e shtunë, 29 gusht 2009

Rinia shqiptare sot!


Dr. Alban Daci

Në njëzet vitet e fundit të rinjtë shqiptarë i kanë përjetuar, pothuajse, të gjitha momentet e mira dhe të vështira, ku herë kanë qenë protagonist dhe herë kanë qenë viktima të proceseve të “baballarëve” të tyre.
Të rinjtë shqiptarë në fillim të viteve 90-të, morën guximin dhe u ngritën kundër regjimit mizor komunist, duke e përmbysur atë. Ata punuan me përkushtim dhe me zell për ndërtimin e institucioneve demokratike në vend, morën rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë, vendosën të shkollohen jashtë për të qenë të zotë dhe të aftë për një të ardhme më të mirë personale dhe kolektive.
Të rinj shqiptarë qenë viktima të pafajshme të ngjarjeve të 97-ës, të rinjtë shqiptarët ishin ata që ngritën flamurin shqiptar në Irak dhe Afganistan me mision paqeje përkrah gjigantëve të botës, të rinjtë shqiptarë me guximin dhe besimin e tyre ndihmuan fort që Shqipëria të integrohej në NATO, të rinjtë shqiptarë bënë luftën për liri në Kosovë, duke dhënë kontributin e tyre për një shtet të pavarur sovran, demokratik dhe multietnik.
Të rinj shqiptarë u bënë promotorë të kulturës, të historisë, traditës dhe të virtyteve shqiptare nëpër botë. Ata u bënë ambasadorë të vetes, të familjeve të tyre dhe të vendit të tyre, Shqipërisë. Të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër shtypjes dhe skllavërimit të shqiptarëve në Maqedoni.
Pra, rinia shqiptare ishte aty, ku s’kishte të drejta për t’i përfituar ato, ishin të pranishëm aty, ku mizoria mbretëronte për ta rrëzuar atë, ishin në radhët e para për të fituar dinjitet, besim, guxim, integrim dhe forcë për modernizim.
Po sot kush është rinia shqiptare? Rinia shqiptare sot është shumëngjyrëshe dhe me dimensione të gjera, që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ajo është në një moment të vështirë për të identifikuar me veten dhe me proceset që ndodhen përreth saj.
Mendoj, se rininë shqiptare duhet ta ndajmë në dy realitete të ndryshme, duke i përshkruar me kujdes ato:
1. Të rinjtë shqiptarë, herë të detyruar dhe herë me dëshirën e tyre, kanë zgjedhur të studiojnë, të punojnë dhe të jetojnë jashtë vendit.
a) Ata të viteve 90- të, të uritur për liri, demokraci, për një ëndërr më të mirë morën rrugën e largimit drejt vendeve perëndimore. Një pjesë e mirë e tyre, pas shumë vështirësive dhe mundimeve, arritën t’i bënin ëndrrat e tyre realitet, duke siguruar një standard jetese të kënaqshëm në vendet që emigruan.
b) Disa të rinj, edhe pse ishin të vendosur dhe të guximshëm për një jetë më të mirë, për fatin e keq të tyre, nuk arritën ta gëzonin lirinë e tyre, sepse ranë heronj të saj në kufijtë tokësorë, dhe detarë të Shqipërisë.
c) Shumë të rinj, duke e kuptuar emigracionin si një proces të përkohshëm, u përpoqën me të gjitha mënyrat, duke siguruar dhe mbështetjet e familjeve të tyre që të shkonin jashtë vendit jo më si emigrant, por si studentë për të përfituar sa më fort botën e dijes perëndimore, e cila nuk do të na mësonte më si më parë Marksin dhe Engelsin, por tregun e lirë, globalizimin, integrimin, bashkëpunimin mes kombeve, diplomacinë e hapur, demokracinë e votës së lirë, lirinë e individit, të shoqërisë dhe shtypit etj. Në këtë grup, kemi studentë që kanë arritur t’i mbarojnë studimet me sukses, duke u bërë edhe akademik të vërtetë në universitet, që kanë kryer studimet. Një pjesë e mirë e tyre, kanë zgjedhur si argumente shkencorë në temat e diplomave çështje që kanë lidhje të drejtpërdrejtë më shqiptarët dhe me Shqipërinë, duke i trajtuar ato me një nivel të lartë akademik dhe shkencorë. Atmosfera e brendshme e këtij grupi është e qetë, e mbushur me ide, të cilat i diskutojnë së bashku sa herë që takohen mes veti dhe finalija e këtyre ideve është Shqipëria sot dhe e ardhmja e saj nesër. Pjesa më e madhe e tyre nuk e shikojnë të përjetshëm qëndrimin e tyre në vendet, ku kanë kryer studimet dhe po vazhdojnë eksperienca jetësore, ose akademike të vazhdueshme. Ata, po përgatiten për një formim shembullor akademik dhe intelektual që më vonë në një fazë të dytë do të kthehen në Shqipëri për t’i kultivuar sipas vizioneve bashkëkohore dhe atdhetare. Për ta Shqipëria, është e ngulitur thellë në zemër dhe në mendje, sepse falë teknologjisë së lartë të komunikacionit, si interneti, çdo ditë, çdo moment dhe në çdo kohë ushqehen me informacione të freska mbi atë që ndodh në Shqipëri.
d) Ka një kategori të vogël të rinjsh, të cilët që në fillim janë dërguar me rekomandim nga elita e vjetër e politikës shqiptare për të kryer studimet e larta jashtë, të cilët sapo i kanë kryer ato janë kthyer në Shqipëri, sepse i kanë pasur hapësirat e garantuar për t’u integruar në vend. Ky numër i vogël, janë një imitim i së kaluarës, sepse ajo i ka krijuar/rritur dhe kanë ardhur në Shqipëri me mendjen jo për të bërë ndryshimin, por për të ruajtur me fanatizëm rendin e vjetër, që përfaqësohet nga interesat e “baballarëve” të tyre. Këtyre nuk intereson aspak modernizimi, liria, dinjiteti, Shqipëria, por thjeshtë një rreth me interesa mediokre personale që ndoshta disa herë janë plotësisht kundër interesave kombëtare dhe shoqërore. Megjithatë, është e rëndësishme që numri i tyre është shumë i vogël dhe i pa përfillshëm me të rinjtë që falë sakrificave personale dhe familjare kanë arritur suksese të mira akademike dhe se besojnë plotësisht tek vlerat kombëtare dhe evropiane, tek demokracia dhe tek liria e çdo kujt si një vlerë që garanton një zhvillim dhe një prosperitet të gjerë në shoqëri.

