Monday, April 23, 2012

Fëmijët shqiptarë, qenie të pafajshme dhe viktima të Shtetit


Alban Daci

Për secilin nga ne, padyshim fëmijëria është periudha më interesante e jetës. Fëmijëria është si starti i një gare. Nëse je i përgatitur, i shëndetshëm dhe entuziast ke probabilitet të jesh fitues. Fëmijëria është periudhë e rëndësishme ose decisive do të thosha për pjesën tjetër të jetës. Nëse një fëmijë rritet në një familje të shëndosh, me përkujdesje maksimale prindërore e shtetërore, ai ka probabilitet të madh të sigurojë një formim të mirë universitar, kulturor dhe profesional.
Në vendet perëndimore është e njohur dhe e zbatuar Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Po në Shqipëri sa është e implementuar kjo Konventë? Do të thosha pak ose fare. Një ndër të drejtat kryesore për fëmijës është e drejta për arsim.
Në Shqipëri është i njohur tashmë fenomeni i punësimit të fëmijëve. Në qytetet e Shqipërisë qindra fëmijë në vend që të shkollohen janë të punësuar si shitës ambulant. Ato shesin rrugëve ose nëpër bare e restorante cigare, çakmak, stilolapsa etj.
Gjithashtu në Bulqizë shumë fëmijë punojnë si skllevërit e ndërtimit të piramidave të Egjiptit duke gërmuar, mbledhur e mbajtur në shpin krom për vetëm 3 lekë/Kg.  Nuk duhet të harrojmë gjithashtu situatën e fëmijëve nëpër fshatra, të cilët janë të punësuar me kohë plotë në kullotjen e bagëtive.
Sikur të mos mungonin këto, fëmijët shqiptar duhet të durojnë ushtrimin e dhunës në familje e në komunitet. Ka plot raste, kur fëmijët dhunohen e kjo konsiderohet thuajse normale si nga ana e prindërve ashtu edhe nga komuniteti. Madje disa prindër janë të mendimit se: fëmijët duhet të rrihen që të bëhen të sjellshëm e të edukuar.
Problem tjetër i madh është fenomeni i braktisjeve. Në qytete kemi qindra raste, ku fëmijët braktisen dhe jetojnë rrugëve. Kujdestar dhe rregullues i rëndësishëm i fenomeneve sociale është padyshim Shteti bashkë me institucionet e tij. Pa frikë e me keqardhje mund të themi se Shteti ka dështuar në të gjitha politikat sociale që kanë për objekt fëmijët. Më të vërtetë fëmijët janë qenie të pafajshme, por një tjetër e vërtetë e madhe është fakti se ato janë viktima të një Shteti që nuk mbron e garanton të drejtat e tyre.

Tuesday, April 17, 2012

LSI, stërzgjatje e politikës së vjetër


Alban Daci

Tranzicioni 20 vjeçar, përveç shumë të mirave, solli edhe shumë efekte devijuese e negative si për demokracinë ashtu edhe për vetë jetën sociale të qytetarëve. Me të vërtetë shqiptarët në fillim të viteve ‘90 përfituan pluralizëm politik. Megjithatë është interesante të bëjnë pyetjet: A ishte real ky pluralizëm? A ishte në shërbim të mirës së përbashkët të qytetarëve dhe të demokracisë? E para, duhet të kemi parasysh faktin, se pluralizmi i fazës fillestare, pra e kam fjalën për fazën e krijimit të PD dhe të transformimit të PS ishte i komanduar dhe i projektuar nga monoklatura komuniste.
Duke u nisur nga ky fakt, atëherë ai pluralizëm nuk ishte real, nuk përfaqësonte vlera origjinale demokratike e për rrjedhojë nuk ishte një garanci për progresin e reformave politike demokratike dhe ekonomike të bazuara në ekonominë e tregut të lirë.  Pra, le të themi, se kjo ishte faza e parë e pluralizmit politik shqiptar. Krijimi i këtij pluralizmi politik fals dhe jo origjinal, bëri të mundur që Shqipëria të futej në një tranzicion të gjatë politik, me sfida e probleme serioze, ku viktima ishin vetëm qytetarët.
Krijimi i PD, me ish komunistë dhe me njerëz me dosje, transformimi ose më saktë komandimi i PS po nga ish personat që kishin përgjegjësi të rënda për regjimin e kaluar, bëri që Shqipëria jo vetëm të hyjë në tranzicion politik, por edhe të përjetojë momente të vështira si ai i vitit 1997.
Faza e dytë pluralizmit politik shqiptar është momenti, kur për interesa krejtësisht personale dhe për shkak të luftës brenda llojit, pjesëtar drejtues të PD e PS largohen nga partitë fillestare për të krijuar parti të reja, të cilat kishin vetëm një qëllim, pushtetin e vetëm pushtetin. Këtu duhet të kemi parasysh momentet, kur Genc Pollo u largua nga PD dhe krijoi partinë e tij si dhe largimin e Ilir Metës, i cili krijoi LSI.
Partia e Genc Pollos edhe pse bëri manovrime të suksesshme politike duke përdorur sigël të përafërt me atë të partisë mëmë, PD, nuk mbijetojë gjatë. Ajo u shkri dhe u rikthye përsëri tek PD.
Ndërsa Ilir Meta, duke përdorur një emër tërheqës, si dhe duke shfrytëzuar mirë kuintat politike, vazhdon edhe sot të lundrojë në sistemin politik shqiptar.  A ka lidhje emri i partisë së Ilir Metës me atë që ajo përfaqëson realisht? Kjo është e vetmja parti që quhet Lëvizja Socialiste për Integrim dhe duke qenë në bashkëqeverisje me PD, merr për dy herë rresht refuzimin e statusit të vendit kandidat në BE. Nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër europian që t’i refuzohet dy herë statusi për vend kandidat ashtu siç ka ndodhur me Shqipërinë pikërisht në kohën kur në bashkëqeverisje është një parti që ka emrin Lëvizja Socialiste për Integrim.
A përfaqëson LSI integrimin? Për herë të parë në 20 vjet tranzicion shqiptarët bëhen dëshmitar të një videoje, ku zv/Kryeministri dhe një Ministër bisedojnë për afera korruptive. Pavarësisht se askush nuk u dushkua, qytetarët e panë dhe e dëgjuan të vërtetën. Jo vetëm se kjo parti politike ishte aktore dhe autore e videos që e panë të gjithë shqiptarë, por ishte edhe lumi i akuzave që dy zyrtarët e lartë i bënin njëri-tjetrit.
A përfaqëson LSI integrimi? LSI lindi si forcë politike vetëm për interesa të qarta personale politike e për pushtet të personave që e themeluan, të cilët nuk patën hapësirën e duhur për t’i pasur këto tek partia mëmë PS. Pra, LSI nuk është se u krijua për të sjellë një frymë të re politike e demokratike në vend, por thjeshtë për të stërzgjatur frymën e vjetër ekzistuese të politikës shqiptare. LSI nuk kishte një ideologji, apo një imazh real politik, nuk kishte një elektorat të mirëpërcaktuar. Për këtë arsye ajo kishte vetëm një mënyrë që të mbijetonte. Të krijonte një marrëdhënie shantazhi me qytetarët si dhe të përdorte koalicionet e pakuptimta politike.
Ajo e mbështeti të gjithë forcën e saj politike, jo tek kapacitet e larta intelektuale e kulturore, por pikërisht tek njerëzit pa shpresë, të cilët i krijojë dhe i edukojë mbi parimin e kamikazit: puno duke bërë vota sa më shumë dhe ne do të bëjmë mbret. Ky parim, krijoi kulturën e militancës qorre e injorante, zhduki konceptin e meritokracisë për konkurset publike si dhe në të njëjtën kohë zëvendësojë specialistët e mirë e të suksesshëm me njerëz militantë e të pashkollë. Kjo krijoi një situatë të mungesës së efikasitet dhe të mirëfunksionimit të institucioneve të ndryshme shtetërore.
Gjithashtu, LSI duke qenë se dashuri të parë kishte pushtetin dhe jo qytetarët, pranojë të bëjë koalicion me djallin. Jo pak herë kryetari i kësaj partie ishte shprehur egër e me tona të forta duke bërë akuza të ndryshme kundër liderit të PD. Megjithatë, të gjitha i harrojë shumë shpejt. Kjo ndodhi, sepse ai ishte i dashuruar marrëzisht pas pushteti. Koalicioni i tij, nuk kishte asgjë të përbashkët me PD, qoftë në program ashtu edhe me historinë politike të dy subjekteve. Megjithatë, ai e bëri, se nuk rrinte dot pa pushtet. Pushteti ishte atracioni e motivimi kryesor i tij.
Aktualisht vetë drejtuesit e LSI, pas ngjarjeve që kanë ndodhur e kanë kuptuar se nuk kanë më asnjë motivim, justifikim apo arsye që të vazhdojnë të jenë forcë politike. Për këtë arsye po mundohen të justifikohen me faktin se LSI është forcë e rëndësishme për ekuilibrat politik dhe forcë e rëndësishme për integrimin. E vërteta është se LSI ka humbur si forcën e ekuilibruesit ashtu edhe atë të integrimit. LSI ishte një stërzgjatje e panevojshme e politikës së vjetër. Për këtë arsye ajo bashkë me politikën e vjetër do të dalin nga sistemi, sepse misioni i tyre ka mbaruar me dështim e me turp.

