Tuesday, November 30, 2010

Wikileaks, ja çfarë ka pas dokumenteve sekrete të publikuara


Dr. Alban Daci

30 nentor 2010

Gazeta SHEKULLI


Dokumentet që i ka në dispozicion web-siti Wikileaks dhe që do të botohen nga pesë gazetat më të rëndësishme botërore, si: New York Times, The Guardian, Le Monde dhe El Pais përfshijnë 251.287 telegrame diplomatike të dërguara nga ambasadat dhe konsullatat amerikane në adresë të Departamentit të Shtetit si dhe 8 mijë këshilla që Departamenti i Shtetit u ka dërguar selive diplomatike që janë nëpër botë.

Në këtë larmi dokumentesh, që janë në duart e Julian Assange (Drejtor i ëeb-sitit Wikileaks), njëri prej tyre i përket vitit të largët 1966 dhe pjesa tjetër më e madhe e tyre datojnë nga viti 2004 dhe deri pak muaj më parë.

Çdo dokument përmban emrin e autorit, adresën e tij, nivelin e klasifikimit të tij dhe të tekstit të përgatitur prej tij. Në shumë dokumente citohen edhe emrat e informuesve që kanë ndihmuar me informacione selitë diplomatike për të shkruar raporte dhe opinione mbi liderët botërorë dhe mbi ngjarjet e ndryshme dhe politikat e jashtme te vendeve të tjera.

Pjesa më e madhe e dokumenteve është hartuar nga vetë ambasadorët, konsujt ose nga anëtarët e stafeve të tyre. Shumë prej këtyre dokumenteve përmbajnë vlerësime mbi situatat politike të vendeve të ndryshme dhe informacione mbi vendimet personale të liderëve të veçantë. Në ndonjë rast japin edhe profile politike dhe njerëzore të liderëve. Si në rastin e dokumenteve mbi Irakun dhe Afganistanin të shpërndarë në verën e kaluar nga Wikileaks, pakënaqësitë diplomatike të brendshme janë dërguar përmes protokollit amerikan SIPRINet (është database i përdorur nga Departamenti), të konsideruar në mënyrë ekstreme si të sigurta.

Pothuajse, gjysma e njoftimeve të ambasadorëve nuk është sekrete, ato janë thjeshtë të klasifikuara si “kofidenciale”. Vetëm 6% e dokumenteve (për një numër të barabartë me 15.652) janë të klasifikuara si “sekrete”, nga ku, 4.330 janë aq shumë të konsideruar si çështje delikate saqë kanë edhe nofkën e “NOFORN”, që do të thotë se ato materiale nuk mund të jenë të lexueshme nga jo amerikanët.

Ato që kanë të drejtë hyrje tek database SIPRINet, rreth dy milion e gjysmë personash, përfshi edhe stafin e departamentit dhe të agjencive qeveritare. Megjithatë, eksperienca e kaluar ka treguar se pjesa më e madhe e tyre punon në stafin e Departamentit të Shtetit. Të dhënat janë të konsultuara vetëm nga disa specialistë kompjuterësh, të cilët punojnë pikërisht në qendrat ku janë vendosur forcat amerikane.

Procedurat e regjistrimit dhe të hyrjes në këtë database ndryshohen çdo pesë muaj. Megjithatë, edhe në këto momente, edhe në dokumentet që i përkasin nivelin më të lartë të sekretit janë të kontrollueshëm nga 850 mijë amerikanë. Rrjedhja e informacionit ishte diçka, që herët a vonë do të kishte ndodhur.


Gossip-i i diplomatëve


Diplomatët në njoftimet e tyre shkruajnë ngjarjet që ndodhin në botë me komente kritike mbi politikanët e huaj: kjo ndodhte për shkak bindjes së plotë që kishin se do të mbeteshin sekret, të paktën për 25 vjet. Kjo shpjegon edhe arsyen, përse diplomatët amerikanë e kanë lënë veten që të bëjnë edhe vëzhgime, që janë shumë më afër me natyrën gossip të informacionit se sa vazhdime të natyrës gjeopolitike në raportet e tyre të dërguara tek Departamenti i Shtetit.

Megjithatë, në këtë bum informacioni, ku pjesa më e madhe e tyre është gossip, është shumë e vështirë të bëhet dallimi se kur diplomatët kanë thënë të vërtetën në komentet e tyre mbi politikanët dhe liderët e huaj dhe kur kanë bërë vetëm thashetheme për qëllime të qarta politike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka asnjë siguri se të gjithë dokumentet që janë publikuar janë origjinalë ose të falsifikuar. Nuk përjashtohet edhe mundësia se disa prej tyre janë falsifikuar. Ne jemi mësuar që shumë herë t’i dëgjojmë diplomatët me formula kodifikimi.

Për shembull, një ndër rast më emblematik që njihet në historinë bashkëkohore është ai i 26 korrikut të vitit 1956 kur Naseri dha përgjigje Dallas-it përpara një turme të madhe në Aleksandri. Duke iu kundërvënë hapur Francës, ai, i tha turmës: “Ne kurrë s’mund të themi se beteja e Algjerit nuk është e jona”. Në mes të fjalimit Naseri shqipton emrin e Ferdinand dë Leseps (de Lessepes), franceze që kishte ndërtuar kanalin e Suezit. Kjo ishte fjala e koduar për forcat ushtarake egjiptiane, për të marrë kontrollin e Kanalit.

Pra, ky është një rast tipik, ku politikanët komunikojnë me kodifikime në publik dhe që pjesa më e madhe e njerëzve, përveç atyre që janë me dije, nuk kuptojnë asgjë. Shumë herë na ndodh, që pasi kemi ndjekur ndonjë konferencë për shtyp të nivelit shtetëror ose diplomatik, të bisedojmë mes nesh, duke u shprehur se nuk kuptuam asgjë nga ato që u tha. Madje shkojmë edhe më tej duke deklaruar, se disa politikanë nuk dinë as të flasin dhe për këtë as që nuk kuptohen. Në fakt ata, në ato momente, kur ne nuk i kuptojmë nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse po komunikojnë me kode për të transmetuar informacione të rezervuara.

Tashmë, pas publikimit të fundit të bërë nga web-siti Wikileaks, mund të themi se gjuha që është përdorur nga diplomatët amerikanë në ato dokumente, raporte, opinione nuk janë më të kodifikuara, por që flasin hapur dhe qartë për politikan, lider dhe shtete të tjera të botës.

Sipas Ministrit të Jashtëm italian, Frattini, ashtu si ngjarjet e “11 shtatorit ndryshuan strukturat botërore mbi planin e sigurisë, kështu edhe lajmet e publikuar nga web-site do ta ndryshojnë strukturën botërore mbi planin e raporteve diplomatike. Shumë informacion të publikuar duhet të mbeteshin brenda sferës së rezervimit dhe nuk duhet të publikoheshin kurrë. Publikimi i tyre do të bëj që asnjëri të mos i besojë tjetrit”.

Për Frattinin, viktima e vetme e Wikileaks janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ky publikim synon të deskrititojë Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ne duhet të bëjmë të pamundurën për t’u qëndruar pranë miqve tanë amerikanë që një gjë e tillë të mos ndodh.


Edhe Shqipëria nuk i shpëton Wikileaks-it


As Shqipëria nuk i ka shpëtuar web-sitit Wikileaks. Dosja e “Wikileaks-it” për Shqipërinë mendohet se përmban mbi 452 telegrame të diplomatëve amerikanë në Tiranë me Departamentin e Shtetit. Sipas Përgjegjëses për Marrëdhëniet me Publikun në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë: “Këto telegrame përmbajnë komunikime dhe raportime të punës së zakonshme, të cilat nuk mendohej dhe nuk duhej të bëheshin kurrsesi publike”.

