Wednesday, May 14, 2008

Aty ku malet flasin si dëshmitar të kohës

Dott. Alban Daci
Botuat sot me datë 16 maj 2008
Tek Gazeta "Ndryshe"

Në Shqipëri ka shumë realitet jetësore që për interesa të caktuara ose më saktë për mos interesim nga shtypi shqiptare fshihen. Janë realitete qe i prekim çdo ditë, që i trashëgojmë nga historia, por që nuk kemi dëshirë apo guxim ti pranojmë si dhe pse jo ti publikojmë për tua rikujtuar atyre që ndoshta i kanë harruar ose nuk i kanë përjetuar asnjëherë.
Ndoshta janë argumente që nuk na sjellin përfitime, por mos të harrojmë se të gjithë ne që përpiqemi të shkruajmë, në qendër të objektivave dhe temë kryesore në krijimet tona duhet të kemi njeriun, duke e përshkruar jetën e tij të zhveshur dhe të thatë ashtu siç dëshmohet me të vërtet, jo vetëm me realitete të bukura, me emocione pozitive, me vizione magjepse për të ardhmen, por edhe me dëshpërime, me mjerime, ku e ardhmja nuk është e sigurt dhe e garantuar.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për mjerimin e tejskajshëm që ekziston në disa zona të Shqipërisë, sidomos në Veri, ku kemi të bëjmë me të njëjtin mjerim migjenian, ku buka është privilegj dhe jo domosdoshmëri, kur dituria është ëndërr dhe jo realitet, ku jeta është monotoni dhe jo gjallëri e mbushur me emocione të bukura dhe me kujtime të çmuara.
Shqipëria e Veriut është zonë kryesisht më reliev malorë, ku mbizotërojnë malet e larta si dëshmi të qëndresës së malësorit kundër pushtuesve të huaja si: dëshmitar të historisë së evoluimit të shoqërisë shqiptare mes sakrificave dhe mbijetesës.
Dikush nga ju mund të pyes se si e bëjnë jetën banorët e këtyre zonave? Unë, do të thoja se ato realisht nuk jetojnë por përpiqen te jetojnë. Kjo do të thotë se përpiqen të jetojnë për inerci, sepse kushtet nuk janë as të kënaqshme dhe as të pranueshme.
Zoti, ju ka dhuruar një natyrë të mrekullueshme me shumë burime ujore të kristalta dhe të ftohta, ju dhuroj pyje të gjelbra, ju dhuroj një mençuri të mrekullueshme natyrore, ju dhuroj një tokë të begatë me minerale dhe me vlera të rralla ushqyese.
Banorët e këtyre zonave edhe pse kishin gjithë këto të mira të natyrës, nuk kishin atë më thelbësoren përkujdesjen e institucioneve shtetërore. Kjo ka bërë që koha të ec thjeshtë në konceptin kalendarik dhe jo e shoqëruar me proceset e modernizimit shoqëror për të ndryshuar kushtet dhe mënyrën e të jetuarit.
Pas viteve 90-të ndodhi boomi i emigracionit, jo vetëm i jashtëm por edhe i brendshëm, si pasojë e kushteve të mjerueshme që kishin kaluar nga diktatura shfrytëzuese dhe izoluese komuniste. Shumë njerëz kishin arritur mjerimin e tejskajshëm shpirtërorë, ku ishin goditur me pa të drejtë nga e ashtë quajtura “Lufta e Klasave” si dhe ekonomikisht saqë kishin ëndërr të hanin një copë bukë të ngrohtë me djathë. Buka e ngrohtë nuk ekzistonte, sepse derisa vinte tek dyqani ishte bërë gurë e fortë, kurse djathi ishte luks që mund ta konsumonin vetëm anëtarët e “partisë së lavdishme” (që lavdëroj disa injorant dhe luftoj intelektualët e vërtetë) .
Kam dëgjuar që kishte nëna që kishin të sëmurë fëmijët e tyre dhe kishin nevojë për pak qumësht që ta ushqenin dhe lusnin me ditë të tëra çobanin e zonës që t’iu jepte qoftë edhe një gotë.
Kam dëgjuar se shumë njerëz janë detyruar ti kalojnë lumenjtë e rrëmbyeshëm malor me not në mes të dimrit për të shkuar në vendin e punës, sepse nuk kishte urë, ose ura ishte thjeshtë si skemë projektuese, sepse i kishin mbetur vetëm kavot, pasi dërrasat i kishte marrë lumin herë pas here nga rrymat e forta.
