Saturday, December 4, 2010

Emigracioni shqiptar në Itali

Dr. Alban Daci

www.albandaci.blogspot.com


Janë 420 mijë shqiptarë në Itali, më shumë punë dhe më pak krime

Në më pak se 20 vjet, dallga e parë me emigrantë e ardhur në Itali, tashmë është përthithur dhe metabolizuar nga shoqëria e këtij vendi. Shqiptarët, prototip i emigrantit të “keq dhe të dhunshëm”, nuk përbëjnë më frikë për italianët. Emigrantët shqiptarë, për shkak të izolimit të madh që kishim përjetuar nga regjimi i egër enverist, u paragjykuan dhe u përgjithësuan me pa të drejtë dhe me qëllime dashakeqëse nga disa elementë ekstremistë të shoqërisë italianë si njerëz të “dhunshëm dhe të këqinj”. Megjithatë, tashmë, pothuajse, në gjithë territorin italian, për shkak të një njohje reale dhe më të drejtpërdrejt mes italianëve dhe shqiptarëve, nuk ekziston më stereotipi i gabuar dhe dashakeqës. Shqiptarët, në këto njëzet vite emigracion, kanë arritur të integrohen, të punojnë në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, të bëhen sipërmarrës të vegjël duke arritur suksese të rëndësishme jo vetëm për ekonominë italiane, por edhe për ekonominë tonë, e cila, për shkak të tranzicionit nuk ka pasur një qëndrueshmëri, por ka pasur cikle herë me rritje dhe herë me rënie të ndjeshme. Shumë emigrantë shqiptarë, pasi kanë arritur të bëhen sipërmarrës në ekonominë italiane, një pjesë të mirë të kapitaleve të akumuluara i kanë sjellë dhe i kanë investuar edhe në ekonominë shqiptare. Nuk janë të pakta rastet, ku shumë emigrantë shqiptarë që janë sipërmarrës të zotë në sektorin e ndërtimit në Itali, të kenë ardhur dhe të keni hapur aktivitete të suksesshme edhe në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Ky është kuadri që del në pah pikërisht nga Caritas-Migrantes në fushën e projektit komunitar “Aquifalc”. Ky projekt i rëndësishëm është financuar nga Caritas-Migrantes dhe në të janë pasqyruar raporte me të dhëna konkrete mbi punësimin, mbi familjet, mbi frekuentimin e fëmijëve në shkolla, të dhëna mbi veprat penale etj.

Me shqiptarët, në fillim të viteve 90-të, Italia zbulon krejt rastësisht se ishte transformuar nga vend që kishte prodhuar emigrantë, në një vend që tashmë kishte flukse serioze emigrantësh që po zbrisnin në brigjet e saj për të jetuar e punuar. Fluksi i madh i emigrantëve drejt Italisë, nis në një atmosferë të mirë mikpritëse nga vendasit, të cilët, për herë të parë, le të themi, por përballeshin drejtpërdrejt me këtë fenomen të ri.

Qoftë në vitin 1990 (rreth 800 refugjatë në ambasadën italiane) ashtu edhe në mars të vitit 1991 (25.000 zbarkime në porte të ndryshme të Pulia-s) këto emigrantë në ikje nga një vend i varfër, të shtypur nga një diktaturë komuniste e tmerrshme që zgjati rreth 50 vjet, ju drejtuan Italisë si vendi më i afërt perëndimor për të shijuar lirinë e munguar ndër vite dhe për të prekur nga afër mirëqenien e një jete më të mirë që kishin ëndërruar gjithmonë. Në fillim qenë të mirëpritur. Shqiptarët e parë që zbriten në brigjet italiane u pritën mirë nga vendasit.

Por kjo klimë fillestare që karakterizohej nga mikpritja, përkeqësohet vetëm katër muaj më vonë, pikërisht në muajin në gusht, kur pothuajse 20.000 shqiptarë arrijnë të gjithë së bashku mbi një anije tregtare të nisur nga Vlora në kërkim të Eldoradës që kishin parë përmes kanaleve televizive italiane, riatdhesohen menjëherë sapo zbarkojnë në Itali. Kush nuk i kujton imazhet e stadiumit të Barit, ku qindra shqiptarë grumbulloheshin para se te riatdhesoheshin me forcë! Ajo anije kishte dhënë tek italianët sinjalin e një rreziku, sikur po pushtoheshin nga një populli tjetër, për të cilin për më shumë se 50 vjet nuk dinin pothuajse asgjë, sepse këto të fundit kishin qenë të izoluar me botën për shkak të regjimit enverist.

Për fatin e keq të shqiptarëve, ngaqë politika nuk po ju ofronte kushte më të mira jetese me më shumë siguri dhe mirëqenie, vazhduan të zbarkonin në brigjet e Italisë, me çdo mjet dhe me çdo kusht. Ato përdorën gomone, skafe, maune, tragete edhe avionë, vetëm që të mundnin të largoheshin nga vendi i tyre, i cili në atë periudhë përvec pasigurisë dhe mjerimit nuk u ofronte asnjë perspektivë tjetër. Nga vitet 1991 dhe 2000, duke përdorur çdo mënyrë dhe mjet, në brigjet italiane kanë zbarkuar rreth 200.000 shqiptarë (kjo sipas statistikave zyrtare të shtetit italian mbi emigracionin).

Në Itali ka edhe një fluks mjaft të rëndësishëm studentësh shqiptarë ( 10 mijë sipas statistikave italiane, sepse statistika shqiptare akoma nuk ka). Mund të themi se situata e shqiptarëve në Itali për shkak të numrit të madh të studentëve që studiojnë në pothuajse të gjitha universitet italiane, jo vetëm ka ndryshuar, po mund të themi se prania e këtyre të fundit e ka përmisuar shumë imazhin e tyre. Tani, kur flitet për shqiptarët në Itali, nuk mund të flitet vetëm me stereotipin se ata janë kriminel, por se ata janë njerëz që punojnë shumë e me ndershmëri, si dhe janë njerëz që e duan diturinë dhe janë në gjendje të sakrifikojnë shumë që ta përfitojmë atë deri në nivelet më të larta.

