Friday, November 19, 2010

Ikja e Madhe e Heshtur


DR. ALBAN DACI

9/11/2010 Gazeta SHEKULLI

Histori të rinjsh shqiptarë që shkojnë të studiojnë në Itali. "...Mos shkoni nëse nuk jeni të pasur ose nëse nuk keni vullnet të çeliktë për të realizuar atë që ëndërroni. Mund të mbeteni peng i një ëndrre që, ndoshta, nuk do të mundni kurrë ta realizoni..."

Në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa haja një doner tek "Via Balbi" në Gjenova, rastësisht erdhi makina që merrte mbeturinat e qytetit. Në tokë zbritën pesë punëtorë. Mes tyre ishte edhe një... student shqiptar i Universitetit të Gjenovas, moshatar dhe koleg i mi.

Punonte natën dhe studionte ditën. Ishte e vetmja mënyrë që ai të vazhdonte dhe të kryente studimet.

Vetëm pak ditë më pas, një i njohuri ynë, edhe ai student në Gjenova, shkon me një mikun e tij në një punë ditore: duhej të prishnin një moket të vjetër dhe do ta zëvendësonin me një të ri.

Duke shkëputur dërrasat e moketit, një dërrasë kishte kërcyer dhe i kishte rënë në sy. Miku që e kishte marrë në punë nuk e shoqëroi Klajdin në urgjencën e spitalit, sepse e kishte në të zezë.

Gjatë kohës që mjekët po i vizitonin syrin e kishin pyetur se çfarë i kishte ndodhur. Klajdi, me porosi të mikut që e kishte marrë në punë, nuk kishte treguar të vërtetën, por kishte thënë se ishte rrëzuar rastësisht. Për punën që kishte bërë atë pasdite, punëdhënësi i kishte dhënë 25 euro. 15 euro i kushtoi vizita dhe 15 euro të tjera i kushtoi ilaçi.

Gjatë natës nuk kishte vënë sy në gjumë për shkak të dhimbjeve të forta, por në shtatë të mëngjesit, me sy të fashuar, shkoi në universitet, sepse kishte provimin e tij të parë universitar, atë ditë do të jepte "Të drejtën Publike". Arriti të marrë rezultatin maksimal.

Ata largohen drejt Europës për të studiuar dhe shumë mbeten atje përgjithmonë. Rrallë shkruhet për ta, megjithëse janë me mijëra. Shumica e njerëzve dinë që "filani iku për studime jashtë", por çfarë ndodh më pas?

Pjesa më e madhe e të rinjve që largohen "për studime" ikin kryesisht drejt Italisë, Greqisë, Turqisë, Francës, Anglisë dhe pak kanë arritur deri në Shtetet e Bashkuara.

Kanë aspiruar për një të ardhme më të mirë, kanë dashur të thyejnë akujt e vështirësive, por këtë e kanë kërkuar jashtë vendit të tyre. Po ta kishin kërkuar këtë ndryshim këtu në Shqipëri, ndoshta Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot...

Kam njohur në Itali, Artanin, i cili kishte ardhur të studionte për Shkenca Politike në qytetin e Gjenovës. Kishte qenë nxënës i shkëlqyer në Shqipëri. Kishte mbaruar shkollën e mesme në Tiranë, tek gjimnazi "Qemal Stafa". Gjatë asaj periudhe vetëm një nga prindërit e kishte të punësuar (si mësues) edhe pse që të dy ishin me arsim të lartë.

Familja e tij jetonte me qira në zonën e "Ali Demit" në Tiranë, në një shtëpi të thjeshtë me 15 mijë lekë në muaj. Në kohën, kur studionte në shkollë të mesme, Artani dhe familja e tij kalonin një situatë shumë të vështirë ekonomike. "Edhe për fletore nuk kisha guxim t'iu thosha prindërve, sepse e dija që i vija në vështirësi për lekë".

Edhe pse ishte një nxënës i shkëlqyer në gjimnaz, Artani nuk shihte asnjë mundësi në Shqipëri. Mezi kishte pritur të mbaronte gjimnazin dhe të linte gjithçka mbrapa me shpresën se ardhmja e tij do të ndryshonte jashtë vendit. Artani nuk është një histori unike.

Autori i këtyre radhëve ka njohur shumë si Artani në Gjenova. Por Artani është një shembull për të thyer një nga paragjykimet që ekzistojnë rëndom: që të rinjtë që studiojnë jashtë vijnë prej familjesh në gjendje të mirë ose normale ekonomike.

