Friday, April 24, 2009

Liria dhe Demokracia

Dr. Alban Daci

Është e vërtetë që tek demokracitë duket se populli bën atë që dëshiron: por liria politike nuk konsiston të bësh atë që dëshiron. Në një Shtet, apo në një shoqëri, ose në një organizatë duke u nisur tek një shembulli që kam marrë, studiuar dhe analizuar në një artikull të botuar pak ditë më parë, pra në ato forma organizative ku ka ligje dhe rregulla, liria mund të konsistojë vetëm në pushtetin për të bërë atë që duhet bërë, dhe jo në të qenin i detyruar për të bërë atë që nuk duhet bërë.
Liria është e drejta për të bërë atë që ligjet të lejojnë (normalisht ligjet duhet të jetë bërë me miratimin e qytetarëve, të cilët duhet të kenë dhënë alternativën e tyre, ndryshe këto ligje nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe për rrjedhoje as nuk mund të respektohen. Mjaftojmë të analizojmë rrugën që ndjekin ligjet derisa bëhen të detyrueshëm për të gjithë, në sistemet jo demokratike).

Ka tre forma lirie:

1.liria fizike që konsiston në mungesën e pengesave materiale të çdo specie. Prandaj, mund të themi: qiell i lirë, horizont i lirë, ajër i lirë, fushë e lirë, një vend i lirë, elektricitet i lirë, vendbanim i lirë, shtyp i lirë. Koncepti i lirisë është kallëzues i të qenit “kafshë”, ku pronësia konsiston në faktin që lëvizjet e tyre, rrjedhin nga vullneti dhe janë të vullnetshme. Ky koncept lirie, në këtë kuptim origjinal, të menjëhershëm dhe popullor, thjeshtë implikon fuqinë për të reaguar, mungesën e pengesave fizike në aksion. Për këtë arsye thuhet se zogu është i lirë në ajër, kafsha e egër është në pyll, njeriu është i lirë për nga natyra. Vetëm njeriu i lirë është i lumtur. Thuhet se një popull është i lirë, kur qeveriset nga ligjet që ai vetë ka dhënë. Pra liria politike duhet shoqëruar me lirinë fizike;

2.liria intelektuale konsiston pikërisht në kapacitetin për të ushtruar lirisht vendimin, në ushtrimin e kapacitet për të arsyetuar në mënyrë diskutuese dhe me argumentuar me mjete logjike;

3.liria morale, që sipas konceptit empirik të lirisë, do të thotë: “Unë jam i lirë, nëse mund të bëj atë që dua”; e me këto fjalë, “atë që dua”, liria është tashmë e përcaktuar. Ndërsa Kanti e përcakton Lirinë në këtë mënyrë: “ Liria është aftësia për të filluar vetë një seri ndryshimesh. Faktikisht, me fjalën “vetë” në kuptimin e vërtetë të saj, do të thotë “ pa shkaqe paraprijëse;