Edhe pse në këtë dosje mendohet se ka shumë informacione dhe opinione për politikanët shqiptarët, për marrëdhëniet e Shqipërisë me Rajonin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato akoma nuk janë bërë publike. Parashikohet se dosja mbi Shqipëri do të publikohet në një fazë të dytë publikimesh të bëra nga web-siti Wikileaks.

Ajo që duhet të nënvizohet është fakti, se edhe pse një pjesë e konsiderueshme e shteteve perëndimore, që janë përfshi nga vala e publikimeve e “Wikileaks-it”, përfshi edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar publikisht në lidhje me publikimin e mjaftë informacioneve të konsideruara si të klasifikuara, shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë koment apo prononcim. Sot, ishim tek Ministria e Punëve të Jashtme për të marrë opinion zyrtarë në lidhje me këtë ngjarje të nivelit botëror dhe me faktin se do të publikohen edhe mjaft dokumente nga dosja mbi “Shqipëri” që Wikileaks do të publikojë në një fazë të dytë. Të vetmin opinion që morën ishte ai nga Ministri i Jashtëm, i cili u shpreh për gazetën “SHEKULLI”, se: “Nuk kam asnjë prononcim për publikimet e web-sitit Wikileaks.”

Sunday, November 28, 2010

Marshimi mbi Romë shënoi ardhjen e Fashizmit në Pushtet

Dr. Alban Daci

Liberali Giovanni Amendola, antifashist dhe viktimë e dhunës së skuadristëve, ishte le të themi, ai që në vitin 1923 arriti të bënte një lidhje mes totalitarizmit dhe fesë politike: “Një parti mund të aspirojë të dominojë jetën publike, por nuk duhet të kalojë kufijtë e vetëdijes private, në të cilën secili është i lirë të zgjedh strehimin e tij. Fashizmi nuk ka admiruar me qeverisur Italinë, sesa për të monopolizuar kontrollin e vetëdijeve italiane. Nuk i mjafton posedimi i pushtetit: dëshiron me çdo kusht posedimin e vetëdijeve private të të gjithë qytetarëve, dëshiron “bisedimet” e italianëve...fashizmi ka pretendimet e një feje...ka pretendimet e ambicieve supreme dhe jo humane për të bërë një kryqëzat fetare. Nuk ju premton lumturinë atyre që nuk konvertohen, nuk u jep shpëtimin atyre që nuk pranojnë të pagëzohen”.

Në vitin 1924 një gazetar francez e krahasonte mistifikimin dhe shpirtin revolucionar të fashizmit me jakobinët, duke bërë një ballafaqim me simbolet, ritet e dy revolucioneve, nga rezultonin elementët e përbashkëta të një “feje të re civile”. Revolucioni francez kishte si altar të tij atdheun, flamurin tre ngjyrësh, kushtetutën, kolonën e të drejtave të njeriut, pemët e lirisë, fashat e një bashkimit, ritet funerale dhe festat përkujtimore në format e paradave etj. Fashizmi kishte altar atdheun, ligjet e shtetit (të cilët ishin vendime të Këshillit të Madh), batalionet të shekullorëve fashistë, grupet femëror, persekutimet civile, kafkën e vdekjes të qepur mbi këmishën e zezë, dhe “Policinë e Shenjtë” në vend të “Malit të Shenjtë”.

Sot në Evropë, po përhapen regjime të reja, të cilat janë shumë të ngjashme me regjimet totalitare të shekullit të kaluar. Këto regjime të reja të veshura me pektën e demokracisë, kanë si altarë korrupsionin, abuzimin me pushtetin, dhunimin e të drejtave të njeriut, mohojnë hapur ekzistencën e qytetarëve dhe kanë krijuar bindjen se ato janë faraonët e kohëve moderne, ku çdo gjë u përket vetëm atyre si një pronë private. .

Zgjedhjet e viti 1921 shënuan zyrtarisht, për herë të parë, hyrjen në parlament edhe të disa deputetëve fashist, numri i tyre ishte 35. Megjithatë, këto zgjedhje nuk kishin qenë triumfuese pikërisht për partitë konservatore që i kishin kërkuar me ngulm. Partia Socialiste kishte humbur një pjesë të elektoratit, duke kaluar nga 32% në 25%. Duhet të kemi parasysh faktin, se Partia Komuniste (që kishte lindur nga Partia Socialiste) kishte arritur të merrte në zgjedhje 5% të votave. Qeveria e re ishte drejtuar nga Ivan Bonomi, që ishte një ish socialist. Kjo qeveri tentojnë të bënte një paqe mes socialistëve dhe fashistëve, por nuk arriti të merrte rezultate të kënaqshme në këtë drejtim. Gjithashtu, në pamje të parë, për fasadë, Musolini kishte filluar gjoja të bënte operacionin e pastrimit të fashizmit nga grupet më të dhunshme. Kjo ishte me të vërtetë një fasadë për t’i mbushur mendjen opinionin publik, sepse në vërtetë fashizmi bazohej mbi aktivitetet e dhunshme të kryera nga kriminelët që shëtisnin të veshur me këmisha të zeza. Pa kaluar shumë kohë lëvizja fashiste u transformua në parti: Partia Nacional Fashiste.

Nga qeveria Bonomi tek qeveria Fakta

Qeveria Bonomi e pati jetën e shkurtër dhe ajo u pasua nga qeveria e Faktës. Kjo qeveri nuk është se solli risi dhe se ndryshonte shumë me atë që pasoj. Edhe kjo nuk ndryshoj dot mënyrën e të vepruar dhe mbi të gjitha ishe një qeveri politikisht e dobët. Gjithashtu, Partia Socialiste po shfaqej gjithë e më tepër jo kompakte. Kjo solli në tetor të vitit 1922 një ndarje tjetër të brendshme brenda Partisë Socialiste. Nga kjo ndarje e brendshme, lind edhe një parti e re që kishte tipare reformuese: Partia Socialiste e Bashkuar.

Marshimi mbi Romë

E gjithë kjo lojë politike ishte në favor të Musolinit, i cili prej kohësh po e priste këtë moment. Me marshimin mbi Romë dhe me dorëheqjen e Faktës, Musolini merr pushtetin e qeverisjes. Marshimi mbi Romë ishte i përgatitur politikisht nga ana e Musolinit:, ai kishte rënë dakord me liberalët, kishte siguruar mbështetjen e monarkëve (duke mohuar të kaluarën e tij prej republikani), kishte ndërtuar marrëdhënie të mira edhe me industrialistët. Pra, për këto arsye marshimi mbi Romë qe një aksion simbolik. Mbreti Viktor Emanueli III, i lau duart, sepse refuzoi të firmoste dekretin për të shpallur shtet rrethimin (autorizimin e ndërhyrjes së forcave të armatosura). Ky akt, madje, kjo mungesë me akte, i hapën portën qeverisë së Musolinit. Kjo situatë e re politike nuk ishte e pëlqyeshme nga të gjitha forcat politike në vend, por ata nuk kishin forcë që të bënim një reagim të mirëfilltë politik. Gjithashtu, vendi po ndiqte këto ngjarje me diferencë, duke pranuar ndryshimet që po ndodhnin dhe më vonë do të shendoheshin në diktaturë.

