Pasi mbarova studimet në Perëndim me rezultate të shkëlqyera, me plot zell dhe dëshirë vendosa të kthehem në Shqipëri. Edhe pse kisha qëndruar në Perëndim për të kryer studimet, asnjëherë nuk isha ndarë nga Shqipëria. Gjithmonë, kisha shkruar në të përditshmet shqiptare për çështje të ndryshme sociale. Gjithashtu, në Itali në rolin e kryetarit të organizatës shqiptare “Gjenerata e Re Shqiptare” kisha organizuar takime, konferenca, programe e projekte që kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Itali si dhe isha përpjekur të prezantoja imazhin e Shqipërisë në optikën pozitive edhe kur nuk ishte ashtu.
Pra, Shqipëria deri në momentin që vendosa të kthehesha, qëndronte në zemrën time si një gurë i rëndë që më bënte të ndjehesha krenar dhe plot energji. U ktheva në Shqipëri, si një djalosh që kishte investuar shumë për të ardhmen e tij intelektuale e akademike dhe mezi priste të jepte kontributin e tij në jetën e përditshme shqiptare. Para, se të kthehesha, mendoja, se e njihja mirë shoqërinë shqiptare. Sapo zbrita në Shqipëri dhe kalova javën e parë, e kuptova se nuk e njihja ashtu sic duhej.
Shqipëria, më shfaqej jashtë çdo lloj optike normale perëndimore. Më dukej si një vend që nuk mund ta krahasosh edhe me një vend të lodhur të Afrikës apo të Azisë. Shqipëria, të shfaqet si një vend që ka vështirë të shkëputet nga e kaluara dhe të projektojë të ardhmen. Si një vend që përfaqësohet me njerëz të kaluarës dhe njerëzit e të tashmes sulmohen me çdo mjet çdo mjet që të mos jene pjesë e asnjë iniciative politike, shoqërore etj.