Çfarë kanë të përbashkët qielli i lirë, fusha e lirë, liria e shtypit? Qielli është i lirë nëse nuk ka re, fusha është e lirë nëse nuk ka ndërtime, persona ose makina që mund të pengojnë, shtypi është i lirë nëse asnjë organ politik ose juridik nuk ndalon shprehjen e opinioneve të lira. Pra, të përbashkët kanë faktin se nuk kanë pengesa materiale për të vepruar dhe reaguar.
Jashtë shpjegimit terminologjik të demokracisë se “pushtet i takon popullit” ose “qeverisja e popullit”, në rrokullisjen e ngjarjeve historike janë të pranishme dy modele shumë të ndryshme: demokracia e “antikëve” dhe ajo e “modernëve”.
Modeli i parë ka karakteristikë qytet-shtetet (siç citon me të drejtë Sartori komunitete-qytete) e Greqisë klasike, dhe në veçanti siç kemi analizuar, eksperienca e Athinës në shekullin e V-IV para lindjes së Krishtit, aty ku vendimet merreshin nga qytetarët e mbledhur në asamble (Ecclèsia) dhe ekzekutoheshin nga Boulè, ose Këshilli i pesëqindëve, ku anëtarët ishin zgjedhur ose seleksionoheshin me short duke zbatuar rregullin e rotacionit mes gjithë qytetarëve.
Pra, kishim të bënim me një demokraci direkte të bazuar mbi pjesëmarrjen e menjëhershme të qytetarëve pa pasur asnjë lloj ndërmjetësimi, politik ose burokratik. Kjo formë ishte edhe një demokraci monistike, sepse e mira e përbashkët ishte fruti i harmonisë, që nuk pranonte pozicione të ndryshme për interesat e përbashkëta dhe ndarjen në pjesë (grupe) dhe kërkonte dedikimin të plotë në gjënë publike të çdo qytetari, që nuk kishte një sferë private të ndarë me atë publiken. Kjo lloj demokracie ishte e realizuar vetëm në territore me hapësira të vogla.
Demokracia pasi u aplikua fillimisht në këto komunitete-qytete, për një periudhë të gjatë, me formimin e kombit dhe themelimin e shteti, ajo humbet, sepse, distancat u rritën, territoret u shumëfishuan, popullsia u shtua, komunikimi mes persona u zvogëlua. Për rrjedhojë qytetarët hasën më shumë pengesa për të krijuar në nivel Shteti-kombëtar strategji të përbashkëta për të realizuar në bazën e principit të oportuniteteve të barabarta, të mirën e përbashkët.
Në epokën moderne nuk mungon teorizimi i demokracisë direkte si forma më e rëndësishme në shpjegimin dhe aplikimin e konceptit të demokracisë. Në veçanti Rousseau tek Kontrata Sociale (1762) ka konfirmuar pamundësinë për të përfaqësuar “vullnetin e përgjithshëm” të popullit, që duhet të shprehet direkt mbi të gjitha ligjet.
Vetë Rousseau, më vonë do të nënvizonte se: “vetëqeverisja e popullit e ka të pamundur ushtrimin e funksionit ekzekutiv, por është krejtësisht i realizueshëm për legjislativin” (vetëm në një Shtet me dimensione të vogla dhe ku njerëzit janë faktikisht të barabartë dhe që nuk kanë shumë pasuri).
Demokracia e modernëve prezanton karakteristika që për disa arsye janë të kundërta me atë të antikëve duke qenë një demokraci përfaqësuese, pluraliste dhe e themeluar mundësisht mbi shtrirjen e gjerë të konceptit të shtetësisë. Vendimet politike ndërmerren nga organet përfaqësuese dhe vetëm në disa raste të parashikuara merren drejtpërdrejt nga trupi elektoral. Arsyet e natyrës përfaqësuese të demokracisë moderne janë të ndryshme:

1. historik, i dhënë nga roli themelor i realizuar nga përfaqësia parlamentare për të garantuar shembjen e Shtetit absolut dhe afirmimin e principeve liberal-demokratike;

2. praktik, si pasojë e zgjerimit territorial dhe demografik të Shtetit-komb dhe të karakterit gjithmonë e më kompleks të natyrës së vendimmarrjeve;

3. teorike, të rrjedhura nga natyra pluraliste dhe heterogjene e demokracisë, nga njohja e gjerë e të drejtave politike të personave, nga afirmimi i rolit të partive politike dhe të organizmave të ndërmjetëm, nga strukturat artikuluese dhe poliarkike të sistemit të qeverisjes.

Njohja e pluralizmit implikon se: qytetarët janë normalisht të interesave konfliktuale dhe organizohen për t’i bërë të vlefshëm, duke bërë ndarjen e sferën private nga ajo publike dhe në veçanti nga ajo politike.

