Dr. Alban Daci
Në një nga baret e Tiranës, takova Altinin, historia e të cilët, është pikë për pikë si e qindra e qindra të rinjve të tjerë shqiptarë. Në pamje të parë, të duket si një përrallë, që ka ndodhur shumë kohë më parë. Në fakt, historia e tij është reale, e prekshme, sepse me të vërtetë e ka jetuar atë. Historinë e tij, mund ta besojnë vetëm ata që e kanë jetuar, pak a shumë, në mënyrë të ngjashme si ai. Ajo, tregon jetën e një djaloshi të ri, i cili largohet nga Shqipëria drejt Italisë për të bërë studimet e larta universitare. Ai kishte menduar, se aty, do të gjente jetën përrallore, që e kishte imagjinuar duke ndjekur kanalet televizive italiane, por, në fakt, atje gjeti ferrin e vërtetë.
Historia e Altinit, është historia e të gjithë Altinëve, që shkuan për të studiuar jashtë shtetit dhe u ndjen të braktisur, për të mos thënë të tradhtuar, nga shteti i tyre dhe nga shtetet, ku u regjistruan për të ndjekur studimet universitare. Duke dëgjuar Altinin të mbushej mendja se këta djem e vajza shqiptare nuk i ka askush në defter, se askush nuk i di se ku janë, ç’punë bëjnë, a do kthehen një ditë apo jo, e jo më të kenë menduar se ku do të punojë kjo gjeneratë e re, që ka marrë kulturë perëndimore, aq shumë të nevojshme e të kërkuar për prosperitetin e shoqërisë e të shtetit shqiptar. Prandaj, e shkruam këtë artikull, për ta përgjithësuar problemin, si një apel për qeveritarët tanë që sikur s’kanë pasur vesh për të dëgjuar dhe për diplomacinë tonë, që duket sikur s’ka ditur se me se të merret....
Krejt rastësisht, në Tiranë, u njoha dhe u hyra në kontakt me Altinin. Atë e takova disa ditë më parë bashkë me një shok timin tek stacioni i Tiranës së Re, tek vendi që quhet “Kullat Binjake”. Ishte bashkë me shokun tim dhe u prezantova me të. Pasi u prezantuam ikëm në një barë aty afër për kafe. Në bisedë e sipër, po me tregonte, se tetë vite më parë edhe ai kishte ardhur për të studiuar në qytetin e Gjenovës, por që nuk kishte mundur t’i mbaronte dhe tani kishte dy vjet që ishte kthyer në Tiranë, ku po ndiqte vitin e dytë për veterinari në Kamzë. Atë ditë u ndamë me kaq dhe nuk biseduam më shumë rreth këtij argumenti.
Unë, tashmë, kisha në dorë dhe po shkruaja për të rinjtë që largohen jashtë për studime, për historitë e tyre, sukseset e tyre dhe dështimet e tyre. Po shkruaja gjithçka rreth jetës së tyre, e cila dukej sikur zhvillohej me ritmet e një personi që vuan nga sëmundjet e zemrës, ku herë ka ritme të shpejta, herë të ngadalta dhe ndonjëherë në të rrallë ka ritme normale.
Duke pasur parasysh faktin, se po punoja për këtë temë dhe që Altini i përkiste plotësisht botës së studentëve që kishin studiuar jashtë, i thashë të më jepte numrin e tij të telefonit, sepse një ditë do të takohemi për të diskuar më mirë rreth jetës që kemi jetuar në Gjenova.
Kështu bëra! Sot paradite e mora në telefon dhe i thashë nëse kishte mundësi të takohej me mua tek Bar “Piazza” për një kafe? Ai u tregua i gatshëm dhe u takuam në mjediset e Bar “Piazza” rreth orës një të drekës. Me të, nuk desha të bëja thjeshtë një intervistë të thatë me pyetje dhe përgjigje standarde, por një dialog njerëzor për ta njohur më mirë historinë që kishte pasur në qytetin e Gjenovës.
E pyeta se ku e kishte mbaruar gjimnazin. Gjimnazin e kishte mbaruar në Cërrik. E pyeta edhe për prindërit e tij se ç’arsim kishin dhe se ç’ punë bënin. Nëna i kishte mbaruar për Bio-Kimi dhe punonte si mësuese në një Gjimnaz në Tiranë. Babai kishte mbaruar për agronom dhe tani ishte pa punë. Kishte një motër dhe një vëlla që ishin më të mëdhenj se ai në moshë. Motra punonte si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe vëllai punonte si specialist në një institucion shtetëror.