Për Departamentin Italian të Investigimeve të Antimafjes (DIA), gjithashtu, tashmë kriminaliteti shqiptar është përqendruar mbi trafikun e drogës, ku luan një rol protagonisti. Në të njëjtën kohë, megjithatë, kush nuk kryen vepra kriminale, e cila përbën pjesën më të madhe të emigrantëve shqiptarë, tregon se është e mirë integruar. “Mbi vendin e punës shqiptari gëzon një famë pozitive: i disponueshëm, i besueshëm, i respektueshëm, respekton oraret dhe mbi të gjitha i disponueshëm për të kryer punë shumë të vështira dhe të bezdisshme”.

Shqiptarët, le të themi, sipas edhe statistikave mbi emigracionin, janë shpërndarë në territorin italian si pullat e leopardit. Zona me më shumë emigrantë, rreth (33.5%) është Veriperëndimi, pastaj ndjekin zonat qendrore të Italisë me (27.2% ) dhe ato të Verilindjes (26.8%).

Emigracioni shqiptar në Itali ka njohur ndër vite një rritje të vazhdueshme, duke arritur në fillim të vitit 2010 kuotën e 466.684 të pranishëm me rregulla në territorin e shtetit italian, që do të thotë 11% të totalit të emigrantëve.

Shqiptarët e duan punën

Shqiptarët njihen si njerëz që e duan punën (thuajse gjithmonë punojnë nga 10 deri në 11 orë në ditë), qoftë edhe të dielave, duke mos njohur ditë pushim gjatë javës. Megjithatë, pavarësisht nga dëshira që shqiptarët kanë për të punuar, jo gjithmonë arrijnë ta gjejnë dhe ta kenë atë në formë të vazhdueshme. Nuk mungojnë rastet, kur emigrantët shqiptarë mbeten pa punë edhe për periudha relativisht të gjata. Nëse emigranti shqiptar mbetet pa punë, mund të themi me plot kuptimin e fjalës se kemi të bëjmë me një periudhë të zezë për atë, sepse i komplikohen një seri problematikash si: pa mundësia më paguar qiranë e ose këstin e shtëpisë( në rastet kur e ka ble me kredi. Duhet të thuhet se shqiptarët në Itali, zënë vendin e parë nga komunitetet e huaja për numrin e shtëpive të blera përmes sistemit bankarë), pa mundësia me ushqyer veten dhe familjarët e tjerë (nëse ka bërë bashkimin familjarë) etj. Zakonisht, në rastet, kur një emigrant humb vendin e punës dhe nuk arrin të gjejë një tjetër, nga depresioni, mërzia me vendin dhe familjarët, bën të ndjehet keq në aspektin psikologjik dhe të mbyllet në vetvete, duke e konsumuar periudhën e vështirë në shoqërinë e duhanit, shishes së birrës, gotës së konjakut, kafesë së zezë dhe meditimit personal.

Po si fillon dhe zhvillohet dita e një emigranti që punon? Zgjohet zakonisht rreth orës pesë të mëngjesit, merr në telefon punëdhënësin me të cilin vendos vendin se ku do të takohen, pastaj hynë në një barë për të bërë mëngjesin. Mëngjesi i një emigranti është një kafe makiato e shoqëruar me një ëmbëlsirë, me një gotë raki, apo konjak. Nga kurioziteti që kisha, i kam pyetur, pse para se fillojnë punën, pinë një gotë raki apo konjak. Më janë përgjigjur, se: “një gotë raki të bën mirë për stomakun, sepse ta mbledh dhe nuk e ndjejnë bosh, plus pastaj në mëngjes gjatë dimrit të ngroh dhe të bën më të fortë për të punuar.” Pasi bën mëngjesin, nuk harron të blej paketën e duhanit ( nëse e pinë) dhe bashkë me punëdhënësin hipin në makinë për ikur tek vendi i punës.
Nëse distanca është relativisht e madhe, gjatë udhëtimit mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, zhvillohet vetëm dialog pune, ku punëdhënësi i bën lavdërime ose kritika punëtorit për punën që ka bërë një ditë më parë si dhe i jep urdhra për punën e re që do të kryej.

Nga ora tetë e mëngjesit, fillon rutina e punës, sepse punëtori ndërron rrobat e udhëtimit me ato të punës dhe fillon të bëj atë që i thotë punëdhënësi i tij. Kjo rutinë vazhdon kështu, me pushime të vogla nga pesë minuta, derisa vjen ora një e drekës, kur lan duart dhe fillon të hajë bukën që ka marrë me vete, ose nëse nuk ka pasur mundësi të marr me vete, shkon aty afër në ndonjë market, ku blen bukë, domate, proshutë dhe nuk harron të marrë birrë ose ujë sipas mundësive dhe kur mbaron së ngrëni, shfrytëzon ato pak minuta që i kanë mbetur në dispozicion ( pushimi i drekës nuk është më shumë se një orë) për t’u shtri që të çlodhet.
Pasi mbaron pushimi i drekës, i rikthehet përsëri punës deri nga ora pesë e gjysmë, gjashtë ( ka edhe raste deri në tetë të darkës) që është edhe koha, kur punëtori shqiptar mbaron ditën e punës, ndërrohet duke veshur përsëri rrobat e udhëtimit dhe pret të vij ta marrë përsëri punëdhënësi i tij për ta çuar në shtëpi. Duhet theksuar, se jo gjithmonë punëdhënësi i garanton udhëtimin punëtorit të tij. Në shumicën e rasteve punëtori, duhet të përdorë shërbimin publik të transportit për të vajtur në punë dhe për t’u kthyer në shtëpi.

Dita e diel është dita e pushimit dhe rrugët e qyteteve të Italisë mbushen me shqiptarë, që më në fund edhe ata, si të tjerët, mund të pushojnë, të dalin të shëtisin, të bëjnë shoping dhe të takojnë ndonjë shokë. Të dielave, shqiptarët grumbullohen më shumë tek qendrat komerciale, ku qëndrojnë ulur gjithë ditën në baret e saj, duke parë ndonjë gocë të bukur që kalon aty pranë, duke ngacmuar me shikim ndonjë tjetër që mund të jetë ulur aty përballë, si dhe qajnë hallet e njëri- tjetri.

Pse shqiptarët zgjedhin qendrat komerciale për të kaluar të vetmen ditë pushimi që kanë? Sipas analizës time, mendoj, se ditët e punës për shqiptarin janë tepër monotone, sepse nuk ka asnjë hapësirë tjetër përveç punës. Ai është thjeshtë një robot pune, që nuk ka mundësi të takohet me njerëz, të shkëmbej biseda. Pra, ai ndjehet në një farë mënyre i braktisur nga bota njerëzore, dhe mezi pret të vij dita e diel për të shkuar tek qendra komerciale, ku ka shumë njerëz, zhurma etj.
Kjo ditë e vetme pushimi i jep shpresën se edhe ai është pjesë e jetës urbane së qytetit dhe i largon qoftë edhe për një ditë idenë e stamposur në kokë se nuk është robot pune, që merr vetëm komanda për t’i zbatuar, por qenie njerëzore që për nga natyra ka nevojë të jetë në marrëdhënie reciproke me njerëzit e tjerë.

