Monday, November 17, 2008

Për car demokracie e keni fjalën


Dr. Alban Daci
Botuar me datë 18 Nentor 2008
GAZETA NDRYSHE

Disa deputet të Parlamentit shqiptar për të kundërshtuar miratimin e kodit të ri zgjedhor vendosën në shenjë proteste dhe mos ujdie të hyjnë në grevë urie pikërisht në ambientet e parlamentit. Nga kjo ngjarje shumë “mendje” të mprehta filluan të flasin për demokracinë shqiptare, sistemin politik shqiptar, për mbrojte dhe shkelje të drejtash etj.
Në të vërtet të gjithë këta, kanë folur me fjalë kafenesh, të implikuar në interesa sallonesh, por aspak me kompetenca dhe dëshirën e madhe për ta analizuar situatën si vëzhgues të pavarur dhe profesional.
Ajo që më shqetëson është se shtypi shqiptar jo vetëm që nuk është pushteti i katër por është një servil dhe shërbëtor i rëndomtë i pushtetit të parë.
Prandaj, në disa përjashtime të vogla, në faqet shtypit shqiptar mund të shikosh artikuj të gjatë dhe të pakuptueshëm me fjalë që vijnë jashtë horizontit dhe realiteti shqiptarë, ku u bëhen lëvdata politikanëve tonë sipas interesave të caktuara.
Në hapësirat e këtyre faqeve, pothuajse nuk flitet aspak për atë që është burimi, legjitimiteti dhe justifikim i të gjithë pushteteve. Është pothuajse sporadike të lexosh nga këta “mendje” të mprehta të shtypit shqiptar, ndonjë artikull që i dedikohet popullit dhe komponentëve të tij.
Politika jonë është bërë me sjelljen e saj me të vërtet qesharake dhe qesharakë janë edhe ato që me pa moral dhe dinjitet i servilosen asaj derisa pranojnë të mos thonë të vërtetën si është, të mohojnë faktet, të pranojnë injorancën, të mos shikojnë të ardhmen dhe të pranojnë të rrinë në kushtet e një të tashme që është qesharake dhe shqetësuese në të njëjtën kohë.
Rastësisht duke shfletuar shtypin, pashë një foto, që prezantonte një seancë parlamentare të ditëve të fundit të Parlamentit shqiptar, ku në pamje të parë ishin edhe deputetët që ndodhen në grevë urie dhe sipër kokave të tyre ishte dhe një shirit që i dedikohej votës së lirë.
Pyetja e parë që i bëra unë vetës dhe ndoshta shumë të tjerë si unë ishte dhe sa skandale të kësaj natyre ambienti i politikës tonë do të vazhdoj të transmetoj tek vendet, ku demokracia është shekullore e palëkundur dhe që me shëndetin saj të plotë, fiton mbi çdo lloj forme tiranie, poliarkie, oligarkie dhe autoritarizmi?
Ndërsa pyetja e dytë ishte ç’far kërkojnë këta deputet dhe për car lloj vote e kanë fjalën?
E treta, a janë në hall me të vërtet këta deputet dhe a konçidojnë ato me e hallet e qytetarëve që i kanë zgjedhur ?
E katërta për car lloj forme demokracie e kanë fjalën “mendjet” e mprehta të shtypit shqiptar që këto ditë janë lodhur duke shkruar pa e kuptuar se car kanë shkruar?
Politikanët shqiptar, ku pjesë integrale e tyre janë edhe deputet që kanë pranuar të hyjnë në grevë vetëm se ju janë prekur interesat e tyre personale dhe ato brenda llojit dhe për këtë arsye kanë vendosur të reagojnë menjëherë duke u justifikuar në metoda demokratike.
Këta deputet, që tani rrezikojnë të dalin në pension nga rregullat e lojës që kanë vendosur vetë, reagojnë me kaq shumë vendosmëri kundër kolegeve të tyre të cilët ndoshta tani ndodhen në një pozicion më të fortë, që janë më të shumtë në numër dhe janë më të favorizuar për të çuar lojën drejtë fitores së tyre.
Në rast se i kthehemi mbrapa të kaluarës së afërt do të vëzhgojmë se disa nga këta deputet që kanë pasur edhe role të rëndësishme drejtuese në nivelet më ta larta qeverisëse, nuk i kemi parë ndonjëherë të dalin në protesta apo të hyjnë edhe në grevë, urie sepse në shtëpitë e qytetarëve/zgjedhësve nuk ka drita, se varfëria është në nivele të larta, që votuesit e tyre për të shpëtuar nga skamja vazhdojnë edhe në ditët e sotme të marrin rrugën e arratisë për të gjetur demokraci të vërtet, për të gjetur qetësi, mirëqenie, normalitet dhe siguri.