E pyeta se kur e kishte mbaruar gjimnazin. E Kishte mbaruar në vitin 2001. Përse vendosët të studionit jashtë vendit? Përse zgjodhët qytetin e Gjenovës? Më tha, se në gjimnaz kishin qenë katër shokë, që kishin dëshiruar të dilnim dhe të shikonim se si bëhej jeta jashtë Shqipërisë. -Ishim kureshtarë, se si jetohej në Evropë, sepse me aq sa kishim parë në kanalet televizive italiane, kishim krijuar bindje, se në Itali, jeta ishte përrallore dhe prandaj duhet të shkonim edhe ne për ta përjetuar atë.”- më tha Altini.
Sapo kishim mbaruar gjimnazin dhe në një ditë të bukur, ne të katër shokët u bëmë bashkë dhe ulëm për të pirë një kafe. Pasi u ulëm, njeri nga ne nxori një hartë të Italisë. Nuk po binim dakord se në cilin qytet të Italisë shkonim për studime. Kështu, për ta zgjidhur në mënyrë të drejtë, e vendosëm ta zgjidhnim qytetin me anë të shortit. Kështu bëmë! Njërit nga shokët që quhet Mendim i thamë: “Mbylli sytë dhe vendose gishtin mbi hartë, ku ta vendosësh gishtin, aty do të shkojmë për studime.” Kështu nisi historia jonë, si një aventurë drejt të panjohurës, që na priste.
Mendimi e vendosi gishtin krejt rastësisht mbi qytetin e Gjenovës. Shkuam në internet dhe pamë disa fotografi nga qyteti i Gjenovës, të cilat na pëlqyen shumë. Gjithashtu, sipas analizës që bëmë ne, ai ishte një qytet ideal. Ishte vend bregdetar, afër Francës, duhet të kishte edhe punë, krahas studimeve. Qëllimi i punës ishte i përkohshëm, sa për të ndihmuar vetën për shpenzimet e jetës së përditshme, sepse qëllim parësor për ne ishin studimet.
E pyeta Altinin nëse e kishte gjet Italinë ashtu siç e kishte menduar. Sapo zbritëm në Bari, u zhgënjyem shumë nga ajo që kishim imagjinuar. Gjithçka na u duk kot dhe jo shumë e ndryshme me Shqipërinë, që kishim lënë mbrapa. Pas shumë orësh udhëtim me tren, më në fund, rreth orës dy të natës arritëm në qytetin e Gjenovës. Sapo zbritëm në stacion, menjëherë u ndjemë të braktisur, sikur të kishim zbritur në një botë krejt të panjohur, sepse gjithçka që po na rrethonte ishte e krejt e huaj për ne. Nuk njihnin askënd dhe nuk dinim ku të shkonim. Atë natë, qëndruam në një hotel aty, pranë stacionit të trenit, në Gjenova, që quhej Pincipe. Të nesërmen shkuam në sekretarinë e universitetit për të marrë informacione të mëtejshme, sepse duhej të jepnim një provim pranimi për t’u regjistrua në universitet.
Ato të sekretarisë së universitetit, pasi na regjistruan për provimin, na thanë, se nëse nuk kishim një vend, ku të qëndronim, mund të shkonim tek një hotel i lirë për të rinj që quhej “Hostello della Gioventu”. Ne, që të katërt, po qëndronim në hotel dhe nuk kishim, ku të shkonim në ndonjë vend tjetër. Prandaj, duke arsyetuar, se hoteli që na sugjeruan ishte shumë më i lirë sesa aty ku po qëndronim, vendosëm të transferoheshim atje.
Tek “Hostello” qëndruam rreth dy javë, sepse nuk po gjenim dot shtëpi me qira. Nuk lamë agjenci imobiliare pa kontrolluar, por sapo ta merrnin veshtë, se ishim studentë dhe shqiptarë, na thoshin se nuk kishin shtëpi për ne. Pas shumë përpjekjesh, gjetëm, më në fund, një shtëpi në zonën antike të qytetit. Shtëpi i thënçin, sepse ishte e vjetër, e pa rikonstruktuar, nuk kishte sistem ngrohje dhe kushte minimale jetese. Ishte shumë e vogël dhe brenda jetonim tetë persona. Kur u nisëm për të ardhur në Itali, kishim marrë me vete vetëm dy mijë euro, të cilat na mbaruar shpejt. Prindërve nuk ju kërkuam më para, sepse ato nuk kishin mundësi ku t’i gjenin dhe të na i dërgonin. Gjithashtu, ne ishim larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë dhe për të qenë të pavarur ekonomikisht.
