Tuesday, December 14, 2010

Zgjedhjet, kush është Albin Kurti

DR. ALBAN DACI | 14/12/2010 |

Shekulli online

Albin Kurti, i lindur në Prishtinë më 24 mars 1975. Shkollën fillore dhe gjimnazin "Xhevdet Doda" i ka mbaruar në Prishtinë, kurse Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës.

Në verën e vitit 1997 u inkuadrua në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP). Ka qenë edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestave paqësore dhe të padhunushme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga Serbia, që udhëhiqej prej regjimit të Milosheviçit. Mund të thuhet, se që prej atëherë, ka nisur veprimtaria tij politike.

Në gusht të vitit 1998 ka filluar punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, si sekretar i zyrës. Me 2 mars 1999 ka dhënë dorëheqje, meqë nuk është pajtuar me dokumentin e Rambujesë. Gjatë bombardimeve të NATO-s ka qëndruar në Prishtinë.

Më 27 prill 1999 u arrestua nga policia serbe. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë, është transferuar në burgjet serbe. Më 13 mars 2000, në Nish, u dënua me 15 vjet burg nën akuzën e rrezikimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë.

Si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe i përpjekjes së Koshtunicës (i cili asokohe ishte kryetar i RFJ-së) për ta ndrequr imazhin para ndërkombëtarëve në kontrast me Milosheviçit u lirua më 7 dhjetor 2001. Në fakt, ka qenë në burg një vit e pesë muaj gjatë periudhës së Milosheviçit dhe një vit e dy muaj gjatë asaj të Koshtunicës. Prandaj, Albin Kurti shpesh herë u thotë gazetarëve të huaj, se Koshtuniça ishte për nja tre muaj më i mirë se Milosheviçi.

VETVENDOSJEN e themeloi për shume arsye pozitive, për popullatën dhe padrejtësitë, që po i bëheshin popullit kosovar të përvuajtur. Albini thotë, se kjo është dëshmi se Kosova nuk ka një qeverisje vetjake e sovrane, se . kjo është dëshmi se UNMIK-u vazhdon të sundojë në Kosovën, duke e bërë pavarësinë (e shpallur e të njohur) pa substancë, pa përmbajtje.

Zgjedhjet parakohshme, sapo të zhvilluara në Kosovë, edhe pse shënuan ndonjë incident të vogël (vlen të thuhet se edhe në demokracitë më të zhvilluara në Perëndim ka probleme të vogla) ato u vlerësuan pozitivisht edhe nga autoritetet ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian. Sipas këtij të fundit këto zgjedhje ishin të pranueshme dhe të punohet sa më shpejt për formimin e qeverisë së re.

Nga këto zgjidhje mendoj, se para së gjithash, fitoi populli i Kosovës si dhe Albin Kurti. Fitoi populli i Kosovës, sepse kosovarët, pas një ëndrre shekullore, më në fund ia arritën ditës që të votojnë për shtetin e tyre. Gjithashtu, fitoi politika e Albin Kurtit, sepse hyri në politikë duke e shitur të vetmen shtëpi që kishte dhe nuk hyri në politikë për të blerë një shtëpi më shumë. Ashtu, siç kanë bërë rëndomtë shumë politikanë të ndryshëm në Ballkan. Mjafton të përmendim faktin më të fundit, se ish Kryeministri i Kroacisë u arrestua për korrupsion.

Akti i Albin Kurtit është një leksion për të gjithë politikanët e Ballkanit, të cilët me natyrën e tyre despotike kanë qeverisur duke abuzuar mbi interesat e qytetarëve. Edhe sot, në disa vende të Ballkanit, ka liderë që vazhdojnë të qeverisin me despotizëm, duke abuzuar mbi qytetarët e tyre.

Rasti i Albin Kurtit, ndoshta është i vetmi në rajon, sepse e filloi politikën nga poshtë dhe me punë, guxim, dashuri për vendin e qytetarët e tij, arriti të dal në zgjedhjet e fundit në vendin e tretë. Në fillim, ndoshta shumë njerëz menduan, se Albin Kurti është një person që humb kohën kot.

