Saturday, April 26, 2008

Revolucioni dhe politika shqiptare

Dott. Alban Daci
Botuar me 10 maj 2008
Gazeta Ndryshe

Për revolucion zakonisht kuptojmë një orientim të ri të shpirtit njerëzorë: një derë të re që hapet për të ardhmen: si për shembull periudha e rilindjes që solli një mentalitet të ri në shoqërinë shqiptare, duke bërë dallim e qartë mes besimit fetar si dhe Shtetit modern të bazuar nga një kushtetutë demokratike, që duhej të ideohej nga më të urtët dhe të respektohej nga qytetarët (shumica). Gjithashtu me Revolucion kuptojmë rrëzimin ose ndërrimin e një legjitimiteti të vjetër (përpjekja e rilindësve shqiptare që me aksionet e tyre intelektuale u përpoqën të krijonin bindjen dhe forcën tek qytetarët se: rrëgjimi otoman turk nuk është i përhershëm dhe që ne shqiptarët jemi të gatshëm të jemi shtet sovran, ku princip parësorë kemi identitetin tonë kombëtarë si shtyllë të fortë për kristalizimin e shtetit modern të pavarur dhe të pacenueshëm me një territor të përcaktuar dhe të respektuar nga fqinjët.)
Të dy faktet janë të natyrave të ndryshme që edhe pse gërshetohen nuk kushtëzohen nga njëri-tjetri. Një legjitimitet i vjetër mund të rrëzohet me gjithë sistemin e rregullave që e përbën edhe pse orientimi i shpirtit njerëzor nuk ndryshon si dhe orientimi shpirtërorë mund të ndryshoj pa u rrëzuar legjitimiteti i vjetër.
Por, kur aksidenti historik i bën të koencidojnë të dy revolucionet,
- orientimi i ri dhe përmbysja e legjitimitetit të vjetër
- lind një konfuzion i madh dhe ndodhin komplikime të jashtëzakonshme
Revolucioni francez është shembulli më i qartë i revolucionit të dyfishtë. Legjitimiteti i vjetër ra pikërisht në momentin, kur Franca tentonte të bënte një orientim të ri shpirtërorë të shtetit dhe shoqërisë. Dy revolucione të ndryshme, një krijues dhe një shkatërrues. Ku sipas studimeve praktike shkatërruesi ka përfshirë, devijuar, paralizuar forcat krijues.
E njëjta situatë mendoj se ka ndodhur edhe në shoqërinë shqiptarë gjatë 1997, vitit më të errët dhe të tmerrshëm të shoqërisë shqiptare gjatë dekadave të fundit.
Shoqëria shqiptare me dëshirën e shumë pritur për demokraci dhe në forcën legjitime për të kërkuar liritë dhe të drejtat e mohuara, kishte arritur në nëntëdhjetën të rrëzonte njëherë e përgjithmonë diktaturën (mbretërinë e së keqes të mbretit Hoxha) dhe kishte filluar të krijonte revolucionin e shpirtit krijues njerëzor, duke krijuar dhe rritur me shumë kujdes demokracinë e sapolindur, duke krijuar njeriun e lirë në të jetuar, vepruar dhe menduar. Shqipëria me Shtetin e ri demokratik kishte dalë nga izolimi despotik dhe po i rikthehej koherencës dhe pozicionit të saj perëndimorë duke hapur dyert për anëtarësim në zonën euro-atlantike.
Papritur ndodh kriza e vitit 1997 që do ta cilësoja rikthimi dhe mbretërimi i legjitimitetit të vjetër që kishim menduar dhe besuar se e kishim shporrur nga prania jonë shpirtërorë dhe nga përjetimi ynë jetësorë.
Legjitimiteti i vjetër i rikthyer përsëri mes nesh përmes dhunës solli një shembje shpirtërore, vuajtje, frikë si dhe sa hap e mbyll sytë na mbylli të gjitha portat e integrimit dhe të hapjes orientuese drejt demokracive perëndimore, duke na dhuruar këtë radhë jo vetëm despotizmin, por tmerrin, ferrin e Dantes, humbje e identitetit tonë kombëtar.
Shumica revoltohen, autoriteti është i paralizuar. Shumica revoltohet sepse ndjen të paralizuar autoritetin dhe autoriteti pushon së reaguari, sepse kupton se nuk mund të dominoj më shumicën. Frikë e madhe jo vetëm për qytetarët, por për gjithë shoqërinë. Të mëdhenj dhe të vegjël, të pasur dhe të varfër, të ditur dhe injorant, të gjithë dridhen tashmë që shtylla mbajtëse shoqëri-ligj është rrëzuar. Pa ligj dhe autoritete policore, partitë dhe klanet politike përfundojnë të rrihen se sa të diskutojnë, kurse qytetarët të vriten sepse nuk ka shpirt krijues që ti mbroj dhe ti orientoj.
Përderisa flasim për shpirt krijues, kemi të bëjmë më fenomene qe nuk mund të parashikohen, por që ndodhin në shumicën e rasteve nga rastësia. Reagimet e njerëzve në forcën shpirtërore janë të varjushme dhe karakterizohen nga një parashikim i pa qartë: i njëjti individ nuk të jep përgjigjen nesër në të njëjtën formë që të ka dhënë sot.
Megjithatë, shoqëria shqiptare në një distancë të dukshme dhe të qartë u distancua nga politika e pamoralshme dhe parashikoj fatin e saj në të ardhmen, që do të ishte demokracia e legjitimuar, vëllazëria kombëtare, integrimi në zonën euro-atlantike.
Zakonisht elita politike jep udhëzimet e drejta tek qytetarët për të ardhmen e përbashkët, por në Shqipëri pas asaj që ndodhi në 97, ishin qytetarët që i dhanë leksion politikës shqiptare se: e ardhmja e tyre është në familjen e demokracive perëndimore si dhe që identiteti i tyre kombëtarë është i domosdoshëm për krijimin e kushteve më të mira progresive në arenën ndërkombëtare.
Shoqëria shqiptare bëri të lindje dhe të forconte jo vetëm mes qytetarëve por edhe në elitën e partive politike shpirtin krijues që do të garantonte hapat e rëndësishëm drejt integrimit në NATO si dhe forcimin e demokracisë.
Tashmë edhe nëse politika shqiptare do të gaboj përsëri nuk mund të ndodh, sepse shqiptarët me eksperiencën e tyre të hidhur, kanë në dorë çelësat portave te fatit që do ju garantoj prosperitetin, integrimin dhe zhvillimin e tyre në një shoqëri demokratike me të drejta zgjedhje dhe vendosje.
Shqiptarët janë të vendosur për të ecur përpara me ritmet e popujve të tjerë të botës së përparuar dhe nuk ka asnjë faktor që mund ti ndal. Politika shqiptare mendoj se ka ardhur momenti që mendohet dy herë për çdo vendim që duhet të marrë, kur behet fjalë për politika publike gjithëpërfshirëse, sepse shqiptarët janë populli më i globalizuar dhe më i hapur në botë. Them i globalizuar sepse është në ndërthurje dhe në ndërlidhje me mjaft sisteme demokratike e politike moderne.
Kjo ka ndodhur, sepse shqiptarë nëpërmjet emigracionit kanë të paktën dy rezidenca: një në vendin ku ka emigruar ose ka vajtur për të studiuar (shqiptarët kanë zgjedhur për të emigruar kryesisht vendet e demokracive perëndimore) dhe tjetrën në Atdhe. Kjo bën të mundur që shqiptarët janë mjaft të përgatitur dhe të vetëdijshëm se kush mund te jenë aksionet e drejta politike.