Në lidhje me punësimin e shqiptarëve në Itali, mund të flasin edhe sipas shifrave konkrete, duke ju përgjigjur disa pyetjeve konkrete. Sa është numri i shqiptarëve që punojnë në Itali? Ku punojnë? Në cilët sektor? Duke pasur parasysh se motivi kryesor që i shtynë shqiptarët për të emigruar është situata ekonomike, atëherë për ta njohur këtë fenomen emigrues duhet të nisemi nga lloj i punës që ata zhvillojnë. Në fund të vitit 2009, sipas të dhënave të Inail, në Itali punojnë rreth 224.339 shqiptarë. Gjatë vitit 2010 kësaj shifre i është shtuar edhe një kuotë me 15.472 persona të rinj. Megjithatë, raporti mes këtyre dhe atyre që kanë dalë nga tregu i punës është negativ (-4.276), një shenjë evidente e krizës ekonomike që Italia po kalon në këto momente.

Nëse nuk marrin parasysh rumunët, të cilët, tashmë janë komunitarë, përderisa Rumania tashmë është anëtare me drejta të plota në Bashkimin Evropian, mund të themi se, shqiptarët zënë vendin e parë mes ekstra-komunitarëve, përsa i përket nivelit të punësimit. Pjesa e madhe e punëtorëve shqiptarë janë burra. Këto përbëjnë rreth 68.7% të punësuarve, ndërsa gratë janë vetëm 31.3% (70.220).

Pjesa më e madhe e shqiptarëve punon në ndërmarrje të vogla, 135.194 punojnë në ndërmarrje me 1-9 punonjës, 53.358 në ndërmarrje me 10-49 punonjës, 21.415 në ndërmarrje me 50-249 punonjës. Gjatë vitit 2009, punësimi për shqiptarët nuk ka ecur shumë mirë. Ecuria e përgjithshme mund të themi pa frikë se kanë qenë negative, me -4276 punëtorë, në mënyrë të dukshme kjo ka ndodhur për shkak edhe të krizës të përgjithshme ekonomike që po kalon Italia. Vetëm në Lombardi kanë dalë nga tregu i punës 1623 punëtorë, pra më shumë se një e treta e punëtorëve në Itali. Rritja e papunësisë në regjionet e tjera me prani të madhe me punëtorë shqiptarë është një rezultat më i vogël (Emilio Romagna -440 dhe Toscana -543).

Në mënyrë të çuditshme, por të vërtetë, Liguria ka pasur një tendencë pozitive me +50 shqiptarë më shumë sesa viti i kaluar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sardenjën, edhe pse rritja është aq e vogël sa mund të konsiderohet si e padukshme (+3 më shumë sesa viti i kaluar).

Emigracioni jo individual dhe martesat mikse

Emigracioni shqiptar në Itali, nuk është vetëm i karakterit individual, por edhe familjar, sepse falë lehtësimeve të procedurave dhe vizave për bashkim familjar, shumë shqiptarët kanë sjellë edhe familjarët e tyre, si: bashkëshorten, fëmijët, prindërit etj. Pra, mund të themi se emigracioni shqiptar në Itali, ka kaluar në një fazë të dytë, atë të pjekurisë, të tipit familjar.

Nuk janë të pakta rastet, kur emigrantët e rinj, që kanë ardhur në një moshë fare të re të kanë zgjedhur martesa miske, duke zgjedhur bashkëshortë/e që janë qytetare italiane, apo qytetarë nga komunitet e tjera të emigracionit që janë vendosur në Itali.

Megjithatë, deri tani është dëshmuar se shumë martesa miske nuk kanë funksionuar dhe nuk zgjatur shumë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve, ato janë bërë për interesa të njëanshme, dhe jo për hir të dashurisë së sinqert të shprehur nga dy palët. Kur, kam pyetur shqiptarët që janë martuar me të huaja (italiane) se perse kanë zgjedhur të bëjnë një lidhje të tillë? Ato më janë përgjigjur, se e kanë përdorur martesën për të marrë dokumentet dhe lejet e qëndrimit. Ka edhe raste të tjera, që ndoshta janë të pakta në numër, kur bëhen martesa të sinqerta miske mbi bazën e dashurisë dhe respektit reciprok.

Kalimi i emigracionit shqiptar, nga faza individuale e tranzicionit, në atë të emigracionit familjarë dhe të pjekurisë, ka sjellë disa ndryshime që nuk janë të padukshme, sepse kanë marrë edhe familjarët e tyre, kanë blerë shtëpi, kanë futur fëmijët në shkolla. Kjo tregon, se po bëjnë investime afatgjate dhe është e vështirë të besosh se kjo kategori e komunitetit shqiptar (emigrantët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të komuniteteve të huaja për numrin e shtëpive të blera) mund të rikthehet përsëri në vendin e tyre të origjinës.

Në disa raste, që kam pasur mundësinë të takohem dhe të pi kafe me emigrantët të moshës relativisht madhore, që kanë marrë edhe pjesën tjetër të familjes me vete dhe në muhabet e sipër i kam pyetur nëse mendojnë të rikthehen përsëri në Shqipëri. Ato, me sy të përlotur, më janë përgjigjur, se tashmë, janë stabilizuar shumë mirë këtu me punë, me shtëpi dhe se tani nuk e shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Pastaj, nuk e kanë shumë të lehtë të kthehen edhe nëse duan, sepse fëmijët e tyre që frekuentojnë shkollat këtu dhe që janë integruar plotësisht në shoqërinë italiane, të cilët jo vetëm që nuk duan të kthehen përgjithmonë për të jetuar në Shqipëri, por që as e mendojnë një gjë të tillë.
Shqipëria, për brezin e ri që po rritet dhe që lind në Itali, bëhet gjithnjë më e largët dhe më e huaj, sepse kjo kategori, për fatin tonë të keq, jo vetëm që po integrohet më së mirë në shoqërinë vendase, por më saktë po asimilohet.