Pra, politikave shqiptarë nuk ju intereson aspak se çfarë ndodh jashtë lloj të tyre dhe nuk duan t’ia dinë aspak për votuesit e tyre që ju kanë dhënë legjitimitetin e ushtrimit të pushtetit, por janë të gatshëm edhe të “sakrifikohen” nëse ju preket edhe një qime floku nga interesat e tyre personale.
Kam dëgjuar se: ka deputet që kanë shkuar në zonat e tyre vetëm gjatë fushatës elektorale dhe pasi kanë fituar, jo vetëm që nuk kanë marrë mundimin t’iu hipin makinave të tyre luksoze dhe të harxhojnë pak litra benzinë për të shkuar qoftë edhe për t’i falënderuar zgjedhësit që u garantuan fitoren, por që nuk janë parë ndonjëherë dhe dëgjuar e të dalin dhe të flasin në ndonjë seancë plenare për të përfaqësuar hallet e zgjedhësve të tyre si dhe për të kërkuar brenda hapësirave dhe kompetencave zgjidhjet e tyre.
Atëherë, me thoni mua sa të drejtë morale dhe politike kanë këta politikan të dalin para zgjedhësve duke ju thonë troç e qartë se ne po hyjmë në grevë ngaqë kolegët tanë që janë më të fortë se ne, kanë menduar se ne nuk vlejmë më dhe duhet të gëzojmë pensionin.
Sistemi politik shqiptar mendoj se ka shumë nevojë për rinovim dhe kjo duhet të filloj pikërisht nga themelet e tij, ku rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm në caktimin e rregullave se si duhet të funksionoj e ka kodi zgjedhor.
Deri tani jemi mësuar të shikojnë parti politike pa elektorat dhe me një kryetar që është edhe i vetmi anëtarë. Këto lloj kryetarësh i kemi parë me vite me radhë në arenën e politikës shqiptarë si dhe në nivele të larta drejtuese dhe përfaqësuese për shkak të lojërave të paqarta që janë kurdisur si ai i “dushkut”.
Mendoj se këta persona që kanë parti, ku janë vetë kryetar dhe vetë anëtarë dhe që pretendojnë me çdo kusht të bëjnë karrierë politike, duhet të shkojnë në shtëpi, sepse nuk përfaqësojnë askënd dhe boll kanë përfituar nga tranzicioni i politikës shqiptare.
Megjithatë nuk mjafton vetëm kaq për të thënë se kemi demokraci të shëndosh në Shqipëri.
Demokracia moderne për të cilën duhet të pretendojmë të gjithë ne, pandeh tolerancën e opinionit të tjerëve dhe në mënyrë të veçantë ekzistencën e opinionit të minorancës ( të asaj minorancë që më të vërtet ka elektoratin e saj, që është e përfaqësuar nga vota e drejtpërdrejtë dhe e lirë dhe jo nga parti me një anëtarë dhe kryetarë në të njëjtën kohë).
Gjithashtu është i përhapur opinioni se të drejtat, përfshi ato të votës dhe të lirisë së fjalës, janë pak të dobishëm nëse ka individ ose grup individësh që jetojnë në kushte të forta mos barazie sociale dhe ekonomike.
Individ të tillë mund të ketë pak interes për demokracinë dhe për të drejtat e tyre dhe të jenë shumë më të shqetësuar pikërisht për mbijetesën e tyre dhe nevojat e tyre materiale që janë të domosdoshme për të jetuar.
Lipset për shembull ka insistuar mbi faktin që ekziston një marrëdhënie rastësore mes zhvillimit ekonomik dhe demokracisë. Duke përdorur si indikatorë nivelin e të ardhurave, industrializimit, urbanizimit, dhe arsimimit, ka kërkuar të tregoj që regjimet demokratike janë zhvilluar në ato shoqëri që faktikisht kanë kënaqur pikërisht nevojat materiale të anëtarëve.
Atëherë duke ditur që jo vetëm disa individ apo disa grupe por që pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptarë jetojnë në një pabarazi të vërtetë sociale dhe ekonomike dhe në mungesë të plotë materiale duke u nisur që nga ato më elementaret që janë të domosdoshme për të jetuar.
Për këtë arsye politika shqiptare do të vazhdoj të jetë indiferente kundrejt tyre si dhe jo vetëm nuk do ti përfaqësoj duke ju mbrojtur interesat dhe të drejtat e tyre, por në formë ironike do të tallet me ta duke ju thënë se: prisni një herë, sepse kemi hallet dhe problemet tona personale për të zgjidhur dhe pastaj nëse do të gjejmë kohë do të merremi me ju që na zgjodhët dhe na dhatë mundësinë që të ushtrojmë pushtetin e legjitimuar nga ju por jo në funksionin tuaj.