Tuesday, October 26, 2010

Romët, një realitet i pamohueshëm në Evropë


Dr. Alban Daci
Botuar, 26 tetor 2010
Gazeta SHEKULLI

Borgjezia progresiste evropiane e 900-ës shkruante libra të mrekullueshëm për nomadët, si për shembull, për rapsodistin svicerian Cendrars (Adelphi).
Është për t'u theksuar se në atë periudhë kohore, ciganët në Evropë (romët) kishin më shumë mundësi punësimi dhe për rrjedhojë ushtronin më shumë profesione (me saktë zanate). Cendrars shkruante: "romët janë veteriner, shërues, zbutës kafshës dhe shpendësh, kovaçë, hajdutë, kontrabandistë etj."
Për romët, ose ciganët, le të themi, se gjithmonë është folur, sepse ato që nga viti 1400 kanë filluar të ekzistojnë dhe të jenë të pranishëm në kontinentin evropian si qytetarë apo banues të tij.
Megjithatë, ato, që nga origjina e ardhjes së tyre dhe deri më sot, gjithmonë, janë trajtuar si të huajt e Evropës, si të ndryshëm nga ne, si të përjashtuar.
Pak është folur, ose për mos thënë fare, për gjenocidin që ka bërë Gjermania naziste kundër romëve. Në vitin 1929, në Munih, lindi "Zyra qendrore e luftës kundër romëve në Gjermani". Kjo zyrë kishte për detyrë të skedonte të gjithë romët që jetonin në Gjermani.
Në vitin 1933, romët u privuan nga çdo e drejtë dhe menjëherë kundër tyre filluan operacionet e pastrimit dhe me mbarimin e Luftës së Dytë numri i tyre që u ekzekutuan arriti në gjysmë milioni.
Sot, sipas statistikave nacionale të shteteve dhe atyre të Bashkimit Evropian, mendohet se në Evropë ka rreth 10-12 milionë romë, të cilët janë të shpërndarë me proporcione të ndryshme në të gjitha shtetet e kontinentit.
Pra, në Evropë, romët nuk janë pak, por rreth 12 milionë, të cilët as nuk mund t'i lësh në harresë, as nuk mund të mendosh sikur nuk ekzistojnë dhe as nuk mund të mendosh t'i heqësh qafe, thjeshtë duke i larguar nga vendi (shteti yt).
Ciganët, ose romët, janë minoriteti më i madh panevropian. Ata janë të pranishëm në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit Evropian. Historia kulturore e tyre bën pjesë në historinë kulturore evropiane, sepse, siç thamë më sipër, ata ndodhen mes nesh, në Evropën tonë që nga 1400 dhe nuk mund të mendohet dhe as të konceptohet se ata, kanë jetuar krejtësisht të izoluar nga kultura e përgjithshme evropiane.
Megjithatë, perceptimi i përgjithshëm për ta është shumë i ndryshëm. Edhe në vendet ku ciganët jetojnë prej shekujsh, janë shpesh të konsideruar nga shumica e popullsisë si të "tjerë", të huaj në vendin e tyre të origjinës.
Në vitin 2006, ish-Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Këshillit Evropian në "Raportin Final mbi situatën e të drejtave Evropiane të Romëve" shkruante: "... Jeta e ciganit ka qenë e karakterizuar nga izolimi...
Në pjesën më të madhe të vendeve që kam vizituar kam parë se ciganët përballen me pengesa të forta për të ushtruar të drejtat e tyre themelore, mbi të gjitha, me të drejtat që kanë të bëjnë me shëndetin, strehimin, edukimin dhe punësimin. Gjithashtu, shpesh ato janë shumë më të goditur nga varfëria sesa të tjerët.
Diskriminimi dhe racizmi, që mund të plasin në akte dhune, qëndrojnë një problem i rëndë në të gjithë kontinentin dhe ndërtojnë një pengesë të madhe për plotësimin e plotë të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut..."
65% e romëve në Romani dhe 45% në Bullgari jetojnë në vendstrehime që nuk kanë as ujë dhe as energji elektrike. Në bazë të studimit të UNDP-së, të realizuar në fund të vitit 2001, mbi 80% e romëve në Bullgari, Hungari, Romani dhe Sllovaki kanë të ardhura poshtë cakut të varfërisë. I njëjti studim demonstron se rreth 45% e romëve në Hungari dhe Sllovaki nuk disponojnë shërbime minimale shëndetësore.
Në 2003, në Sllovaki, mbi 80% e romëve në moshë pune nuk ishte futur zyrtarisht në botën e punës. Gjithashtu, në Gjermani, gjatë vitit 2003, vetëm gjysma e fëmijëve romë kishin shkuar në shkollë dhe 80% e tyre frekuentonin shkollat e specializuara.
