Saturday, August 28, 2010

Greqia nuk mund të na jap leksione mbi të drejtat e njeriut


Dr. Alban Daci
Botuar me date 29 gusht 2010
Gazeta Tirana Observer

Para ca ditësh ndodhi incidenti i Himarës, ku një i ri himarjot me nënshtetësi shqiptare u aksidentua duke udhëtuar me motor me një makinë tjetër dhe për pasoj gjeti vdekjen. Po përdori termin aksident, pasi akoma nuk ka një vendim gjygjsor përfundimtar në lidhje me këtë çështje. I riu që gjeti vdekjen, sipas informacioneve të dhëna deri tani nga mediet, na del se qenka një shtetas shqiptar, por greqisht-folës.
Fakti që ky na qenka greqisht-folës, ose ashtu siç pretendojnë disa për qëllimi të caktuara, bëri që nga një aksident ndoshta krejt i rastësisht të marr dhenë sikur të ishte i qëllimshëm dhe i organizuar. Madje, saqë ndërhyri edhe qeveria greke, e cila kërkoj që personat përgjegjës të vihen para ligjit. Para se ta analizojmë incidentin si një ngjarje të vecantë. Le të merremi pak në lidhje me ndërhyrjet e Greqisë sa herë që ndodh dicka në Shqipëri në lidhje me atë që ajo pretendon se janë minoritet grek.
Gjithkush në Evropë mund të flasë për respektimin e të drejtave të njeriut, kurse Greqia jo. Ajo, nuk mund të flasë, pasi nuk i ka respektuar ndonjëherë që nga koha që ka krijuar shtetin modern në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Le të marrin rastin e emigrantëve shqiptarë, që për një jetë më të mirë kanë emigruar drejt Greqisë. Historitë e tyre janë të gjitha të ngjashme. Nuk ka emigrant shqiptarë që të ketë shkuar në Greqi pa u kapur qoftë edhe njëherë nga ushtria apo policia greke, që të mos ketë bërë të paktën tre ditë burg në kushte mizore. Nuk ka besoj shqiptarë që të mos e ketë provuar drurin e policë apo ushtrisë greke. Nuk ka shqiptarë që të mos ketë provuar ofendime, diskriminime dhe trajtime çnjerëzore qoftë edhe për një herë të vetme.
Greqia është i vetmi vend i Bashkimit Evropian, i cili i detyron emigrantët që të ndryshojnë emrin e tyre dhe të vendosin një emër grek. Nuk ka besoj shqiptarë që ka shkuar në Greqi që përveç emrit Sokol, Arber, Altin, Petrit të ketë edhe një emër të dytë Jorgos, Janis, Petro etj.
Greqia nuk është, se nuk respekton vetëm të drejtat e shqiptarëve që kanë emigruar në Greqi, por ajo nuk respekton as të drejtat e çdo qytetari, i kujtdo shteti qoftë që e ka zgjedhur si vend emigrimi. Greqia, në veçanti gjatë viteve të fundit është bërë një vend shqetësues për Kombet e Bashkuara dhe për Bashkimin Evropian në lidhje me trajtimin e emigrantëve, për respektimin e të drejtave të tyre si dhe për garantimin e statusit të azilantit politikë, kur është e justifikuar me dokumente dhe me prova të tjera të vlefshme.
Sipas rregullores së Dublinit në lidhje me kërkimin e azilit politik, azilkërkuesit duhet të aplikojnë dhe të pretendojnë për këtë status vetëm tek shteti i Bashkimit Evropian që kanë shkelur për herë të parë. Kjo do të thotë se: nëse një iranian ka hyrë për herë të parë në Greqi (shteti i parë i zonës së Bashkimit Evropian) ai duhet të kërkoj azil vetëm tek ky vend. Pra, nëse ky shtetas iranian pasi ka hyrë në Greqi, kërkon dhe arrin të shkoj në mënyrë klandestine në një vend tjetër të Bashkimit Evropian si Italia. Në momentin që kapet nga autoritet e shtetit Italian, atij i refuzohet hyrja si dhe rikthehet përsëri në Greqi.
