Tuesday, November 23, 2010

Kur 'zhdukej' diçka nga ambasadat para viteve '90


Intervistë me Nikolla Nosi


Intervistoi Alban DACI

23 nëntor 2010

Gazeta SHEKULLI


Nikolla Nosi, nga viti 1981-1987 ka punuar në Ambasadën Shqiptare në Romë. Nga viti 2000-2002 ka qenë Drejtor I Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga fundi I vitit 2003 deri në vitin 2006 ka qenë Drejtor në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes dhe Integrimit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vitin 1987 dikush hyri në ambasadën shqiptare në Algjeri dhe vodhi vulën e ambasadës. Brenda 24 orëve i gjithë stafi i ambasadës, përfshi dhe vetë ambasadorin u riatdhesuan. Ish-ambasadori në fjalë nuk mundi më kurrë të bëhej ambasador.


Kur dëgjon histori të tilla dhe përballesh me skandale të tipit si ai që "Shekulli" ka denoncuar dy ditët e fundit, për humbje të aparaturave kriptuese dhe pamundësi të konfirmuar nga MPJ për të siguruar informacionet sekrete të NATO-s të vjen për të qeshur dhe për të qarë.


Dy ditë pas publikimit në shtyp të letërkëmbimit mes Ministrisë së Jashtme dhe Kuvendit, ku flitet për zhdukjen enigmatike të një pajisje shumë të rëndësishme kriptimi mesazhesh nga misioni ynë diplomatik në Nju Jork, nuk ka asnjë reagim serioz nga shteti. As ambasadori në fjalë, Ferid Hoxha, me dy shtetësi dhe me bashkëshorte franceze dhe as MPJ nuk kanë dhënë ende një prononcim zyrtar, kur minimumi z. Hoxha duhet të japë dorëheqjen.


Në Komisionin e Sigurisë ka pasur madje aludime se z. Hoxha e ka shitur laptopin, por iu takon akuzuesve të provojnë këto akuza të rënda.



- Nga eksperienca që keni ju, nëse do të kishte ndodhur humbja e kodit sekret para viteve '90-të, çfarë masash do të ishin marrë? Çfarë do të kishte ndodhur?


Ata diplomatë, pas atij akti, nuk do të mund të vazhdonin më si të tillë. Ambasadori, i pari, do të zëvendësohej, si një person i pabesueshëm.


Një person, të cilit i humb sekreti, do të thotë se nuk ka kryer detyrën themelore të një diplomati. Sot, ka edhe më shumë rëndësi që ngjarje të tilla të mos ndodhin, sepse informacionet e veçanta nuk përbëjnë sekret vetëm për ne, por edhe për NATO-n.


Ne mbajmë përgjegjësi jo vetëm për veten tonë, por edhe për Aleancën. Është një lloj sikur ushtari shqiptar në Afganistan të mos mbulojë me zjarr ushtarin e NATO-s, gjatë një aksioni të përbashkët.


- Flitet se Shqipëria është përjashtuar nga mbledhjet e NATO-s që janë të rëndësisë së veçantë dhe që konsiderohen sekret. A do të ketë një version zyrtar nga NATO për këtë çështje?


Nuk ka për të pasur nga NATO ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje. Çështjet janë të klasifikuara në NATO dhe askush nuk mund të japë përgjigje të pavarur. Duhen njëqind shkresa dhe leje që dikush nga NATO të arrijë të flasë për këtë argument.


- Si ka qenë shkalla e sigurisë më parë në ambasadën tonë pranë OKB-së në New York?


Ka qenë e nivelit të lartë, edhe për faktin se me SHBA-të nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Herë pas here bëheshin teste për funksionin e ndriçimit, vëzhgimit dhe për sistemet e komunikimit. Komunikimi (edhe ai i koduar) mes ambasadave dhe MPJ-së bëhej përmes sistemit MORS ose me sistemin TELEKS.


Kur distancat midis ambasadave ishin të mëdha, për të komunikuar përdoreshin ambasada të ndërmjetme për të përforcuar sinjalin. Çdo Ambasadë kishte antenë të madhe që transmetonte sinjalin e sistemit mors drejt Shqipërisë.


- Çfarë mendoni për faktin se ne sot edhe pse jemi anëtarë të NATOS nuk jemi në gjendje të ruajmë informacionet e klasifikuar?


Duhet t'ia kishim thënë NATO-s që në fillim. Pohimet e këtyre ditëve nga MPJ-ja se po programohet marrja e masave për ruajtjen e sekretit tregojnë se kemi gënjyer në lidhje me këtë argument. Nëse hyjmë diku, sidomos në NATO, pa thënë të metat tona, atëherë ky është një gabim akoma më i madh.


- Sot kemi diplomatë shqiptarë me dy nënshtetësi. Para viteve '90-të, a do të ishte e mundur një gjë e tillë?