Wednesday, April 11, 2012

Aleanca Kuq e Zi është Rilindja e Dytë Kombëtare



 Alban Daci

Historia e shqiptarëve ashtu si historitë e tjera është e mbushur me momente suksesi, disfate, me rryma që kanë bërë epokë, por dhe me kundërryma që kanë lënë gjurmë të thella negative në mendjet e shqiptarëve.
Rilindja Kombëtare padyshim është një ndër momentet më të bukura të historisë shqiptare, e cila ishte e mbushur me ide brilante që hapën një faqe të re në historinë shqiptare si dhe me burra të mençur që këto ide arritën t’i konkretizonin në fusha të ndryshme duke thyer shumë tabutë e asaj kohe.
Rilindja ishte një rrymë fantastike, e cila bëri të mundur rilindjen e mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve. Rilindja bëri të mundur krijimin e hapave të  parë përmes programeve konkrete për të krijuar shtetin modern shqiptar, shkëputjen nga lindja otomane dhe orientimin e shqiptarëve dhe Shqipërisë drejt perëndimit ashtu siç kishte qenë gjeneza e popullit shqiptar që nga fillimet e historisë.
Për fat të keq Shqipëria edhe pse pati momente të magjishme të dhuruara nga Rilindja, më vonë pati shumë sfida e probleme të mëdha, të cilat e shoqërojnë edhe sot. Pra, për shqiptarët ndodhën aq shumë ngjarje e padrejtësi, sa të vetmin kujtim të bukur kishin shkrimet dhe idetë e Rilindësve. Për këtë arsye, Rilindja mbeti si një moment i lartë historik dhe një formë krenari për shqiptarët.
Aq shumë e madhe ishte nostalgjia për periudhën e Rilindjes si model suksesi, sa sot PS po për përpiqetnë mënyrë të rëndomtë  ta përdor  për interesa politik, duke e cilësuar programin e saj politik si Rilindja Shqiptare. A ka krahasim programi politik i PS me programin e rilindjes? A ka ngjashmëri PS me Rilindjen? Rilindja ishte rrymë filozofike, e cila kërkonte të ndërtonte shtetin modern shqiptar mbi baza patriotike. Pra, dëshironte t’i bashkonte të gjithë shqiptarët e viset shqiptare në një shtet të vetëm. Flamuri i Skënderbeut ishte flamuri kombëtar, identitetit kombëtar dhe frymëzonte të gjithë shqiptarët për një kauzë të përbashkët, atë të Bashkimit Kombëtar. 
Rilindja Kombëtare nuk përulej para asnjë flamuri të huaj dhe nuk pranonte të nënshtrohej përpara asnjë faktori të huaj.  
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse kjo parti herë pas herë përulet dhe falet para flamurit grek dhe interesave greke. Në kongresin e saj të fundit mori pjesë edhe një përfaqësuese e PASOK, partisë greke. Pra, në Kongresin e PS nuk u këndua vetëm në gjuhën tonë të bukur shqipe, por edhe greqisht.
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse shkojë dhe u përul para Dules, i cili thotë se nuk ekziston territor me emrin Çamëri.  
PS nuk mund të jetë Rilindja Kombëtare, sepse ajo nuk thotë asgjë për kauzën madhore të Bashkimit Kombëtar.
Rilindja e Dytë e vërtetë Kombëtare është Aleanca Kuq e Zi, sepse është rrymë politiko-iluministe, që ngre fort flamurin kombëtar si simbolin më të lartë kombëtar.  
Aleanca Kuq e Zi është Rilindja e vërtetë Kombëtare, sepse përmes ideve dhe ngjyrave kombëtare Kuq e Zi do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm. Ashtu si Rilindja Kombëtare edhe Aleanca Kuq e Zi ka shkruar në programin e saj Çështjen e Bashkimit Kombëtar. 