Politika ekonomike dhe marrëveshjet me Kishën Katolike

Operacionet politike të bëra nga fashizmi në pushtet ishin të mirëpritura nga pushtetet e forta në vend. U lehtësuan taksat mbi ndërmarrjet, shërbimi telefonik u privatizua, u limitua shpenzimi publik me një prerje të fortë të punonjësve të shtetit. U bënë mbi 20 mijë pushime, mbi të gjitha në kategorinë e hekurudhës. Gjithashtu, fashizmi arriti të mbante favoret e Kishës. Papa Pio i XI-të (që ishte dominuar në vitin 1922) ishte konservator dhe ishte i kënaqur me faktin se, me fashizmin, rreziku i kuq ishte larguar. Nga ana e tij Musolini braktisi tonët kundër klerit, të cilat në të kaluarën e kishin karakterizuar dhe i premton Vatikanit lëshime të mëdha.

Afirmimi i diktaturës

Ardhja e fashistëve në pushtet shënoi fundin e demokracisë. Fashizmi nuk respektoi partitë e opozitës, por dëshironte me çdo kusht t’i hiqte nga skena politike në vend, duke ndërtuar në këtë mënyrë Diktaturën. Parlamenti, në thelb nuk kishte më në dorë pushtet domethënës. Krijohet një organ i ri pushteti: Këshilli i Madh i Fashizmit, që kishte për qëllim të këshillonte qeverinë mbi ligjet dhe vendimet e reja që do të ndërmerrte. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave humbiste kapacitet reale të vendimmarrjes. Skuadra e aksionit transformohet në Milici Vullnetare për Sigurinë Nacionale, një lloj trupi i ri i policisë, të armatosura, të organizuar, në shërbim të qeverisë fashiste, që kishte si qëllim themelor të sulmonte këdo që i kundërvihej fashizmit. Nga kjo Milici lind Batalioni Kamishat e Zeza, një lloj armate fashiste besnike e Musolinit.

Reforma e shkollës

Ministër i Arsimit Publik u emëruar filozofi Giovanni Gentile (intelektual dhe natyrisht ishte edhe besnik i fashizmit), i cili nisi të bënte një reformë të thellë shkollore. Me këtë reformë futej mësimi fetar në shkollën fillore dhe gjithashtu u fut një provim shteti në fund të çdo cikli studimesh (kjo masë vendoste mbi të njëjtin plan shkollat publike dhe ato private dhe kjo e bënte të ishte shumë i mirëpritur nga Kisha). Reforma e Gentile shënonte diferencat e shtresave shoqërore.

Vrasja e Matteotti

Në vitin 1924 u bënë zgjedhjet e reja. Partitë e ndryshme të opozitës u paraqiten të përçara dhe të ndara: nga njëra anë socialistët ishin të ndarë në dy parti, nga ana tjetër komunistët, popullorët. Kjo mos kompatesë e opozitës vendosi triumfin e fashistëve, që kishin bërë aleancë me liberalët. Koalicioni i tyre mori 65% të votave nga këto zgjedhje. Deputeti socialist Giacomo Matteotti denoncoj në Parlament dhunën e fashistëve kundër opozitës, duke vënë dyshim rezultatin elektoral. Pasojat e kësaj ndërhyrje ishte emblematike: Matteotti ngarkohet mbi një makinë dhe vdes duke e goditur me grushta. Trupi i tij u gjet dy muaj më vonë. Më këtë akt edhe pse jo të drejtpërdrejt më në fund fashizmi e tregoj fytyrën e vërtetë.

Reagimi i opozitës

Vrasja e Matteotti shënoi në mënyrë të thellë krizën e Parisë Fashiste. Gazetat antifashiste i shumëfishuan hakmarrjet. Megjithatë, nga ana e opozitës, edhe në këtë rast, nuk pati një reagim domethënës. I vetmi reagim i opozitës qe mosmarrja pjesë në punimet e parlamentit. Ky ishte një aksion simbolik proteste kundër qeverisë fashiste, me shpresën se mbreti do të ndërhynte. Edhe këtë herë mbreti nuk ndërhyri, partitë aleate me Partinë Fashiste nuk e lënë mbështetjen e tyre dhe nuk dalin nga koalicioni. Me 3 maj 1925 Musolini mban një diskutim shumë të qartë në parlament duk deklaruar: “Unë, mbaj, unë vetëm, përgjegjësinë politike, morale dhe historike të gjithçkaje që ka ndodhur deri tani. Nëse fashizmi është një shoqatë kriminelësh, unë shefi i kësaj shoqate.” Pas vrasjes së Matteotti, fashizmi merr një pushtet gjithmonë më diktatorial. Mes 1925 dhe 1927 miratohen të ashtuquajturit ligjet fashiste. Përmes këtyre ligjeve opozita demokratike u eliminua.

Friday, November 26, 2010

Ambasada e Zvicrës: Këshilli Federal dhe Parlamenti janë kundër inisiativës së PSV


ALBAN DACI | 26/11/2010 |

Gazeta SHEKULLI
Fantazmat e nacionalizmit po kthehen ngadalë dhe po frikësojnë Evropën. Një dallgë e madhe dhe e zezë me të djathtë ultra racist po mbulon shtetet më të avancuara nga Austria, Hungaria, Holanda, Belgjika, Franca, Gjermania, Danimarka, Zvicra, Britania e Madhe dhe Italia. Të dhënat paraqesin këtë prani të fortëekstremiste në hapësirën evropiane, që të bëjnë të dridhen pulset e dorës.

Në zgjedhjet presidenciale në Austri, kandidatja e partisë FPOE, Barbara Rosenkranz, e deklaruar hapur si filo-naziste ka arritur të siguroj 15.6% të votave.

Lideri i partisë së saj kishte deklaruar pak para zgjedhjeve që do të arrinin të merrnin 35% të votave. Për të frenuar këtë objektiv të paarritur kanë qenë disa deklarata të Rosenkranz në favor të fshirjes së ligjit për ndalimin e apologjisë së nazizmit në Austri.

Në Hungari formacioni ksenofobik JOBBIK konsolidohet si forca e tretë politike në vend me 48 deputetë në parlament. Slogani i preferuar i kësaj partie ekstremiste është: "Hungaria është shitur, armiqtë që duhet të luftojmë janë hebrenjtë, multi-nacionalet, romët dhe komunistët".

Në Holandë, në zgjedhjet e administrative të marsit të kaluar, e djathta ekstremiste dhe ksenofobike e Partisë së Lirisë (PVV) e drejtuar nga anti-islamisti Geert Ëilders, ka arritur të marr një fitore domethënëse. Në një intervistë të publikuar kohë më parë, Ëilders ka pohuar se "ëndrra" që dëshiron të realizojë është "shpërngulja masive e myslimanëve". Në Belgjikë, partia e madhe e të djathtës ekstremiste është Vlaams Belang, që në zgjedhjet e fundit evropiane (për Parlamentin Evropian) ka arritur 9.85% të votave.

Kjo parti në vitit 2007 u detyrua të ndryshonte emrin si pasojë e një dënimi që ka marrë për dhunimin e ligjit mbi racizmin dhe ksenofobinë, që nënvizonte se si partia kishte ndihmuar dhe mbështetur organizatat që mbështesnin dhe promovonin urrejtjen racore dhe ksenofobinë. Në Francë, Balli Kombëtar i të djathtës ekstreme të Jean Maria Le Pen ka arritur të marr në zgjedhjet lokale të marsit të kaluar 8.7 % të votave në nivel kombëtar.

