Sunday, August 3, 2008

Unë zgjodha Shqipërinë

Dr. Alban Daci

Botuar me datë 05.08.2008

Gazeta Ndryshe

Kisha pothuajse një vit që nuk kisha ardhur pranë familjes time dhe që nuk kisha parë vendin tim. Pas një viti të lodhshëm me impenjime profesionale dhe studimore, më në fund mezi po prisja që të vinte momenti i përgatitjes së valixhes së udhëtimit për tu nisur drejt vendit tim të dashur, ku më priste familja ime e shtrenjtë.
Të gjitha gjërat e domosdoshme për udhëtimin i kisha bërë gati dhe më mbetej të interesohesha vetëm për biletat e udhëtimit. Në fillim u futa në internet për të parë për bileta avioni, sepse udhëtimi është më komod në kushte dhe më i shkurtër në kohë. Më kishin thënë se edhe në Shqipëri kishte linja ajrore me kosto të ulët dhe mendova së nuk do të kushtoj shumë duke menduar se edhe distanca e fluturimit nga vendi, ku qëndroj unë deri në Tiranë nuk është e madhe. E vërteta ishte krejtësisht ndryshe, sepse kostoja minimale e një bilete vajtje e ardhje ishte jo më pak se 400 euro. Kjo shifër mendoj se është një çmenduri e vërtetë, sepse 450 dollar kushton bileta nga një vend evropian deri në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po tashmë mund të themi se çudirat për ne Shqiptarët dhe sidomos për ne emigrantët janë bërë aq të zakonshme sa nuk na bëjnë më përshtypje dhe nuk na ngjallin asnjë emocion qoftë reagues apo shqetësues.
Shifra stratosferike e linjës me “kosto të ulët” nuk mund të ndalonte mallin dhe dashurinë time për tu kthyer në vendin tim dhe pranë familjes time të dashur. Malli i zjarrtë për të afërmit më jepte forcën dhe dëshirën që të kthehesha qoftë edhe në këmbë duke ecur me ditë të tëra si një maratonomak që nuk sjell lajm nga beteja e një lufte, por dashuri, lot dhe emocione të forta njerëzore për tu takuar me njerëzit e mi të shtrenjtë. Prandaj, e lash opsionin e udhëtimit komod me avion dhe u interesova për biletat e trenit dhe të tragetit. Udhëtimi me tren është tepër i lodhshëm dhe stresues, sepse zgjat më shumë se 24 orë që nga momenti i nisjes.
Unë, me ju thënë të drejtën e kam bërë shumë herë këtë udhëtim edhe pse kam qenë i vetëdijshëm për rraskapitjen fizike që të shkakton, por kënaqësia bashkë me emocionin e kthimit më kanë bërë që asnjëherë të mos e ndjej lodhjen e vërtetë, sepse gjithmonë kam menduar se pas këtij udhëtimi do të përfaqësoj fort dhe me dashuri nënën, babin dhe vëllezërit e mi që kisha pothuajse një vit që nuk i kisha parë edhe përse gjithmonë i kisha menduar në mendimet e mia ditore.
Preva biletën e trenit me të cilën udhëtova gjithë natën dhe në të gdhirë të agimit arrita në portin e Barit, ku menjëherë u interesova për bileta trageti si dhe nëse kishte ndonjë traget që nisej në mesdite. Pasi u interesova në sportelin e biletave mora veshtë se vetëm në mesnatë niseshin tragetet. Kështu që më duhej ta kaloja gjithë ditën në ambientet e portit duke pritur.
Ambientet e portit ishin si gjithmonë të mbushura plot me emigrant shqiptar që kthehen në vendin e tyre, Shqipërinë. Mjaftonte vetëm një vështrim i rastësishëm për të kuptuar botën e emigracionit shqiptarë, ku vuajtjet e trashëguara nga vendi amë si dhe ato të vendit pritës, krijojnë botën e dëshpërimit, të mërzisë dhe të lodhjes. Tregues perfekt, ku mund të vihen re në heshtje vuajtjet, problemet dhe hallet e tyre, janë fytyrat e tyre të zymta të lodhura dhe të vuajtura, të cilat kanë qenë gjithmonë në betejë të ashpër dhe të hapur me jetën dhe vdekjen, me shpresën dhe dëshpërimin.
Sa herë që vij në këtë ambient i bëj pyetje vetës time dhe sa kohë do të vazhdojnë të mbushen këto ambiente me emigrantët shqiptarë? Kur do të vij ai moment, ku dhe shqiptarët të lëvizin kryesisht për turizëm dhe jo të vazhdojnë të emigrojnë?
Mes shumë fenomene të tjerave që vura re tek holli i pritjes në port, do ju tregoj vetëm një histori të vogël, për të cilën isha dëshmitar. Një emigrant shqiptar, i cili ishte rreth të dyzetave merr në telefon pothuajse të gjithë të afërmit e tij, sepse e kishte prerë biletën e tragetit me dhomë.