Tuesday, April 10, 2012

Partitë politike, Shteti dhe zgjedhësit


Alban Daci


Përse zgjedhësi, të mos e harrojmë këtë pikë themelore, jo vetëm ka vështirësi të zgjedh mes kandidatëve ( Sot, faktikisht kandidatët e zgjedhjeve politike dizenjohen jo nga grupe të lira zgjedhësish, që asocohen rastësisht në atë moment, për zgjedhjen e kandidatëve që preferojnë, por bëhet përmes veprave të organizatave preekzistuese, që janë gjithmonë e më shumë autoritare në brendësinë e tyre, të cilat, mund ta themi, që shumë herë i detyrojnë zgjedhësit të zgjedhin ato kandidat që ato kanë zgjedhur për disa kritere dhe për disa arsye, të cilët për masën e zgjedhësve janë krejtësisht misterioz) të propozuar nga partitë, por ka edhe vështirësinë që të mos zgjedh asnjë.
Realisht, zgjedhësi nuk ka asnjë detyrim që të prononcohet për njërin ose tjetrin person që partitë kanë dizenjuar, por mund të shfaq pakënaqësinë e tij kundrejt të gjithëve, duke refuzuar që të jap votën e tij për këdo që është në listë si dhe për vetë listën.
Thuhet se: zgjedhësi duhet të ndjej detyrën e tij për të marr pjesë në zgjedhje dhe, nëse nuk e bën, mungon në detyrën e tij morale. Por, gjithkush është gjykatës i detyrimeve të tija morale. Nëse, kërkohen mjetet për të shtyrë zgjedhësit që të shkojnë të votojnë, duhet të intensifikohet dhe të jetohet më me intensitet jeta politike.
Gjithashtu, duhet të respektohet koncepti se zgjedhësi duhet drejtuar, përderisa vetëm, nuk është në gjendje të parashikoj në interesat e tij, për shembull duke mos qenë në gjendje të kuptoj për mundësinë e pasojat nga mungesa e tij në votim, ose për atë që mund të ndodh në hipotezën e epërsisë së partisë që ka votuar me lehtësi, por pa përgjegjësi.
Dikush mund të pyes ç’është partia e politikës moderne? Ajo është, pa dyshim, një institucion tipik i fazës së zhvillimit të atij tipi urdhri që jemi mësuar ta quajmë "Shteti modern", dhe pra i Shtetit "përfaqësues-zgjedhës".
Faza përfaqësuese-zgjedhëse e Shtetit modern, fillon, siç është e shënuar, nga revolucioni "borgjez" dhe shënon fitoren e Shoqërisë organizative mbi vetë "Shtetin modern".
Instalimi i regjimit përfaqësues-zgjedhës ndërton faktikisht momentin final të konfliktit të gjatë mes Shoqërisë dhe Shtetit, konflikt që kulmon në mënyrë precize me përvetësimin e aparatit shtetëror nga ana e shoqërisë së organizuar, dhe konsekuenca e anulimit dhe pavarësisë së Shtetit.
Eksperienca ditore, faktikisht na mëson se të gjithë interesat, në globalitetin e tyre, shprehen pikërisht përmes partive politike: që partitë politike vlejnë pikërisht përderisa janë shprehje e interesave (pa dallim) të atyre që i ndjekin dhe i formojnë.
Ndarja mes momentit "politik" e momentit ose interesit ekonomik, është e imagjinueshme, nuk përket në realitetin e vërtetë: sepse përmbajta e detyrimit politik është, për natyrën e tij, një përmbajtje "totale": sepse në detyrimin politik kërkohet kënaqësia e gjithë interesave.
Në origjinën e kushtetutës përfaqësuese-zgjedhëse Edmondo Burke- i mendonte partitë si clubs të destinuar për të organizuar dhe artikuluar klasën politike si një minorancë homogjene, e cila gjente në parlamente shprehësinë e tij konkrete dhe ndjehej e legjitimuar në komandën e ekzistencës si raport i përfaqësisë "virtuale" përballë vendit.
Partia politike faktikisht paraqitet- sot ose kurrë- një instrument organizimi të ndjekjes politike si finalitet për luftuar për pushtet mes klasave të ndryshme politike.
Ngritja e përgjithshme e shtresave shoqërore inferiore ka nënshkruar struktura politike në një presion të dyfishtë të hatashëm-nga një anë është rritur shumë numri i atyre që presin në zgjedhjen e tyre politike (dhe pra nga detyrimi politik, nga raporti i besnikërisë dhe në "vazhdim"), kënaqësinë e gjithë atyre kënaqësive themelore; nga ana tjetër është rritur në mënyrë korrespondente numri i atyre që aspirojnë në pozicion pushteti, të bëhen pjesë e klasës politike.
Historikisht, një individ mund të gjendet i lidhur në një pluralitet të "detyrimeve politike". Por, ka të bëj me një pluralitet të rremë, sepse duke qenë detyrim politik- në ndryshim me atë "privat"-një detyrim total, ai është gjithmonë unikal.
Tani, nuk mund të mohohet që- prej shumë kohësh, dhe në mënyrë speciale në eksperiencën politike më të hershme- besnikëria në parti mbizotëron mbi besnikërinë tek Shteti që tashmë është plotësisht formale. Kjo do të thotë se: "detyrimi politik" është vetëm lidhje përmes të cilës i "vetmi" është i lidhur me partinë, që komuniteti "politika"- në kuptimin më të ngushtë- është vetëm partia dhe jo më Shteti.
Por, nëse gjërat qëndrojnë kështu duhet të kërkojmë të kuptojmë se për mes kujt kanaleve partia politike zëvendësohet në Shtet.
Fenomeni që mund të aludojmë në këtë spektër është ai i "Fraksionit administrativ" . Fenomen që ndoshta deri tani nuk është studiuar ashtu siç e meriton as në profilin historik e as në profilin tipologjik.
Sigurisht historianët e administratës publike tashmë janë takuar me këtë eksperiencë: ne dimë, faktikisht, që, në përgjithësi, dukja e personaliteteve dominuese në fushën e administratës publike dhe të qeverisë, është gjithmonë e shoqëruar nga prezenca, përreth personaliteteve të tillë, me instrumente njerëzore të qeverisë dhe të aksionit, të cilët ndërtojnë element të domosdoshëm për suksesin e liderëve të tyre.
Kështu, kush studion veprën, për shembull, e njerëzve të mëdhenj të qeverisë dhe administratës, duhet të marrë parasysh se aksioni i këtyre të mëdhenjve është bërë konkret dhe i dobishëm nga prania në vendet e komandimit, në levat e ekzekutivit- të ndihmësve të besueshëm, ku fati personal varej nga fati dhe suksesi i liderit të tyre dhe sipas nivelit të besnikërisë reciproke që ishte ndërtuar, për të bërë të mundur bashkëpunimin me synim final për të kryer efikasitet teknik.
Nëse fitorja e një partie politike, ndiqet menjëherë nga një vendosje, në vendet vendimtare, me persona që i përkasin ose janë të lidhur po me atë parti, pra ndodh për të premiuar besnikët me avantazhe dhe të ardhura politike (pra për të vënë në jetë finalitetin natyral të detyrimit politik) dhe për të garantuar aksionin pasues të qeverisë nga ana e të njëjtës parti fituese.
Megjithatë, shprehja "Shtet modern" është sinonim dhe ka të njëjtin funksion me Shtetin "sovran" dhe me Shtetin e "së drejtës", sepse ajo që ne thërrasim "Shtet" është vetëm një formë historike, i pajisur me rregulla të pushtetit publik, dhe historianët e kanë përdoru termin "Shtet" për të treguar një rregull që nuk shkon, ose që vetëm në mënyrë të hapur korrespondon (me republikat urbane-kështjellarë të Antikitetit klasik).
Shteti i vërtetë modern, është ai që bën lidhje bazë mes politikës dhe shoqërisë, praktikisht në të gjithë sistemet politike të botës moderne.
Gjithashtu, funksioni i "Shtetit" nuk limitohet vetëm në faktin për të ofruar një kuadër institucional: roli i tij është më i gjerë, sepse pushteti ushtrohet vetëm nëpërmjet Shtetit dhe vetë shteti është finalitet i pushtetit.

