Kjo është pyetja aktuale, që të gjithë ne ja bëjmë vetes dhe e disku-tojmë mes miqve të ngushtë. Megjithatë, në publik as nuk kemi guximin më të vogël ta bëjmë dhe të përpiqemi t’i gjejmë një përgjigje. Ku po shkon shoqë-ria shqiptare sot? Kemi më shumë se 20 vjet që po rropatemi lart e poshtë në kaosin e një tranzicioni, që duket sikur nuk ka fund.
Sot, dikush nuk studion fare, por vetëm përse ka para apo miq të fortë mbaron universitetin, masterin shkencor dhe doktoraturën. Ai i mbaron pa e pasur edhe idenë mbi lëndët që duhet të studioj. Po flisja një herë me dikë që po studion për drejtësi në një universitet privat. Po më thoshte se kishte provim.
Kur e pyeta se si shikoi provimi, ai, më tha: Me thënë të drejtën nuk e di dhe emrin e lëndës, por do të shkoi shumë mirë , sepse nuk më ngelin dot. Po të më ngelin, e dinë ata, se ik në një universitet tjetër privat. Prandaj, nuk u leverdis të më vënë notë të dobët dhe jo më të bëhet fjalë për të më ngelur. Po i thosha, po përse nuk studion seriozisht, që të bëhesh i zoti, kur të dalësh nesër pasnesër në punë? Po përse të studioj, mos vallë jam budalla, këtu në Shqipëri, pothuajse, të gjithë e mbarojnë kështu shkollën dhe këta që të gjithë hyjnë në punë, sepse këtu nuk ka rëndësi ke mësuar apo nuk ke mësuar, por a ke miq, a merresh me parti dhe a ke para. Nëse i ke këto cilësi të gjithë portat i ke të hapura. Nëse jo, të jesh edhe talenti i botës do të mbetesh rrugëve, duke u sjellë me duar në xhepa i papunë dhe pa të ardhura.
Kam më shumë se tre ditë që shkoj dhe pi një kafe përballë Fakultetit të Drejtësisë tek ish blloku. Nuk po u besoja syve për atë që po shikoja. Pothuajse, të gjithë studentët, si dhe ndonjë pedagog, ishin në kafe. Kjo situatë nuk është se kishte ndonjë kohë të caktuar, por vazhdimisht ishte kështu. Bari ishte aq shumë plot sa ishte e vështirë të gjeje një vend për t’u ulur. Pothuajse, që të gjithë studentët pinin duhan pa pushim. Fenomeni i duhanit ishte më shumë i përhapur tek femrat, të cilat, mesa kuptova, e pinin për tangërllëk, në formën e një mode të shëmtuar që, tashmë, i ka ikur koha.
Brenda në bar, ishte krijuar një mjedis asfiksues për shkak të pirjes së duhanit. Mbi kokat e njerëzve qëndronte një mjegull tymi, e cila ngjasonte shumë me renë që qëndronte mbi shtëpinë e familjes Adam’s. Është për t’u vënë re, se edhe pse është miratuar ligji që ndalon duhan pirjen në mjediset e mbyllura, ai nuk zbatohet askund. Në të gjitha baret, që kam frekuentuar, nga më të thjeshtët deri te ato të quajtur mondan, pinin duhan si turqit, kur i thonë fjalës.
Ajo që të bie në sy menjëherë, nëse ke jetuar apo studiuar në Perëndim, kur hyn brenda tek bari përballë Fakultetit të Drejtësisë, është veshja e studenteve. Pothuajse, të gjitha me minifunde, me streçe, me taka 15 deri në 20 centimetër, me rripa etj, të mbytura me tualet. Thuajse, të gjitha do të shkojnë në ndonjë mbrëmje gala, dhe jo në një orë leksioni. Sapo ulen në tavolinë nxjerrin pasqyrën për t’u parë dhe për t’u rregulluar, celularin, paketën e cigareve dhe çakmakun.
Nuk është, se jam kundër këtyre veshjeve, sepse nuk jam as fanatik dhe as një person, që nuk kam parë botë me sy, por, mendoj, se veshja duhet të përcaktohet sipas momentit, punës dhe llojit të aktivitetit. Për shembull, nuk mendoj se takat 20 centimetër duhet të vishen për dalë nga shtëpia dhe me shkuar tek dyqani i lagjes për të blerë një bukë. Nuk mendoj, se për një gocë 18 vjeçare, që sapo ka filluar universitetin, takat dhe minifundi do të ishin të përshtatshme për të shkuar në universitet për të ndjekur leksionet. Nuk mendoj dhe nuk jam dakord që të rinjtë të pinë duhanin thjeshtë për imazh, apo për modë. Duhanit të vret dhe nuk duhet të pihet për asnjë arsye.
