Dr. Alban Daci
Disa shkruajnë se vdekja e katër fëmijëve të pafajshëm në Sukth, është një realitet i dhimbshëm dhe të gjithë ne duhet të reflektojmë. Të tjerë thonë, ajo është virtuale, se fajin e kanë vetëm prindërit e tyre dhe se shteti nuk mund të luaj asnjë rol në fatin e tyre.
Njëra palë thotë, t’i hapim kutitë, sepse votat janë vjedhur, kurse pala tjetër thotë se kutitë nuk duhet të hapen sepse votat nuk janë vjedhur. Të parët mendojnë në mënyrë reale, sepse ndoshta e dinë se si është e vërteta përderisa kanë qenë pjesë e atij procesi, kurse të tjerët thonë duke menduar në mënyrë virtuale, se kutitë nuk duhet të hapen, kemi bërë ç’kemi bërë, le të ecim përpara.
Disave që jetojnë jetën e luksit, gjithçka ju duket virtuale, sa thonë se në Shqipëri nuk ka varfëri, nuk ka papunësi, por ka vetëm mirëqenie, progres dhe jetë me standarde perëndimore. Të tjerë, realist, duke e jetuar vetë në plan të parë, thonë se në Shqipëri ka varfëri me shumicë, papunësi me shumicë, korrupsion me shumicë, pa siguri për jetën.
Realistët thonë se në kryeqytet nuk mund të gjesh edhe një banjë publike për të bërë shërbimet personale. Gjatë gjithë këtyre viteve në Tiranë janë ndërtuar pafundësisht pallate, bare, baste live, por nuk është ndërtuar qoftë edhe një banjë e vetme publike. Çdo qytetarë që mund të ketë nevojë për të bërë gjërat personale, duhet të shëtis nëpër qytet që të gjej në ndonjë barë me banjë të lirë. Nëse qytetari nuk ka lekë, që të marr një kafe, nuk mund ta shfrytëzoj banjën dhe për rrjedhojë duhet ta mbaj vetën nëse mundet derisa sa të shkoj në shtëpi.
Virtualistët thonë se Tirana, është qyteti më i bukur, është fantastik, sepse ka rrugë të gjera, nuk ka trafik, ka një shërbim evropian urban, nuk ka mbeturina dhe ka ajër të pastër.
Realistët thonë se arsimi shqiptar është në një gjendje të mjerueshme, sepse studentët dhe nxënësit bëjnë mësim me turne, sepse shkollat dhe universitet nuk kanë asnjë sistem ngrohje, sepse profesorët nuk bëjnë leksione, se studentët e kalojnë kohën më të madhe si patën para si nuk patën nëpër bare duke qëndruar me orë të tëra përpara një kafeje e cila ngjan më shume me lëngun e gështenjave sesa me ekspresin italian.
Virtualistët, thonë shumë mirë është arsimi shqiptar, të gjithë mund të arsimohen nëse paguajnë, të gjithë mund të diplomohen nëse paguajnë, të gjithë mund të mbarojnë studimet edhe pse nuk shkojnë në leksione, të gjithë mund të bëhen të mençur duke pirë gjithë ditë kafe nëpër bare.
Realistët thonë, se është e vërtetë se shqiptarët mund të lëvizin pa viza, por se pjesa më e madhe e tyre nuk do të lëvizin fare, sepse nuk kanë para as për të blerë biletën vajtje-ardhje dhe jo më për të jetuar edhe për pak ditë në Evropë. Realistët, mendojnë dhe thonë se me rroga mesatare që merr një shqiptar prej 300-400 eurosh në Shqipëri, mjafton për jetuar vetëm tre ditë në Evropë.
Virtualistët, thonë se tani që nuk do të kemi nevojë për viza të gjithë do të shkojmë për turizëm në Evropë, edhe nëse nuk kemi para, sepse ato do na jap Bashkimi Evropian.
Realistët, thonë se ne shqiptarët si popull e kemi menduar shumë kohë më parë liberalizimin e vizave, pse jo edhe anëtarësimin evropian, por që kjo nuk realizua për faktin se gjithmonë notën jo kaluese e ka marrë politika shqiptare.