Sunday, April 8, 2012

Erdhi Pranvera Kuq e Zi



Alban Daci
Në gjithë Mesdheun ka ardhur “pranvera e demokracisë”, lulet e reja kanë çelë, pjalmi i demokracisë kudo po përhapet me shpejtësi dhe me vrull. Në Shqipëri sapo ka nisur Pranvera Kuq e Zi, vendi është ndezur me ngjyrat kombëtare, me krenarinë e të qenit shqiptarë, me vendosmërinë për të ndryshuar klasën politike. 100 vjetori i pavarësisë e gjen Shqipërinë Kuq e Zi dhe kjo falë Aleancës Kuq e Zi, e cila krijoi modën, frymën dhe idealin Kuq e Zi.

Mos ndoshta ka ardhur momenti që edhe në Shqipëri të ndodh “pranvera e demokracisë”, e cila duhet të sjellë harenë e mbushur me demokraci dhe lumturi? Në njëzet vitet e fundit Shqipërinë e kanë qeverisur të njëjta fratelanca (vëllazëri), të cilat janë të lidhura së bashku ashtu si është “Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit”, ku një grup caristësh mbrojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrit për të ruajtur autoritarizmin e tyre mjeran. Forcat politike shqiptare, ashtu si Këshilli duhet të bashkëpunojnë fort që linjat e tyre politike të 20 viteve të fundit, që kanë të njëjtën fizionomi, të mos vihen në rrezik. Pra, “pranvera shqiptare” as nuk ka ndodhur as nuk ka për të ndodhur nga klasa politike shqiptare, e cila përfaqëson “dimrin e madh” të autoritarizmit, fratelancës dhe tranzicionit.

Ashtu siç ka ndodhur në vendet arabe, të cilat tashmë janë përfshirën nën efektin e stinës së pranverës, ashtu po ndodh edhe në Shqipëri. Në vendet arabe, i gjithë brezi i ri, i talentuar dhe i shkolluar në Perëndim, por që nuk bënte pjesë tek fratelanca as me lidhje gjaku e as me interesa politike, ishte i përjashtuar nga çdo lloj forme vendimmarrje publike. Me pak fjalë ishin totalisht të përjashtuar dhe të persekutuar nga regjimet politike autoritare.

E njëjta gjë ka ndodhur në Shqipëri në 20 vitet e fundit. Të rinjtë e talentuar që nuk janë pjesë e fratelancës shqiptare, sepse nuk plotësojnë motivet e përmendura më sipër, janë dhe ndjehen totalisht të përjashtuar nga çdo lloj forme vendimmarrje publike. Të rinjtë e talentuar dhe të shkolluar shumë mirë si brenda vendit ashtu edhe jashtë, ndjehen të persekutuar dhe të poshtëruar nga fratelanca aktuale e pushtetit.

Në vendet arabe, të cilat tashmë po shijojnë pranverën e demokracisë, kishte shumë korrupsion shtetëror, mos funksionim të administratës dhe mungesë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Ashtu si atje, edhe në Shqipërinë e pllakosur prej kohësh nga “dimri i madh”, ka shumë korrupsion, shtetit nuk funksionin mirë dhe nuk është në shërbim të qytetarit. Qytetari ndjehet i braktisur dhe i harruar. Në Shqipëri, kryen punë dhe zgjidh një hall vetëm ai që është më i “fortë”, të tjerët që janë më të “dobët”, thjeshtë bëjnë sehir për jetën e tyre të mbushur me poshtërim dhe pakënaqësi.

Sa të rinjtë të talentuar dhe të shkolluar kthehen në darkë në shpi të pa shpresë , sepse nuk kanë gjetur punën që meritonin?!

Sa të rinjtë shqiptarë irritohen, kur shikojnë se vendi i tyre i punës është zënë nga të paaftët dhe kjo ka ndodhur, sepse kështu i intereson dhe i pëlqen fratelancës së pushtetit?!

Sa të rinj shqiptarë me vizione europiane dhe humane, kanë menduar qoftë edhe një sekondë të vetëm për grevën e minatorëve, sa prej tyre e kanë idenë se në çfarë kushtesh punojnë ata?!
Shumë pak ! Për të mos thënë fare! Sepse po të kishin menduar për ta, atëherë do të kishin dalë për t’i mbështetur. Mendoj, se minatorët janë heronjtë që po qëndrojnë të vendosur për një jetë ndryshe, më të lumtur, më të sigurt e demokratike. Ato, janë lulet e para të “pranverës shqiptare”. Ata, janë një shembull për të gjithë qytetarët, se duhet të qëndrojnë dhe të reagojnë për çdo gjë që ka të bëjë me jetën e tyre e me të ardhmen e tyre. Minatorët janë oguri i parë i zgjimit të një shoqërie që ka vitet që po përjeton gjumin letargjik.

Sa të rinjtë të shkolluar në Perëndim, pasi janë kthyer në Shqipëri për të jetuar , janë detyruar të largohen përsëri e ndoshta përgjithmonë nga Atdheu, sepse në çdo që kanë gjetur një vend pune. Vendi i punës që ata do të meritonin është zënë që kohë më parë nga një kushëri, vëlla, motër,
ose nga kushdo që është në farefis me fratelancën.

Shumë talente shqiptare kthehen përsëri të poshtëruar dhe të lënduar në vende, ku kanë studiuar, sepse vendi i tyre nuk u garanton asnjë shpresë të merituar për jetën dhe punën. Dhe sa kohë do të vazhdojnë këta të rinj ta durojnë një poshtërim të tillë të bërë nga fratelanca shqiptare? Aq sa një ditë “dimrit të madh” do t’i vijë fundi dhe fill pas tij do të shfaqet në horizont “pranvera shqiptare” e mbushur me lumturi dhe demokraci.

Pra, për të sjellë “pranverën” që të trokas në dyert tona, janë të interesuar vetëm këta të rinjtë të talentuar, të cilët meritojnë më shumë, kërkojnë më shumë dhe duan shumë që vendi i tyre të jetë si vendet perëndimore, ku ata kanë studiuar dhe jetuar. Kjo “pranverë” nuk duhet të bëhet kundër një partie apo një tjetre, por kundër një sistemi të tërë, i cili po funksion keq në të gjitha drejtimet. Pranvera Kuq e Zi është aromë demokracie dhe forcë qytetarë që qëndron mbi partitë e vjetra.

Pranvera Kuq e Zi është kundër fratelancës dhe formave autoritare dhe despotike që politika e vjetruar shqiptare ka këto 20 vite tranzicion.  Kjo pranverë po ndodh kundër nepotizmit, paaftësisë, militancës së rëndomtë politike; kundër varfërisë; kundër indiferencës që politika shfaq ndaj qytetarit; kundër korrupsionit; kundër burokracisë shtetërore; kundër indiferentizmit që klasa politike shfaq kundrejt interesave kombëtare; kundër ngërçit e pazareve politike. 


Pranvera Kuq e Zi po ndodh, që minatorët dhe punëtorët shqiptarë të jenë të siguruar, të mirë paguar dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara.

Pranvera Kuq e Zi po ndodh që vendi ynë të ec përpara, të zhvillohet dhe të bëhet europian ashtu siç kemi aspiruar gjithmonë.

Pranvera Kuq e Zi është kundër pushtetit patriarkal, intrigave të pallatit.