Nuk është e vërtetë. Shumë prej tyre janë të rinj që vijnë nga familje intelektuale, por që lënë mbrapa varfërinë dhe herë-herë mjerimin për të marrë rrugën drejt Europës me shpresën se jeta e tyre dhe e familjes së tyre do të ndryshojë.

Nuk ka një statistikë të saktë zyrtare mbi numrin e të rinjve që çdo ditë, muaj dhe vit po largohen nga Shqipëria. Kjo është një hemorragji e madhe e intelektit shqiptar me pasoja të rënda të pallogaritshme. Është ikje e heshtur, e përditshme. Është ikja e madhe.

Historitë e tyre janë sa të dhimbshme aq edhe krenare. Punojnë duke thyer gurë, duke bërë beton, duke hapur kanale. E më pas janë paraqitur, si gjithmonë, në universitet për të ndjekur leksione.

Një tjetër student që quhet Arjan, i cili studion për Ekonomi në qytetin e Milanos në Itali, pak ditë më parë në telefonatën me nënën e tij, i kishte thënë: "Po ta dija kështu, nuk do të kisha ardhur...

Deri tani jam një mijë euro borxh". Megjithatë, shumë prej tyre arrijnë suksese të shkëlqyera. Arrijnë të përfundojnë studimet universitare dhe pasuniversitare, por thuajse asnjëherë nuk flitet për këto në median e Tiranës. Për ta flitet, vetëm kur ndonjëri përfundon në devijancë kriminaliteti.

Ndaj shumë herë studentët shqiptarë ndjehen të braktisur nga shteti i tyre. Kontributi i shtetit shqiptarë në shkollimin e tyre është zero.

Ka edhe shumë prej këtyre studentëve, të cilët për shkak të kushteve ekonomike, nuk kanë mundur të japin asnjë provim. Kjo ka bërë që ata të kthehen në klandestinë. Në Itali në rast se shkon me vizë studimesh të llojit "D", për të rinovuar çdo vit dokumentet është kusht që të japësh, të paktën, dy provime në vit.

Në rast se nuk ke dhënë, të paktën, këto dy provime nuk mund ta rinovosh lejen e qëndrimit dhe për pasoj përfundon klandestin.

Kam njohur plot studentë, të cilët kanë përfunduar rrugëve si klandestinë, si zot më keq. Askush nuk do t'ia dijë për ta dhe për jetën e tyre.

Ata, për shkak të dështimit dhe situatës së thellë që përjetojnë kanë kaluar në depresion. Nuk pranojnë të flasin me prindërit dhe të afërmit. Nuk pranojnë të kthehen në Shqipëri si të dështuar. Gjendja e tyre psikologjike dhe ekonomike mund të jetë shumë e vështirë edhe sot që shkruajmë.

Altinin e takova disa ditë më parë bashkë me një mik të përbashkët tek "Kullat Binjake". Pasi u prezantuam shkuam në një bar aty afër për kafe. Tetë vite më parë, Altini kishte ardhur për të studiuar në qytetin e Gjenovës, por nuk kishte mundur t'i mbaronte studimet asnjëherë. Kishte dy vjet që ishte kthyer në Tiranë, ku po ndiqte vitin e dytë për veterinari në Kamzë.

Gjimnazin e kishte mbaruar në Cërrik. Nëna e diplomuar për Bio-Kimi punonte si mësuese në një gjimnaz në Tiranë; babai, për agronom dhe tani ishte pa punë. Kishte një motër dhe një vëlla që ishin më të mëdhenj se ai në moshë.

Më tregoi se në gjimnaz kishin qenë katër shokë, që kishin dëshiruar të studionin jashtë Shqipërisë. "E nisëm si lojë. U ulëm një ditë njeri nga ne nxori një hartë të Italisë dhe i thamë: Mbyll sytë dhe vendos një gisht mbi hartë".

Gishti "ra" mbi qytetin e Gjenovës. "Shkuam në internet dhe pamë disa fotografi nga qyteti i Gjenovës, të cilat na pëlqyen shumë. Gjithashtu, sipas analizës që bëmë ne, ai ishte një qytet ideal. Ishte vend bregdetar, afër Francës, duhet të kishte edhe punë, krahas studimeve.

Qëllimi i punës ishte i përkohshëm, sa për të ndihmuar vetën për shpenzimet e jetës së përditshme, sepse qëllim parësor për ne ishin studimet, - tregon Altini.

