Wednesday, January 14, 2015

Asgjë e re në Kosovë

    
10430851_741182089296416_4299478477290590521_nAlban Daci  
Më në fund në Kosovë kemi nëj Qeveri. A kemi risi? Asnjë lloj risie, e vetmja risi nëse mund të konsiderohet kështu është fakti se tashmë nuk kemi një boshllëk politik, se de facto e de jure kemi një ministri. A kemi konsumim politik dhe institucional? Së pari, kemi vazhdimësinë e Thacit, sepse shumica e ministra janë po ato që kanë qenë. Pra, duhet të hiqet nga mendja dyshimi se kemi alternim pushteti. Kemi thjeshte riciklim pushteti. Gjithashtu, nuk kemi asnjë risi as edhe nga Isa Mustafa, i cili humbi Komunën e Prishtinës, pikërisht për shkak të keq qeverisjes. Çfarë mund të pritet më shumë nga Isa Mufta, unë personalisht pres shumë pak, ose hiç fare.
Së dyti, çështje e rëndësishme me të cilën duhet të përballohet Qeveria e Re është ajo e dialogut dhe çështja e bisedimeve me Serbinë. Isa Mustafa është i vetmi politikan që nuk ka shprehur asnjëherë asnjë opinion në lidhje me dialogun e Serbisë. Ndoshta barra e madhe në të kaluarën e ka lodhë për të bërë reagime. Ndërsa qëndrimi i Thacit, nuk është i ri, ai shquhet për qëndrim të tipit as mish e as peshk. Ndryshe thotë publikisht e ndryshe sillet në BE, pasi takohet me ndërmjetësuesit.
Së treti, sfidë e madhe në Kosovë është korrupsioni, i cili lidhet pikërisht me Qeverinë Thaci I e II. Sot, kemi një bashkëqeverisje mes LDK e PDK. A do të kemi një luftë kundër korrupsionit? Kjo alibi bie menjëherë, kur jemi dëshmitar të riciklimit të pushtetit dhe jo rotacion të pushtetit.
Së katërti, problem të madhe Kosova sot ka në lidhje me çështjen e punësimit dhe problemet e zhvillimit ekonomik. Kosova nuk ka një strategji zhvillimi. Qeveria Thaci I e II nuk kanë ndonjë precedent të ndonjë strategjie zhvillimi. Po ashtu edhe Mustafa me eksperiencën e tij në Komunën e Prishtinës nuk ka asnjë sukses në këtë drejtim e për më tepër në krijimin e vendeve të reja të punës.
Qeveria e Kosovës mund të konsiderohet thjeshtë një Qeveri halli e kjo sigurisht edhe për shkak se VV, AAK dhe Lëvizja nuk i luajtën ashtu sic duhet kartat e politikës dhe nuk e kuptuan lojën e Hashim Thacit. Gjithashtu, nuk jam dakord me vendimin e Ramush Haradinaj që ka dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit. Ai është lideri i Partisë së tij, përfaqëson një numër të caktuar të elektoratit që duhet t’i përfaqësojë edhe ne Parlament. Beteja me e rëndësishme e një lideri sot bëhet në Parlament. Lëshimi i mandatit të tij, nuk bën gjë tjetër veçse se le në mëshirën e fatit elektoratin e tij dhe po ashtu lenë në mëshirën e fatit krejt Demokracinë e Kosovës. Fjalimi i z. Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme është historikë e do të ketë konsekuenca pozitive për Demokracinë në Kosovë. Gjithashtu, ai i dha një sinjal të fortë Qeverisë se do të jetë një faktor i rëndësishëm në foltoren e Parlamentit. Pra, sot lider më të fortë në Parlament nga Opozita shikoj vetëm Albin Kurtin. A mjafton? Jo! Prandaj, Ramush Haradinaj nuk duhet ta lëshonte mandatit. Demokracia vjen përmes protestave demokratike që duhet të shoqërohen me beteja po legjislative e demokratike në Parlament, për më tepër që kemi një Qeveri halli, të brishtë dhe jo koherentë. Pra, të thjeshtë për ta rrëzuar!