Rinia shqiptare duhet ta shikojë vetveten në pasqyrë dhe të thotë: “Boll! Jam e lodhur! Ndjehem e poshtëruar dhe e shpërfillur! Nuk mund të jetoi më kështu, sepse nuk ka punë! Është e kotë të flas së nuk më dëgjojnë! Është e kotë të dëgjojë, sepse nuk thonë asgjë të mirë për mua dhe vendin tim”.  
Rinia shqiptare është simboli i Pranverës Kuq e Zi dhe kjo e fundit është shpresa reale e shqiptarëve të Bashkuar, e një Shqipërie të zhvilluar në drejtim social, ekonomik dhe kulturor. Pranvera Kuq e Zi është simboli i 100 vjetorit të Pavarësisë. Pas 100 vitesh pavarësi, shqiptarët kanë shansin e madh të hapin një kapitull të ri, atë të Bashkimit Kombëtar dhe të Integrimit të shqiptarëve në Europë. Pranvera Kuq e Zi erdhi dhe dimri i politikës së papërgjegjshme do të largohet për të mos ardhur kurrë më. Çdo shqiptarë, është një lule e çmuar e Pranverës Kuq e Zi.

Thursday, April 5, 2012

Manifesti i Bashkimit


Dott. Mag Alban Daci


Manifesti i Bashkimit


   Aleanca Kuq e Zi, është  rrymë politiko-iluministe që nuk bazohet vetëm në bindje partiake, por edhe kombëtare, ku në gjirin e saj ka njerëz të mençur dhe largpamës që mendojnë se faktori shqiptar është i rëndësishëm në rajon, se shqiptarët duhet të bashkohen në diçka më të madhe se edhe vetë Shqipëria, se integrimi evropian është i domosdoshëm jo vetëm për shqiptarët,  por për të gjithë rajonin.
            Aleanca Kuq e Zi si rrymë politike-iluministe mjaft e rëndësishme për kohën do t’u jap  përgjigje efikase të gjithë argumenteve që kanë të bëjnë me çështjen e Bashkimit Kombëtar, e cila është një aspiratë shekullore që legjitimohet tek principi i vetëvendosjes, normë e përgjithshme e të Drejtës Ndërkombëtare në fuqi.


Lindja e Republikës së Kosovës, bën që faktori shqiptar të jetë jo vetëm më i rëndësishmi në Ballkanin Perëndimor, por vendimtar në zbatimin e proceseve integruese në zonën euro-atlantike për të gjithë Ballkanin. Megjithatë, lindja është fillimi i një jete, i një procesi të pambaruar. Lindja e Republikës së Kosovës është lindja e një shprese mbarë shqiptare për bashkim, realizimi i kësaj shprese është aspirata e popullit shqiptar ndër shekuj.
Po të analizojmë aktualisht në bazë të kriterit hapësinor e demografik, faktori shqiptar ka një shtrirje të gjerë dhe një prani të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë, në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, pa lënë mënjanë dhe Diasporën që është e kudogjendur nëpër botë, ku në pjesën me të madhe ka arritur integrim të plotë shoqëror, ekonomik, kulturor dhe akademik.
Kjo situatë e favorshme për shqiptarët, ka nevojë për nisma të reja efikase dhe të shpejta në kuadrin e një forme të re politike. Kjo formë e re politike bazohet në identitetin tonë kombëtar dhe shprehet përmes ngjyrave Kuq e Zi, si simbole të flamurin tonë kombëtar.
Aleanca Kuq e Zi si rrymë e re politiko-iluministe ka në qendër të saj dhe si mision të shenjtë krijimin dhe riforcimin e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që kanë politika dhe interesa të përbashkëta me faktorin shqiptar në Ballkan.
Në situatën aktuale të krijuar në Ballkan, shqiptarët duhet të ndërmarrin disa hapa të rëndësishëm për sa u përket marrëdhënieve ndër veti, sepse premisat e reja në të ardhmen nuk do të jenë vetëm pozitive, por ndoshta herë-herë edhe negative. Nëse nuk veprohet që tani në krijimin e një baze të shëndoshë për të ardhmen e përbashkët dhe të pandarë, atëherë ka mundësi që jo vetëm të mbetemi të ndarë, por të rrezikojmë edhe ndarje të reja të pa drejta.
Duhet të analizojmë me kujdes problemin e madh që ekziston mes Kosovës dhe Serbisë, problemin mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve që në pamje të parë duket i heshtur, problemin e vjetër të çamëve, si dhe të drejtat e mohuar të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndoshta ka ardhur momenti që këto probleme të krijuara padrejtësisht nga të huajt, t’i zgjidhim po ne, në favor të drejtësisë sonë legjitime, duke ushtruar principin e vetëvendosjes.
Pavarësia e Kosovës, ishte me të vërtetë një fitore e merituar për faktorin shqiptar, por, nëse e studiojmë me gjakftohtësi ecurinë e saj drejt krijimit të shtetit të ri bashkë me komponentët e tij formues, mund të shprehemi se kjo mund të çojë në të ardhmen në krijimin e një “kombi të ri” (Kombi Kosovar) që do të mohonte në simbole kombëtare, në histori, traditë dhe kulturë identitetin e tij të vërtet shqiptar. Disa herë na jepet përshtypja e rreme se në atë vend ka ekzistuar një popull (popull kosovar) me identitetin e vet, me simbolet e veta dhe me historinë e tij. Ky është një imazh qëllimisht i rremë, sepse shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë shqiptarë, të cilët jo vetëm kanë lidhje gjaku, kulture, historike dhe gjuhe me ato të shtetit amë, Shqipërisë, por janë të njëjtët, të cilët u ndanë padrejtësisht nga rendi botëror i fillim shekullit që tashmë e kemi lënë mbrapa.
Një sistem ndërkombëtar, që nuk konsiderohet i drejtë, herët a vonë do të vihet në rrezik. Por, si e percepton një popull drejtësinë e një rendi të caktuar botëror? Varet si nga institucionet e brendshme, ashtu edhe nga gjykimet mbi çështjet taktike të politikës të jashtme.
Prandaj, përputhja e institucioneve të brendshme çon në forcimin e paqes. Sistemi aktual ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit nuk është konsideruar dhe as nuk do të konsiderohet si i drejtë nga shqiptarët. Prandaj, shqiptarët, herët a vonë do të veprojnë ndryshe, derisa ai të ndryshojë në favorin e drejtësisë së tyre. Institucionet e brendshme shqiptare nuk po bëjnë asgjë për drejtësinë ndërkombëtare të shqiptarëve në Rajon, sepse ato po merren me veten.
 Prandaj, nuk kemi arsye të besojmë, se politika aktuale është ajo që mund të realizojë aspiratat tona të drejta e të merituara. Klasa aktuale e politikës shqiptare, ka kohë që është shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Një klasë politike që nuk është në gjendje të krijoi demokracinë në vend, ajo nuk është në gjendje që këtë princip ta mbrojë dhe ta forcojë edhe jashtë, aty ku prej shekujsh jetojnë shqiptarë, të shtypur dhe të nëpërkëmbur.
Duke parë situatën aktuale politike në vend dhe duke kujtuar atë që ka ndodhur në vite, kemi plotësisht të drejtë, edhe pse në formë të dëshpëruar, të mos besojmë më tek kjo klasë politike, e cila mendon dhe lufton vetëm për interesat vetjake. “Problemet e politikës nuk vijnë nga mjedisi, por polarizimi politik i udhëheqësve që thjesht nuk kanë në vetvete instinktin demokratik, për të cilët demokracia është diçka jashtë tyre, demokracia është diçka që nuk u vjen për shtat, diçka që ata duhet ta manipulojnë për botën e jashtme, por jo që ata vetë ta praktikojnë”, -tha zoti Withers.
Unë, do të vazhdoja edhe më tej... përderisa kjo klasë politike as nuk e ka në agjendë bashkimin kombëtar (më i mundshëm është ai mes Kosovës dhe Shqipërisë), do të thotë se bashkimi për ata është diçka e huaj. Për këtë arsye ne kemi të drejtë të besojmë se kjo klasë politike nuk e do bashkimin.
Po të shohim historitë e bashkimeve në të kaluarën, si dhe po të analizojmë të drejtën për vetëvendosje të popujve, bashkimin e një populli mund ta bëj vetë popull me iniciativën e tij të lirë, duke u bazuar në demonstrimin e vullnetit të lirë që është shenja më e lartë e një demokracie. Gjermania u bashkua, sepse vet populli gjerman (kundër edhe faktorit ndërkombëtar të asaj kohe) vendosi ta shemb murin absurd dhe të padrejtë që ndante qytetin e Berlinit dhe vet Gjermaninë. Prandaj, populli shqiptar, duke u mbështetur edhe në principin ndërkombëtar të vetëvendosjes, nuk duhet të pres që bashkimi i tyre të bëhet nga politika aktuale, por ato, si gjermanët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre të përbashkët që është vetëm bashkimi. Aleanca Kuq e Zi, si rrymë politiko-iluministe, e cila ka dal nga gjiri i qytetarëve dhe orientohet sipas kërkesave të tyre, ka marrë obligimin politiko-kombëtar t’i orientojë ata në rrugën e bashkimit.
Vetëvendosja është një princip drejtësie dhe për këtë arsye as nuk mund të na e ndalojnë ta ushtrojmë dhe as nuk duhet ta harrojmë, se është e drejta jonë legjitime për ta ushtruar atë. Sipas pikëpamjes së Amerikës, nuk ishte vetëvendosja që shkaktonte luftëra, por mungesa e saj. Duke u nisur kjo analizë, mund të themi me siguri të plotë, se nuk sjell probleme në rajon, ushtrimi i vetëvendosjes nga shqiptarët, por mos ushtrimi i kësaj të drejte pikërisht nga shqiptarët.
Mos u shtrimi i kësaj të drejte nga shqiptarët dhe pengimi i ushtrimit të saj nga popujt e tjerë, do të bëj të mundur që në rajon të qëndrojë gjithmonë gjysmë e hapur dera e telasheve dhe probleme me pasoja të rrezikshme për të gjithë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të ndodh duke bërë bashkëpunime të rëndësishme si më poshtë. Megjithatë, nëse bashkëpunimet e më poshtme janë të parealizueshme për shkak të faktorëve të brendshëm politik, atëherë shqiptarët duhet të mbaj si alternativë, bashkimin e menjëhershëm dhe demonstrativ, ashtu siç bënë gjermanët e dy Gjermanive, duke u paraqitur masivisht në pikat e kontrollit dhe të kalimit.
Procesi i Bashkimit mund të kërkojë dy aksione për t’u realizuar: fillimisht bashkim të tipit step by step për sektorë e pastaj kurorëzimin e tij me anë të ushtrimit të principit të vetëvendosjes, ose në fillim, ashtu si Gjermania ushtrimin e vetëvendosjes dhe pastaj realizimin brenda një kohë rekord të bashkimit përmes procesit step by step për çdo sektorë. Të dyja janë të aplikueshme dhe të pranueshme, por duke pasur parasysh eksperiencën e mrekullueshme të Bashkimit Europian, do të ishte më funksionaliste, që në fillim të vihej në zbatim principin step by step për çdo sektorë.
Ja disa nga fushat ku mund të ndodh ky lloj integrimi-bashkimi për sektor.