Janë “fëmijët e brezit të dytë”: fëmijët e emigrantëve shqiptarë të ardhur në Itali pas viteve 90-të. Është brezi i sakrificave- shpjegon Giulio Valtolina, docent dhe kërkues në Universitetin Katolik të Milanos. Prindërit e tyre ndoshta e kanë akoma në mendje vendin nga ku kanë ardhur, ndërsa fëmijët dhe nipërit e tyre jetojnë dhe do të vazhdojnë në një shoqëri, që është më tërheqëse për t’i mirëpritur.

Ndërsa, ata, janë në një tokë të ndërmjetme, kanë inspirimet dhe stilin e jetesës së bashkëmoshatarëve të tyre italianë, dhe janë në siklet për të ardhmen. Disa prej tyre kanë lindur në Itali dhe disa të tjerë në Shqipëri. Dikush ka ardhur në Itali që fëmijë dhe dikush ka ardhur në moshën e adoleshencës. Gjëja kryesore e tyre dhe e përbashkët është se janë rritur në familje emigrantësh- konfirmon Daniele Cologna i Agjencisë së Kërkimit Social, Codici i Milano (Kodi i Milanos)-.

Është evident në rastin e emigracionit shqiptarë: më shumë se 60% e të lindure në Itali nuk dëshirojnë të ndjehen si miq në Itali, por nuk arrijnë të shprehin lirshëm faktin e të qenit shqiptarë. Këto të rinj e jetojnë problemin se janë pranuar si qytetarë italian, nevojën për të mbajtur lidhje me kulturën e origjinës dhe nevojën për të bërë një projekt të ri jetese.

Një pjesë e mirë e tyre, që kanë ardhur në një moshë fare të re, apo që kanë lindur këtu, nuk dinë ta shkruajnë fare gjuhën shqipe, dhe e flasim duke u menduar që të gjejnë fjalët e duhura për të formuar fjalitë. Mendoj, se ky është një ndër problemet kryesore që do të has në të ardhmen emigracioni shqiptar, atë të humbjes së identitetit. Duhet të theksojmë, se deri tani shteti shqiptar, nuk ka bërë përpjekjen më të vogël, që fëmijët e shqiptarëve, që lindin dhe rritin në Itali, të mundin të pajisen me abetare dhe të mësojnë gjuhën amë, shqipen. Kjo është një ndër të drejtat themelore që e parashikon e Karta Evropian e të Drejtave të Njeriut.

Shumë prindër kanë ndërtuar në vitet e fundit shtëpi, por fëmijët e tyre nuk duan t’ia dinë. Megjithatë, gjithmonë e më shumë, nuk janë të pakta rastet kur prindërit janë kthyer në Atdhe, sepse mund ta përballojnë më mirë papunësinë (për shkak të krizës që po kalon Evropa është rritur shumë papunësia, si për vendasit, ashtu edhe për emigrantët) për faktin se jeta është më pak e kushtueshme. Gjithashtu, edhe fëmijët e tyre po kthehen në Shqipëri, sepse janë të lodhur duke u ndjerë të huaj në vendin, ku janë rritur.

Kërkimi “Shqiptarët në Itali”, i bërë nga Qendra e Studimeve të Dios, nga Universiteti i Barit dhe i Tiranës, nga Caritas dhe nga fondacioni Migrantes, i përshkruan si djem me identik të dyfishtë. Edhe pse vetëm 5% e më shumë se dhjetë mijë studentëve ja deklaruar se dëshirojnë të kthehen në Shqipëri, bëhen përjashtime për ato që kanë ardhur në Itali pas vitit 2000, të cilët e shikojnë riatdhesimin si një mundësi pozitive.

Çfarë mendojnë emigrantët për Shqipërinë

Zakonisht, në emigracion kanë shkuar persona që kanë qenë mbushur me plot dëshpërim, vuajtje, zhgënjim, varfëri, stres dhe që nuk kanë gjetur asnjë rrugë shpëtim për të dalë nga ferri i jetës së gjallë njerëzore në Shqipëri, por me dhimbje e lot, pa kushte kanë marrë rrugën e emigracionit.
Prandaj, këto persona është e vështirë të kenë një opinion të mirë për vendin e tyre, Shqipërinë. Le të bëjmë një dallim të qartë në të shprehur, kur them “vend” e kam fjalën për klasën politike që e ka dhe vazhdon ta qeverisë Shqipërinë.

Emigrantët, nuk është se nuk e duan vendin, ku janë lindur ata dhe të parët e tyre, të cilin e konsiderojnë me të drejtë si një vend të mrekullueshëm me mjaft pasuri, por që fatin e këtij vendi të mrekullueshëm e kanë marrë në dorë persona të papërgjegjshëm, që nuk dinë të qeverisin dhe se mendojnë vetëm për vetën e tyre.

Nëse edhe thjeshtë për të bërë për muhabet, ose për kuriozitet i pyet emigrantët se çfarë mendojnë për politikën dhe politikanët tanë, ato nuk duan të flasin fare, por nëse insiston, të përgjigjen, se ju ka ardhur në majës të hundës nga politika dhe politikanët, sepse mendojnë vetëm për xhepat dhe veten e tyre.

Kjo nënkupton, se edhe pse në pamje të parë nuk duan të shprehen aspak për politikën shqiptare, që i varfëroi shpirtërisht, ekonomikisht dhe që i degdisi nëpër botë, thellë në të vërtetë emigrantët, kanë krijuar ndoshta një urrejtje të justifikuar mbi politikën shqiptare nga faktet se si i kanë qeverisur në dy dekadat e fundit, pa llogaritur edhe periudhën e errësirës së madhe në pesëdhjetë vitet e komunizmit çnjerëzor shqiptar.

Gjatë kësaj vere, që sapo kaluam, u ktheva me pushime në Shqipëri, pranë familjes time dhe një ditë më merr në tel një miku im, që jeton prej kohësh me familjen e tij në qytetin e Gjenovës dhe më fton për të pirë një kafe, sepse edhe ai ashtu si unë, ishte kthyer në Shqipëri për pushime.

