Friday, November 19, 2010

Besi, portreti i djaloshit që jeton në Tiranë duke shitur cigare dhe orbitë


Dr. Alban Daci


Kryeqyteti jonë, është shumë i vogël në krahasim me kryeqytetet e tjera të botës, por është shumë i madh duke e krahasuar me qytetet e tjera të Shqipërisë. Tirana, sot ka, pothuajse, një milion banorë, është qyteti që nxë banorë nga të gjitha anët, krahinat dhe zonat shqiptare.

Ashtu, si vetë Shqipëria dhe shqiptarët, edhe Tirana e ka përjetuar drejtpërdrejt këtë periudhë tranzicioni. Ajo po e përjeton në çdo fushë të jetës, si në urbanistikë, në kulturë, në arsim, në stil jete etj. Në Tiranën tonë, si në çdo kryeqytet botëror shikon realitete të ndryshme jetësore nga më e ekstremja deri tek më normalja.

Po të ulësh në një bar në Tiranë, rastësisht shikon në një tavolinë persona intelektualë të veshur me kostum e me kravatë, në një tavolinë tjetër shikon disa adoleshentë të shthurur, kurse në një tavolinë tjetër diku më tutje arrin të shikon disa fëmijë romë të braktisur që lypin. Pothuajse në çdo cep të Tiranës të zë syri edhe fëmijë të vegjël dhe adoleshentë që shesin paketa cigare. Kjo është panorama e Tiranës, ku i varfëri dhe i pasuri qëndrojnë së bashku rastësisht ballë për ballë në rutinën e përditshme, duke medituar përpara kafesë ekspres.

Në mesin e këtij realiteti, sa absurd dhe real në të njëjtën kohë, gjendet dhe jeton edhe Besi, ose siç njihet ndryshe nga të gjithë, çuni që shet cigare. Besi, është 21 vjeç, banon në Sharrë. Ai ka më shumë se tetë vjet që shet paketa në qendër të Tiranës. U bëra kureshtar për këtë djalë, sepse ky është ndër të paktët të moshës së tij, që në Tiranë jo vetëm e nxjerr vetë bukën e gojës duke punuar, por arrin të mbajë edhe familjen.

Për këtë arsye e ftova në tavolinë dhe i ofrova një kafe, sepse isha kureshtar dhe doja të dija më shumë rreth jetës së tij. Jeta e çdo kujt nga ne është e ndryshme, por një gjë kemi të ngjashme: që të gjithë jetojmë duke e sfiduar çdo ditë atë. Jeta e Besit, me të vërtetë është e ndryshme nga e jona, sepse atë e jeton çdo ditë me hallet e tij vetëm ai. Momenti më i vështirë i jetës së tij kishte qenë, kur ai ishte 2 vjeç e gjysmë, sepse nga një sëmundje e rëndë i vdes nëna.

Babai, duke pasur parasysh moshën e vogël që kishe Besi, si dhe për shkak të vështirësive të mëdha ekonomike, vendosi ta dërgonte në një fondacion holandez për jetimët. Besi, më tha, se ai kishte qenë momenti më i vështirë i jetës së tij. “Që nga mosha 2 vjeç e gjysmë deri në moshën 15 vjeç kam jetuar nën kujdesin e fondacion holandez. Familjarët, sidomos babi më vinte rrallë dhe më shikonte, përpiqej edhe në pamundësi ekonomike të sillte ndonjë dhuratë të vogël”-më tregoi Besi.

Me këtë rutinë vetmie vazhdoj jeta ime, derisa u rritën vëllezërit e mi më të mëdhenj dhe filluan të punonin e të sillnin të ardhura në shtëpi. Në këtë moment, ata vendosën të më rifusnin në mjedisin e familjes, i cili më kishte munguar shumë dhe pothuajse kishte filluar të më dukej një ëndërr dhe vetëm kaq.

Besin, çdo ditë e gjen dhe e takon në baret e kryeqytetit. Ai shet cigare, orbitë dhe fasoleta. Ka më shumë se tete vjet që e bën këtë punë, e cila nis çdo ditë në orët e para të mëngjesit dhe zgjat deri në orët e vona të natës. Kur vjen vakti i drekës, hanë ndonjë panin ose qoftë në zgarë, sa për të mbushur stomakun.