Sot, mund të themi se ekziston problemi rom në Evropë. Ky problem ekziston jo për faktin se pse romët ekzistojnë dhe jetojnë mes nesh, por për faktin se ne i kemi pas harruar ata dhe vetëm tani po kujtohemi, se edhe ata ekzistojnë mes nesh. Evropa i ka pas izoluar romët në botën e tyre mesjetare dhe nuk i ka integruar në jetën e përditshme dhe në evoluimin e saj me kohën.
Romët, jo vetëm kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, por ato nuk janë vetëm një problem për ne, por edhe për vetën e tyre. Romët duam, apo nuk duam, jetojnë me ne, i kemi komshinj, bashkudhëtarë, shokë, miq etj. Kudo, në Evropë, ke romë; në çdo qytet, në çdo rrugë dhe kudo.
Problemi rom nuk mund të zgjidhet në Evropë me politika të njëanshme shtetërore, por me një politikë të përbashkët dhe të vetme evropiane. Bashkimi Evropian, jo vetëm për rastin e romëve, por për edhe për raste të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me emigracionin nuk është në gjendje të ofroi zgjidhje pozitive, sepse nuk ka një politikë të mirartikuluar për ta vënë në zbatim.
Politika e Francës, që është në zbatim kohët e fundit, për dëbimin e romëve nga vendi i saj, jo vetëm nuk e zgjidh këtë problem, por shkel hapur edhe të Drejtat Evropiane të Njeriut. Franca, shtetet e tjera, si dhe vetë Bashkimi Evropian si institucion ndërkombëtar, duhet të fillojnë të investojnë për integrimin e romëve në shoqëri. Një mënyrë për ta realizuar këtë është bashkëpunimi i institucioneve shtetërore dhe mbishtetërore me romët.
Në rrethinat e Parisit janë krijuar kampe për 500 vetë gjatë një periudhe 10-vjeçare (realisht do të duheshin për 6 ose 8 mijë persona). Megjithatë, pjesa më e madhe e romëve jeton në shtëpitë popullore, ose në lagjet e vjetra të Parisit dhe paguajnë qiranë, dritat dhe ujin.
Arifi, një rom nga Kosova, por që prej vitesh jeton në Paris, tregon për një të përditshme franceze: "ne, romët, jemi të përgjegjshëm, jetojmë në qendra të banuara, bëjmë punë të ndryshme si gomistë, transportues të vegjël, pastrues dhe firmosim një pakt, sipas të cilit fëmijët janë të detyruar të shkojnë në shkollë dhe e kanë të ndaluar të kërkojnë lëmoshë.
Nëse jemi të papunë, kemi asistencën sociale (sussidio). Sigurisht, kush gabon, vjedh, kush nuk çon fëmijët në shkollë, përjashtohet nga Franca. Për këtë jemi pikërisht ne të parët që jemi dakord.
Në Tiranë? Romët i gjen fare lehtë. Qoftë edhe duke ecur në këmbë në cilëndo rrugë të kryeqytetit. Mili, është 48 vjeç, ka dy vajza. Ajo pastron rrugët e Tiranës dhe paguhet 18 mijë lekë të reja në muaj. Bashkëshorti i saj ka vite që ka vdekur, sepse kishte qenë shumë i madh në moshë se ajo. Gjatë kohës që bisedoja me të, pinte duhan pa pushim. E ka nisur duhanin që kur ka qenë 16 vjeç.
"E kam nisur nga mërzia, nuk kisha bukë të haja as ndonjë vend pune ku të punoja...". Vajzat e saj sapo kanë mbaruar gjimnazin. "Janë pa punë, nuk ka punë...", - thotë Mili. E pyeta: nëse kishte shok apo shoqe jo rome dhe çfarë raporti kishte me ta... "Kam shumë miq jo romë dhe me ta ia kaloj shumë mirë. Jo, jo... Nuk ndjehem e diskriminuar..."
Po çfarë mendon një si Mili për liberalizimin e vizave. Çfarë do të bënte nëse vizat do të hiqen. Mili thotë: "Po si mund të shkoj unë në Evropë... Kam të afërm, kam vite pa i parë, por unë lexova në gazetë që duhet të kem para në bankë si garanci për të qëndruar në Evropë. Ku t'i gjej unë paratë..."
Mili thotë se do të ndihej mirë po të kishte ca kushte më shumë këtu. "Se çdo gjë mund të më ndodhë, mund të më shtypin edhe makinat dhe askush nuk do t'ia di për mua..."
Problemi rom ekziston në Evropë prej shekujsh dhe dekadash, por, nëse nuk ndërhyhet për integrimin e tyre dhe jo për përjashtimin e tyre në shoqëri, ky do të jetë vetëm fillimi i një situate të vështirë që mund të ketë edhe pasoja krejt të paparashikuara.
Prandaj, shtetet evropiane përfshi edhe Shqipërinë, kanë vetëm një rrugë: bashkëpunim në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si dhe me shoqërinë rome për t'i integruar dhe për t'i bërë të ndjehen një lloj si ne "të tjerët".