Në Britaninë e Madhe, kryetari i Partisë Nacionaliste (BNP), Nick Griffin, në vitin 2004, është arrestuar për urrejtje racore. Ai e cilësonte fenë islame si perverse. Në Danimarkë, Partia Popullore Daneze nacionaliste, ksenofobe, ka marrë 14.4% në zgjedhjet evropiane.

Në Gjermani, NPD-ja, e konsideruar nga popullsia si një parti neo-naziste dhe ksenofobe, në zgjedhjet e fundit ka marr 1.8% të konsensusit. Nga njerëzit e zakonshëm simpatizantët e kësaj partie thirren nazistët e Gjermanisë.

Rasti i Zvicrës

Fotot e fushatës së Partisë Popullore e Zvicrës, që ka vendosur të marrë një iniciativë për të "përjashtuar të huajt që jetojnë dhe kryejnë krime në Zvicër" synojnë të bindin zviceranët që të triumfojë kërkesa e kësaj partie për të bllokuar hyrjen e shtetasve të huaj me besim mysliman, si dhe për të përjashtuar ata që janë rezident në Zvicër dhe kryejnë krime.

Sipas një sondazhi të bërë së fundmi në Zvicër rreth 54% do të votojnë në favor të iniciativës së Partisë Popullore për të përjashtuar dhe dëbuar të huajnë që jetojnë në Zvicër dhe kryejnë vepra penale. Në lidhje me këtë fushatë të cilësuar si fyerje dhe islamofobe nga publiku shqiptar, Shekulli kërkoi dje një prononcim nga Ambasada e Zvicrës në Tiranë.

Më poshtë është reagimi zyrtar i ofruar nga Ambasada për gazetën, kushmangen komentet mbi fotot, por thuhet se "Këshilli Federal dhe Parlamenti rinjohin nevojën për të reaguar në fushën e kriminalitetit të të huajve por e refuzojnë iniciativën, sepse e konsiderojnë të tepruar dhe aplikimi i saj mund të shkaktojë probleme juridike". "..

Me datë 28 nëntor 2010 populli i zviceran do të votoj për një iniciativë popullore federale "për të përjashtuar të huajt që bëjnë krime (iniciativë përjashtimi) dhe mbi kundër projektin direkt. Këshilli Federal dhe Parlamenti rinjohin nevojën për të reaguar në fushën e kriminalitetit të të huajve (domethënë të krimeve të kryera nga të huajt që ndodhen në Zvicër).

Ato e refuzojnë iniciativën, sepse e konsiderojnë të tepruar dhe aplikimi i saj mund të shkaktojë probleme juridike. Këshilli Federal dhe Parlamenti rekomandojnë në fakt të pranojnë kundër projektin, që ofron një zgjidhje efikase tëproblemeve ekzistuese në fushën e kriminalitetit të të huajve dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Përse do të ketë votim? Çfarë është një iniciativë popullore? Zvicra është një vend me një traditë të gjatë emokratike.

Falë demokracisë direkte, elektorati zviceran ka mundësinë të marr pjesë drejtpërdrejt në legjislacionin kombëtar. Kjo vlen edhe për çështjet që parashikon të drejtat e të huajve.

Me një iniciativë popullore 100 000 persona që gëzojnë të drejtën e votës mund të mkërkojnë me firmën e tyre që elektorati zviceran të shkoi dhe të votoi për një modifikim të Kushtetutës Federale të Zvicrës.

Një kërkesë e tillë është e vlefshme nëse nuk dhunon të Drejtën Ndërkombëtare Detyruese. Iniciativa e përjashtimit është konsideruar e vlefshme nga Parlamenti dhe Këshilli Federal, përderisa ajo nuk dhunon të drejtën ndërkombëtare detyruese. Kush janë problemet dhe nevojat e ndërhyrjes? Zvicra është një vend multi-kulturor dhe kozmopolit.

Me një kuotë më të madhe se 21%, Zvicra është një ndër vendet me numrin më të madh të huajve, në krahasim popullsinë e përgjithshme të Evropës. Pjesa më e madhe e të huajve dhe të huajve rezidentë në Zvicër është e mirë integruar dhe respekton rendin juridik në fuqi.

Megjithatë, është një pjesë e të huajve që abuzojnë me privilegjin e rezidencës në Zvicër dhe nuk respektojnë rendin juridik në fuqi. Kuota totale e kriminelëve të huaj mbi totalin e kriminelëve të dënuar është shumë e madhe. Pra, ekziston mundësia për të pasur një rregullim më koherent për heqjen e të drejtës së qëndrimit. Iniciativa dhe kundërprojekti reagojnë në nevojën për të bërë diçka në këtë drejtim.

Këshilli Federal njeh nevojën për të reaguar në fushën e kriminalitetit të të huajve. Kush është objekti i votimit? Me datë 28 nëntor 2010 populli i Zvicrës do të votoi për iniciativën popullore të "përjashtimit të të huajve që kryejnë krime (iniciativë përjashtimi) dhe mbi kundërprojektin. Do të votoi në mënyrë të ndarë për iniciativën dhe kundërprojektin.

Është e mundur të aprovoi ose të refuzoi të dy. Në një pyetje përfundimtare duhet të tregohet se kujt alternative duhet t'i jepet preferenca, nëse të dy zgjidhjet aprovohen. Këshilli Federal mbështet kundërprojektin e Parlamentit, sepse ofron një zgjidhje me efikase tek problemet reale në fushën e kriminalitetit të të huajve, rrit qartësinë e të Drejtës dhe shmang problemet juridike të iniciativës.

Gjithashtu, dëshiron të ankorojë, për herë të parë në nivel kushtetues, dispozita që do të kenë për objektiv përmirësimin e integrimit të të huajve. Në fund, kundërprojekti i mbështetur nga Këshilli Federal është në mënyrë absolute i përputhur me të Drejtën Ndërkombëtare Detyruese

Tuesday, November 23, 2010

Anelda, vdiq nga mohimi i një vize


Perktheu Alban Daci


Botuar më 14 prill 2007

Corriere della Sera


Veshka dhe lekët për trapiantin ishin gjetur. Ishte siguruar edhe vendi i shtrimit tek spitali Umberto i I-rë në Romë. Gjithashtu ishte dhe aprovimi i Regjones së Bazilikatës për të ofruar asistencën pas kryerjes së trapiantit. Gjithashtu ishte edhe shoqata “Un cuore per l’Albania” (në shqip një zemër për Shqipërinë), e cila do të kishte garantuar pas operacionit nevojat e jetës së përditshme. Ishte gjithçka, ose thuajse gjithçka gati për t’i shpëtuar jetën Anelda Selimaj, 23 vjeç, shqiptare nga Vlora.

Megjithatë, mungonte gjëja më e thjeshtë që Anelda të Shpëtonte. Mungonte një vulë. Një nga ato vulat e rrumbullakëta që duke u shtypur mbi një letër të bardhë u jep përgjigje atyre pyetjeve themelore të ekzistencës, kush je dhe çfarë bën, nga vjen dhe ku do të shkosh, dhe në disa raste është pikërisht ajo vulë që vlen sa jeta. Në rast se ajo mungon mund të shkaktoj vdekje. Nënës së Aneldës, Sofia Myftari ajo vulë iu mohua. Pas dy vjetësh pritje , në mëngjesin e 2 prillit, në Potenca, spitali San Karlo, reparti i hemodializës në pritje për të bërë trapianto, Anelda vdiq.