Pas telefonatës që bëra, dal nga shtëpia dhe shkoj ta takoj diku, tek Zogu i Zi, ku po më priste në makinë bashkë me vajzën e tij gjashtë vjeçe. U takuam dhe u përshëndetëm dhe pastaj hipëm në makinën e tij dhe u nisem për të shkuar në një bar, diku, jashtë Tiranës për të pirë kafen. Gjatë rrugës, miku im pyet gocën e tij gjashtë vjeç, se ku është më mirë këtu në Shqipëri, apo atje në Gjenova? Ajo, edhe përse e vogël në moshë, përgjigjet si një e rritur, se këtu në Shqipëri duhet të vijnë për të parë të afërmit tanë, por atje në Gjenova, ku ne jetojmë është më mirë, sepse rrugët janë të pastra, këpucët nuk të bëhen me pluhur sikur të ecësh nëpër Sahara, se rrugës, kur kalon afër koshave të plehrave nuk vjen erë e keqe e kështu me radhë.

Zgjedhja e kësaj vajze që ka vetëm gjashtë vjeç, tregon se sa i vështirë është bërë realiteti i përditshëm në Shqipërinë tonë të dashur, ku shumë gjëra vazhdojnë të jenë shumë larg standardeve evropiane. Gjithashtu, kjo nënkupton dhe sa dëshirë kanë fëmijët që kanë ardhur të vegjël, apo që kanë lindur në Gjenova për t’u kthyer përgjithmonë në vendin e origjinës, Shqipëri.
Është për të ardhur keq që prindërit e tyre janë larguar të mbushur më zhgënjime dhe që edhe fëmijët e tyre vazhdojnë të ushqehen me dëshpërimin e prindërve të tyre, sepse kur bëjnë krahasimin mes jetës që bëjnë në Gjenova, dhe asaj që gjejnë dhe prekin për ato pak ditë që vijnë me prindërit me pushime në Shqipëri, është njëlloj sikur të krahasosh natën me ditën, ose dy standarde me nivele krejtësisht të largëta.

Duhet të theksojmë, se edhe pse emigrantët shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, kundër dëshirës së tyre, sepse nuk kishin asgjë të sigurt dhe të garantuar, duke u nisur nga gjetja e një vendi pune deri tek siguria për jetën, ata, përsëri kanë mall dhe nostalgji shumë të madhe për vendin e tyre, ku janë lindur, janë rritur dhe kanë të afërmit e tyre, ku kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të mëdha ekonomike, por irritohen dhe nuk pranojnë dot realitetin që është krijuar nga një klasë politike, që është krejtësisht indiferente kundrejt halleve dhe problemeve të qytetarëve.

Opinioni i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri mbi emigracionin

Po shqiptarët, që ndodhen në Shqipëri, që nuk kanë emigruar asnjëherë dhe nuk e njohin aspak realitetin e të qenit emigrant, çfarë mendojnë për ato që kanë marrë rrugën e mërgimit? Përderisa në Shqipëri, ashtu si në çdo vend të botës, kemi shtresa të ndryshme shoqërore, për rrjedhojë nuk mund të kemi një opinion uniformë kundrejt emigrantëve që kanë zgjedhur të jetojnë dhe të punojnë jashtë.

Prandaj, do të përpiqem të bëj disa klasifikime, si më poshtë :familje shqiptare që në mënyrë të drejtë apo të pa drejtë, kanë arritur të shfrytëzojnë ato pak hapësira që kishte realiteti shqiptar, jo vetëm për të siguruar një jetë normale, por edhe për të garantuar të ardhura aq të mjaftueshme sa mund të klasifikohen si të pasur.

Meqë, këto familje kanë arritur të sigurojnë standarde të mira jetese, nuk kanë pasur nevojë të emigrojnë dhe ta njohin botë e emigrantit, i bën ata të jenë plotësisht indiferente për këtë fenomen, që e konsiderojnë krejtësisht të huaj dhe aspak të pranishëm në jetën e përditshme të tyre.
Bota e turizmit shqiptar, i njeh në raportin e klientit në llogaritjen e përfitimit ekonomik dhe pothuajse nuk krijojnë aspak marrëdhënie të karakterit social, por vetëm në kuadrin e ofrimit të një shërbimi të mirë të ofruar gjatë pushimeve, kundrejt përfitimit që marrin prej emigrantëve në formën e pagimit për shërbimin që kanë marrë. Megjithatë, duhet të theksojmë se turizmi i lirë privat në Shqipëri, nuk ka një histori të gjatë dhe nuk pasqyron pjekuri shërbimi për klientët. Prandaj, edhe emigrantët shqiptarë, ashtu si qytetarët e tjerë, jo gjithmonë janë të kënaqur për pushimet që kanë kaluar.

Familjet që bëjnë pjesë në shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë shqiptare dhe që janë prekur drejtëpërsëdrejti nga emigracioni, ku kanë të paktën një anëtar të familjes, e shikojnë emigracionin si një mundësi shpëtimi nga varfëria, një opsion të sigurt për zgjidhjen e shumë halleve që kanë, por edhe si dhimbje të thellë shpirtërore, për faktin se kalojnë një kohë të gjatë pa u parë dhe pa ndarë emocionet më të rëndësishme të jetës së tyre. Shteti shqiptar është krejtësisht indiferent për t’iu qëndruar pranë, kur emigrantët shqiptarë kanë nevojë dhe shumë vigjilent për të shfrytëzuar të ardhurat e tyre në mbushjen e boshllëqeve të buxhetit shtetëror. Shteti shqiptar, me plot kuptimin e fjalës, që nga origjina e emigracionit deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për emigrantët.


Çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët, a janë ata racistë, si dhe a mund të bashkëjetojnë së bashku?

Duhet të theksojmë se në të gjithë Italinë, ka një numër të konsiderueshëm punësh që janë pak të pëlqyeshme dhe që paguhen pak, si në agrikulturë, në sektorin e ndërtimit, në peshkim, në industrinë e rëndë, në shërbime të veçanta shtëpiake, punë që italianët nuk duan ti bëjnë më, sepse në shumicën e rasteve niveli i tyre i përgatitjes shkollore, si dhe mirëqenia familjare i shtynë t’i refuzojnë.

Ndarja Ne/Ata ( shqiptarë/ italianë), paraqitet si një zbulim i vërtetë i një gjendje fakti të një realiteti dhe si një ndarje thelbësore, identiteti, mes grupeve të ndryshme si rezultat i një seri marrëdhëniesh sociale.

Kjo na fton të mos përqendrojmë vëmendje mbi karakteristika të supozuara mes Nesh dhe Atyre, të marra si vlera autonome dhe të izoluara, por të vëzhgojmë në zona përplasje, përballje, ndërmjetësimi dhe dialogu. Prandaj, na fton të vëzhgojmë çështjet e diskriminimit e krijimit të diferencave nga një pikëpamje marrëdhëniesh.

