Alban Daci
U angazhova me vetëdijen time të plotë tek AK. Zgjodha AK ndoshta për shkak të pasioneve të trashëguara familjare, të eksperiencës time jetësore të përjetuar për një periudhë të caktuar jashtë si dhe orientimit human dhe akademik që i kisha dhënë vetës po jashtë vendit. Që në fillim të angazhimit tim isha i vetëdijshëm për vështirësitë që do të haste AK si projekt politik dhe unë si pjese e përbërëse e tij. Familja ime që nga origjina ka luftuar dhëmbë për dhëmbë me pushtuesit. Kjo ka bërë që fryma patriotike në familjen tim të ishte jo vetëm diçka e zakonshme, por edhe pjesë e pandashme e edukimit dhe formimit tim. Bisedat për ngjarjet historike, heshtjet e shqiptarëve, padrejtësitë, bëmat ishin e vazhdojnë të jenë një argument i rëndësishëm në familjen time. Po sikur të mos mjaftonin këto biseda, sepse periudha e studimeve në Itali më rriti akoma më shumë dashurinë për vendin dhe më ndihmojë të kuptoja rëndësinë e tij të pazëvendësueshme. Kuptova më shumë rëndësinë e fjalës te “qenit shqiptar”. Kuptova se shqiptarët duhet të ishin më të bashkuar për të qenë më të respektuar e me të fuqishëm. Gjithashtu, fakti se zgjodha të studioja Diplomaci (Marrëdhënie Ndërkombëtare e Diplomatike) me bëri të thellohesha akoma edhe më shumë me padrejtësitë që na kishin bërë në shekuj të tjerët përmes lojërave të fëlliqura ndërkombëtare. Këto tre elementë më çuan tek Aleanca KuqeZi, e cila për mua i përfshinte këto tre elementë më së miri dhe i kishte të gjitha mundësitë t'i zhvillonte më tej drejt një progresi të garantuar.
Jam plotësisht i bindur se Shqipërisë i duhet dhe do i duhet një force politike si AK, e cila i jep shoqërisë shqiptare një krenari kombëtare dhe një shpresë europiane e perëndimore. Zgjedhjet e 23 për arsye që tashme dihen e goditen rëndë këtë forcë politike. Megjithatë, për shkak të filozofisë dhe misionit që ajo mbart, vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm dhe i pranishëm në sistemin politik shqiptar. Mendoj se tashmë për vetë AK ka kaluar ai që quhet shock i menjëhershëm zgjedhor. Tani ka ardhur momenti që AK të ndërmarr disa hapa të rëndësishëm funksional dhe strukturor që i rikthejnë asaj forcën dhe nderin e merituar në një mjedis politik të pamerituar.
1. Gjetja e partnereve politike. Sistemi politik shqiptar është i ndërtuar në një formë të tillë që nuk lejon mbijetesa personale. AK duhet të zgjedh se më kë kahë politik duhet të pozicionohet. Për shkak të filozofisë së saj dhe natyrës së saj opozitare (pas zgjedhje e ka de facto këtë status) duhet të rigjej mekanizmat politike për një riafrim konkret me të Djathtën. Pas zgjedhjeve shumë gjera kanë ndodhur dhe kanë ndryshuar e për këtë arsye edhe vetë e Djathta klasike shqiptare po riformatohet. De facto, edhe pse me karakteristika të ndryshme AK tashmë është një forcë e Djathtë, sepse të gjithë eksponentët dhe aktivistët me bindje të Majta u larguan. Kjo do ta bente edhe më të lehtë procesin dhe konsensusin e brendshëm për afrimin e AK me kahun klasik të Djathtë. AK nuk ka privilegjin dhe mundësitë të qëndrojë e vetme në luftën e ashpër që mund të fillojë në muajin shtator mes të Djathtës e të Majtës. Duke mos përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, brenda dy viteve do të jenë zgjedhjet për pushtetin lokal. Beteja për Bashkinë e Kryeqytetit do të jetë shumë e ashpër, sepse kryetari aktual nuk mund të konkurroi më për këtë poste, sepse pas zgjedhjes së tij në krye të PD, optika e tij e politike zhvendoset drejt pushtetit qëndror. Gjithashtu, ish kryetari i Bashkisë që tani është Kryeministër nuk mund tëe garojë për një ripozicionim të tillë. Dihet se beteja e fundit mes Ramës e Bashës përfundojë me një diferencë të vogël votash. Po të kemi parasysh se me gjithë sulmet, AK në Tiranë ka marrë rreth 7 mijë vota, atëherë, le të mendojmë pak peshën dhe sa përcaktuese do të jetë ajo në fitoren e re të zgjedhjeve për pushtetit vendore. Mendoj se AK dhe e Djathta klasike kanë një nevojë simbiotike për të përcaktuar ekuilibrat e rinj politik. Kjo nuk do të thotë se AK ka një elektorat prej 7 mije votuesish. Realisht ajo ka shumë më shumë dhe duhet të punojë për ta dhjetëfishuar atë deri në datën e re të zgjedhjeve për pushtetin vendor. Hapja e AK nuk duhet të ndodh vetëm me partitë e sistemit të brendshëm politik, por edhe me partitë e tjera shqiptare ne Rajon. AK duhet te rivendos e te intensifikoje marrëdhëniet e saj vëllazërore e politike me partitë shqiptare të Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. AK në politiken e saj ka edhe optikën kombëtare, e cila kërkon bashkëpunim me faktorin shqiptar. Paragjykimet e panevojshme e të pa shpjeguara nuk i bëjnë mirë të ardhmes politike që AK meriton të këtë.
2. AK duhet të shtojë radhët e saj edhe në strukturat drejtuese duke mos vëne kusht faktin, se nuk duhet të këtë personalitete që kanë pasur më parë angazhime politike. Angazhimi politik i çdo personi nuk përcakton nivelin e fajësisë së tij. Në Shqipëri ka plotë personalitete që në të kaluarën kanë pasur angazhime të shkurtra politike, por që nuk e kanë njollosur personalitetin e tyre me skandale, korrupsion e keqqeverisje. AK duhet të dëshmojë së është e hapur për çdo personalitet që nuk e ka njollosur biografinë e tij pavarësisht nëse është angazhuar apo jo më parë në politikë.
3. AK duhet të zgjidh situatën e black out-it që aktualisht ekziston me shumicën e mediave shqiptare. Kjo situatë e rëndë dhe e pa precedent censurimi që i ka ndodhur AK duhet të zgjidhet përmes rikanalizimeve dhe negocimeve me gazetarët më të njohur si dhe me administratorët e organeve të shtypit. Kontribute të rëndësishëm për daljen e AK nga statusi i censurimit do të luaj edhe fakti nëse ajo do të pozicionohet me palët klasike të politikës.
4. AK deri tani ka treguar një forcë dhe një energji të madhe të angazhimit të saj për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare, bashkimin kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve në Rajon. Ok! Kjo është diçka shumë e mirë, por AK duhet ta zgjerojë gamën e saj. Ajo duhet të fillojë të trajtojë dhe të jetë akoma edhe më shumë sensibile për problemet e brendshme sociale dhe ekonomike të vendit si: papunësia, varfëria, mungesa e sigurisë së jetës, turizmi, arsimin, pensionet, ndihma sociale, mosha e tretë dhe shëndetësia.
5. AK duhet ta pranojë si një realitet të domosdoshëm dhe të rëndësishëm BE dhe nuk duhet të mbajë qëndrime, të cilat bien në kundërshtim me proceset dhe objektivat që vetë BE ka në Rajon duke përfshirë edhe rolin gjithëpërfshirës të shqiptarëve.