Dr. Alban Daci
Të dashur lexues, vendosa të flas dhe të shkruaj për një fenomen mjaft të njohur nga të gjithë, por që pak persona ose askush nuk dëshiron të flasë apo të shkruajë për të. E kam fjalën për fenomenin e largimit të qindra dhe pse jo të mijëra të rinjve që largohen drejt Evropës për të studiuar dhe ndoshta mbeten atje përgjithmonë për t’u mos kthyer kurrë më. Duke qenë se jam vetë një ndër ato që u larguan dhe tani jam kthyer pasi mbarova studimet universitare dhe pasuniversitare në Perëndim. Mendova dhe vendosa të shkruaj gjerë e gjatë mbi këtë fenomen duke e trajtuar jo vetëm si vëzhgues, por edhe si një person që e kam përjetuar në vij të parë.
Para pak ditësh publicisti Prec Zogaj shkruante mbi largimin e Kadaresë dhe këtë largim e cilësonte si mbarimin e epokës komuniste. Në linja të përgjithshme deri diku jam dakord me atë që ai shkruan, por nuk jam dakord që këtë largim edhe pse kanë kaluar njëzet vjet që nga ajo ditë, ta përdor për qëllime të mirëfillta politike. Prec Zogaj, është një publicist dhe një shkrimtar i respektuar dhe mendoj se pas njëzet vitesh tranzicioni shoqëror, jo vetëm ai, por kushdo që shkruan mund të gjejë tema më të rëndësishme dhe interesante se ikja e Kadaresë për t’i paraqitur në shtypin e shkruar para dhe lexuesve.
Kadareja, iku në statusin e një aristokrati modern, të një personi mjaft vlerësuar për punën si shkrimtar dhe për veprat që kishte shkruar. Pra, largimi i tij ishte krejt komod dhe i vendosur me vullnetin e tij të lirë. Them komod, sepse formimi i tij akademik dhe intelektual e mundësonin atë të bënte një jetë normale, sikur të shkonte edhe në hënë për të jetuar dhe jo më në Paris që është vendi, ku shkrimtarët dhe intelektualët vlerësohen në maksimum dhe nëse janë të zotë kanë edhe një karrierë të garantuar profesionale.
Në njëzet vitet e fundit nga Shqipëria, për një jetë më të mirë dhe më të lumtur janë larguar qindra dhe mijëra të rinj me shpresën për të studiuar në universitetet më të mira perëndimore me qëllimin për të garantuar të ardhmen evropiane dhe perëndimore. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar kryesisht drejt Italisë, Greqisë, Turqisë, Francës, Anglisë dhe pak kanë arritur deri në Shtetet e Bashkuara.
Unë, mendoj se këto të rinj që janë larguar jashtë, janë njerëz që kanë aspiruar për një të ardhme më të mirë, janë njerëz që kanë dashur të thyejnë akujt e vështirësive dhe të garantojnë suksesin e tyre vetjake dhe atë familjarë
.Këta të rinj u larguan, sepse nuk pranonin dot situatën dhe ambientin, ku jetonin në Shqipëri. Çdo gjë që i rrethon shikon krejtësisht të zezë dhe të pa shpresë. Kam njohur në Itali, Artanin, i cili kishte ardhur të studionte për Shkenca Politike në qytetin e Gjenovës.
Artani, kishte qenë një nxënës i shkëlqyer në Shqipëri. Pasi e njoha dhe u bëra mik me të e pyeta: përse erdhe të studiosh në Itali? Me gjysmë heshtje po më tregonte se: kishte mbaruar shkollën e Mesme në Tiranë, tek gjimnazi “Qemal Stafa”. Gjatë asaj periudhe vetëm njërin nga të dy prindërit e kishte të punësuar si mësues edhe pse që të dy ishin me arsim të lartë.
Familja e tij jetonte me qira në zonë e Ali demit në Tiranë dhe paguante150 mijë lekë në muaj. Artani po tregonte, se në kohën, kur studionte në shkollë të mesme, ai dhe familja e tij po kalonin një situatë shumë të vështirë ekonomike, saqë kur i duheshin fletoret ose kishte nevojë për të blerë libra, nuk kishte guxim t’iu thoshte prindërve se i duhen lekë, sepse e dinte se nuk kishin ku t’i gjenin.
Po thoshte, se në gjimnaz prindërit i jepnin çdo ditë vetëm 200 lekë të vjetra sa për të blerë një byrek të vogël trekëndor dhe këto lekë nuk i prishte, por i mblidhte qindarka-qindarka, derisa grumbullonte një shumë të konsiderueshme për të blerë fletore dhe mjete të tjera që ishin të domosdoshme për shkollën.
Artani, më tha se edhe përse ishte një nxënës shembullor dhe i shkëlqyer në gjimnaz, ai kudo që shkonte ndjehej i përbuzur dhe i përjashtuar nga shoqëria vetëm përse ishte i varfër. Ai, ishte i varfër ekonomikisht, por ishte shumë i pasur me kulturë dhe me intelekt, sepse të dy prindërit i kishte intelektual (me arsim të lartë) dhe vetë ishte shumë inteligjent. Po më thoshte, se kjo situate ekonomike i ishte bërë aq e vështirë dhe e padurueshme, saqë mezi kishte pritur të mbaronte gjimnazin dhe të merrte rrugën drejt Evropës duke lënë gjithçka mbrapa me shpresën se ardhmja e tij do të ndryshonte.
E thashë këtë shembull për t’iu thënë se ata që janë larguar jashtë nuk janë njerëz të pasur ekonomikisht, por njerëz që vijnë nga familje të larta intelektuale dhe kulturore, që lënë mbrapa varfërinë dhe herë-herë mjerimin për të marr rrugën drejt Evropës me shpresën se jeta e tyre dhe e familjes së tyre do të ndryshojë.
Edhe unë si shumë të tjerë jam larguar dhe kam qëndruar në Itali, ku kam ndjekur dhe mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare. Gjatë kohës që kam qëndruar në Itali për shkak të studimeve, kam njohur shumë studentë të tjerë shqiptarë dhe pjesa më e madhe e atyre që kam takuar vinin nga realiteti i përshkruar më lartë. Ishin njerëz që ëndërronin më të mirën për jetën e tyre, me vullnetin e tyre cdo ditë sfidonin vështirësitë që hasnin dhe me shpresën për një jetë më të mirë ishin të vendosur të harronin të kaluarën e hidhur që kishin jetuar në Shqipëri.
Të gjithë këto të rinjtë, nuk janë pak, por janë qindra dhe ndoshta mijëra (sepse nuk ka një statistikë të saktë zyrtare mbi numrin e tyre) që çdo ditë, muaj dhe vit po largohen nga Shqipëria. Kjo është një ikje e madhe e trurit dhe intelektit shqiptarë. Për këtë duhet të flasim dhe të shkruajmë dhe jo për një ikjen krejt komode që bëri Kadare.
Këta të rinj të talentuar, por të varfër dhe me para borxh largohen drejt një botë të panjohur, krejt misterioze që i surprizon me vështirësi dhe pasiguri për të ardhmen. Këta të ri, ashtu si shumë të tjerë me moshë më të pjekur që janë larguar në këto njëzet vite, formojnë “Ikjen e Madhe”, largimin e mundshëm dhe të heshtur drejt të panjohurës dhe misteriozes