Mamaja e Aneldës, 50 vjeç dhe nëna e katër fëmije ishte e gatshme t’ia dhuronte vajzës veshkën vetëm që ajo të jetonte. Por, konsulli italian në Vlorë, Lorenzo Tomassoni, nuk ia lëshoi atë vizë të “mallkuar” për të hyrë në Itali. “Nuk mund ta lëshoja atë vizë, do të kisha shkelur ligjin italian- thotë nga Vlora Konsulli Tomassoni-. Ka qindra raste të ngjashme me atë të Aneldës dhe nuk mund të jem unë, sigurisht ai, që vendos që Italia të hap një tjetër Asl, atë të Vlorës. Vetëm Parlamenti mund ta modifikoj.”

Paradoksi është nëse nëna e Aneldës do të kishte kërkuar një vizë për turizëm, pa thënë se do të kishte ardhur në Itali për t’i dhuruar të bijës një veshkë, trapianti do të ishte realizuar dhe gjërat e tjera do të ishin diskutuar më pas. Përkundrazi, ajo ka thënë të vërtetën dhe për këtë arsye gjerat janë komplikuar dhe Anelda vdiq.

Fat i pamëshirshëm? Jo. Historia e Aneldës e treguar nga Karlo Gaudiano, mjeku hematolog që ka asistuar vajzën në Shqipëri dhe në Itali, është një histori e një burokracie cinike, të mpirë dhe jo efikase, dhe e ligjeve italiane skizofrenike që kanë të bëjnë me hyrjen e qytetarëve të huaj, në veçanti me hyrjen e ekstra-komunitarëve.

Edhe është hipokrite të mohosh problemin dhe mbi të gjitha në rastin specifik, do të ishte një krim sikur të mos bëhej asgjë që historia të mos ripërsëritej. Për shembull, me Zanin, 18 vjeç, vëllanë e Anildës. Zani ka të njëjtën sëmundje dhe, thotë Gaudiano, pa kaluar shumë kohë, pasi t’i bëhet dializa, do të ketë edhe ai nevojë për të bërë trapiantin.

Për ta dhuruar veshkën e domosdoshme është përsëri e gatshme nëna Sofia. Por nëse edhe këtë radhë nuk do të marr vizën për të bërë ndërhyrjen kirurgjikale në Itali? Megjithatë kthehemi tek Anelda. Ishin pikërisht ushtarakët e kontingjentit italian në Shqipëri, që dy vjet më parë, ia sinjalizuan këtë rast doktorit Karlo Gaudiano, i cili periodikisht punon si vullnetar në spitalin e Vlorës.

Anelda merret tashmë nga një gjendje kome uremike dhe transportohet drejt Italisë në bordin e një trageti. “Edhe atëherë konsulli nuk dëshironte ta lëshonte vizën nga frika se Anelda do të vdiste gjatë udhëtimit- tregon Gaudiano-. Për fat, ndërhynë mjeku i marinës ushtarake italiane në Vlorë, Domenico Romano, duke marrë mbi supe të gjitha përgjegjësitë”.

Sapo arrin në Potencë, me bërjen e dializës, Anelda fillon të përmisohet. Për të paguar shumën e gjashtë mijë eurove për 40 seancat e dializës qe një shoqatë shqiptare “Un cuore per l’Albania”, që vihet menjëherë në lëvizje për të organizuar trapiantin nënë-fëmijë.

Ekzaminimi i kompatibilitetit, bashkëpunimi i mjekëve dhe nga drejtimi i përgjithshëm i poliklinikës Umberto I-rë i Romës, presionet mbi Regjonin e Bazilikatës (ku nuk realizohen trapiante) për t’i garantuar Aneldës mbulimin financiar të shpenzimeve pas trapiantim. “Kishim gjithçka- thotë Gaudiano-. Ndërsa, në shtatorin e kaluar, dushi i ftohtë i konsullit: dokumentet, na thotë, nuk janë në rregull, për shembull poliklinika e Romës nuk e specifikon nga cili kapitull i shpenzimeve do t’i marr paratë që duhen...”.

Nga ky moment fillon kryqëzimi i fundit. Në fund të vitit, mes goditjeve dhe shampanjës, Gaudiano shkon me kokë të ulur tek nëna Sofia. Ajo kupton, edhe pse nuk e kupton motivin, që vizën për kurime mjekësore në Itali nuk do e marr më dhe Anelda është e dënuar me vdekje. Thotë vetëm: “Të paktën të më lejojnë të rishikoj vajzën”. Të njëjtën gjë që thotë Anelda nga shtrati i spitalit: “Nëse do të vdes, më çoni në shtëpi, në Shqipëri”. Asgjë nuk mund të bëhej. Ligji është ligj. Sofia nuk shkoi në Itali dhe Anelda do të kthehet në Shqipëri vetëm e vdekur. E veshur me vello në arkivol. Atë që shpresonte të vishte pasi të ishte shëruar.


Kur 'zhdukej' diçka nga ambasadat para viteve '90


Intervistë me Nikolla Nosi


Intervistoi Alban DACI

23 nëntor 2010

Gazeta SHEKULLI


Nikolla Nosi, nga viti 1981-1987 ka punuar në Ambasadën Shqiptare në Romë. Nga viti 2000-2002 ka qenë Drejtor I Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga fundi I vitit 2003 deri në vitin 2006 ka qenë Drejtor në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes dhe Integrimit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vitin 1987 dikush hyri në ambasadën shqiptare në Algjeri dhe vodhi vulën e ambasadës. Brenda 24 orëve i gjithë stafi i ambasadës, përfshi dhe vetë ambasadorin u riatdhesuan. Ish-ambasadori në fjalë nuk mundi më kurrë të bëhej ambasador.


Kur dëgjon histori të tilla dhe përballesh me skandale të tipit si ai që "Shekulli" ka denoncuar dy ditët e fundit, për humbje të aparaturave kriptuese dhe pamundësi të konfirmuar nga MPJ për të siguruar informacionet sekrete të NATO-s të vjen për të qeshur dhe për të qarë.


Dy ditë pas publikimit në shtyp të letërkëmbimit mes Ministrisë së Jashtme dhe Kuvendit, ku flitet për zhdukjen enigmatike të një pajisje shumë të rëndësishme kriptimi mesazhesh nga misioni ynë diplomatik në Nju Jork, nuk ka asnjë reagim serioz nga shteti. As ambasadori në fjalë, Ferid Hoxha, me dy shtetësi dhe me bashkëshorte franceze dhe as MPJ nuk kanë dhënë ende një prononcim zyrtar, kur minimumi z. Hoxha duhet të japë dorëheqjen.


Në Komisionin e Sigurisë ka pasur madje aludime se z. Hoxha e ka shitur laptopin, por iu takon akuzuesve të provojnë këto akuza të rënda.



- Nga eksperienca që keni ju, nëse do të kishte ndodhur humbja e kodit sekret para viteve '90-të, çfarë masash do të ishin marrë? Çfarë do të kishte ndodhur?


Ata diplomatë, pas atij akti, nuk do të mund të vazhdonin më si të tillë. Ambasadori, i pari, do të zëvendësohej, si një person i pabesueshëm.


Një person, të cilit i humb sekreti, do të thotë se nuk ka kryer detyrën themelore të një diplomati. Sot, ka edhe më shumë rëndësi që ngjarje të tilla të mos ndodhin, sepse informacionet e veçanta nuk përbëjnë sekret vetëm për ne, por edhe për NATO-n.


