Friday, December 10, 2010

A ka Shqipëria Selamë të tjerë

Dr. Alban Daci

Këto ditë u përkujtua, “Dita e Demokracisë”, por pa heronjtë që pikërisht në atë kohën ishin në vijën e parë të betejës mes të mirës dhe të keqes, mes të ardhmes dhe të kaluarës, mes shpresës dhe zhgënjimit, guximit dhe frikës.

Dje, ishte, dita që i dedikohet “Lëvizjes Studentore”, të viteve 90-të, kur studentët me dy gishtat lart u bënë avangarda për demokraci dhe luftuan që Shqipëria, më në fund, të bëhej evropiane, duke iu bashkëngjitur familjes së demokracive perëndimore.

Kjo ditë, me të vërtetë një simbol për të gjithë shqiptarët, sepse shënon rënien e regjimit komunist dhe fillimin e një shprese të madhe, e cila ishte gëzimi i lirive individuale dhe kolektive me anë të një forme demokratike qeverisje.

Po të bëjmë pak histori, Evropa moderne u ndërtua dhe u krijua pikërisht nga lëvizjet rinore dhe studentore. Ishin pikërisht të rinjtë, që në fillim të viteve ‘60 deri në fillim të viteve ‘70, luftuan për më shumë të drejta, për një sistem më të mirë universitar, për një punë më të sigurt, kundër diskriminimit të grave etj .

Edhe pse në Shqipëri nuk u krijua kurrë para viteve ‘90 një lëvizje studentore për të kontribuar në ndryshimet e mëdha shoqërore në drejtim të një regjimi demokratik qeverisje, në botë mund të themi, se në vitin 68-të, u krijuan lëvizje studentore për herë të para të nivelit botëror.

Të gjitha këto lëvizje të karakterit shoqëror, për ndryshime politike, ekonomike dhe sociale, ishin të mbushura me të rinjtë, të cilit nuk i besonin më të tashmes (aktuales) dhe ishin të inspiruar për një të ardhme të ndryshme nga ajo që imagjinonin shumica tjetër e popullsisë e përbërë nga të “vjetrit”.

Edhe pse theksuam, se para viteve 90-të në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë lloj lëvizje popullore masive (qoftë edhe studentore) që të bënte kërkesa politike, për të kaluar nga një regjim autoritar, si ai enverist, në një regjim demokratik të ngjashëm me demokracitë e tjera perëndimore, nuk do të thotë se në Shqipëri nuk ka pasur njerëz që kanë dhënë edhe jetën, sepse dolën hapur në oponencë kundër regjimit.

Megjithatë, edhe studentët shqiptarë, të ndihmuar edhe nga faktorët e jashtëm, nga fakti, se: “Muri i Berlinit” kishte rënë, regjimi i komunist i Rumanisë kishte rënë bashkë me eliminim fizik të liderit komunist, u ngritën dhe filluan të brohorasin “Liri demokraci”. Heronjtë më kryesorë të kësaj lëvizje, ishin Arben Broci dhe Azem Hajdari. I pari e humbi jetën drejtpërdrejt në betejën e parë për demokraci, i dyti e humbi më vonë në rrethana të paqarta, por me të njëjtin ideal, duke luftuar për demokracinë.

Sot, pas 20 vitesh, ajo që bie në sy, është fakti, se demokracia shqiptare, vazhdon të lundrojë në ujërat e trazuara me tirani. Demokracia shqiptare akoma nuk është ajo për të cilën luftuan jo vetën të rinjtë, por i gjithë populli shqiptare në fillimin e viteve ‘90, pas një ferri të vërtetë 50-vjeçar. Edhe pse kanë kaluar plotë 20-vjet, Shqipëria, është shumë larg përsa i përket mënyrë së të menduar dhe të vepruarit.

Në Shqipëri, edhe sot pas 20 vitesh, punëtori nuk gëzon akoma asnjë të drejtë. Akoma, në Shqipëri, kemi një informalitet të madh punësimi, në të gjitha nivelet dhe standardet. Për fat të keq sot, raporti mes punëtorit dhe punëdhënësit është sikur të ishte mes pronarit dhe skllavit (rendi skllav-pronar).

Megjithatë, le t’i kthehemi pyetjes që është në të njëjtën kohë edhe titulli i këtij punimi. Dje u transmetua nga disa kanale televizive, momenti kur Eduard Selami po ngjiste shkallët e Pallatit të Brigadave dhe që z. Topi i doli para për ta pritë dhe kamerat ishin në gatishmëri për të filmuar këtë “eveniment”. Pra, takimi mes Eduard Selamit dhe Presidentit ishte një takim i formës zyrtare. Lind pyetja, çfarë zyrtariteti përfaqëson sot z. Selami, që t’i rezervohet një takim i tillë nga Presidenti i Republikës? Ai nuk përfaqëson askënd, ai është një qytetar i thjeshtë, si të gjithë të tjerët.

Gjithashtu, po dje, në darkë, z. Selami ishte i ftuar në një emision televiziv, i cili foli për demokracinë dhe për “Lëvizjen e Dhjetorit”. Thua, vallë, se vetëm z. Selami e dinë dhe e njehë demokracinë dhe çdo gjë që thotë ai është e shenjtë. Të gjitha ata që tha Selami, janë gjëra që, tashmë, të gjithë shqiptarët i dinë. Ajo që nuk dinë, ndoshta, aktualisht shqiptarët, është fakti se si t’i konkretizojnë të gjithë ato ide të që ju vijnë rrotull mbi kokë.

Në Shqipëri, janë disa qarqe që për interesa politike, që mundohen të krijojnë idhuj të paqenë. Një ndër këto idhuj të paqenë është edhe vetë z. Selami. Nga këto qarqe po përpiqet të krijohet një atmosferë publike, se demokracinë e di vetëm Selami, se atë dinë ta realizojë si duhet vetëm ai dhe se pa të ky vend nuk do të bëhet. Jam i sigurt, se shoqëria jonë gjatë këtyre 20 viteve tranzicion ka prodhuar Selamë të tjerë, madje edhe më të përkushtuar se ai, që i ktheu shpinën vendit të tij, pikërisht kur ai kishte aq shumë nevojë për të gjithë, që janë në gjendje t’i drejtojnë proceset demokratike në kahun dhe kohën e duhur.

Në Shqipërinë aktuale, ka plotë të rinj energjikë të mirë shkolluar edhe në perëndim që jo vetëm janë në gjendje të marrin në dorë fatin e vendi, por edhe ta çojnë atë drejt progresit ekonomik dhe politik. Megjithatë, ajo që është themelore, që ju mungon këtyre të rinjve për ta ndërmarr një vendim të tillë është pikërisht guximi.

Edhe pse kanë kaluar dy dekada që nga ajo lëvizje studentore, jam përsëri i mendimit, se vetëm të rinjtë dhe qytetarët mund ta kristalizojnë demokracinë tonë që vazhdon të jetë e brishtë. Sot, ashtu si shumë vite më parë, duhet që pikërisht të rinj, studentët të fillojnë të zgjohen dhe të bëhen të vetëdijshëm për ta bërë Shqipërinë evropiane.