Një ditë, tek dera e barit përballë Fakultetit të Drejtësisë, në një tavolinë tjetër aty afër, erdhën dhe u ulën dy studente. Sapo u ulën nxorën kompjuterin. Unë, i gëzuar thash me vete, se paska edhe studentë që punojnë me kompjuter për ndonjë detyrë kursi. Pa kaluar shumë kohë u zhgënjeva, sepse me të vërtetë vajzat e nxorën kompjuterin, por nuk po shkruanin asnjë detyrë kursi. Ata, menjëherë hynë në facebook dhe filluan të ngarkonin foto, të cilat po i komentonin me njëra-tjetrën.
Pothuajse, asnjë studentë, me ndonjë përjashtim fare të vogël, nuk mban libër apo fletore shënimesh në dorë. Vajzat, mbajnë çanta, të cilat nuk kanë asnjë të përbashkët me çantat e një studenti që mban libra dhe mjete që duhen për studime, por më shumë ngjajnë me çanta fashion, të cilat me siguri i kanë të mbushura me gjera permanenti.
Nuk kam dëgjuar një tavolinë me studentë, që të diskutojnë për studimet, leksionet, provimet apo lëndët. Nuk kam dëgjuar të bëjnë një bisedë intelektuale të aktualitetit, siç do t’u kishte hije, për derisa janë studentë. Muhabetet që bëjnë janë krejt pa lidhje, ato janë për çështje banale të ditës, thashetheme, muhabete facebook-u, dashurie etj.
Një ditë tjetër, po në njëjtin vend, hyra në muhabet dhe njoha krejt rastësisht një student, i cili studionte në vit të tretë për drejtësi. Ai, po më shoshte se fakultetin e kishte këtu tek Blloku, por për shkak se nuk ka mjedise të mjaftueshme, leksionet i ndiqte në mjediset e një universiteti privat. E pyeta se si po shkonte me leksionet? Ai, më shoshte, se këtu nuk merret veshtë asgjë në lidhje me leksionet. -Po përse nuk merret veshtë?- e pyeta unë. - Po ja, nëse kemi për të bërë pesë orë leksion në javë për një lëndë, ngaqë profesori bën edhe punë të tjera, ai nuk vjen kur kemi leksion sipas orarit, por na le një ditë në javë dhe na i bën për një ditë të gjitha orët që duhet të bënim për një javë. -,’u përgjigj ai, sikur po më thoshte gjënë më të zakonshme.
Para ca muajsh do të merrja një vërtetim studenti për një të afërm timin në Universitetin e Durrësit. Ju betohem, se jam sorollatur dy javë për ta marrë. Një ditë shkova në universitet dhe gjeta rektorin, por nuk gjeta sekretaren, një ditë tjetër gjeta sekretaren, por nuk ishte rektori, një ditë tjetër nuk ishin asnjëri prej tyre. Më në fund, pas kësaj telenovele, e mora vërtetimin, por duhej të bëja pagesën, sepse nuk ishte falas. Në Evropë, mund të marrësh jo një, por një mijë vërtetime në ditë në universitete dhe që të gjithë janë falas. Në Shqipëri, në fakultetet publike, dhe këto janë me lekë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Drejtorinë Arsimore të rrethit Durrës. Më duhej të merrja vërtetim për një tjetër të afërme timen, e cila studion në gjimnaz. Përsëri e njëjta telenovelë: shkoja të merrja vërtetimin dhe nuk gjeja sekretaren, sepse kishte dalë për kafe. Kur pyesja, se kur mund të vij, askush nuk ishte në gjendje të më jepte një përgjigje. Por çudia nuk mbaron me kaq. Një ditë e gjeta sekretaren në zyrë dhe më tha që të shkoja nesër paradite për marrë vërtetimin. Shkova të nesërmen dhe e gjeta duke dalë nga zyra. I thash: “Ku po shkoni? A e lamë dje të më jepje vërtetimin?” -O çuni, nuk ta bëj sot, sepse po ik në dasmë.-më tha ajo, qetë –qetë. -Si po ik në dasmë, po ty kush të zëvendëson?-ngula këmbë. - O çun, paske shumë llafe, nuk të jap llogari ty, se ku shkoj dhe çfarë bëj. -Po si nuk më jep mua, kur unë jam qytetar dhe t’i paguhesh nga taksapaguesit për të na kryer punë?! Edhe këtë herë pasi kaloi një javë, arrita ta merrja edhe këtë vërtetim, i cili përsëri ishte me lekë. Paguhej një detyrim i caktuar në bankë.
