Wednesday, November 10, 2010

Haxhinasto: Gëzim legjitim, por rregullat kufitare duhen zbatuar


INTERVISTOI ALBAN DACI

"E përjetova me gëzim legjitim realizimin e një ëndrre, atë të shqiptarëve për të qenë realisht europianë", - tha dje në një intervistë për "Shekullin", ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.
"Por autoritet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen, kanë të gjithë të drejtën për të ndaluar jo vetëm qytetarët shqiptarë, por çdo qytetar të çdo vendi tjetër dhe të vendeve europiane, të cilët nuk respektojnë rregullat europiane të miratuara për lëvizjen e lirë në hapësirën e tyre", - thekson z. Haxhinasto për "Shekullin"

Z. Ministër, sot u mor vendimi për liberalizimin e vizave të shqiptarëve. Çdo të thotë kjo për qeverinë e Shqipërisë?

Për qeverinë do të thotë kurorëzimi i një pune shumë intensive për arritjen e të gjithë detyrimeve të nevojshme për të marrë një status të tillë. Do të thotë reforma shumë të thella për të pasur suksese të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma të prekshme ligjore dhe për zbatimin e ligjit, reforma të prekshme të menaxhimit të integruar të kufirit dhe sigurisht reforma të rëndësishme që prekin qytetarët, si realizimi dhe pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike.

Po për qytetarët?

Për qytetarët shqiptarë kjo do të thotë një mundësi që ka qenë ndonjëherë më parë për të lëvizur në gjithë zonën europiane Schengen, do të thotë mundësi e tyre për të takuar të afërmit, që nuk i kanë takuar prej vitesh, për t'u ndjerë pjesë e Europës së Bashkuar.
Lëvizja pa viza është realizimi i ëndrrës së tyre shekullore për të lëvizur të lirë dhe për t'u ndjerë pjesë e realitetit europian, që ata i përkasin edhe gjeografikisht.

A mendoni se heqja e vizave shënon edhe fundin e tranzicionit shqiptar? Në aspektin e moralit politik, a mendoni se me liberalizimin e vizave mbyllet një cikël i gjatë politiko-shoqëror?

Nuk mendoj se fundi i tranzicionit shënohet me këtë status të ri që merr Shqipëria me lëvizjen e lirë. Mendoj se tranzicioni ka përfunduar në momentet, kur Shqipëria ka realizuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, e cila, në vetvete shënoi një nivel të lartë të plotësimit të reformave në vend në tri kriteret e Copenaghen-it: reforma politike-institucionale, të të Drejtave të Njeriut dhe të tregut të lirë.
Kështu që, dëshiroj ta quaj këtë moment si një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë për t'u bërë anëtar me drejta të plota në Bashkimin Europian.

Pas liberalizimit të vizave a do të marrë edhe procesi i anëtarësimit në BE një trajektore të re? Thuhet se vetëm një ditë pas lëshimit të vizave, Komisioni nuk do të jetë gati të sugjerojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim e madje as do të rekomandojë dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë...

Vendimi për vizat nuk lidhet drejtpërdrejt me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë. Lëvizja e lirë është një stad dhe zhvillim shumë i rëndësishëm, por procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ndjek kursin e tij, i cili ka në agjendën e tij të afërt statusin e vendit kandidat dhe sigurisht datën e fillimit të negociatave për anëtarësimin e plotë në BE.

Z. Ministër, lëvizje e lirë do të thotë se duhet të respektohen edhe disa rregulla. Për cilat arsye policia kufitare shqiptare mund të ndalojë hyrjen e qytetarit shqiptar për në zonën Schengen? Po vendet anëtare të zonës Schengen mund ta bëjnë një gjë të tillë? Këtu e kam fjalët për kriteret teknike të respektimit të lëvizjes së lirë nga qytetarët.

Këto janë çështje shumë teknike, por autoritet kufitare të shteteve anëtare të zonës Schengen kanë të gjithë të drejtën për të ndaluar jo vetëm qytetarët shqiptarë, por çdo qytetar të çdo vendi tjetër dhe të vendeve europiane, të cilët nuk respektojnë rregullat europiane të miratuara për lëvizjen e lirë në hapësirën e tyre.
Kështu, edhe shqiptarët duhet t'i respektojnë këto rregulla, sepse është e domosdoshme që ecuria e procesit të lëvizjes së lirë dhe stadet e mëvonshme që janë akoma më të cilësuara se sa ky aktuali, siç është ai i lëvizjes së lirë brenda zonës Schengen, që parashikon qëndrimin rezident në vendet europiane, vijnë në qoftë se ky hap aktual realizohet në mënyrë të suksesshme pa krijuar problematikë për vendet europiane.

Dua të di në rolin e qytetarit të thjeshtë dhe jo në atë të Ministrit të Jashtëm, si e përjetuat vendimin e ditës së sotme?

E përjetova me shumë emocion. E përjetova me gëzim legjitim realizimin e një ëndrre, atë të shqiptarëve për të qenë realisht europianë, por edhe me një ngazëllim të brendshëm për të gjithë ata njerëz që kanë sakrifikuar shumë, për ato familje që kanë jetuar të ndarë si rezultat i pamundësisë për të lëvizur, për t'u takuar si rezultat i pamundësisë për të pasur një vizë hyrj.
Unë mendoj, se realizimi i këtij momenti duhet të marrë përgjegjësinë përkatëse të çdo qytetari, me qëllim që të respektojnë këtë arritje të jashtëzakonshme, që ka ndodhur për qytetarët shqiptarë.

Sipas jush, heqja e vizave është meritë e Qeverisë, e popullit shqiptar, e Bashkimit Europian apo e të treve së bashku? Kur flas për Qeverinë, nuk e kam fjalën vetëm për qeverinë e fundit, por për të gjitha qeveritë e njëzet viteve të fundit...

Heqja e vizave dhe për një moment të tillë, sigurisht mund të flasim sa të doni ju për konsiderata politike dhe për gjykime politike. Ajo që është e rëndësishme është fakti se qytetarët shqiptarë mund të lëvizin pa viza dhe ky vendim është marrë pasi qeveria aktuale shqiptare ka plotësuar të gjitha detyrimet për t'u kualifikuar për një vendim të tillë.