Kështu ndodh gjithmonë me njerëzit që janë përpara kohës. Ai është i tillë, ai është një lider i vërtetë, sepse jo vetëm vepron pasi ndodh diçka, por me intuitën e tij politike është një gjendje ta paraprijë para se të ndodh. Ai u tregoi të gjithë skeptikëve, se kur dikush ka ide për të bërë politikë dhe guxim për t'i realizuar, atëherë shpresa kthehet në realitet dhe ëndrra në konkretizim.

Albin Kurti ka deklaruar se nëse "Vetëvendosja" do të vij në pushtet, do të shfuqizojë pakon e Ahtisarit mbi bazën e së cilës Kosova shpalli Pavarësinë. Sipas tij, kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet dhe të bëhet në pajtim me vullnetin e popullit, për t'i dhënë mundësi vendit që të ketë ushtrinë e tij dhe të bashkohet me Shqipërinë.

Gjithashtu, për vite me radhë në rolin e liderit të "Vetëvendosjes" i ka kundërshtuar institucionet e Kosovës. "Jo pse ato ishin institucione, por, sepse nuk ishin të Kosovës"-është shprehur ai.

Me zgjedhjet e fundit, Albin Kurti edhe pse nuk arriti të zër vendin e parë në zgjedhje, ai doli fitues, sepse për herë të parë mori pjesë në një garë politike dhe arriti të merrte vendin e tretë. Gjithashtu, me rezultatet paraprake që kanë dalë, duket qartë se partia e Thaçit edhe pse ka dalë e para për nga numri i votave, nuk i ka numrat për të qeverisur e vetme. Ajo, patjetër duhet të formoi koalicione me parti të tjera, që i kanë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë.

Pra, Albin Kurti dhe "Vetëvendosja" duhet të hyjnë koalicion dhe do të kenë një rol mjaft të rëndësishëm në qeverinë e re, që do të krijohet. Për këtë arsye, Albin Kurti, do të ketë më në fund të gjitha kartat në dorë për të filluar nga zbatimi i të gjitha politikave, që i ka pasur në programin politik të lëvizjes së "Vendosjes".

Një ndër pikat e tij të forta është respektimi i vullnetit të popullit. Ai, për shumë gjëra edhe pse ndoshta nuk e ka kopjuar, mendon dhe vepron sipas presidenti Willson. Të dy vlerësojnë vullnetin e një populli jo vetëm për të qenë demokratik, por edhe për të vendosur për fatin e tij. Tani kosovarët kanë shtetin e tyre të pavarur, dhe nëse vendosin me vullnetin e tyre të bashkohen edhe me Shqipëri, atëherë, le të ndodh një gjë e tillë, sepse pasqyron vullnetin e tyre.

Mendoj, se tani, pas zgjedhjeve Albin Kurti, i ka të gjitha kartat për të punuar që të realizoi të gjithë strategjitë e tij politike. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse, të bëhemi dëshmitar të kohës, nëse me të vërtetë do të arrij t'i bëj realitet. Një pjesë e madhe e kosovarëve i kanë besuar fatin e tyre, tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse besimin e tyre Albin Kurti t'ua kthej në mbështetje, duke përfaqësuar vullnetin dhe zërin e tyre. Gjithashtu, edhe politika që ai ka kundrejt Serbisë dhe serbëve mendoj se është krejtësisht i drejtë.
Ai thotë, se: "Serbia duhet t'i kërkoi falje Kosovës dhe popullit shqiptar për të gjitha krimet e kryera përgjatë shekullit të 20. Serbia duhet të dorëzoi kriminelët e luftës për gjykim, të paguaj dëmet e luftës". Vetëm pasi të ketë bërë këto Serbia, atëherë, ne mund të besojmë, se ajo ka ndryshuar dhe ndoshta plotëson kushtet për të hyrë në bisedime.

Tashmë, që Albin Kurti hyri në garën elektorale dhe doli forca e tretë, do të jetë një zë i fuqishëm në bisedimet që do të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë.Albini Kurti, do të jetë një risi jo vetëm për Kosovën, ku do të jap një kontribut të fuqishëm për demokratizimin dhe integrimin e saj në BE dhe NATO, por edhe për disa despotë ballkanas, që akoma me "pantallona nëpër këmbë", mundohen me çdo kusht e mjet ta mbajnë deri në vdekje pushtetin, pak rëndësi ka nëse është demokratik apo jo.