Thursday, October 28, 2010

Haxhinasto: Serbi-Kosovë, bisedimet vetëm teknike


INTERVISTOI ALBAN DACI
Botuar, date 28.10.2010
Gazeta SHEKULLI

Në këtë intervistë dhënë dje për "Shekulli"-n, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, flet mbi bisedimet Serbi-Kosovë dhe mbi qëndrimin e Tiranës zyrtare në këtë situatë. "Këto bisedime duhet të jenë vetëm teknike dhe duhet të veçohen nga proceset politike të dy vendeve, - tha z.Haxhinasto.

Përshëndetje z. Ministër! Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për t'ju marrë këtë intervistë. Këto ditë po flitet si nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga shtypi ndërkombëtar, se së shpejti mund të nisin bisedimet mes Kosovës e Serbisë. Prandaj, kam ardhur t'ju intervistoj për të ditur opinionin e Tiranës zyrtare në lidhje me këtë proces diplomatik negociatash..
Z. Ministër fillimisht dua të di nëse Tirana zyrtare ka një opinion zyrtar në lidhje me bisedimet e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë? Nëse po, a mund të na e thoni?
Tirana zyrtare e mbështet fillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime duhet të jenë vetëm teknike dhe duhet të veçohen nga proceset politike të dy vendeve. Dëshirojmë që ky proces bisedimesh apo negociatash të jetë shumë teknik dhe të fokusojë vetëm tek jeta e qytetarëve.

Diplomacia e Tiranës ka pasur dhe ka një rol aktiv në lidhje me çdo çështje ndërkombëtare që ka për subjekt Kosovën dhe nënçështjet e saja. Po në bisedimet që mund të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë a do të ketë Tirana zyrtare një rol aktiv? Nëse po si do të jetë konkretisht?
Sigurisht Republika e Shqipërisë nuk është pjesë e këtyre bisedimeve. Ato do të zhvillohen mes përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian. Ne presim që të ketë edhe një angazhim amerikan në këtë proces. Republika e Shqipërisë do të ndjekë me vëmendje këtë proces dhe zhvillimet që janë të lidhura me të, por nuk është pjesë e tyre. Ne do të inkurajojmë me qëndrimet tona publike përfaqësuesit e Kosovës që të angazhohen në një proces, që do të jetë mjaft i fokusuar dhe shume konkret.

Si mendoni, cilat duhet të jenë temat që Kosova gjatë bisedimeve të pranojë të diskutojë? E kam fjalën për tema që lidhen me statusin e Kosovës si: Sovraniteti, Kushtetuta dhe Territorialiteti etj.

Këtu mund të bisedohet gjithçka që është në interesat e dy vendeve fqinje. Për shembull një çështje imediate për diskutim duhet të jetë çështja e të zhdukurve. Çështjet e statusit si: sovraniteti dhe kushtetutshmëria nuk janë dhe nuk mund të jenë tema që mund të diskutohen në këto bisedime, sepse këto çështje janë të mbyllura njëherë e përgjithmonë. Kosova është e njohur nga 22 shtete anëtarë të Bashkimit Evropian, është e njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia dhe nga shumë shtete të rëndësishme në Botë

A mendoni se këto bisedime janë të rëndësishme? Nëse po, përse mendoni kështu?
Janë të rëndësishme, sepse Serbia dhe Kosova janë dy vende fqinje, dy vende të pavarura. Këto bisedime janë të rëndësishme, sepse këto dy vende kanë mjaft probleme konkrete që lidhen me jetën e qytetarëve. Këto dy vende kanë një të kaluar mjaft problematike, sepse kanë dalë nga lufta. E thashë edhe më sipër se janë çështjet e të zhdukurve, të dokumentacioneve të ndryshme që kanë të bëjnë me lëvizjen, të targave, të pikave të kalimeve doganore, të infrastrukturës. Të gjitha ato çështje ose probleme që ndikojnë drejtpërdrejt tek jeta e qytetarëve dhe që janë normalisht çështje që mund të zgjidhe mes dy fqinjëve të mirë

A mendoni se ecuria e këtyre bisedimeve do të vendosë faktin se nëse do e njohë ose jo Serbia si shtet të pavarur Kosovën?
Nuk besoj se çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia do të jetë objekt i negociatave.

Cila do të jetë e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë? A do të vijë një ditë që këto dy vende fqinje do të ndërtojnë marrëdhënie të mira diplomatike të bazuara mbi principin e reciprocitetit..
Jam absolutisht i bindur se kjo do të ndodhë. Qoftë Kosova ashtu edhe Serbia kanë perspektivë të qartë evropiane. Në fakt integrimi i tyre në Bashkimin Evropian është në faza të ndryshme. Unë, e shikoj plotësisht të mundur që edhe Kosova edhe Serbia të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian duke filluar nga Kosova me procesin e lëvizjes së lirë në hapësirën chengen dhe tek Serbia për marrjen e statusit të vendit kandidat. Vetë integrimi i këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian do të thotë se këto dy vende do të adaptojnë ato vlera që përfaqëson Bashkimi Evropian, që janë kriteret e Copenhagenit, ato të legjislacionit evropian, reciprocitetit që thoni ju etj. Por, të gjitha këto janë të bazuara edhe mbi disa parime që janë edhe më themelore si: vlerat e paqes, të stabilitetit, zhvillimit dhe të tolerancës në Rajon.

Më duket se Serbia qëllimisht po përpërpiqet që të përjashtojë Shtetet e Bashkuara nga këto bisedime. Mendoj, se Bashkimi Evropian është një organizatë politike ndërkombëtare, që nuk ka akoma një politikë të jashtme të mirë konsoliduar, sepse akoma shtetet kanë në duar sovranitetin. Prandaj, roli i Shteteve të Bashkuara në këto negociata do të ishte vendimtar? A do të marrin pjesë në këto negociata Shtetet e Bashkuara , nëse jo çfarë do të bëjë Tirana zyrtare që t'i implikojë në këtë proces negociatash?
Mendoj se Bashkimi Evropian pas Lisbonës është konsoliduar shumë edhe në lidhje me qëndrimet e politikës së jashtme. Mendoj, se roli i Bashkimit Evropian për Kosovën do të jetë i konsoliduar. Gjithashtu, mendoj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një formë ose tjetër do të jetë mjaft i rëndësishëm, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në arritjen e statusit aktual të rajonit, të paqes dhe të stabilitetit të tij, si dhe të Kosovës dhe të njohjes së saj si shtet i pavarur. Kështu që është më se e natyrshme që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në proces. Garancitë e përfshirjes i kam drejtpërdrejt nga Sekretarja Klinton dhe nga përfaqësues të tjerë shumë të lartë të Departamentit të Shtetit.