Wednesday, June 8, 2011

Jehonë e largët vjen nga Europa


Dr. Alban Daci


Kudo në Europë ka shqiptarë të cilët jetojnë, punojnë e studiojnë. Kudo që ndodhen shqiptarët përpiqen me çdo kusht të jenë krenar për identitetin e tyre shqiptar, si dhe mundohen, sa të mundin, të tregojnë se janë të integruar në shoqëritë ku janë futur për të jetuar dhe punuar.
Edhe pse shumica e tyre kanë vite që, tashmë, jetojnë në Europë, e cila është bërë një shtëpi e dytë për ta , nuk janë të ndarë dhe nuk mund të ndahen shpirtërisht me vendin e tyre, Shqipërinë, e cila, herë qëndron si një dritë që vetëm vjen e largohet për ta dhe herë duket sikur ajo do të jetë një shkëndijë shprese për ta dhe të afërmit e tyre.
Shqiptarët, edhe pse ndodhen në Europë, janë shumë të interesuar se si po ec vendi i tyre, si po shkon procesi i integrimit, se si po shkon dialogu politik, a po zhvillohet me ritme të shpejta... e kështu me radhë.
Momenti i hyrjes së Shqipërisë në NATO ishte një moment krenarie për shumë shqiptarë, të cilët ndodhen në Europë. Sapo Shqipëria hyri zyrtarisht në NATO, shqiptarët, që ndodheshin në Europë, filluan të krenoheshin dhe të zgjeronin supet, duke argumentuar ndër qytetarët e vendeve ku kanë emigruar se edhe Shqipëria, tashmë, është e zhvilluar, sepse është anëtare e NATO-s.
Por kjo ëndërr u bë edhe me madhe, kur Shqipëria përfitoi “Lëvizjen pa viza” në “Zonën Schengen” të Bashkimit Europian. Ky akt u dha më shumë dinjitet, më shumë liri, dhe i bëri të ndjehen të barabartë dhe të pa diskriminuar me popujt e vendeve të tjera të kontinentit europian, të cilët kishin vite, pse jo edhe dekada, që e kishin përfituar këtë proces.
Shqiptarët, tashmë, pas procesit të lëvizjes së lirë nuk do të qëndronin më në radhë të gjata dhe të diskriminuar në portat e hyrjes në Bashkimin Europian. Shqiptarët nuk do të kishin më nevojë të jepnin lekë për të blerë një vizë, nuk do të qëndronin më në radhë të gjata para një selie diplomatike për të marrë një vizë.
Nuk do të rrezikonin më, të vdisnin vetëm për faktin, se nuk arrinin të siguronin një vizë kurimi për t’u kuruar në një vend të Bashkimit Europian. Shqiptarëve, më në fund, do ju hiqej nofka e klandestinit, skllavit të kohërave moderne, që udhëton përmes vdekjes dhe dëshpërimit për një jetë më të mirë.
Pra, për shumë shqiptarë që jetojnë në Europë, dukej se, më në fund, Shqipëria kishte marrë rrugën e duhur, atë të zhvillimit dhe të integrimit në Bashkimin Europian. Por ky optimizëm real, pothuajse, u shua pa kaluar shumë kohë. Kjo shuarje ndodhin me rastin e 21 janarit. Shumë shqiptarë thanë: “Mos ndodh përsëri. Po, pse pikërisht tani duhej të ndodhte? Pse gjithmonë ne, shqiptarëve, sapo fillojmë të gëzojmë, duhet të na ndodh gjithmonë diçka, që të na kthej në hidhërimin e zakonshëm të përjetuar për shumë kohë me radhë”.
Sapo ndodhi 21 janari, shtypi europian u mbush me rreshta të gjata kritikë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për politikën shqiptare. Për shqiptarët, që jetonin në Europë prej kohësh, kjo ishte një “Tragjedi” nga e cila nuk kishin çfarë të thoshin, veçse të turpëruar të ulnin kokën dhe të heshtnin.
Me pak fjalë, Shqipëria u paraqit, përsëri, para syve të Europës si një vend që ka probleme të mëdha të natyrës politike për të zgjidhur, duke u nisur që nga mungesa e dialogut deri tek koncepti i një politike të përbashkët shqiptare, kur bëhet fjalë për interesa esenciale nacionale.
