Saturday, November 13, 2010

Studentët shqiptar, të braktisurit e shekullit


Dr. Alban Daci


Qindra e mijëra studentë, vajza dhe djem shqiptarë kanë mbushur universitetet perëndimore. Të rinjtë shqiptarë i gjen kudo, në çdo qytet, në çdo vend dhe cep të Evropës. Ata qëndrojnë të heshtur, duke u përpjekur të ndërtojnë një të ardhme të mirë. Ata luftojnë me vështirësitë e shumta që hasin, sepse janë të vendosur për të ecur përpara njëlloj si studentët e tjerë të Evropës. Megjithatë, jeta që bëjnë ata nuk është bahçe me lule, siç mund ta mendojnë, apo ta imagjinojnë shumë të tjerë që nuk kanë bërë një zgjedhje të tillë.

Historitë e tyre janë sa të dhimbshme aq edhe krenare. Një natë, para një viti, po haja një doner tek “Via Balbi” në Gjenova dhe krejt rastësisht erdhi makina që merrte mbeturinat e qytetit. Në tokë zbritën pesë punëtor dhe mes tyre ishte edhe një student shqiptarë, që unë e njihja mirë. Ai, punonte natën dhe studionte ditën. Kjo ishte e vetmja mënyrë që ai të vazhdonte dhe të kryente studimet, sepse përndryshe do të mbetej në mes të katër rrugëve.

Ka plotë histori të ngjashme të kësaj natyre. Ka pasur raste të tjera që studentët shqiptarë kanë punuar gjithë ditën duke thyer gurë, duke bërë beton dhe duke hapur kanale e të nesërmen janë paraqitur, si gjithmonë, në universitet për të ndjekur leksione.

Ishte viti i parë, sapo kisha shkuar në Gjenova. Një ditë, pasdite, një shok i imi, që quhej Klajdi, kishte shkuar të punonte me një mik të tij. Do të prishnin një moket të vjetër dhe do ta zëvendësonin me një të ri. Duke shkëputur dërrasat e moketit, një dërrasë kishte kërcyer dhe i kishte rënë në sy.

Menjëherë kishte shkuar në spital për ta mjekuar. Ai, miku që e kishte marrë në punë nuk e shoqëron Klajdin në urgjencën e spitalit, sepse e kishte në të zezë. Gjata kohës që mjekët po i vizitonin syrin e kishin pyetur se çfarë i kishte ndodhur? Klajdi, me porosi të mikut që e kishte marrë në punë, nuk kishte treguar të vërtetën, por kishte thënë se ishte rrëzuar rastësisht. Për punën që kishte bërë atë pasdite, punëdhënësi i kishte dhënë 25 euro. Jo vetëm që këto euro nuk arriti t’i gëzonte po, le të themi, se hyri edhe 5 euro borxh. 15 euro i kushtoj vizita që bëri në spital dhe 15 euro të tjera i kushtoj ilaçi, që do t’i hidhte syrit për ta kuruar. Për fatin e tij të mirë syrin nuk e kishte nxjerrë, por vetëm e kishte lënduar dhe kishte dhimbje të forta. Gjatë natën nuk kishte vënë sy në gjumë për shkak të dhimbjeve të forta, por në shtatë të mëngjesit, me sy të fashuar, shkoi në universitet, sepse kishte provimin e tij të parë universitarë,atë ditë do të jepte “Të drejtën Publike”, ku arriti të marrë rezultatin maksimal.

Pra, kjo është jeta që bëjnë jo vetëm Klajdët, por pjesa më e madhe, për të mos thënë të gjithë studentët shqiptarë, që studiojnë në Perëndim. Jeta e tyre nuk mund të paraqitet duke shkruar edhe libra të tërë.

Një tjetër studentë që quhet Arjan, i cili studion për ekonomi në qytetin e Milanos në Itali, pak ditë më parë kishte marrë në telefon nënën e tij dhe i kishte thënë: “Po ta dija kështu, nuk do të kisha ardhur. Këtu mami kam vështirësi të mëdha me studimet, sepse janë shumë të vështira dhe voluminoze. Gjithashtu, kam edhe vështirësi të madhe ekonomike. Mundohem të punoj me ditë, por punë nuk ka. Është bërë shumë e vështirë për punë. Pastaj, ndodh që punën më në fund të gjejë, por nuk mund të punoj sepse më duhet të ndjek leksionet. I kam dikujt një mijë euro borxh dhe nuk e di ku do t’i gjejë që t’ia jap. Mami nuk dijë ç’të bëj, po kaloj momente shumë të vështira”.

Megjithatë, edhe pse studentët shqiptarë kalojnë momente shumë të vështira ekonomike dhe jetese, shumica e tyre arrijnë suksese të shkëlqyera. Nuk janë të pakta ato raste, kur studentët shqiptarë përfundojnë studimet universitare dhe pasuniversitare me rezultate të shkëlqyera. Ata, bëjnë kërkime akademike dhe shkencore të mrekullueshme dhe jo rrallë herë trajtojnë çështje që lidhen me Shqipërinë dhe shqiptarët. Me këto studentë duhet të krenohen jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tyre, por edhe vetë shteti shqiptar.

Pothuajse, asnjëherë nuk kam dëgjuar të flitet në medien vizive dhe të shkruar shqiptare për sukseset e arritura nga studentët shqiptarë. Nuk kam dëgjuar asnjëherë të flitet për jetën e tyre. Për ta flitet, vetëm kur ndonjëri prej tyre përfundon në devijancë kriminaliteti.

Shumë herë studentët shqiptarë ndjehen të braktisur nga shteti i tyre. Ata, jo rrallë herë ndjehet si të braktisur e shekullit. Mund të themi me bindje të plotë që kontributi i shtetit shqiptarë në shkollimin e tyre është zero. Shteti shqiptar as nuk do t’ia dijë se qindra dhe mijëra të rinj shqiptarë janë larguar, ndoshta për t’u mos kthyer kurrë më. Nuk do t’ia dijë se ato jetojnë në kushte mjerimi.

Por edhe shumë studentë, për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundur të japin asnjë provim. Kjo ka bërë që ata të kthehen në klandestinë. Në Itali në rast se shkon me vizë studimesh të llojit “D”, për të rinovuar çdo vit dokumentet është kusht që të japësh, të paktën, dy provime në vit. Në rast se nuk ke dhënë, të paktën, këto dy provime nuk mund ta rinovosh lejen e qëndrimit dhe për pasoj përfundon klandestin.

Kam njohur plotë studentë, të cilët kanë përfunduar rrugëve si klandestinë, si zot më keq. Askush nuk do t’ia dijë për ta dhe për jetën e tyre. Ata, për shkak të dështimit dhe situatës së thellë që përjetojnë kanë kaluar në depresion. Nuk pranojnë të flasin me prindërit dhe të afërmit. Nuk pranojnë të kthehen në Shqipëri si të dështuar. Gjendja e tyre psikologjike dhe ekonomike mund të jetë shumë e vështirë.

Megjithatë, ato qëndrojnë të heshtur. Heshtja e tyre pohon fakti se ata janë të braktisur nga shteti. Ata, ndjehen të braktisur nga vendi i tyre. Fati i tyre është vetëm në duart e Zotit. Askush nuk do t’ia dijë për ta. Jeta e tyre ec e heshtur si në rastet kur kanë suksese ashtu edhe në rastet kur ata ndjehen të dështuar dhe të braktisur.