Ne mbajmë përgjegjësi jo vetëm për veten tonë, por edhe për Aleancën. Është një lloj sikur ushtari shqiptar në Afganistan të mos mbulojë me zjarr ushtarin e NATO-s, gjatë një aksioni të përbashkët.


- Flitet se Shqipëria është përjashtuar nga mbledhjet e NATO-s që janë të rëndësisë së veçantë dhe që konsiderohen sekret. A do të ketë një version zyrtar nga NATO për këtë çështje?


Nuk ka për të pasur nga NATO ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje. Çështjet janë të klasifikuara në NATO dhe askush nuk mund të japë përgjigje të pavarur. Duhen njëqind shkresa dhe leje që dikush nga NATO të arrijë të flasë për këtë argument.


- Si ka qenë shkalla e sigurisë më parë në ambasadën tonë pranë OKB-së në New York?


Ka qenë e nivelit të lartë, edhe për faktin se me SHBA-të nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Herë pas here bëheshin teste për funksionin e ndriçimit, vëzhgimit dhe për sistemet e komunikimit. Komunikimi (edhe ai i koduar) mes ambasadave dhe MPJ-së bëhej përmes sistemit MORS ose me sistemin TELEKS.


Kur distancat midis ambasadave ishin të mëdha, për të komunikuar përdoreshin ambasada të ndërmjetme për të përforcuar sinjalin. Çdo Ambasadë kishte antenë të madhe që transmetonte sinjalin e sistemit mors drejt Shqipërisë.


- Çfarë mendoni për faktin se ne sot edhe pse jemi anëtarë të NATOS nuk jemi në gjendje të ruajmë informacionet e klasifikuar?


Duhet t'ia kishim thënë NATO-s që në fillim. Pohimet e këtyre ditëve nga MPJ-ja se po programohet marrja e masave për ruajtjen e sekretit tregojnë se kemi gënjyer në lidhje me këtë argument. Nëse hyjmë diku, sidomos në NATO, pa thënë të metat tona, atëherë ky është një gabim akoma më i madh.


- Sot kemi diplomatë shqiptarë me dy nënshtetësi. Para viteve '90-të, a do të ishte e mundur një gjë e tillë?

Absolutisht jo. As gruaja e një diplomati nuk mund të ishte me nënshtetësi të huaj dhe jo më diplomati, as që bëhej fjalë.


- Para viteve '90-të, a kishte punonjës të specializuar për kriptimet dhe kodifikimet e informacione të sekrete?


Para viteve '90-të në çdo ambasadë kishte një punonjës që ishte i specializuar për të bërë kriptimin e komunikimeve dhe të shkëmbit të informacioneve. Ky person nuk dilte kurrë i pashoqëruar nga ambasada. Mandati i tij nuk ishte më i gjatë se tre vjet dhe nuk rinovohej.


- Dini të ketë pasur ndonjë rast rrjedhje informacioni më parë në selitë tona diplomatike?


Jo, nuk kam dëgjuar asnjëherë për ndonjë rast të tillë. Ka pasur raste që punonjës ambasade janë arratisur për arsye politike ose për një jetë më të mirë, por nuk ka rrjedhë asnjë informacion. Është një rast diku nga viti 1979-1980 që një punonjës i ambasadës shqiptare në Romë ishte arratisur.


A kishte ikur nga dritarja e prapme e godinës së ambasadës bashkë me familjen. Pozicioni i tij në ambasadë kishte qenë ai i sekretarit të tretë ose diçka e tillë. Edhe pse u arratis, ai nuk bëri prononcime politike.


- Ju më thatë se në vitet 2004-2006 keni punuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Cila ka qenë strategjia e Shqipërisë në këtë periudhë për të ruajtur informacionet që shkëmbeheshin me NATO-n?


Po, unë kam punuar në atë periudhë në Ministrinë e Mbrojtjes si Drejtor në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes dhe të Integrimit. Ne shkëmbenim informacione me NATO-n lidhur me stërvitjet e përbashkëta.


NATO inspektoi ambientet e brendshme të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe kërkoi të bëheshin dhoma të veçanta me standardet e përcaktuara, që do të përdoreshin për shkëmbimin e informacioneve të përbashkëta.


- Po në aspektin ushtarak, si e shikonte veten Shqipëria në procesin e integrimit në NATO?


Në atë kohë kishim probleme për kualifikimin e ushtarakëve sipas standardeve të NATO-s. Një ndër kushtet ishte që ushtarakët shqiptarë duhet të dinin shumë mirë anglishten, jo vetëm atë të thjeshtën, por edhe anglishten ushtarake, si dhe duhet të njihnin manualet ushtarake që përdornin ata.


Neve na kanë ardhur shumë oferta për trajnimin e ushtarakëve tanë nga shtete të ndryshme, aq sa ndonjëherë nuk gjenim dot aq persona që plotësonin kriteret e vendosura. Kur ne kemi hyrë në 2009-ën me drejta të plota në NATO, kishim dhjetë vjet që bashkëvepronim në misionet paqeruajtëse dhe në stërvitje të përbashkëta.


- Një ambasador, a mund ta lërë laptopin që ka sekrete të rëndësishme mbi tavolinën e punës dhe të ikë në banjë?


Në asnjë mënyrë! Një laptop i tillë nuk mund të lihet në ambientet e zakonshme të punës në selinë diplomatike. Laptopi jo vetëm që duhet të sigurohet në një kasafortë sigurie, por edhe vetë kasaforta duhet të jetë e vendosur me një vend shumë të sigurt.


Unë mendoj se diplomatët duhet të jenë një lloj kaste që e fillojnë karrierën nga niveli më ulët dhe sipas rezultateve në punë të ngjiten deri në nivelet më të larta. Diplomati duhet parë si një njeri që i shërben shtetit, edhe kur ndryshojnë forcat politike në pushtet.


- Nga përvoja juaj si Drejtor për Politikat e Mbrojtjes dhe të Integrimit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, kush mendoni se mund të jetë ndëshkimi i heshtur i Aleancës për humbjen e laptopit?


Humbja e besimit. Ne kur hynim në godinën e NATO-s, si fillim duhet të kishim certifikatën e sigurisë të lëshuar nga NATO, e cila bëhej nëpërmjet institucionit shqiptar që quhet DSIK-ja dhe çonim të dhënat tona personale në NATO.


Për shembull të dhënat e mia personale për të hyrë në NATO në atë kohë kanë qenë mbi dhjetë faqe informacion. NATO u kushton shumë rëndësi ruajtjes së informacioneve, duke vëzhguar dhe kontrolluar çdo punonjës (që janë me mijëra) të saj, që hyn e del nga Selia qendrore.


- Po përgjegjësia morale e ambasadorit për këtë rast, cila mund të jetë? Po të kishin qenë ju ambasadori, çfarë do të kishit bërë?


Unë do të kisha dhënë dorëheqjen. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodh tek shqiptarët, sepse aktin e dorëheqjes akoma nuk e kanë mësuar si veprim civilizues.

Friday, November 19, 2010

Intervistë me Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit


Intervistë me Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit


Intervistoi Alban DACI

Botuar me 19/11/2010

Gazeta SHEKULLI


Zv.ministre, a ka ndonjë statistikë të saktë për numrin e studentëve tanë që studiojnë jashtë? Nëse po, cila është kjo shifër dhe nëse jo, përse nuk ka një statistikë për ta?


Realisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka parë si prioritet problemin e studentëve që studiojnë jashtë vendit për arsye të thjeshtë, në kuadër të marrëveshjeve që ka bërë vendi ynë me vendet europiane për të dërguar të rinj për të kryer studimet e larta universitare.