Paratë që kishim na mbaruan. Kishim nevojë për para të tjera që jetonim. Nga prindërit nuk i siguronim dot. E vetmja rrugë ishte të fillonim të punonim. Filluam të punonim në ndërtim, sepse ishte e vetmja punë që mund të gjenim. Ishim të huajë e të rinj në moshë dhe italianët nuk na besonim për të bërë punë të tjera. Për shkak të rrethanave ekonomike harruam se kishim shkuar për studime. Jeta jonë mori një rrugë dhe një ritëm tjetër nga ajo që kishim ëndërruar dhe kishim sakrifikuar…
Fillimisht kam punuar për rreth një vit si punëtor për një mjeshtër që ndërtonte mur guri. Punën e nisnim çdo ditë në tetë të mëngjesit. Para se të fillonim të punonim pinim një kafe dhe një gotë konjak “Vecchia Romana”. Jo pa qëllim pinim konjak. Konjaku, të mbledh stomakun si dhe të nxeh gjatë dimrit që bën ftohtë.
Puna ime ishte të bëja beton, të sillja gurët dhe t’i vendosja në skele. Kjo ishte puna që kam bërë për një vit rresht. Çdo ditë punën e filloja në tetë të mëngjesit, bëja një orë pushim në drekë dhe pastaj mund të zgjaste deri në orën tetë të mbrëmjes.
Për punën që bëja paguhesha 50 euro në ditë, nuk isha me rregulla dhe i siguruar. Jo vetëm unë, por shumë shqiptarë punojnë në të zezë në Itali. Pas një viti arrita të mësoja zanatin dhe të punoja si usta dhe arrita të merrja 60 euro në ditë.
Me këtë ritëm pune, ku vetëm një ditë në javë kisha pushim, vitet kaluam pa u ndjerë dhe ëndrra universitare u bë e largët dhe e harruar. Si pa u ndjerë, kaluan tetë vite qëndrimi në Itali, pa ardhur asnjëherë në Shqipëri, sepse nuk kisha dokumentet.
Në Itali, edhe përse nuk po bëja atë për të cilën kisha ardhur, e kam fjalën për kryerjen e studimeve, po vazhdoja të qëndroja me shpresën për të bërë dokumentet dhe për të fituar ca para. Në të vërtetë dokumentet nuk i bëra dhe para nuk mblodha, sepse gjithçka me dukej kotë dhe ashtu, siç i merrja, i prishja.
E pyeta se përse nuk u kthyet në Shqipëri. Nuk u ktheva në Shqipëri, sepse kisha hyrë në një gjendje të thellë dëshpërimi dhe stresi dhe nuk kuptoja asgjë se çfarë po ndodhte me mua. Kohët e fundit, arrita deri në atë pikë, sa më dukej krejt i kot fakti që punoja. Prandaj, fillova të pija shumë duhan dhe të shkoja në punë një ditë po dhe një ditë jo.
Kështu filluan edhe kontradiktat e para me punëdhënësin. Saqë një ditë të bukur u pushova edhe nga puna. Në këtë moment situata ime u përkeqësua edhe më shumë, sepse fillova të mos kisha më para për të ngrënë bukë. Prindërit e mi, kishin kohë që më thoshin hajde në Shqipëri, por unë vazhdoja t’i mos i dëgjoja.
Duke u përballur me faktin se nuk po punoja dhe se gjithçka po bëhej më e vështirë, sepse edhe lejen e qëndrimit nuk kisha më shanse ta bëja, një ditë krejt rastësisht vendosa të shkoja dhe të prisja biletën e avionit për në Shqipëri.
Po atë ditë preva biletën dhe në mbrëmje mora avionin për në Shqipëri. Në orën njëmbëdhjetë të darkës arrita në Rinas. Gjatë gjithë udhëtimit isha krejt i pavetëdijshëm se çfarë po bëja dhe ku po shkoja. Asgjë nuk po kuptoja. Sapo zbrita në Rinas, çdo gjë po më dukej ndryshe.