Një ndër vendet, le të themi më horror në lidhje me trajtimin e emigrantëve apo azilkërkuesve në Greqi është porti i Patrës. Ndër të tjera, në lidhje me situatën dhe kushtet, ku jetojnë këto fatkeq, ka bërë edhe një puntatë të vecantë emisioni i “Le iene” i Mediasetit. Gjatë këtij emisioni u pasqyruar një kamp i improvizuar, ku jetonin emigrantët në kushte të mjerueshme. Nëpër barake, pa ujë, pa drita. Çfarë binte jashtë binte brenda. Pjesa më dramatike ishte fakti: kur këto fatkeq, të cilin kishin kohë që kishin kërkuar statusin e azilantit, por që nuk kishin marrë asnjë përgjigje, përpiqeshin me çdo kusht të largoheshin drejt vendeve të tjera të perëndimore si Italia, Franca, Anglia etj. Këto njerëz, si për shembull afganistanezët që ishin larguar nga vendi i tyre, sepse atje ka luftë, me çdo lloj mjeti apo kushti arrijnë deri në Greqi me shpresën se jeta e tyre do të ndryshoj dhe se do të arrijnë ndoshta më në fund të harrojnë horroret e përjetuar më parë. Por, ajo që gjejnë në Greqi është një ferr i dytë, sepse nuk gëzojnë asnjë të drejtë qoftë edhe minimale për të jetuar dhe jo më për të fituar ndoshta me të drejtë statusin e azilantit. Ato, ju drejtohen kamionëve që imbarkohen në port me destinacion shtetet perëndimore. Shumica e tyre nuk arrijnë dot në destionacionet e vendeve të tjera perëndimore, sepse ndoshta asfiksohen dhe vdesin brenda kontenereve të kamionëve, ose kapen nga policia greke dhe rrihen publikisht me shkop gome dhe me shqelma si ato pamjet që na paraqiti emisioni televiziv italian dhe në rastet ekstreme të cilat nuk janë të pakta, ku këto emigrant futen dhe lidhen poshtë kamionëve dhe gjatë rrugës për shkak të lodhjes e lëshojnë trupin duke u tërhequr zvarrë për kilometra të tërë në autostradat italiane.
Këto gjëra nuk i dëshmojnë vetëm mediet italiane apo edhe ato të tjerat prestigjioze perëndimore, por edhe Amnesty International. Kjo organizatë ndërkombëtare vë në dritë mungesën e një procedure korrekte për azil në Greqi, e cila konkretizohet me mungesën e një ekzamini korrekt për kërkesat e azilkërkuesve si dhe mungesa e mundësisë për të bërë një ekzaminim të dytë pas atij të parit.
Amnesty International në raportin e saj mbi azilkërkuesit në Greqi argumenton faktin se: mungesa e vendeve të strehimit sipas standardeve të kërkuara dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore prodhojnë pasoja negativa mbi të drejtat ekonomike dhe sociale. Sipas kësaj organizate është evident fakti se: Greqia nuk respekton nevojat themelore të kërkuesve për azil.
Kjo lloj situate në Greqi nuk ka ndryshuar edhe sot. Qeveria e re e Greqisë që erdhi në pushtet në 2009 bëri premtime për të ndryshuar situatën e refugjatëve dhe të emigrantëve në përgjithësi por, de fakto/de jure, ka hartuar vetëm një ligj shumë më shtrëngues mbi nënshtetësinë greke pa ndërhyrë qoftë minimalisht mbi procedurat që dhunojnë konventat dhe direktivat evropiane mbi azilin dhe mbi të drejtat e njeriut.