Kam dëgjuar se gratë kanë punuar si skllave gjithë ditën duke bërë gropa dhe shpyllëzime për 30 pikë dita që ishin të barabartë me një bukë të mykur dhe kaq.
Kam dëgjuar se nxënësit më të mirë dhe më të zot nuk mund të fitonin bursat më të mira të shkollimit, sepse nuk ishin komunist dhe se babai i tyre kishte qenë ndër të parët intelektual në nivel kombëtar që kishte kryer arsimin e lartë jashtë vendit dhe se kishte thënë se komunizmi është sistem që sjell varfëri dhe mjerim.
Kam dëgjuar se partia kishte menduar të kultivonte grurin në maje të malit të Korabit si dëshmi zhvillimi dhe prosperitetit.
Kjo situatë e vërtetë ferri ishte bërë e padurueshme dhe i kishte kthyer këto zona në kampe përqendrimi, të ngjashme me ato të nazistëve gjerman.
Fillimet e viteve 90 sollën shpresën e madhe dhe për zonat malore si dhe për malësorët e ndershëm, duke shpresuar se më në fund dhe zhvillimi dhe modernizimi ti prekte nga afër duke ju dhuruar mirëqenie. Realiteti i ndërtuar dhe i sapo nisur ishte një zhgënjim i radhës për banorët e këtyre zonave, sepse jo vetëm që nuk solli metamorfozën e modernizimit, por solli emigrimin e jashtëm dhe të brendshëm si e vetmja rrugë për tu larguar nga mjerimi në kërkimin e jetës normale.
Shumë familje malësore më në fund patën në duart e tyre një shans për tu larguar nga vendbanimet e tyre drejt të ardhmes të paqartë dhe plotë mundime dhe vështirësive të reja. Kjo ishte e vetmja risi që u bë e pranishme në fatet e tyre të jetës në ndryshim me të kaluarën e izolimit të plotë.
Kështu shumica e tyre të detyruar nga mungesa totale e infrastrukturës, të shërbimit shëndetësor, të telekomunikacionit, të arsimit, të punësimit me pak fjalë të kushteve minimale për të ndërtuar të ardhmen e ëndërruar, morën vendimin që nuk e kishin marrë asnjëherë më parë, as në periudhat e luftërave dhe invazioneve për të braktisurat shtëpitë e tyre, vendin e të parëve, vatrën e trashëguar brez pas brezi për tu larguar drejt Shqipërisë së mesme si: në qytetin e Tiranës dhe atë të Durrësit.
Megjithatë, një numër familjesh të lidhur fortë me traditën dhe me tokën nuk mundën që ta thyenin këtë tabu dhe pranuan më mirë mjerimin dhe mbajtjen e trojeve të trashëguar nga të parët se sa ndoshta shpresën e jetës më të mirë për të ngritur banimet e tyre me afër me pushtetin qendror dhe më në qendër të Shqipërisë.
Fenomeni i shpërnguljes solli braktisjen e fshatrave të tërë, ku në rrugët e tyre më parë dëgjoheshin zërat ë fëmijëve, kurse sot kanë ngelur vetëm gjurmët e tyre në baltë si dëshmi se aty kohë më parë ka pasur jetë, kullat që më parë ishin të kuvenduara me malësor mikpritës, bujar dhe të besës tani ngjajnë si muze të një periudhe që kohë më parë është jetuar, por që tashmë mbetet si relik e vendosur në historinë e demografisë njerëzore.
Nëse më parë gjatë natës dritat e shtëpive tregonin se sa shumë të populluar ishin fshatrat e këtyre zonave, sot është e vështirë të gjesh ndonjë dritë shtëpie që vezullon ne mesin e natyrës së qetë dhe të botës së harruar. Është njësoj sikur të mundohesh të shikosh në një natë pa hënë dhe më vranësira, yjet në qiell, ku maksimumi në horizontin e shikimit mund të arrish të dallosh me shumë mundime dy tre yje.
Tani një fëmijë i një fshati, ku ka mbetur vetëm një shtëpi duhet të ec me orë të tëra që të takoj një bashkëmoshatar të tij për të luajtur dhe në rast se: gjatë rrugës rrëzohet dhe vritet papritmas, i duhet të rezistoj, duke duruar dhimbjen, derisa babai i tij të kërkoj dhe të gjej ndonjë makinë që mund ta dërgoj në spital, nëse është me fat dhe babai ka gjetur makinën duhet të rezistoj derisa të mbaroj udhëtimi i gjatë nga zona e tij deri tek spitali i qytetit më të afërt. Nëse nuk arrin që të kombinohet të gjithë këto faktor në favor të shërimit të tij, atëherë duhet ti lutet zotit që ti bëj mëshirë dhe t’ia fal jetën edhe kësaj radhe.