Virtualistët, thonë më mirë vonë sesa kurrë. S’ka gjë pse kemi 20 vjet tranzicion, mjafton që tani në fundin e 2010 mund të lëvizim pa viza, kur vendet e tjera evropiane kanë të paktën më shumë se 30 vjet që lëvizin të lirë në çdo vend dhe cep të kontinentit evropian.
Realistët thonë, se çmimet këtu në Shqipëri janë si në Evropë dhe rrogat janë si Afrikën e varfër. Këtu rroga mesatare është 300-400 euro dhe qiraja është 150-300 euro.
Virtualistët, thonë se këtu në Shqipëri janë rrogat më të mira dhe më të larta në Evropë, shqiptarët jetojnë me mirë se të gjithë. Evropa po kalon një krizë, kurse ne po lulëzojmë. Evropa po fundoset, kurse ne po ngrihemi lart e më lartë. Evropianët janë të papunë dhe po humbin vendet e punës, kurse shqiptarët nuk po i humbin, sepse ndoshta nuk e kemi pasur asnjëherë një vend pune.
Realistët thonë, se papunësia është një ndër problemet më serioze të vendit tonë, që mijëra të rinj shëtisin rrugëve të papunë, që Ushtari i Panjohur dhe Dogana çdo ditë mbushen me qytetarë të pa shpresë që ëndërrojnë të sigurojnë një ditë pune për të ushqyer fëmijët. Ata, ëndërrojnë të punojnë vetëm për të siguruar një vakt normal për familjen dhe fëmijët, sepse për më shumë as nuk bëhet fjalë. Realistët thonë se në Shqipëri ka një përqindje të madhe papunësie. Të gjithë emigrantët që ndodhen jashtë për shtetin shqiptarë duhet të konsiderohen të papunë dhe duhet të futen në listën e të papunëve, sepse ai nuk ua ka garantuar dhe për këtë arsye janë detyruar të largohen dhe ta kërkojnë në Evropë.
Virtualistët, thonë se Shqipëria ka përqindjen më të ulët të papunësisë në Evropë, se ata të Ushtarit të Panjohur dhe të Doganës nuk janë të papunë, por njerëz që qëndrojnë në shi dhe në diell, sepse janë të pasionuar pas jetës urbane dhe qëndrojnë të gjithë së bashkë për jetuar në maksimum jetën në komunitet. Sipas tyre shqiptarët nuk kanë emigruar në Evropë për punë dhe për një jetë më të mirë që nuk e gjenin dot në Shqipëri, por për turizëm, për të njohur kultura dhe shoqëri të tjera moderne.
Ky është problemi jonë, sepse për ne ka dy Shqipëri, një reale që e jetojmë çdo ditë dhe një virtuale që e jetojmë duke e imagjinuar se si mund të ishte. Realja jetohet nga njerëzit e thjeshtë të cilët luftojnë për të mbijetuar në një realitet të vështirë, që jo shumë rrallë ngjason me një xhungël të pa fundme, ku më i forti mposht dhe shfrytëzon më të dobëtin, ku më i fuqishmi eliminon të pafuqishmin, ku i pasuri i bën karshillik dhe poshtëron të varfrin. Shqipëria reale nuk është ish Blloku, nuk është Rogneri, Sheratoni, por Sukthi ku mjerimi gllabëron jetën në lulen e saj.
Ne përballë kemi realen që është e prekshme dhe që e jetojmë çdo ditë si qytetarë të thjeshtë, dhe virtualen e cila është thjeshtë një imagjinatë se si duhet të jetë jeta jonë. Nuk na mbetet gjë tjetër, veç se të zgjedhim mes të parës dhe të dytës. Unë, mendoj të zgjedhim realen dhe të jemi të vetëdijshëm për të realizuar imagjinaren, e cila mund të jetë e ardhmja jonë, por që tani ajo është thjeshtë një ëndërr e bukur që shfaqet turbullt në sytë tonë të përgjumur.