Problemi i një përkufizimi Ne/Ata dhe një përdorimi shoqëror i këtyre kategorive është një çështje që ka të bëj me momente relacionale, konkretisht rastet e aksionit social, nuk janë çështje që zgjidhet në të kuptuarin mirë kush jemi Ne dhe kush janë Ata. Prandaj, duket e nevojshme jo shumë të pyeten mbi një shembull statuti të identiteteve respektive, se sa mbi marrëdhëniet që vendosin në lidhje, ndonjëherë në kundërvënie, këto terma dhe identifikimet që i ndërtojnë.

Një vëzhgim i drejtë dhe racional na fton të lëmë hipotezën se diskriminimi dhe pengesa përballë diferencave mund të jetë i rikthyer në faktor “personal”, që është i mundur t’i ndajë njerëzit në dy njësi: racistë dhe jo racistë.

Sikur nënvizon Taguieff, se “nëse nuk je racist mund të bëhesh dhe nëse ke qenë mund të mos jesh më.” Racizmi i shfaqur nga sjellja e një aktori social nuk mund të shpjegohet përmes tendencave dhe udhëzimeve të këtij të fundit. Elementi kryesor i shpjegimit të një qëndrimi social është situata.

Marrëdhënia që ndërton ndarjen Ne/Ata duhet të analizohet duke pasur parasysh kontekste të veçanta dhe asimetrinë e pushtetit. Kjo nënkupton se duhet të reflektojmë jo vetëm në ndërtimin e kufijve social (identitet, diferencë) por edhe mbi hierarkinë (pozicionin social, pushtetin) që nga ndarja Ne/Ata gjejnë legjitimitet dhe mundësi konkrete manifestimi dhe përdorimi.
Ndarja Ne/Ata nuk mund të jetë e vlerësuar në një kontest të universalizmi dhe reciprociteti të rremë. Një reflektim serioz mbi diskriminimin duhet të di të shoqërohet në reflektim multikulturor dhe interkulturor- një diskutim që kërkon të mbaj diskriminimet në ballafaqimin e Tjetrit duke celebruar diferencën, duke favorizuar një njohje të tijën, duke kërkuar të edukoi në kulturën e të tjerëve për të bërë të mundur ta njohin dhe ta admirojnë – një reflektim mbi diskriminimin i vënë në jetë nga grupe homogjene, që vlerëson dimensionet strukturale të proceseve përjashtuese, që i kthen me shumë se të vetëdijshëm anëtarët e grupit dominuese të paragjykimit të tyre dhe të racizmit të tyre (Anthias e Lloyd, 2002).

Pjesa dominuese që përbën shumicën luan rol qendror, që mund të konsiderohet edhe si problematik. Të reflektuarit mbi modalitetin e marrëdhënieve, të integrimit të bashkëjetesës mes grupeve që konsiderohen të ndryshëm, nuk mbarohet - as zgjidhet kryesisht - në një analizë të karakteristikave dhe aksioneve të grupeve minoritare, por duke propozuar çështjet e statusit të mazhorancës: marrëdhëniet ndërkulturore nuk shqyrtojnë karakteristikat e pakicave, mbi të gjitha, mendimin, identifikimet dhe aksionet e grupit dominues (Tëene e Gallagher, 2008; Essed e Trienekens, 2008).

Të pyesësh mbi bashkëjetesën multikulturore sot në Itali është para së gjithash të pyesësh mbi idenë e “Italianizmit”, mbi ndërtimin lokal të identitetit, të kufijve, e mbylljeve dhe të hapjeve të “italianëve”: forma jo të thjeshta “reagimi” në sjellje, qëndrime ose “karakteristika themelore” të Tjetrit.

Prej vitesh studiozët theksojnë se transformimet e thella në retorikë dhe në praktikë të diskriminimit. Termat e ri si racizëm institucional, kulturor, racizëm simbolik, racizëm ditor tentojnë të theksojnë që jemi përballë në praktikë dhe retorikë se sa në biologji dhe në racë gjejnë bazë në kulturë, praktikë që më shumë se të shfaqen në aksione eksplicite dhe violente përsëriten në mekanizma anonim të burokracisë, në përtesën për të menduar si zakonisht.

Forma diskriminimi më pak radikal, por në realitet rezultojnë të aftë me efekte më të përhapura dhe këmbëngulës, sepse fshehin praninë e vet dhe mekanizmat e funksionimit të tyre, paraqiten si “realiteti i fateve”, mënyrë normale për të bërë gjërat, aksionet që ju mungojnë çdo kuptimi diskriminues.

Kjo ka të bëj me një racizëm pa racë, me një diskriminim pa sharje eksplicite, më mbrojtës se fyes, “Racizëm që ka temë dominuese jo trashëgiminë biologjike, por pamposhtmërinë e diferencës kulturore: një racizëm që, me pamje të parë, që nuk kërkon me ngulm superioritetin e disa grupeve ose popujve mbi të tjerët, por “vetëm” papërshtatshmërinë e njerëzve dhe traditave (Balibar e Ëallerstein, 1991).

Diskutimi mbi diskriminimin bashkëkohor paraqitet si një racizëm pa racë, propozohet të ruaj diferencat e grupit dominues, duke e konsideruar emigracionin si një rrezik, një invazion që vë në diskutim unitetin dhe identitetin kombëtar ose lokal.

Deri tani shpjeguam termin diskriminim në linja të përgjithshme, si dhe formën e racizmit bashkëkohor që shfaqet jo vetëm në Itali, po në të gjitha vendet e zhvilluara që kanë pritur emigrantë në dy dekadat e fundit. Ky shpjegim ndihmon për të kuptuar dhe analizuar rastin e emigracionit shqiptar në Itali në raport me popullsinë vendase (italianët).