 Bashkëpunim Ekonomik 

a) Të krijohet një zonë e përbashkët ekonomike, ku të ketë një tarifë të përbashkët doganore, e cila duhet të aplikohet sipas modelit europian, ku të mirat e dy vendeve mund të qarkullojnë pa pengesa dhe që qeveritë e dy vendeve zotohen se do të eliminojnë çdo lloj pengese. 
b) Të fillojnë tentativat për realizmin e një politike të përbashkët në agrikulturë, e cila duhet të jetë sipas parametrave evropian, ku të vendosen çmime të përbashkëta për prodhimet elementare. Politika e përbashkët në agrikulturë mund të zbatohet në krijimin e një arke të përbashkët, e cila duhet të financohet nga të ardhurat e përbashkëta, të mbledhurat kryesisht nga tarifat e përbashkëta doganore me shtetet e tjera të rajonit. 
c) Të sanksionohet lëvizja e lirë e shërbimeve, njerëzve dhe e mallrave, duke krijuar një zonë të lirë tregtie. Nisma e krijimit të kësaj zone duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova, por që të ketë klauzola që lënë të hapur pjesëmarrjen dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket lëvizjes së lirë duhet të bëhet një marrëveshje e shkruar për heqjen e pengesave të kontrollove kufitare. Kjo mund të vlejë si një provë për të anëtarësuar në ardhmen me drejtat të plota në Traktatin Schengen. 
d) Të krijohet një strategji e përbashkët kombëtare për modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit, ku të vihen në zbatim interesat të përbashkëta. Rol parësor duhet të kenë veprat e mëdha si për shembull zonat portale si dhe rrjetet rrugore që do të bënin më të lehtë dhe të shpejtë komunikimin mes këtyre dy vendeve.
 e) Krijimi i një strategjie të përbashkët në fushën e energjetikës si në investime të përbashkëta për vepra të reja dhe për administrimin me efikasitet të veprave dhe sistemit të trashëguar.
Hapi i pari dhe më i rëndësishëm do të ishte krijimi i një kompanie të përbashkët koorporuese mes dy vendeve. Këtë rol mund ta bëj shumë mirë KESH (Kompania Energjetike Shqiptare) që mund të veproj si kompani kombëtare e bashkuar me KEK-un e Kosovës.
Hap tjetër i rëndësishëm do të ishte investimi i përbashkët për forcimin e rrjetit ekzistues, si dhe krijimin e rrjeteve të reja të standardeve moderne të kohës që do të lehtësonin shpërndarjen e energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve si dhe mundësinë e eksportimit të saj më vendet e tjera të rajonit. Mund të ketë projekte të përbashkëta për ndërtimin e hidrocentraleve, termocentraleve dhe formave të tjera të energjisë së rinovuar përmes aksioneve të përbashkëta investuese për të pasur një shfrytëzim të përbashkët dhe të barabartë në të ardhmen. 