Para se të flisja mbi ngjarjen e Himarës, bëra një rezyme mbi respektin e të drejtave të njeriut brenda shtetit grek. Tani le të kthemi tek ngjarja e Himarës. Para së gjithash kjo ngjarje është pasojë e një politike nacional-shoviniste që qeveria greke ka bërë në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo mbi Himarën në këto vitet e fundit. Greqia, nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka rritur tensionin në këtë zonë të Shqipërisë nëpërmjet ndërhyrjeve që ka bërë në planin politik si dhe në atë ekonomik.
Kjo ngjarje mendoj se ka ndodhur si pasoj e frikës që Greqia e ka ushqyer me politikat e saj në lidhje me pretendimet territoriale absurde që jo rrallë herë i ka shfaqur. Për shkak të kësaj politike tek greqisht-folësit e Himarës është krijuar bindja se ato po i diskriminojnë dhe se vetëm shteti grek mund t’i shpëtoj. Ndërsa, ndoshta me të drejtë tek shqiptarët dhe tek vlonjatet është krijuar ideja se Himarën tonë do na e marr Greqia.
Rasti i Himarës në aspektin ligjor dhe human duhet të dënohet, sepse humbi jetën një djalosh i ri. Megjithatë, kjo është një çështje shqiptare dhe që duhet të zgjidhet vetëm nga ligjet shqiptare. Çdo qytetar shqiptar, qoftë greqisht-folës ose jo gëzon të drejta/liri të plota njerëzore, të cilat parashikohen edhe tek Kushtetuta e Shqipërisë. Për këtë arsye deklaratat e Greqisë apo të tellallëve të saj në Shqipëri janë të panevojshme dhe mund të ndikojnë vetëm negativisht për situatën në përgjithësi. Çdo deklaratë e Greqisë në lidhje me këtë çështje dhunon principin bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare: ndërhyrjen në çështjet e brendshme të një shteti tjetër.
Gjithashtu, shteti shqiptarë nuk duhet t’i braktis shtetasit e saj. Askush nuk është fajtor apo kriminel pa pasur një vendim gjygjsor të formës së prerë. Për këtë arsye, të rinjve shqiptarë që ndoshta akuzohen për këtë çështje, duhet t’iu garantohen të gjitha të drejtat ligjore për një proces të pastër juridik dhe jo politik. Atyre duhet t’iu garantohet e drejta për tu mbrojtur legalisht si dhe të dëshmojnë me vullnetin e tyre. Shteti shqiptar si dhe politika shqiptare duhet të reagojnë në lidhje me këtë çështje vetëm pasi të kemi një vendim gjygjsor të drejtë. Çdo gjë që thuhet dhe ndoshta do të thuhet në lidhje me këtë ngjare para një vendimi të tillë është emocional, i mbushur me paragjykime dhe gabime.
Ajo që duhet të nënvizohet është fakti se: pas kësaj ngjarje, Greqia duhet të sillet si një vend i Bashkimit Evropian ashtu siç është de jure dhe jo të vazhdoj me politikat e saja shoviniste dhe qorre. Bashkimi Evropian nuk duhet ta lejoj Greqinë të ec me dy standarde ashtu siç ka bërë gjithmonë. Me standardin e parë si vend demokratik, evropian që jep kontributin e saj për Integrimin e Ballkanit në Evropë. Dhe standardin e dytë, ndoshta të fshehur dhe jo të drejtpërdrejt si një vend që beson tek nacionalizmi, tek shovinizmi, tek pretendimet e rreme territoriale, si një shtet racist dhe diskriminues kundrejt të gjithë atyre që nuk flasin greqisht.
Gjithashtu, shteti shqiptar nuk duhet të lejoj në asnjë mënyrë që ngjarje aksidentale të jenë shkas për cenimin e sovranitetit dhe tërësisë së saj tokësore. Kushtetuta shqiptare, çdo qytetari i garanton të drejta. Shtetit shqiptar i takon që këto të drejta t’i trajtoj njëlloj si për qytetarët e saj në përgjithësi ashtu edhe për greqisht-folësit në veçanti.