Atëherë, le të fillojmë me pyetjen, se “ çfarë opinioni kanë italianët për shqiptarët?”
Duhet që qartësojmë se opinioni konsiston në përmbajtjen e ndërgjegjes së një personi, pavarësisht nga gjykimi mbi vërtetësinë e tij, ose falsitetin. Mendoj, se italianët, në Itali, mbi shqiptarët shfaqin dy lloj opinionesh:

1. Të drejtë duke thënë të vërtetën.

Opinioni i drejtë, që italianët shfaqin për shqiptarët është, se “ shqiptarët janë njerëz që punojnë shumë, që respektojnë ligjin, që dinë të sillen, janë të zotë, kanë prirje për të mësuar shpejt gjuhët e huaja, luftojnë për të bërë një jetë të mirë dhe që herë- herë me punët e tyre të ndershme dhe të lodhshme janë bërë më të pasur se edhe vetë italianët. “

Një ditë shkova në një bar në Xhenova, për të konsumuar diçka dhe fare rastësisht hyra në bisedë me pronarin e barit, i cili më pyeti nëse isha turist i huaj. -Jo, -i thashë,- jam shqiptar dhe kam ardhur për studime këtu. Kur e mori veshtë se isha shqiptar më tha shqip: “ej Shoku”. Pronari i lokalit, vite më parë, kishte punuar në sektorin e ndërtimit dhe më tha se njihte shumë shqiptarë, me të cilët kishte punuar. Ai u shpreh, se shqiptarët janë punëtorë shumë të zotë, sidomos në ndërtimin e mureve të thata.

Opinione të kësaj natyre mbi shqiptarët ka shumë, por janë të rasteve, kur vetë deklaruesit janë të implikuar drejtpërdrejtë në çështjen që bëhet fjalë. Pothuajse, në të gjitha rastet, kur italianët shfaqin opinion pozitiv mbi shqiptarët, do të thotë se për arsye pune, apo në rrethana të tjera të natyrës sociale, kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë dhe i kanë njohur personalisht nga afër shqiptarët.

2. Opinion paragjykues, duke sfiduar faktet dhe vërtetësinë. Paragjykim do të thotë vetëm “gjykim paraprak” ose gjykim që prononcohet para një provimi të plotë të të gjithë atyre elementeve të rëndësishëm. Nga periudha e iluminizmit termi “paragjykim” fiton një ngjyrim negativ.
Allport, thekson, se “ paragjykimi përcakton një farë orientimi drejt kategorive të përgjithshme njerëzore se sa drejt individëve, ose shqyrton individët jo në individualitetin e tyre, por si anëtarë të një kategori.”

Disa italianë që, për fatin tonë, nuk përbëjnë shumicën në numër, por që kanë në dorë forcën e fjalës (gazetarë jo realistë), medien, mjaftojnë të gjejnë një rast edhe të vetëm, kur një shqiptar shkel ligjin, apo devijon ( deviancë quajmë aktin që dhunon normat e një komuniteti dhe ndëshkohet me një sanksion) dhe të shkruajnë duke deklaruar pa baza faktesh, por për interesa të caktuar se të gjithë shqiptarët shkelin ligjet.

Pra, këto gazetarë, që mbulojnë kryesisht kronikat e zeza, paragjykojnë të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë, duke përdorur stigmën dhe stereotipin “shqiptarë”, qoftë edhe kur kemi vetëm një rast të asaj natyre. Ky lloj paragjykimi publik ndikon tek të gjithë qytetarët e tjerë italianë, që nuk kanë asnjë lloj forme kontakti me shqiptarët, që të forcojnë paragjykimin e marrë nga mediet, duke e bërë akoma edhe më real e të besueshëm në impaktin e drejtpërdrejtë shoqëror.
Sipas një ndër studiuesve dhe kriminologëve më të mëdhenj amerikanë, Edëin H. Sutherland, “sjellja devijuese nuk është as e trashëguar as e trilluar nga aktori, por e mësuar përmes komunikimit me persona të tjerë.” Citimi i këtij studiuesi amerikan, gjen aplikim në rastit tonë konkret, sepse një shqiptar, kur shkon në një moshë fare të re në Itali, nuk është aspak i prirur për të devijuar, por janë rrethanat që e detyrojnë, në një farë mënyre, për të bërë diçka kundër vullnetit dhe dëshirës së tij.

Po ju tregoj një histori, për të qenë më të qartë, se çfarë dua t’u them. Kjo është historia e një të riu shqiptar, që sapo kishte mbushur 19 vjeç, vite më parë, kishte shkuar në Gjenova, për të realizuar ëndrrën e tij universitare, por edhe pse kishte një talent të trashëguar intelektual, nuk kishte mundësi ekonomike të vazhdonte studimet. I riu shqiptar, i sapo shkuar në Gjenova, kishte bërë kërkesën për përfituar konviktin, po nuk e fitoj dot, sepse ishte konsideruar me të ardhura të mira familjare (në familje i punonte vetëm babai me një rrogë mujore prej 100 eurosh).

I riu shqiptar, i vendosur për të realizuar ëndrrën universitare, vendosi të shkonte e të takonte personalisht drejtoreshën e konvikteve për t’i treguar, se “ vinte nga një familje që arsimin e kanë konsideruar gjithmonë si të rëndësishëm dhe të pa zëvendësueshëm në formimin kulturor të individit dhe se ëndrra e tij ishte të mbaronte universitetin dhe të integrohej me të drejta të barabarta në shoqërinë italiane.

Ai i argumentoi drejtoreshës, se “ nëse nuk e ndihmon, duke i ofruar vetëm një vend fjetje në konvikte, ëndrra e tij jo vetëm që nuk do mund të realizohej, por se ai do të gjendej fare i vetëm në mesin e rrugës, i pa strehë, i pa ngrënë, i pa mbrojtur dhe pa eksperiencë në një vend të huaj. Në këto rrethana kundër vullnetit dhe ëndrrës së tij mund të bëhej devijues në kërkim të mbijetesës dhe të respektimit të ligjit të egër të rrugës.”

Pra, jeta e këtij të riu ishte me të vërtetë në duart e kësaj zonje që përfaqësonte institucionin e strehimit për studentë. Për fatin e mirë, drejtoresha u tregua zemër mirë, dhe me aktin e ofrimit të vendit të fjetjes, mbrojti ëndrrën e një të riu shqiptar, që kishte ardhur nga një realitet, ku nuk kishte ëndrra, por ankthe.

Falë asaj ndihme, i riu shqiptar jo vetëm arriti të realizonte ëndrrën e tij universitare, por me sjelljen e tij kulturore dhe me kapacitetin e tij intelektual vazhdon të jetë një shembull jo vetëm për shqiptarët, por edhe për italianët. Ky shembull tregon, se nëse një shqiptar devijon, është faji edhe i vendasve (i shtetit pritës që nuk i kanë ofruar asnjë mundësi për t’u integruar dhe realizuar ëndrrat e tij, ashtu si qytetarët e tjerë vendas.