Kisha kaluar tetë vite pa ardhur fare. Kur hyra në shtëpi, pas udhëtimit nga Rinasi drejt Tiranës, nuk po më njihnin, se si më dukej vetja. Pothuajse, kisha harruar të afërmit dhe shtëpinë. Të nesërmen dola në xhiro në Tiranë, ecja i hutuar, sepse nuk njihja askënd. Po më dukej çudi që po dëgjoja njerëz që flisnin vetëm shqip. Akoma nuk isha i vetëdijshëm që nuk ndodhesha në Gjenova dhe që isha kthyer për gjithmonë në Tiranë.
Si ishte fillimi i kthimit tuaj?-e pyeta. - Ishte shumë i vështirë, -m’u përgjigj-sepse po nuk mësohesha me mjedisin familjarë, nuk po mësohesha me zhurmat që familjarët bënin, kur zgjoheshin herët në mëngjes për të shkuar në punë. Fillova të kuptoja vitet e jetës time që më kishin ikur në Gjenova pa i kuptuar dhe në kushte mjeruese. Nuk po mësohesha me faktin, se flija në krevat komod, me çarçaf të larë. Nuk po mësohesh më me faktin, se tani nuk ndjehesha plotësisht i lirë dhe duhet t’iu jepja llogari prindërve për vendin ku do të dilja dhe kohën që do të qëndroja.
Pra, dalëngadalë, jeta ime filloj të merrte një kuptim. Po përpiqesha me çdo kusht të fshija të kaluarën, ta harroja atë dhe të filloja edhe një herë nga fillimi. Prindërit, po më qëndronin shumë pranë. Përpiqeshin të më inkurajonin si dhe të më ndihmonin për të kaluar këtë situatë të vështirë.
-Po tani mese po merreni? –e peta unë jo thjeshtë për kureshtje.
- Aktualisht po ndjek studimet për veterinari në Kamzë. –më ktheu ai përgjigjen.
-Si po ndjeheni për faktin se po kryeni studimet?-pyeta sërish unë.
- Edhe mirë edhe keq.-më tha ai. -Mirë, sepse shpresoj dhe besoj se më në fund do të kryej studimet e larta universitare për të cilat sakrifikova kaq shumë. Keq, sepse unë nuk njoh askënd, të gjithë ata që studiojnë në kursin tim janë shumë më të vegjël se unë. Gjithashtu, studimet po më duken shumë të vështira, sepse ka kaluar shumë kohë që jam shkëputur nga jeta universitare.
-Po merreni me ndonjë gjë tjetër përveç studimeve?
-Po punoj edhe për një call center italian, ku bëjmë sondazhe për produkte të ndryshme që ne ofrojmë. –më tha.
-Sa të paguajnë?
-Më paguajnë dy mijë lekë të vjetra ora. A jeni të kënaqur për punën që bëni? Nuk jam edhe aq shumë, por është shumë më mirë sesa të rri kotë dhe të vërdallosem pakuptim rrugëve të Tiranës.
-Po për Gjenovën dhe Italinë a keni nostalgji?
-Edhe përse kam kaluar momente më të vështira sesa të mira, të këqija sesa të bukura, unë aty u rrita. Sigurisht, ka momente, që mendoj sikur të pi edhe një herë një kafe në rrugët e Gjenovës, sikur të shëtis edhe një herë rreth portit.
-Çfarë mendoni për të ardhmen tuaj?
-Mendoj, se një ditë, më në fund, të kem kryer studimet e larta, të jem bërë një veteriner i zoti dhe të kem hapur një klinikë timen private për vizituar dhe kuruar kafshët. Këto janë ëndrrat që kam dhe që këtë radhë, të paktën, shpresoj dhe dëshiroj shumë t’i bëj realitet.
-Po të rinjve të tjerë që dëshirojnë të shkojnë për studime në Itali çfarë mund t’iu thuash?
-Do t’u thosha, që para se të niseni mendoheni mirë, sepse atje nuk do të gjeni parajsën që mund t’u kenë thënë të tjerët. Mos, shkoni nëse nuk jeni të pasur, nëse nuk keni vullnet të çeliktë për të realizuar atë që ëndërroni. Nëse, nuk keni këtë mendje, mos shkoni, sepse do të bëheni viktima të dëshirave tuaja. Do të mbeteni peng i një ëndrre që, ndoshta, nuk do të mundni kurrë ta realizoni.