Aplikimi i të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë është nxitur nga vetë shteti shqiptar për arsyen e thjeshtë që të rinj shqiptarë, për veç universiteteve shqiptare, të kenë mundësi të aplikojnë dhe të kenë të drejta studimi edhe në universitet e huaja (kryesisht europiane).

Në lidhje me numrin e studentëve, sigurisht, që ka një data base, i cili është organizohet nga APRIALI, i cili është instituti që merret me studimin dhe analizimin e kandidatëve për studentë.

Fillimisht studiohen dhe regjistrohet numri i të gjithë studentëve kandidatë, që aplikojmë për formularin A1, por më i rëndësishmi dhe më i sakti është numri i studentëve që aplikojnë për formularin A2, sepse një pjesë e mirë e A1 vazhdojnë studimet jashtë vendi dhe për rrjedhojë nuk vazhdojnë asnjë procedurë të më tejshme për të vazhduar studimet në vend.

Gjithashtu, mund të themi se të rëndësishme janë edhe marrëveshjet që janë bërë me ambasadat e huaja, si: italiane, ceke, amerikane, britanike, ruse apo institucione të tjera, të cilat akordojnë bursa studimi për studentët.

Të gjitha këto hapësira mundësojnë të krijohet një data base i saktë, të cilin e kemi, por që, sigurisht, është në përpunim e sipër. Megjithatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka pasur probleme në lidhje me statistikat, për shkak të futjes së modeleve dhe modaliteteve aktuale. Aktualisht duke punuar me INSTAT-in duke marrë modele e fundit për ta bërë sa më të saktë dhe të besueshëm data base-in.

Për këtë arsye bo bashkëpunojmë edhe me rrjetin telematik italian për të analizuar jo vetëm numrin e studenteve brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, për të parë lëvizshmërinë e tyre, për të parë sa dhe si prej tyre gjenden në instancat përkatëse.

Statistikat gjenden në Drejtorinë e Statistikave, e cila merret me përpunimin e këtyre të dhënave, njëkohësisht këto të dhëna ju çohen ambasadave përkatëse dhe mbahen lidhje me Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë.

Një pjesë e tyre trajtohen në dy procese, në procesin e Fondit të Ekselencës nga qeveria shqiptare, si dhe projekti që realizohet mes PNUD-it dhe qeverisë shqiptare, që është projekti i "Brain Gain-it". Mbi bazën e statistikave të nxjerra nga këto dy procese, shikohet ecuria e studenteve, që kanë studiuar jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri.


A ka qeveria shqiptare një projekt integrimi për ata që i kanë kryer studimet jashtë dhe duan të kthehen të punojnë në Shqipëri?

Natyrisht Fondi i Ekselencës, ose procesi i "Brain Gani-it" e kanë të përcaktuar që në fillimet e tyre kishin mision për të realizuar integrimin e të gjithë atyre që mbaronin studimet jashtë dhe dëshironin të ktheheshin për të punuar në Atdhe.

Kjo erdhi si domosdoshmëri, duke parë numrin e madh të rinjve që kishin lëvizur pas viteve 90-të për të studiuar kryesisht në vendet Europiane dhe se një pjesë e tyre kishte shfaqur dëshirën për t'u kthyer.

Qeveria, për thithjen e tyre, le të themi, se bëri një diskriminim pozitiv, duke ju dhënë më shumë përparësi atyre që kishin mbaruar jashtë. Për këtë arsye studentët, që kanë aplikuar për Fondin e Ekselencës, janë të detyruar që pasi mbarojnë studimet, të punojnë nga një deri në pesë vjet në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre të drejtpërdrejt.

Unë, kam pasur kënaqësinë që gjatë kësaj periudhe të drejtoj një komision të Fondit të Ekselencës, komisionin ku kanë përfituar studentët në fushën e shkencave ekzakte.

Sinqerisht jam ndjerë shumë e vlerësuar nga të gjitha punimet që kanë sjellë studentët shqiptarë. Buxheti për këta studentë ka qenë nga më të mëdhenjtë në këtë drejtim dhe nëse dikush mund të ketë ndonjë aludim, web-site është transparent.

Ajo që mendoj është, se ne po realizojmë një politikë pozitive. Fryma dhe bashkëpunimi i të gjithë komuniteteve ka synuar për ta bërë këtë proces sa më të mirë dhe suksesshëm. Vetëm në shkencë nuk ka hatër mbetje, por ka vetëm konkurrencë që realizohen mbi punën dhe produktin.

Produkti dhe puna janë të ndjeshëm, sepse shikohen në vlefshmërinë e tyre, në prioritetin dhe në realizimin e plotë të saj. Fondi i Ekselencës dhe Brain Gain-it janë dy programe që ju krijojnë mundësi atyre që duan të shkojnë me studime dhe të kthehen pasi i mbarojnë të bëhen pjesë konkrete e kontributit sipas profesioneve për të cilën duhet të kontribuojnë. Sigurisht kjo është edhe një marrëveshje edhe me institucionet përkatëse, baza ligjore dhe dokumentare është krejtësisht e plotë.

Natyrisht ka edhe vështirësi, sepse nuk ka realizime të përsosura. Megjithatë, nga këto programe ka pasur prurjet me produkte mjaft të rëndësishme, mjafton të përmendin faktin se një shifër prej 30-40% profesorësh të rinj janë thithur përmes këtyre mekanizmave dhe janë bërë pjesë e fushës akademike të fushave përkatëse.

Njëkohësisht edhe në fronte të ndryshme që lidhen me sistemin bankar, me menaxhimin e ndërmarrjeve të mëdha apo në menaxhimin e strategjive të politikave të vendit. Mendoj se politika e kthimit është një politikë konkrete që ka shifra konkrete, sepse edhe produkti është konkret.


A keni të punësuar në Ministri persona që kanë mbaruar në vitet e fundit studimet jashtë? Nëse po, sa është numri i tyre?


Po! Në ministri kemi studentë që kanë mbaruar gjatë viteve të fundit studimet jashtë vendit dhe gjithsej numri i tyre është 13-të. Në përqindje i bie rreth 10-12 % për sa i përket numrit të punësuarve në ministri.

Vetë Ministri është i predisponuar për ta rritur edhe më shumë këtë numër, sa ndonjëherë mund të dukej se ky proces është bërë tek ai si një lloj forme tendence.

Ajo që mund të veçoj për sa i përket angazhimit të tyre në administratë, mund të themi se ata sjellin konceptin e korrektësisë dhe kanë një shpirt pune në grup, që është shumë e rëndësishme për punën në Shqipëri dhe janë të gjithë të guximshëm dhe nuk bëjnë rolin e servilit, që për punën në administratë është shumë e dëmshme.

Këto janë disa elementë, që i duhen administratës shtetërore dhe i japin një revolucion për i përket qasjes dhe vëzhgimit të problemeve.


Administrata e brezit të vjetër, të rinjtë e ardhur duhet t'i shikoj si rivalë për karrierën, apo si diçka më shumë dhe pozitive për të çuar përpara procesin e reformave?


Varet se si i menaxhon titullari këto burime njerëzore për t'i integruar në të gjithë kapitalet njerëzore dhe sociale. Unë, do ta shikoja në dy këndvështrime pyetjen tuaj që është mjaft interesante dhe që në fakt kap edhe disa tendenca të sotme.

E para, në aspektin psiko-social brezat ndërmjet tyre kanë konflikte të shfaqura ose konflikte të heshtura dhe kjo nuk lidhet vetëm me formimin, por lidhet më së shumti me moshën.