Para se të analizojmë, se nëse italianët janë racistë apo jo kundrejt shqiptarëve, e shikoj të arsyeshme të shpjegojmë metamorfozën e racizmit nga biologjik në kulturor.

Racizmi biologjik (klasik), që bazohej mbi karaktere trupore për të justifikuar raportet e pa barazisë, ka humbur besueshmëri. Megjithatë, qëndrimet raciste nuk janë zhdukur, por kanë zënë forma më pak eksplicite, si për shembull, ai i diskutimit mbi ndryshimet dhe mos përputhjet mbi kulturat, që legjitimojnë masa veçimi dhe përjashtimi.

Pra, ashtu, siç kemi theksuar më sipër, kemi kaluar nga racizmi me racat në një “racizëm pa raca”, që është një formë racizmi shumë evident, sepse fshihet poshtë veshjeve “pozitive” të diferencës dhe mbron larmi kulturash.

Mendoj, se qytetarët italianë në Itali janë më shumë në fazën e paragjykimit, se sa të racizmit të mirëfilltë kundrejt shqiptarëve. Pse shprehem kështu? Sepse, jo të gjithë italianët, kanë qëndrim konstant racist mbi shqiptarët, por opinioni i tyre është në formën e një cikli, ku në momente të caktuara shfaqet me kuota të larta përfshirje dhe në momente të tjera me kuota fare të vogla dhe të papërfillshme.

Duhet të theksojmë, për shembull, faktin se gjenovezët për nga natyra janë të ftohtë dhe janë më të prirur për të thelluar ndarjen Ne/ Ata jo vetëm me shqiptarët, por me çdo të huaj që vjen për herë të parë në vatrën e tyre, në qytetin e tyre dhe tenton të bëhet pjesë e tyre. Madje vetë gjenovezët mburren, kur thonë, se duhen vite të bësh një gjenovez mik, por nëse e ke e bërë, atëherë e ke përjetë.

Fakti, që xhenovezët për nga natyra nuk hyjnë lehtë në marrëdhënie me të huajt, i bën ata të mos kenë një opinion të drejtpërdrejt dhe personal të tyrin pikërisht mbi këta të huaj dhe të mbeten në fazën e paragjykimit, pa mundur të analizojnë faktet dhe të vërtetat.

Për këtë arsye, shumë qytetarë kujtohen të shfaqen egërsisht, deri në racizëm, kundër të huajve, kur disa gazetarë të kronikave të zeza përdorin subjekte të veçanta për ngjarjet që ndodhin.
Për shembull, gazetarët janë të prirur të theksojnë, se një djalë shqiptar tentoi të dhunonte një grua. Nuk e kuptoj se përse duhet të theksohet se ishte një djalë shqiptar, kur fare mirë mund të shkruhet se një djalë tentoi të dhunonte një grua, sepse nuk janë vetëm shqiptarët të prirur për të dhunuar.
Qytetarët e thjeshtë gjenovezë dhe italianë, që nuk kanë asnjë lloj kontakti të drejtëpërdrejtë me shqiptarët, me të lexuar këtë lajm, frymëzohen dhe shprehen se shqiptarët janë të gjithë dhunues, se ato duhet të shkojnë andej nga kanë ardhur etj. Kjo formë e logjikuar është krejtësisht e gabuar, sepse është një lloj sikur të pohojmë se Sokrati ka mjekër, të gjitha dhitë kanë mjekër dhe atëherë Sokrati është një dhi.

Në këtë fazë, mund të themi, se nga paragjykimi, për faktin se nuk njohin faktet, të frymëzuar edhe nga kryeartikujt e stigmatizuar të gazetarëve shprehin nivelin më të lartë të atij që quhet racizëm ditor, sepse lajmi zakonisht ka efekt vetëm për pak kohë, pastaj harrohet dhe zëvendësohet nga një lajm tjetër, që ka subjekt dhe natyrë të ndryshëm nga paraardhësi.

Prandaj, me të drejtë mund të pohoj se racizmi kundrejt shqiptarëve, nga ajo që shprehëm edhe më sipër, ka formën e një cikli me vlera variuese, ku me periudha të shkurta dhe të influencuar nga faktorë të jashtëm është i lartë, por në periudha të tjera është më i ulët, deri në jo ekzistencë.
Fakti që, aktualisht, shqiptarët kryejnë punët e pa preferuara nga italianët dhe që janë pak të paguar, bën që më shumë të ketë përshtypje mbi bazën e paragjykimeve se sa shprehje racizmit nga vendasit.

Në një fazë të dy, kur shqiptarët të fillojnë të kenë një nivel më të lartë arsimi, dhe të jenë në kushte të barabarta për të zënë punë në profesionet e nivelit të lartë si avokat, mjek, inxhinier, arkitekt, lektor universitar, ekonomist etj.

Atëherë, për arsye të konkurrencës së drejtpërdrejtë, italianët do të shfaqin jo vetëm paragjykime, apo racizëm ditor, por në një farë mënyre edhe racizëm institucional ndaj shqiptarëve, sepse nuk do i shikojnë si “inferior”, por si konkurrentë të fortë në jetën e përditshme.
Megjithatë, mendoj, se duke kaluar një periudhë të gjatë bashkëjetese, italianët, do e kuptojnë, se emigrantët shqiptarë janë një domosdoshmëri ekonomike, sociale dhe demografike dhe se me ata mund të bashkëjetohet, ashtu siç ka ndodhur që nga vitet 1389, për shembull, kur durrsaku i parë erdhi në qytetin e Gjenovës si skllav dhe fitoi lirinë, duke vënë themelet e para të dinastisë “Durazzo” (për dekada me radhë ka qenë protagoniste dhe aktore e historisë së qytetit të Xhenovës) deri tek eksodi i 1990, që me ritme më të vogla vazhdon edhe në ditët e sotme.

Emigrantët shqiptarë janë një domosdoshmëri ekonomike, siç kemi theksuar, sepse mbulojnë segment të rëndësishëm të tregut të punës të lënë të pa mbuluar nga krahu i punës italian, duke ringjallur sektor të rëndësishëm ekonomik-produktiv: të peshkimit, agrikulturës, industrisë së ndërtimit etj. Prandaj, mendoj, se italianët do të vazhdojnë të bashkëjetojnë shumë mirë me komunitetin shqiptar, sepse kanë një lidhje të fortë të nevojës reciproke në formën e një lidhje simbiotike.