Pa kaluar shumë kohë nga ngjarjet e 21 janarit, shqiptarët në Europë patën një shans tjetër për t’u ndjerë përsëri krenar dhe të rrisnin shpresën se Shqipëria do të ishte shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian. Ky shans ishte rasti i zgjedhjeve për Pushtetin Vendor të realizuar me datë 8 maj.
Në procesin e votimit, qytetarët shqiptarë treguan një maturi të lartë politike dhe një dashuri të madhe për demokracinë. Megjithatë, ky ishte vetëm fillimi i një shprese, që shumë shpejt do të zbehej. Zgjedhjet mbaruan, institucionet dhanë fjalën e tyre, por një pjesë e politikës shqiptare nuk është dakord dhe bën kërcënime për luftë. Ky është absurditeti më i fundit i politikës shqiptare, ku në momentin e një qetësie të duhur për të ecur përpara, bëhen thirrje për luftë dhe për përballje.
Kush do të përballet dhe më kë do të përballet? Sipas një analize të thjeshtë i bie të përballen shqiptarët me shqiptarët, vëllai me vëllanë, kushëriri me kushëririn dhe kjo duhet të ndodh vetëm për faktin, se dikush që ka humbur nuk e pranon dhe dëshiron të qëndrojë me çdo kusht atje nuk mund të qëndrojë më.
Tani është fillimi i sezonit të verës dhe shumë shqiptarë, që jetojnë në Europë, duan të kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet dhe për të qëndruar sikur edhe për pak kohë në vendin e tyre të origjinës. Ato, nuk duan të gjejnë një Shqipëri të trazuar për shkak të kapriçove të politikës, ose të disa politikanëve që nuk e kanë kulturën të besojnë se në politikë nuk ka gjithmonë fitore, por edhe humbje, nëse nuk din të qeverisës dhe nuk mbron interesat e qytetarëve, që të kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar.
Shqiptarët që jetojnë në Europë dhe Amerikë, kanë dëshirë dhe shpresojnë që Shqipëria t’i kthehet normalitet dhe të vazhdojë në procesin e Integrimit Europian, të zhvillohet ekonomikisht dhe të stabilizohet demokratikisht, duke marrë pamjen e një vendi europian dhe modern, ashtu siç i takon të jetë.
Thirrja e shqiptarëve, kudo që ndodhen, për të gjetur stabilitetin politik dhe për të vazhduar procesin e rëndësishëm dhe të pashmangshëm të reformave, vjen dalë nga dalë, si një jehonë e largët në veshët e disa politikanëve të pandreqshëm, të cilët janë në gjendje të prishin gjithçka dhe çdo gjë për pushtetin e tyre personal politik.
Kjo jehonë nuk do të jetë gjithmonë e largët dhe dobët, por ajo mund të bëhet e fortë dhe guximshme, nëse politika shqiptare nuk e kupton se nuk mund të vazhdohet më me të njëjtin stil, që ka pasur gjithmonë, atë të shpërfilljes së qytetarëve të saj.
Jehonat e sotme sociale, diku të heshtura dhe të mençura, dhe diku të forta dhe të vendosura, nuk janë vetëm negative, por tregojnë se qytetarët shqiptarë marrin frymë dhe duan të jetojnë në demokraci e paqe, si popujt e tjerë të kontinentit europian. Dikush këto jehona i dëgjon dhe përpiqet t’i respektojë, dikush tjetër bën sikur është i shurdhër, por nuk e kupton se me këtë gjest po demonton të ardhmen.
Kjo jehonë e largët nuk po vjen vetëm nga shqiptarët, që jetojnë prej vitesh në Europë, të cilët kanë lidhje shpirtërore me Shqipërinë, por po vjen edhe nga Brukseli, i cili disa herë po thërret për dialog, si dhe për të respektuar vullnetin e qytetarëve, të cilët duhet të jenë objektivi i politikës shqiptare dhe jo pasojë e kësaj të fundit.