Demokracia sigurisht është një sistem me rregulla procedurale, por është edhe një sistem me principe dhe me vlera të korporuara, që zakonisht janë të përcaktuara me kushtetutë.
Demokracia është edhe një sistem që garanton të drejta. Të drejtat janë elementët më themelor dhe ndërtues të qeverisjes demokratike. Përshembull çdo qytetarë, duhet të gëzoj të drejtën themelore për të votuar dhe për të parë që votat e tij shkojnë në konsideratën e duhur. Në Shqipëri kjo e drejtë edhe nëse nuk është mohuar në një mënyrë apo në një tjetër, duke pasur parasysh dhe mungesën e një infrastrukture rrugore moderne, ka hasur pengesa për tu ushtruar krejtësisht në mënyrë të vullnetshme.
Opinioni im është se: qytetarët do ta gëzojnë plotësisht këtë drejtë vetëm, kur Shqipëria do të ketë një infrastrukturë moderne, në mënyrë që distancat dhe koha e udhëtimit të mos jenë pengesa për të marrë pjesë në aksione politike direkte siç janë votimet, por edhe indirekte në forma të ndryshme edhe përfaqësuese.
Të sanksionosh të drejtat vetëm në bazë të ligjit, ose në kushtetutë nuk mjafton. Të drejtat duhet të aplikohen në praktikë nga qytetarët. Nëse këto të drejta nuk aplikohen në praktikë, sistemi politik nuk është demokratik, edhe pse qeveritarët mund ta konfirmojnë atë.
Në Shqipëri, mendoj se shumë të drejta themelore, duke u nisur nga mungesa e formimit shkollor, mungesa e informacionit, mungesës së infrastrukturës, vetëm mbeten thjeshtë të sanksionuar në ligje dhe nuk gjejnë hapësirë për tu aplikuar. Në këto rast jo vetëm që nuk kemi demokraci të mirëfilltë moderne, por mund të gjejmë forma primitive demokracie, ku tributë, ose grupet e personave të mbyllur dhe të izoluar me botën nga kufijtë natyror, thjeshtë aplikojnë akoma asambletë si në Athinën e lashtë (ose pleqërinë që nuk ka asnjë bazë juridike) për të zgjidhur çështjet e përbashkëta si dhe për të pasur të mira të përbashkëta mbi principin e barazisë në grup.
Kjo që thamë lidhet edhe me një argument tjetër mjaft themelor mes asaj që quhet demokraci ideale dhe demokraci reale.
Pothuajse të gjithë jemi dakord se demokracia është alternativa më e mirë e qeverisjes, sepse krijon kushte, oportunitete, të drejta të barabarta për të gjithë, por nuk duhet të jemi dakord se në Shqipëri kemi një demokraci shumë të mirë. Më e drejtë dhe krejtësisht e saktë do të ishte se demokracia shqiptare po përmisohet dhe se aspiron për t’u perfeksionuar. Një vend nuk bëhet demokratik brenda limiteve të caktuara kohore, nëse ka pasur një të kaluar totalitare, vetëm se ka aplikuar institucione, teori dhe rregulla demokratike.
Një vend është demokratik nëse ka krijuar edhe një kulturë demokratike. Të gjithë ne, jemi të vetëdijshëm se kur flasim për kulturë, kuptojmë një seri sjelljesh, kostumesh, traditash, dhe rregullash që vijmë krejt natyrshëm për vite me radhë në një shoqëri derisa sa bëhen pjesë integrale dhe reale e imazhit të saj.
Kultura demokratike shqiptare, ishte pothuajse inekzistente dhe komplet e panjohur më parë për qytetarët e saj, mjafton të përmendim se shumë persona nuk dinin se kush ishin të drejtat e tyre personale dhe jo më të kërkonin të drejtat e përbashkëta të komunitetit.
Megjithatë, vitet e tranzicionit kanë ndërtuar bazat e shëndosha për të krijuar një kulturë origjinale demokratike shqiptare duke hedhur premisat për të realizuar një qeverisje të vërtetë demokratike gjithëpërfshirëse, ku aksioni i çdo qytetari jo vetëm është i domosdoshëm për të hartuar strategjitë e përbashkëta për të ardhmen, por është edhe i detyrueshme për krijuan kushtin e të mirës së përbashkët.
Le të jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij imazhi të ri demokratik shqiptarë, ku personi të vlerësohet si një qenie që ka lindur me të drejta të pamohueshme si jeta, liria dhe lumturia dhe që aspiron me oportunitete të barabarta bashkë me anëtarët e tjerë të komunitetit për bërë që demokracia të jetë e shëndoshë, suficiente dhe reale në të gjitha mjediset e shoqërisë.