Friday, February 8, 2008

A është e domosdoshme Akademia Diplomatike ?


Dott. Alban Daci

Rastësisht duke u informuar mbi shtypin shqiptar, lexova një artikull interesant të botuar në disa organe të përditshme shqiptare. Ky artikull fliste për ngritjen e Akademisë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve me Jashtë. Kjo iniciativë është me të vërtet për t’u vlerësuar edhe përse në krahasim me vendet e tjera të përparuara (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) është shumë e vonuar si ide në kohë dhe në hapësirë. Këtë iniciativë që po merr sot Këshilli i Ministrave në lidhje me themelimin dhe strukturimin e kësaj Akademie, Kongresi Amerikan e ka marrë në 1946, duke aprovuar Foreing Servise Institute (FSI) brenda Departamentit të Shtetit. FSI kishte si qëllim të formonte personelin (diplomatik dhe teknik në funksion të Marrëdhënieve Ndërkombëtare), të cilët do të dërgoheshin me mision në vendet e huaja. Ky personel do të formohej duke u trajnuar në dy drejtime:
1. Gjuhësore
Pjesa më e madhe docentëve jo vetëm që kishin një karrierë të lartë në formimin gjuhësor, por ishin edhe ekspertë të mirë përsa i përket komunikimit jo verbal dhe kulturor të vendeve nga vinin.
2)Antropologjik
Antropologët ndiqnin një program më shumë tradicional të orientuar në dimensionet makrokulturale (mënyrat e shkëmbimit, organizimin social, strukturat gjerarkike)
Të dy këta elementë së bashku formojnë atë që quhet komunikim ndërkulturor, që do të thotë sa më shumë të njohësh të tjerët aq më shumë influencë do të kesh mbi ata. Gjatë periudhës së formimit të FSI, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin leader si fuqi botërore, por diplomatët e saj ishin ineficientë. Pra, FSI ishte një nevojë e domosdoshme që roli dhe fuqia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dëgjohej, të respektohej në botë. Akademia Diplomatike shqiptare që ka fizionomi të ngjashme dhe mision të përbashkët me FSI a është e domosdoshme për vendin tonë? Shqipëria ka nevojë për një diplomaci mjaft aktive jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë, pasi është viti i vendimeve të mëdha dhe mjaft të rëndësishme. Ne kemi nevojë për diplomaci aktive, profesionale ku duhet të mbrojë dhe të përkrahë jo vetëm interesat e shqiptare brenda Republikës së Shqipërisë,por edhe të bashkombasve tanë kudo që ndodhen. Shqipëria, për vetë pozicionin strategjik dhe lidhjes me faktorin historik si një produkt njerëzor, ka një rol mjaft të rëndësishëm dhe vendimtar përsa i përket paqes dhe stabilitetit në rajon.
Diplomacia e vendit tonë duhet të jetë e gatshme të përballet me çështje konkrete si: Bisedimet për statusin final të Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për atë lloje diplomacie që quhet “ Vallëzimi Dans”, por për një diplomaci të afirmuar dhe koherente me partner të sigurt për çështje dhe vendime të ndryshme ndërkombëtare. Duke analizuar atë që shprehëm më sipër do të thosha se akti i themelimit të kësaj Akademie është një ogur i mirë. Gjithashtu për vetë faktor kohe dhe kushtet hapësinore që po përjetojmë, Akademia Diplomatike është e avantazhuar.
Them kështu pasi rreth 20 mijë studentë (pa përfshirë edhe mjaft intelektualë) studiojnë në universitetet më në zë në botë.
Një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur fakultetin e Shkencave Politike dhe në veçanti atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomatike. Këta studentë jo vetëm që studiojnë në profilin e Marrëdhënie Ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë mund të themi që janë komunikues mjaft të mirë ndërkulturor, sepse janë njohës shumë të mirë të vendeve ku studiojnë.
Akademia Diplomatike mund të jetë funksionale nëse me të vërtet do të jetë e hapur, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë asaj që quhet komunikim ndërkulturor.
Prandaj, diplomatët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për rolin që mbartin mbi supe, duke përfaqësuar fatin e një shteti dhe të një kombi të tërë.