Bashkëpunim Politik 

         a) Të krijohen organizma ndër institucionale si “Këshilli Kombëtar për Integrim”, i cili duhet të përfaqësohet nga nivelet më të larta drejtuese të dy vendeve, si dhe në nivel specialistësh që duhet të mblidhet në çdo katër muaj të vitit, ku të diskutohen implementimet e politikave të përbashkëta për një integrim të përbashkët dhe uniformë në Bashkimin Evropian. Selia e këtij këshilli mendoj se duhet të jenë Prishtina dhe Tirana. Ky këshill do të bënte që faktori shqiptar të ketë politika të përbashkëta për çështjet e përbashkëta në Ballkan.
             b) Krijimi i një politike të jashtme të përbashkët (PJP) që duhet të përfaqësohet nga nivelet e larta drejtuese të dy vendeve dhe të ketë objektiva parësore implementimin e reforma për integrim të shpejtë në zonën euro-atlantike, të jap kontribut dhe garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbrojë interesat e faktorit shqiptar në botë në sintoni më politikat e aleatëve të deklaruar. 
        c) Mund të krijohen konfederata partiake, ku forcat kryesore partiake të dy vendeve, sipas programeve dhe ideologjive që kanë, në zbatim mund të bashkëpunojnë duke krijuar organe të përbashkëta këshilluese në realizimin e objektivave të përbashkëta, por gjithmonë duke venë në qendër të vëmendjes interesat kombëtare. Përsa u përket konfederatave politike, si më të mundshme mund të shikojë krijimin e një konfederate me Vetëvendosjes në Kosovë dhe Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri. Këto lëvizje politike, e kanë shprehur në mënyrë të qartë, se bashkimi kombëtar është strategjia kryesore e aktivitetit. 

Bashkëpunim Kulturore

            a) Krijimi i një “Komisioni kulturor” të përbashkët, që do të diskutojë çështjet e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës, në mënyrë që të mos krijohen distanca më rryma të ndryshme dhe të largëta. Një rol të rëndësishëm mund të luaj Instituti i Albanologjisë duke operuar në të gjitha nivelet e arsimimit. Nëse Albanologjia si institucion nuk është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, Shqipëria dhe Kosova kanë plot intelektualë të nivelit të lartë, të cilët punojnë në mënyrë autonome prej kohësh. Atëherë, këto intelektualë duhet të riorganizohen dhe të krijojnë një institucion krejt të pavarur që të përfaqësojë interesat e kulturës tonë kombëtare.
            b) Krijimi i një “Komisioni Gjuhësie” që duhet të analizojë problemet dhe sfidat me të cilat përballet aktualisht gjuha shqipe si në aspektin drejtshkrimor e gramatikor, si dhe nga huazimet e shumta që po e mbysin. Ky komision besoj, se duhet të përbëhet nga niveli më i lartë i akademikëve të gjuhësisë dhe duhet të mblidhet njëherë në gjashtë muaj. Gjuha shqipe duhet të evoluojë bashkë me proceset e tjera. Kongresit i fundit i gjuhës shqipe, pa komentuar rrethanat në të cilat është zhvilluar, është bërë shumë kohë më parë, kurse proceset e tjera jetësore kanë ndryshuar me hapa të mëdha. Kjo ka bërë që gjuha shqipe të përballet me sfidën kohë dhe hapësirë, sepse shtrirja e përdorimit të saj, falë ndryshimeve që kanë ndodhur në rajon, është rritur, duke bërë që të mos ketë një harmonizim të plotë dhe uniformë përdorimi, si dhe mos koherencë me proceset e tjera si globalizimin. Prandaj, e shikoj të drejtë të punohet dhe të bëhen rishqyrtime që gjuha shqipe të jetë si koherente dhe uniforme në të gjitha zonat shqipfolëse .

Unifikimi i sistemit Arsimor

1.   Hartimi i një abetare të vetme e të përbashkët për të gjithë shqiptarët.  Abetarja duhet të përbëhet dhe të shoqërohet në brendësi me elementë që vënë në pah historinë, traditën dhe kulturën e vendit tonë. Simbolet kombëtare dhe shtetërore do të jenë elementë identifikues dhe dallues. Duhet të krijohen fonde të cilat do të kenë për qëllim hapjen shkollave shqipe në të gjitha vendet, ku jetojnë shqiptarët.
2.   Duhet të unifikohet sistemi universitar i Shqipërisë me atë të Kosovës. Ky unifikim duhet të ndodh në të gjitha nivelet. Formula më e mirë do të ishte zbatimi dhe plotësimi i Kartës së Bolonjës, i cili mundëson shkëmbime të eksperiencave akademike në fusha të ndryshme, njohjen e diplomave, shkëmbim të studentëve përmes sistemit europian Erasmus. Pra, sistemi universitar i unifikuar duhet të jetë i formulës 3+2+3 për Shkencat Sociale, Juridike, Ekonomike, të Edukimit dhe 6+5 duhet të jetë për Shkencat e Mjekësisë.
3.   Duhet të  stimulohet përmes fondeve të veçanta kërkimi shkencor dhe inovacioni teknologjik, që duhet të jetë në shërbim dhe në interes të shqiptarëve.
4.   Duhet të forcohet sistemi i shkollave profesionale, sidomos ato që kanë të bëjnë me hoteleri-turizmin, menaxhim- biznesin, teknologjitë ekonomike, me profilet e ndryshme të industrisë së rëndë dhe ushqimore

Harmonizimi i sistemit të drejtësi

Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë një sistem të njëjtë juridik, duke përafruar sa më shumë ligjet për t’i bërë ato uniformë për të dyja vendet. Pra, të aplikohet për të dyja vendet një sistem i vetëm juridik, më të njëjtën fizionomi hierarkike dhe funksionale. Ky proces duhet të realizohet përmes konsultimeve të realizuara nga ekspertët më të mirë të fushës nga të dyja palët. Garanci suksesi për sistemin e vetëm juridik duhet të jetë fakti se gjykatësit duhet të zgjidhen nga qytetarët. Kjo është forma më e mirë për të garantuar një sistem juridik të pavarur, të drejtë dhe jo të korruptuar.

Roli i Diasporës

Në këtë arenë të gjerë që po analizojmë, nuk duhet të harrojmë as Diasporën tonë, e cila është pjesë integrale shpirtërore dhe fizike e botës shqiptare. Diaspora shqiptare gjithmonë ka luajtur një rol të fortë dhe të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për të përfaqësuar imazhin shqiptar denjësisht, për mbrojtur interesat politike kombëtare të faktorit shqiptar, si dhe pa harruar rolin më kryesor atë ekonomik, ku fal kontributeve të derdhura nga emigrantët, Shqipëria ka ecur përpara në reforma ekonomike, duke zbutur varfërinë dhe ndezur shpresën e mirëqenies në familjet shqiptare. Ka ardhur momenti që Diaspora, kjo pjesë e rëndësishme shpirtërore e kombëtare, të bëhet pjesë e rëndësishme e proceseve të rëndësishme me karakter vendimmarrës. Diaspora ka luajtur gjithmonë një rol shumë të rëndësishëm për çështjet kombëtare, sociale e politike në vend. Megjithatë, ajo sot ndjehet e diskriminuar dhe e përjashtuar nga klasa e vjetër politike. Diaspora duhet të gëzojë të drejtën legjitime të bazuar edhe Kushtetutë, që jo vetëm të zgjedh, por edhe të zgjidhet. Pra, të gëzojnë të drejtën e ushtrimit të votës. Ushtrimi i kësaj të drejte do të shëndosh edhe më tej demokracinë e brishtë të vendit tonë.