Në mëshirën e fatit në këto zona janë dhe nga institucionet e arsimimit bashkë më grupin pedagogjik që kanë në gjirin e tij. E kam fjalën për shkollat e nivelit të arsimit fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm. Në shekuj malësorët janë shquar për nivele të larta të inteligjencës natyrore, por që të jesh në një hap me kohën nuk mjafton vetëm kaq, duhet të fillosh të mësosh të shkruash, të lexosh dhe pastaj hap pas hapi të kuptosh në formë shkencore proceset që ndërtojnë kompleksin jetë.
Pra, është i domosdoshëm ndjekja dhe frekuentimi i shkollës. Juve më të drejtë mund të kërkoni të dini në çfarë niveli janë shkollat në këto zona? Pjesë më e madhe e stafit pedagogjik nuk është me arsim dhe kualifikim përkatës, kjo nuk ka ndodhur se në këto zona nuk ka intelektual dhe mësues të merituar, por të gjithë të merituarit dhe më të kualifikuarit janë larguar në emigrimin e brendshëm dhe të jashtëm. Mund të ndodh që dikush që sapo ka mbaruar shkollën e mesme të filloj të jap mësim në tetëvjeçare pse jo edhe ne gjimnaze. Atëherë car mund të pritet nga një panoramë e tillë? Sigurisht që jo një brez i përgatitur dhe i pajisur me kapacitete të forta intelektuale!
Epo mirë do të thoni juve se ata mund të jetojnë duke kultivuar tokat e tyre me drithëra dhe perime. Në disa zona mund të themi që termi teknologji për punimin e tokës dhe kultivimin e drithërave nuk ekziston. Nëse dikush nga ju do të kërkoj me kureshtje se nëse ka akoma skllevër edhe në ditën e sotme?
Unë do ju këshilloja me keqardhje të vizitoni këto zona, ku do të gjeni jo skllavërinë e detyruar me forcë dhe të ushtruar me dhunë, por vet skllavërimin e këtyre banore që përdorin mjetet rrethanore të periudhës së Egjiptit të lashtë si: shati, lopata, kazma për të punuar tokën. Janë të vetë skllavëruar për siguruar bukën e misrit gjatë dimrit cila do ju mbaj frymën deri në verën e ardhshme.
Ka ndoshta edhe skena qesharake për botën modern, ku mund të shikosh një fshatar që punon tokën me pamend dhe nga pa mundësia për të pasur një pe çe, ka përdorur imagjinatën e nevojës dhe ka përshtatur gomarin dhe kaun. Kështu që tokën nuk e lë pa punuar dhe mund të ketë drithë që ta bluaj për të gatuar bukën e misrit në periudhën e dimrit si dhe mund të ketë bërë groshe mjaftueshëm sa për ta shoqëruar atë.
Disa familje ndoshta mund të krenohen se marrin edhe asistencë sociale si për shembull 2000 lekë te vjetra në muaj. Me një shumë të tillë sot nuk mund të kryhet asnjë nevojë. Prindërit e tyre nuk mund të sigurojnë qoftë edhe rrobat për fëmijët dhe jo më pastaj të mendohet që t’iu garantojnë librat dhe mjetet didaktike që ju duhen për mësuar në shkollë.
Kjo është situata e vërtet që faktetsisht përjetojnë në jetën e përditshme banorët e këtyre zonave. Mjerimin e tyre me rënien e perëndimit e dëshmojnë malet e larta të këtyre zonave të thella, ku me hijen e tyre të rëndë dëshmojnë një jetë të varfër dhe të heshtur, ku natyra vendos fatet dhe përcakton të ardhmen e tyre.
Në mbrëmjen e heshtur malet si dëshmitar shekullor fillojnë të tregojnë dhe të flasin për historinë dhe për problemet e këtyre zonave, sepse askush nga ato që duhet ta bëjnë një gjë të tillë nuk e bëjnë.
Janë pikërisht këto male, ku malësorët kanë vënë ndër shekuj banimet e tyre, janë këto male që shumë herë kanë qenë mburojë e vërtet nga rreziqet e sulmeve armike. Më mirë se këto male askush nuk i njeh problemet dhe vështirësitë e këtyre të banorëve të braktisur nga koha moderne, nga industrializimi, nga Shteti, të lënë në mëshirën e fatit dhe të natyrës. Shpresojmë që të paktën natyra me ligjet e saj të jetë e mëshirshme për këto banor ashtu siç ka qenë deri tani, duke lënë që monotonia të rrjedh e qetë në karvanin jetësor.