Absolutisht jo. As gruaja e një diplomati nuk mund të ishte me nënshtetësi të huaj dhe jo më diplomati, as që bëhej fjalë.


- Para viteve '90-të, a kishte punonjës të specializuar për kriptimet dhe kodifikimet e informacione të sekrete?


Para viteve '90-të në çdo ambasadë kishte një punonjës që ishte i specializuar për të bërë kriptimin e komunikimeve dhe të shkëmbit të informacioneve. Ky person nuk dilte kurrë i pashoqëruar nga ambasada. Mandati i tij nuk ishte më i gjatë se tre vjet dhe nuk rinovohej.


- Dini të ketë pasur ndonjë rast rrjedhje informacioni më parë në selitë tona diplomatike?


Jo, nuk kam dëgjuar asnjëherë për ndonjë rast të tillë. Ka pasur raste që punonjës ambasade janë arratisur për arsye politike ose për një jetë më të mirë, por nuk ka rrjedhë asnjë informacion. Është një rast diku nga viti 1979-1980 që një punonjës i ambasadës shqiptare në Romë ishte arratisur.


A kishte ikur nga dritarja e prapme e godinës së ambasadës bashkë me familjen. Pozicioni i tij në ambasadë kishte qenë ai i sekretarit të tretë ose diçka e tillë. Edhe pse u arratis, ai nuk bëri prononcime politike.


- Ju më thatë se në vitet 2004-2006 keni punuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Cila ka qenë strategjia e Shqipërisë në këtë periudhë për të ruajtur informacionet që shkëmbeheshin me NATO-n?


Po, unë kam punuar në atë periudhë në Ministrinë e Mbrojtjes si Drejtor në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes dhe të Integrimit. Ne shkëmbenim informacione me NATO-n lidhur me stërvitjet e përbashkëta.


NATO inspektoi ambientet e brendshme të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe kërkoi të bëheshin dhoma të veçanta me standardet e përcaktuara, që do të përdoreshin për shkëmbimin e informacioneve të përbashkëta.


- Po në aspektin ushtarak, si e shikonte veten Shqipëria në procesin e integrimit në NATO?


Në atë kohë kishim probleme për kualifikimin e ushtarakëve sipas standardeve të NATO-s. Një ndër kushtet ishte që ushtarakët shqiptarë duhet të dinin shumë mirë anglishten, jo vetëm atë të thjeshtën, por edhe anglishten ushtarake, si dhe duhet të njihnin manualet ushtarake që përdornin ata.


Neve na kanë ardhur shumë oferta për trajnimin e ushtarakëve tanë nga shtete të ndryshme, aq sa ndonjëherë nuk gjenim dot aq persona që plotësonin kriteret e vendosura. Kur ne kemi hyrë në 2009-ën me drejta të plota në NATO, kishim dhjetë vjet që bashkëvepronim në misionet paqeruajtëse dhe në stërvitje të përbashkëta.


- Një ambasador, a mund ta lërë laptopin që ka sekrete të rëndësishme mbi tavolinën e punës dhe të ikë në banjë?


Në asnjë mënyrë! Një laptop i tillë nuk mund të lihet në ambientet e zakonshme të punës në selinë diplomatike. Laptopi jo vetëm që duhet të sigurohet në një kasafortë sigurie, por edhe vetë kasaforta duhet të jetë e vendosur me një vend shumë të sigurt.


Unë mendoj se diplomatët duhet të jenë një lloj kaste që e fillojnë karrierën nga niveli më ulët dhe sipas rezultateve në punë të ngjiten deri në nivelet më të larta. Diplomati duhet parë si një njeri që i shërben shtetit, edhe kur ndryshojnë forcat politike në pushtet.


- Nga përvoja juaj si Drejtor për Politikat e Mbrojtjes dhe të Integrimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, kush mendoni se mund të jetë ndëshkimi i heshtur i Aleancës për humbjen e laptopit?


Humbja e besimit. Ne kur hynim në godinën e NATO-s, si fillim duhet të kishim certifikatën e sigurisë të lëshuar nga NATO, e cila bëhej nëpërmjet institucionit shqiptar që quhet DSIK-ja dhe çonim të dhënat tona personale në NATO.


Për shembull të dhënat e mia personale për të hyrë në NATO në atë kohë kanë qenë mbi dhjetë faqe informacion. NATO u kushton shumë rëndësi ruajtjes së informacioneve, duke vëzhguar dhe kontrolluar çdo punonjës (që janë me mijëra) të saj, që hyn e del nga Selia qendrore.


- Po përgjegjësia morale e ambasadorit për këtë rast, cila mund të jetë? Po të kishin qenë ju ambasadori, çfarë do të kishit bërë?


Unë do të kisha dhënë dorëheqjen. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh tek shqiptarët, sepse aktin e dorëheqjes akoma nuk e kanë mësuar si veprim civilizues.