A e kishin gjetur Italinë ashtu siç e kishte menduar? Altini rrëfen: "Sapo zbritëm në Bari, u zhgënjyem shumë.

Gjithçka na u duk kot dhe jo shumë e ndryshme me Shqipërinë, që kishim lënë mbrapa. Pas shumë orësh udhëtim me tren, më në fund, rreth orës dy të natës arritëm në qytetin e Gjenovës. Sapo zbritëm në stacion, u ndjemë keq. Gjithçka që po na rrethonte ishte e krejt e huaj për ne.

Nuk njihnin askënd dhe nuk dinim ku të shkonim. Atë natë, qëndruam në një hotel aty, pranë stacionit të trenit, në Gjenova, që quhej Principe. Të nesërmen shkuam në sekretarinë e universitetit për të marrë informacione të mëtejshme, sepse duhej të jepnim një provim pranimi për t'u regjistruar.

Pyetëm ato të sekretarisë së universitetit, për një vend ku të qëndronim, na sugjeruan një hotel të lirë për të rinj që quhej "Hostello della Gioventu". Vendosëm të transferoheshim atje.

Tek "Hostello" qëndruam rreth dy javë, sepse nuk po gjenim dot shtëpi me qira. Nuk lamë agjenci imobiliare pa kontrolluar, por sapo merrnin vesh se ishim studentë dhe shqiptarë, na thoshin se nuk kishin shtëpi për ne.

Pas shumë përpjekjesh, gjetëm, më në fund, një shtëpi në zonën antike të qytetit. Shtëpi i thënçin, sepse ishte e vjetër, e pa rikonstruktuar, nuk kishte sistem ngrohje. Ishte shumë e vogël dhe brenda jetonim tetë persona. Kur u nisëm për të ardhur në Itali, kishim marrë me vete vetëm dy mijë euro, të cilat na mbaruan shpejt. Prindërve nuk ju kërkuam më para.

E vetmja rrugë ishte të fillonim të punonim. Fillimisht kam punuar për rreth një vit si punëtor për një mjeshtër që ndërtonte mur guri. Punën e nisnim çdo ditë në tetë të mëngjesit. Puna ime ishte të bëja beton, të sillja gurët dhe t'i vendosja në skelë. Kjo ishte puna që kam bërë për një vit rresht. Paguhesha 50 euro në ditë, nuk isha i siguruar.

Pas një viti arrita të merrja 60 euro në ditë. Me këtë ritëm pune, ku vetëm një ditë në javë kisha pushim, vitet kaluam pa u ndjerë dhe ëndrra universitare u bë e largët dhe e harruar...Në 8 vjet nuk erdha asnjëherë në Shqipëri, sepse nuk kisha dokumente.. As para nuk kurseja dot, por as shkollën nuk mundesha ta vijoja.. Kisha hyrë në një gjendje të thellë dëshpërimi. Dhe dëshpërimi nuk u pëlqen atyre që të marrin në punë..

Një ditë të bukur u pushova.. Shumë shpejt nuk kisha më para. U ktheva në Shqipëri. Se si më dukej vetja. Pothuajse, kisha harruar të afërmit dhe shtëpinë. Të nesërmen pas mbërritjes dola në xhiro në Tiranë, ecja i hutuar, sepse nuk njihja askënd..

Fillova të kuptoja vitet e jetës time që më kishin ikur në Gjenova pa i kuptuar dhe në kushte mjeruese. Nuk po mësohesha me faktin, se flija në krevat komod, me çarçaf të larë.

Nuk po mësohesha me faktin, se tani nuk ndjehesha plotësisht i lirë dhe duhet t'iu jepja llogari prindërve për vendin ku do të dilja dhe kohën që do të qëndroja.

Por mami me babin përpiqeshin të më inkurajonin, si dhe të më ndihmonin për të kaluar këtë situatë të vështirë..."

Aktualisht Altini studion për Veterinari dhe punon për një call center italian, ku paguhet dy mijë lekë të vjetra ora.

Sot e vetmja nostalgji nga Gjenova është "një shëtitje rreth portit". Altini ka një mesazh për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të studiojnë në Itali: "Para se të niseni mendoheni mirë, sepse atje nuk do të gjeni parajsën që mund t'u kenë thënë të tjerët.

Mos, shkoni nëse nuk jeni të pasur ose nëse nuk keni vullnet të çeliktë për të realizuar atë që ëndërroni. Mund të mbeteni peng i një ëndrre që, ndoshta, nuk do të mundni kurrë ta realizoni..."