Ndonëse mosha nuk është sëmundje, por një pasaportë që duhet ta kalojmë të gjithë, se nëse një i ri ka në dorë të tashmen dhe të ardhmen, një më i moshuar ka vetëm të tashmen dhe duan të japin maksimumin, por nuk duhet të gabojnë për të nxjerrë raporte të gabuara.

Ajo që vihet re, është fakti se ekziston një bashkëpunim i ndërsjellë mes të dyja palëve, pala që ka eksperiencë dëshiron në emër të saj të jetë lider grupi, ndërsa pala që ka profesionalizëm, por nuk ka eksperiencë e ka shumë të thjeshtë t'ia vjedhin eksperiencën atij që e ka për t'u bërë lider grupi.

E rëndësishme është që të ketë bashkëpunim dhe dashamirësi dhe kjo nuk varet me moshë, sepse në administratë ka një ligj për hierarkinë që bëhet në bazë të rezultatit që çdo kush jep në punën dhe pozicionin që ka, por varet më së shumti nga dëshira për të bërë së bashku sukses dhe duke marrë më të mirën njëra palë nga pala tjetër.


Sa diploma janë njësuar brenda këtij viti? Si po shkon ky proces? Nuk mendoni se ky proces është pak i ngadaltë dhe burokratik?


Për këtë vit kemi njësuar 2000-3000 diploma. Procesin e njësimit e gjetëm në një moment ngërçi dhe kur erdhëm krijuam tre grupe paralele pune për të bërë njehsim paralel, por mos të harrojmë edhe pse në realitetin shqiptar, realiteti perëndimor na shfaq po të njëjtat elementë korruptimi, siç është edhe realiteti shqiptar, dhe ndodh që shpesh herë individë, që janë të papërgjegjshëm mund të paraqesin diploma, të cilat realisht nuk janë të vlefshme për standardin e vendosur.

Megjithatë, këtu nuk kemi të bëjmë me elementë burokratikë, por me vlefshmëri dhe njehsim të një dokumenti shumë të rëndësishëm, siç është diploma universitare, ose pasuniversitare. Megjithatë, procesi i njësimit të diplomave nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga universitet e huaja, të cilat kanë edhe burokracitë e tyre.

Tashmë edhe në procesin e njësimit të diplomave do të ketë ndryshme të reja pozitive. Sidomos tani që u bë edhe liberalizimi i vizave me zonën Schengen.

Do të ishte shumë e rëndësishme që Shqipëria të merrte statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian, sepse kjo do të na lehtësonte shumë edhe me procesin e njësimit të diplomave.

Nëse ne do ishim pjesë e Bashkimit Europian nuk do të kishim nevojë të bënim njësimin e diplomave, por diplomat tona do të ishin të konvaliduar në të gjithë zonën e BE-së.

Mendoj se ky sektor ka ecur shumë mirë, me një punë të jashtëzakonshme dhe voluminoze. Të mos harrojmë se jo çdo gjë varet nga ne.

Ky proces varet edhe nga koha që universitet na përgjigjen, se numri i studentëve dhe universiteteve është shumë i madh. Prandaj, kërkon kohën e duhur në dispozicion, që ky proces të jetë sa më i saktë dhe që të mos diskriminojnë askënd pa dashje.

Me sa jemi në dijeni ekziston një ligj, sipas të cilit nga momenti që personi merr shkresën nga Ministria e Arsimit, se diploma e tij është në proces njësimi, ai mund të punojë nga kjo datë deri pas gjashtë muajsh, që është edhe afati i fundit i kryerjes së procesit.


A është e vërtetë dhe a mund të na e pohoni zyrtarisht një gjë të tillë?


Po është e vërtetë! Mua më vjen keq se pse administrata i krijon këto probleme me studentët që kanë aplikuar për njësim, por që njësimi është në proces dhe ky proces nuk ka bërë më shumë se gjashtë muaj kohë.

Mua më vijnë mesazhe të çuditshme, nga të njohur dhe të panjohur, të cilët hyjnë mik për të bërë sa më shpejt njohjen e diplomave. Ndërkohë që çdo diplomë ka kohën e vetë, sepse është rreshtuar në një numër të caktuar rendor dhe askush, qoftë edhe me miqësi, nuk mund ta kaloj këtë radhë.

Nga momenti që këtu vjen individi dhe pajiset me një shkresë, ku thuhet se diploma e tij është në proces njohje, ka për detyrë që ta mbaj deri në gjashtë muaj.

Sa të mbaroi procesi, ta quaj të mirëqenë dhe të mos e penalizojë, sepse diploma është e njohur, por varet vlera dhe shkalla e vlefshmërisë së saj.

Kjo është për të gjithë ata, të cilët, pa dashur na nxjerrin probleme dhe krijojnë situata, të cilat hera-herës na venë në siklet për këto gjera si institucion.


Cili është roli i shtetit shqiptar tek studentët që studiojnë jashtë? Duke u nisur edhe nga eksperienca ime personale, mund të themi se për 90% të tyre roli i shtetit shqiptar ka qenë zero. A mund të ketë në të ardhmen shteti një rol më të madh?

Për shtetin shqiptar duket sikur 12 mijë të rinj që ka zgjedhur të studiojnë jashtë janë inekzistent.

A ka ndonjë projekt konkret shteti shqiptar që t'iu qëndroj pranë këtyre studentëve dhe nëse po, si?


Unë, nuk e pranoj së nuk janë të ndihmuar individët që kanë mbaruar një shkollë të mesme, që kanë fituar të drejtën e studimit jashtë.

Para se të paraqiten në universitetin që kanë fituar, duhet të paraqiten para ambasadave dhe zyrave konsullore shqiptare në vendet ku do të studiojnë, që t'ua bëjnë me dije se edhe ata janë pjesë e një procesi. Ndërkohë që ambasadat dhe konsullatat e kanë data base-in e tyre.

Të gjitha konsullatat janë të detyruara t'u japin mbështetje studentëve shqiptarët, të cilët kanë shkuar për të ndjekur studimet. Studimet mund të jenë të formave nga më të ndryshme, që nga bursat që mund të marrin nga shteti deri tek studimet personale.

Shteti ka bërë një marrëveshje që ju lehtëson marrjen e vizave, sepse problemi kryesor për të shkuar dhe studiuar jashtë ishte marrja e vizës. Gjithashtu, ju jep mundësi që këto studentë të trajtohen si të gjithë studentët e tjerë.

Me të kësaj interviste ju bëjë thirrje të gjithë studentëve shqiptarë të shkojnë nëpër zyrat konsullore shqiptare e të çojnë emrat e tyre, për të kërkuar pastaj ndihmë për arsye nga më të ndryshme, që mund të lidhen me policinë e vendit ku studiojnë, largqoftë me rastet e ndonjë aksidenti, me problemet shëndetësore, për këtë arsye duhet të jenë pjesë e data base dhe e konsullatave, sepse konsullatat e kanë për detyrë që njëherë në gjashtë muaj të bëjnë takim me studentët për të parë ecurinë e tyre dhe problematikat e tyre dhe vijueshmërinë e tyre në fushën e studimit.

Ministria Arsimit dhe Shkencës ndjek linjën e procesit të studimeve. Pra, konfirmon vlerën e studimit që t'i ke bërë, njohjen e programeve që t'i ke bërë dhe bën ekuivalentimin e vlerës së diplomës. Deri këtu shkon detyrimi i kësaj ministrie.