Sunday, April 1, 2012

Rinia i beson vetëm Aleancës Kuq e Zi


Alban Daci

Aleanca Kuq e Zi tashmë po trondit çdo qytetet shqiptar, duke sjellë uragane me pjesëmarrjen e qytetarëve. Edhe pse Aleanca Kuq e Zi është një parti e hapur për të gjitha shtresat sociale dhe moshat, ajo në gjirin e saj më së shumti ka rininë. Djem dhe vajza të reja të cilat, të zhgënjyer dhe të lodhur nga PS dhe PD kanë ngjallur shpresën tek Aleanca Kuq e Zi.  Pra, vrulli e linja e parë e Aleancës Kuq e Zi është e përbërë nga rinia, energjia më e madhe e Shqipërisë, nga djem e vajza të mirë edukuar brenda dhe jashtë vendit në universitet me të mira.
            Tek Aleanca Kuq e Zi kanë ardhur qindra e mira të rinj të talentuar, të cilët janë diskriminuar dhe janë shpërfillur nga PS e PD në qeverisjet e tyre 20 vjeçare. Këto të rinj të talentuar, por pa pushtet, pa para dhe miq, kanë jetuar mes poshtërimit dhe varfërisë ekonomike. Tashmë, dihet se për të hyrë në punë në institucionet e shtetit shqiptar nuk duhet diploma apo kualifikime, por të jesh farefis me njerëzit në pushtet, të kesh para ose të jesh një besnik dhe një militant qorr për partinë që është në pushtet. Merita e çdo të riu në Shqipëri nuk matet me eksperiencën e tij intelektuale dhe jetësore, por me numrin e votave që mund të bëjë për partinë-shtet, ose nëse ka lidhje me faktin se biri i kujt është.
            Aleanca Kuq e Zi po i shokon të gjitha partitë e vjetra (të dalë boje) shqiptare për nga pjesëmarrja në tubime, për nga entuziazmi si dhe për faktin se ajka e kësaj lëvizje dhe frymëzimi i saj janë kryesisht të rinjtë. Të xhelozuar dhe të frikësuara si PD ashtu edhe PS janë vërsulur me të gjitha mekanizmat për të rekrutuar sa më shumë të rinj. Ndryshimi i madh mes Aleancës Kuq e Zi dhe këtyre të dyja është se e para nuk ka nevojë të bëj rekrutim, sepse të gjithë vijnë me vullnetin e tyre për të bërë të gjithë së bashku ndryshimin, ndërsa PS dhe PD meqë nuk e kanë luksin e thithjes vullnetare për shkak të zhgënjimeve të një pas njëshme që u kanë bërë, po përpiqen t’i rekrutojnë sikur të ishin ushtar.
            Besoj e keni parë të gjithë se si lideri i PS po shkon qytet e në qytet për të anëtarësuar të rinjtë. Po pse vallë ky u kujtua pikërisht tani? A ka moral politik dhe njerëzorë ta bëj pikërisht tani një gjë të tillë? Së pari e dimë shumë mirë se si behën delegimet dhe emërimet në strukturat e PS. Nuk gjej qoftë edhe një rast të vetëm që një i ri, të ketë bërë karrierë te kjo partitë për faktin se ai ka kapacitete të larta intelektuale dhe organizuese politike. Ne e dimë shumë mirë, që FRESH, i cili është forumi rinor i kësaj partie, nuk ka organizuar asnjëherë forma demokratike të zgjedhjes. Aty njoh shumë djem të rinjtë të talentuar, të cilët nuk janë zgjedhur në struktura, sepse nuk ishin pjesë e klaneve dhe interesave të strukturave të kësaj partie. Mos të harrojmë se kohë më parë një grup të rinjsh të FRESH u dërguan përfaqësive diplomatike të akredituar në Shqipëri një letër me kërkesa, ku ndër të tjera kërkonin demokracinë e munguar në këtë forum. PS edhe pse po përpiqet të fitojë besimin e të rinjve, ajo e ka të kotë, sepse kjo parti është një mollë e ndaluar për të rinjtë e talentuar.  Është turp për këtë parti që pas 20 vitesh kujtohet për të rinj. Këtë e bën jo se me të vërtetë ka një platformë për integrimin e të rinjve në strukturat vendimmarrëse të kësaj partie, por sepse i konsideron thjeshtë numër votash për të bërë matematikën e fitores.
            Edhe lideri i PD ka deklaruar se do të bëhet një fushatë e madhe për anëtarësime të reja. Madje ka shkuar më tej duke thënë se dera e kësaj partie është e hapur për të rinjtë. Të gjithë ju e dini shumë mirë historinë e krijimit të KOP-it. Edhe pse në fillim kjo strukturë ofrojë rreth vetës shumë të rinj të shkolluar në universitet më të mira në Perëndim, në fund u bënë pjesë e vendimmarrjes së pushtetit vetëm ato persona që ishin më pak të kualifikuar, por që kishin lidhje pas lidhje farefisnore me klanet e strukturave të PD. Nuk mungojnë rastet, ku njerëz të afërt të tyre, kanë zënë edhe sot pozicione të rëndësishme drejtorish si në institucionet shtetërore ashtu edhe në shërbimin tonë diplomatik.  Sa moral ka PD që kërkon të anëtarësojë të rinjtë, kur si kryetari ashtu edhe nënkryetari i forumit rinor të kësaj partie nuk janë të zgjedhur demokratikisht nga strukturat, por janë emëruar dhe katapulultuar nga lartë.  Si mund t’i besojnë të rinjtë kësaj partie, e cila i ka pushtuar institucionet me militantë, të paaftë dhe me farefis. Si mund t’i besojnë më të rinjtë e talentuar, të cilët vetëm pse janë jo të pasur dhe pa mbështetje sillen rrugëve të papunë duke jetuar mes mjerimit dhe depresionit. Si mund t’i besojnë të rinjtë kësaj partie, ku fëmijët e tyre marrin tre katër rroga pa shkuar fare në punë, dhe të rinjtë e talentuar shqiptar nuk kanë shpresë të zënë me meritë qoftë edhe një punë të nderuar dhe të respektuar.
                Pra duket qartë ndryshimi mes Aleancës Kuq e Zi nga njëra anë dhe PS e PD nga ana tjetër. E para është burimi frymëzimi për të gjithë të rinjtë e talentuar dhe i fton ato që së bashku të punojnë për të ndryshuar politikën aktuale e bashkë me të edhe vendin për ta bërë atë modern, demokratik e të zhvilluar. Aleanca Kuq e Zi nuk i konsideron të rinjtë thjeshtë numër votash, por vlera të jashtëzakonshme intelektuale dhe jetësore. Shqipëria nuk mund të bëhet pa të rinjtë. Rinia është motori i zhvillimit, ndryshimit e progresit. Ndërsa, PS e PD nuk është se shqetësohen për situatën e vështirë të papunësisë të qindra e mijëra të rinjve, por thjeshtë dëshirojnë t’i rekrutojnë ato si numër votash dhe t’i përdorin si ushtar të mirëbindur.