Nga kjo histori mund të nxjerrim shumë përfundime të aspektit historik, ekonomik, politik që kanë pasur një ndikim të fortë në jetën e përditshme të shqiptarëve, por një gjë është e sigurt se: jeta e këtij emigranti si dhe e shumë të tjerëve si ai ka qenë e pamëshirshme dhe shumë e vështirë. Për një qytetar evropian të marrësh një biletë trageti me dhomë nuk përbën një fenomen të rrallë dhe të panjohur, por është diçka e zakonte dhe natyrshme.
Duke menduar dhe shikuar fenomene të tilla me syrin e keqardhjes nuk e kisha vënë re se kishte ardhur ora e imbarkimit për në traget. Marr valixhen dhe zbres poshtë në kat parë. Ç’të shikoja një radhë të gjatë dhe të pafundme njerëzish që prisnin të kalonin dokumentet dhe çantat për tu imbarkuar në anije.
Unë, zura radhën diku andej nga fundi dhe po prisja bashkë me të tjerët për tu prezantuar në zyrat e kontrollit të dokumenteve. Gjatë kohës që po prisja në radhë dëgjoj dikë që ishte para meje që po thoshte se ne shqiptarëve po na kalon jeta në radhë.
Nga eksperienca ime personale që kam do të thoja që jo vetëm se është e vërtetë dëshmia që bëri ai, por që dëshmon gjendjen e dëshpërimit që përjeton një emigrant shqiptar në çdo hap të jetës së përditshme.
Megjithatë pas pak kohësh më në fund arrita të hyj dhe të ngjitem në anije dhe të ulem në kolltukun tim që kisha pronotuar. Aty menjëherë pa e kuptuar nga lodhja më kishte zënë menjëherë gjumi. Kështu që gjithën natën e kisha bërë një gjumë të rëndë dhe të vështirë në kolltuk. Nga ora tetë e mëngjesit arrijmë në portin e Durrësit. Më në fund trageti ynë hyn në port dhe hapen dyert që të zbresin pasagjerët. Marr valixhen time dhe me një emocion të fortë zbres shkallët e tragetit për zbritur. Aq shumë më kishte marrë malli nga koha e qëndrimit larg saqë mezi prisja të vendosja këmbët në tokën e vendit tim.
Pasi dal nga trageti dhe nisem drejt zyrave të kontrollit dhe vulosjes së dokumenteve duke tërhequr çantën mes pluhurit, zhavorrit dhe rrugës me gropa. Vura re se: çantës i kishte rënë njëra rrotë. Nuk i kishte fajet çanta, por rruga e shkatërruar brenda dhe jashtë ambienteve të portit.
Ky është tregimi im mbi udhëtimin e kthimit tim në Shqipëri, ku më në fund falë vendosmërisë time arrita të sfidoj rraskapitjen fizike më dëshirën dhe dashurinë e madhe për të qenë pranë familjarëve të mi të dashur dhe vendit tim, ku kalova një periudhë të rëndësishme dhe të shtrenjtë të jetës time, atë të fëmijërisë dhe adoleshencës.
Ditën e parë të qëndrimit në Shqipëri e kalova në ambientin tim familjar, sepse e kisha të nevojshme dhe të domosdoshme për të nxjerrë mallin që kisha një vit që po e grumbulloja në monadën e shpirtit tim.
Ndërsa ditën e dytë, të tretë dhe kështu me radhë po i kaloj duke pushuar, dalë me miq dhe shok në Tiranë, duke lënë gjurmët e mia në rrugët me pluhur të Laprakës, në autobusët me ajër të pa kondisionuar, duke ndjekur politikën erotike dhe degjeneruese të parlamentarizmit shqiptar si dhe duke dëgjuar nëpër kafe shumë të rinj që akoma sot për fat të keq kanë argument parësorë se: në Shqipëri nuk jetohet, se këtu nuk kemi asgjë, se varfëria dhe papunësia janë çdo ditë të pranishme në aktivitet tona ditore.
Pra, ajo që unë vura re ishte se: ambienti shoqëror i jetës së përditshme këtu në Shqipëri nuk kishte ndryshuar, por kishte mbetur i njëjtë, sepse shumë bashkëmoshatar të mi i bënin vetës së tyre të njëjtat pyetje që unë i kisha bërë vetes time para se të largohesha dhe të merrja rrugën e jabanxhiut të largët, të përmalluar qoftë edhe për një grusht dheu të vendit tim.Unë, edhe pse gjeta këtë realitet aspak të këndshëm dhe të bukur, nuk jam i pishmanit që zgjodha Shqipërinë time për të kaluar pushimet e stinës së verës, sepse këtu kam njerëzit e mi të dashur, se ky është vendi im i shtrenjtë ku unë u linda, u rrita dhe mora hapat e para të arsimimit tim.