Ky realitet kaq i hidhur haset kudo, në çdo institucion shtetëror dhe në çdo ministri. Qytetari i thjeshtë as nuk pritet dhe as nuk dëgjohet për hallet që mund të ketë. Është, pothuajse, e pamundur të arrish të takosh një punonjës nëpër ministri për të zgjidhur një çështje. Të gjithë qëndrojnë nëpër kafe, hynë e dalin sa herë që duan dhe nuk i japin askujt llogari për aktivitetin e tyre. Niveli i injorancë nëpër këto mjedise është shumë i madh, komunikimi me publikun është për tokë, qytetarët nuk respektohen dhe nuk ndihmohen. Të mos të raft ndonjë hall, sepse vetëm do të torturohesh, duke pritur nëpër dyer të mbyllura dhe gjë nuk do të zgjidhësh.
Flitet se kanë ardhur shumë të rinj që kanë mbaruar studimet jashtë vendit. Unë, deri tani nuk kam parë asnjë, nuk kam dëgjuar asnjë konkurs publik për ndonjë vend të ri pune. Sytë më kanë parë, militantë të rëndomtë, që ju kanë shërbyer partive dhe tani partitë po ju kthejnë “kusurin” për kontributin e mëparshëm. Ku janë të rinjtë, ku janë specialistët, ku është meritokracia?!
Një ditë shkova të takoja një profesor, i cili është eksponent i lartë i një partie, thjeshtë si intelektual dhe jo si politikan. E pyeta, se si ka mundësi, që sot për të hyrë edhe roje, duhet të jesh anëtar i një partie. Ku po shkon shoqëria jonë, a i keni bërë pyetje vetes, se po shkojmë drejt një fund të hidhur?!
Për habinë time, profesori më tha: “Ata që nuk bëjnë për partinë edhe, Partia nuk bën për ata”. Unë i thashë, që më të vërtetë, po më vjen keq që edhe ju që jeni intelektual mendoni kështu. Po mirë, të talentuarit dhe specialistët që nuk duan të merren me parti, por që duan të kontribuojnë për shtetin shqiptar, sipas kësaj teorie duhet të mbeten rrugëve?!
Është fatkeqësi, që deri këtu ka arritur puna, sa edhe për të marrë frymë në vendin tonë, duhet patjetër të jesh anëtar i ndonjë partie politike. Deri këtu ka ardhur puna. Flitet, se ka ardhur koha që intelektualët dhe studentët që mbarojnë në Perëndim të kthehen në shtëpi, pas liberalizimit të vizave. Të kthehen, po ku do të shkojnë, me ç’punë do të merren, kur vendet e punës i kanë “fortifikuar” militantët dhe të paaftët ?! Edhe sot ka në Shqipëri plot djem e vajza të reja që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera studimet në perëndim, por pse janë pa mbështetje, sillen rrugëve sikur të ishin të njerkës.
Flitet se ka shoqata e ka programe qeveritare për kthimin e trurit në Shqipëri. Askush s’e di se ku janë e çfarë po bëjnë këto të ashtuquajtura mekanizma e programe. Ku po shkon Shqipëria jonë, që për të hyrë edhe roje duhet të jesh anëtar partie?! Ku po shkon Shqipëria jonë, që për të hyrë në punë, nuk duhen diploma apo rezultatet e merituara, por paraja, miku dhe partia?!
Ku po shkon shoqëria, ku institucionet nuk kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe hallet e tij, aq më pak trurin e këtij vendi ?! A nuk duket sikur në këtë vend po investohet për të prodhuar injorantë dhe për të përjashtuar dhe izoluar intelektualin dhe talentin e vërtetë. Shqipëria, është i vetmi vend në Evropë, ku pafundësisht prodhohen mediokër që ulen qetë –qetë në karriget e pushtetit, ku zotët e të talentuarit lihen rrugëve, në mos që shihen edhe me urrejtje. Si është e mundur, që edhe pas 100 vitesh shtet, të ndodhin gjera që nuk ndodhin në asnjë vend të botës?!