qytetar ndodh të votojë për PD-se, sepse familja e tij ka qenë e persekutuar në kohën e regjimit. Për këtë arsye qytetari nuk mund të tradhtoi vuajtjet dhe të kaluarën e familjes së tij. Gjithashtu, dikush vendos dhe voton për PS-së, sepse gjyshi ka qenë themelues i Partisë Komuniste dhe babai anëtar partie. Pra, çështja e votimit në një vend si Shqipëria, akoma nuk është një akt i lartë qytetarie që nxjerr në pah cilësitë më të mira të një kandidati dhe zgjedh platformën më të mirë politike që përfaqëson më mirë interesat e të gjithë qytetarëve. Në këtë realitet politik, LSI ishte një forcë që nuk mbante as një peshë si pozitive ashtu edhe negative nga e kaluara nga ku mund të siguronte vota. Duke qenë se LSI-ja nuk kishte mbi supe as historinë e as ideologjinë, zgjodhi mënyra krejt të reja dhe ndoshta dhe të papranueshme për të siguruar vota. Ajo nuk shfrytëzoi polikisht ideologjinë, por varfërinë dhe problemin e punësimit. Pra fitorja e votës së LSI u bë përmes nepotizmi. Më bëj vota të gjej punë! Kjo ishte motoja e tyre. Sot sistemi shoqëror, i punësimit ndoshta gjendet në ditët më të vështira që mund të ketë pasur ndonjëherë duke përfshi padyshim edhe periudhën e egër të regjimit. Sot, për shkak të marrëdhënieve që ka krijuar politika me qytetarin, ky i fundit është krejt i zhveshur dhe i pambrojtur. Kjo atmosferë e trishtë për shkak të marrëdhënies “më jep e të jap” mes politikës e qytetarit, po vështirëson dhe po bën thuajse të pamundur edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Për një periudhë 8 vjeçare qeverisje me zor se siguruam liberalizimin e vizave. Sipas këtij koncepti kohor i bjer që për tetë vite të tjera të marrin statusin e vendit kandidat dhe pasi të kalojnë edhe 8 vite të tjera të bëhemi vend anëtar i BE-së. Pra i bie të kemi formulën: tetë+tetë+tetë=BE. Nëse qeveria aktuale e quan sukses ecurinë e integrimit të Shqipërisë Europiane atëherë ka mundësi që ne si qytetar e kemi humbur sensin e kohës. Koalicioni i famshëm, i cili absurd dhe i dështuar nuk e justifikon më qeverisjen e tij. Ai jo vetëm që nuk po e bën Shqipërinë europiane ashtu siç e premtoj, por në shumë gjëra po e kthen në vite drite mbrapa. Ky koalicion po le një shenjë të keqe në kulturën e bërjes dhe respektimit të shtetit dhe efektet do të jenë shumë të gjata dhe deri diku edhe të pa shëruar.