Ai është më i vogli në familje, ka edhe tre vëllezër të tjerë më të mëdhenj, ku dy prej tyre kanë profesionin e elektricistit dhe punojnë privatisht dhe vëllai i tretë prej vitesh ndodhet në Firence si emigrant. Besi çdo ditë të javës bën cigareshitësin dhe vetëm ndonjëherë bën pushim ditën e diel. Ai jeton me babanë, i cili e zëvendëson të birin në orët e vona si cigare shitës.

-Besi, arrin të jetosh me të hollat që siguron me shitjen e cigareve? – e pyes.

- Më këtë punë arrij të fitoj gati një milion lekë të vjetra në muaj. Pra, jo vetëm arrijmë të jetojnë, por edhe të mos kemi probleme të rënda ekonomike në familje. Paketat i blej në dyqanet e shumicës dhe i shes ma pakicë nëpër bare të ndryshme në kryeqytet.

-A ke ndonjë pishman në jetë? – e pyeta unë. –

-Po, pishman më i madh në jetë është fakti se nuk arrita të mbaroja shkollën. Kisha shumë të dëshirë të vazhdoja studimet për kanto dhe të bëhesha një këngëtar i madh. Por, nuk arrita të bëja më shumë se tetë - vjeçaren. Sa herë që kthehem në darkë i bie kokës me grushta, për shkak të faktit që nuk bëra studimet deri në fund. Sot, pa shkollë nuk ka jetë. Nëse je i pa shkolluar, askush nuk ta hap portën për të ofruar punë.

Gjithashtu, e pyeta se nëse je mërzitur me punën që bën?

- Jo njëherë, por shumë herë mërzitem më këtë punë të bezdisshme që bëj çdo ditë, sepse ballafaqohem me çdo lloj personi.-mu përgjigj.- Nuk janë të pakta rastet që më thirrin për të blerë një paketë me cigare dhe sapo afrohen më marrin paketat dhe mi hedhin përdhe, sipas tyre këtë e bëjnë thjeshtë për gallatë. Puna që bëj nuk është se më pëlqen shumë, por, sepse nuk kam rrugë tjetër, nuk kam ndonjë mundësi për të bërë ndonjë profesion tjetër. Në Tiranë njoh plotë të tjerë të moshës time që gjithë ditën sorollaten kotë, sepse kërkojnë punë, por punë nuk ka. Është e vështirë dhe pothuajse krejt e pamundur të gjesh punë në Tiranën e sotme. Megjithatë, për këtë punë që bëj jam krenar, sepse bukën e gojës e nxjerr me djersë dhe me ndershmëri, pa i rënë askujt në qaf. Kam pasur oferta për të bërë edhe punë të tjera... por nuk kam pranuar asnjëherë, sepse në darkë, kur të kthehem në shtëpi, dua të flejë i qetë.

A ke menduar ndonjëherë të emigrosh jashtë vendi? -e pyes.

-Po edhe jashtë nuk është më mirë. Madje atje jashtë për ne shqiptarët është shumë më keq dhe më e vështirë se këtu. Çfarë mund të bëjë jashtë?! Të punojë gjithë ditën duke bërë beton, apo të marrë rrugë të këqija e të përfundoi keq. Këtu, me të vërtetë lodhem duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të darkës, por pas një dite të lodhshme kthehem pranë familjes, ku hajë një gjellë të ngrohtë bashkë me babin.”

Jeta e çdo kujt është sa e bukur, aq edhe e vështirë. Italianët thonë: “La vita e bella”, që do të thotë “Jeta është bukur”, por ajo është e bukur me të gjitha elementët e saj dhe ajo duhet jetuar, duke përjetuar çdo çast, çdo moment dhe sekondë. Francezët thonë: “c'èst la vie”- “kështu është jeta” dhe ajo duhet jetuar.

Besi, edhe pse nuk ka një arsim të lartë, ai me jetën e tij mund të na jap shumë këshilla për të cilat, shoqëria jonë mendoj, se ka nevojë. Ai, thotë se në jetën duhet të punojmë për të jetuar sa mirë. Puna që bëjmë duhet të jetë e ndershme dhe paratë të fitohen me djersë. Gjithashtu, të arsimohemi dhe të shkollohemi, sepse pa shkollë, pa mësim e dije nuk mund të ecim shumë në jetë dhe se gjithmonë do të kemi gjithçka që do na mungojë, dijen dhe të qenit të ditur.