2. Të rinjtë shqiptarë që nuk kanë pasur mundësi dhe dëshirë të largohen asnjëherë jashtë vendit dhe të rinj që në fillim të viteve 90-të kanë pasur eksperienca të shkurta jashtë vendit, por që janë kthyer, tashmë, në Atdhe për jetuar përgjithmonë.
a) Një kategori e të rinjve që është, pothuajse, plotësisht e çoroditur dhe e lodhur krejtësisht nga cikli i gjatë i tranzicionit, të pa shpresë dhe të braktisur janë kthyer në parazit kafenesh të kohërave moderne. Për fatin tonë të keq, në këto vite, shoqëria shqiptare vazhdon të prodhojë rini kafenesh, e cila përfaqëson një pjesë të mirë të të rinjve shqiptarë, që nuk prodhojnë ide, nuk prodhojnë botë akademike, nuk kuptojnë proceset e kohës, nuk kanë kurajë dhe guxim për të rifilluar jetën e tyre nga e para. Baret e mbushura plotë me të rinj, që rrinë me orë të tëra për të konsumuar një kafe, tregon thellë krizën e të rinjve shqiptarë, e cila në të njëjtën kohë është pjesë e përgjithshme e krizës shoqërore shqiptare.
b) Një grup të rinjsh shqiptarë, të cilët nuk kanë asnjë trashëgimi elitare të trashëguar të tipit komunist, falë këmbënguljes, guximit, dashurisë për dituri dhe sakrificës së familjeve të tyre, kanë arritur të kryejnë studimet e larta në vend, por që të pa mbështetur, të pa implikuar me partitë politike dhe të braktisur gjenden të çoroditur dhe të varfër në rrugët e Shqipërisë me pa shpresë për punë dhe për karrierë.
c) Gjithashtu, një numër i vogël, i atyre që kanë pasur eksperienca jetësore dhe akademike jashtë vendit, janë kthyer në Shqipëri me shpresën për gjetur vendin e merituar në shoqëri. Ky numër i vogël është përballur me vështirësi të shumta, nuk ka arritur të gjejë vende pune dhe mundësi për të bërë karriere në bazë të meritës, por është përballur më një realitet krejtësisht të ndryshëm nga vendet që erdhën. Duke qenë një minorancë në vizione dhe ide, dalëngadalë po gllabërohet nga realiteti i vjetëri duke e transformuar atë në një mekanizëm të kontrolluar dhe të izoluar.
Duke konkluduar, mund të themi, se rinisë shqiptare nuk i mungon guximi, përgatitja akademike, forca dhe energjia për të qenë vetvetja. Problemi kryesorë i rinisë shqiptarë është se: ajo, në këto momente, ka mungesë bashkëpunimi, ose me terma më të saktë ajo është plotësisht e çoroditur. Bashkëpunimi ose loja e bashkëpunimit, duke u nisur që nga disiplina shkencës politike deri tek disiplina e marrëdhënies mes njerëzve dhe kombeve përbën çelësin e suksesit ose jo suksesit individual/kolektiv.
Ne, rinia shqiptare sot, jemi një forcë reale që mund t’i diktojmë politikës shqiptare hapat dhe reformat, që duhet të ndërmarr për të gjithë shqiptarët.
Ne nuk kemi nevojë që t’i nënshtrohemi politikës shqiptare që ajo të na përfshijë në mjedisin e saj, ne jemi një forcë reale dhe një botëkuptim i gjerë intelektual që mund të influencojmë përmes bashkëpunimit tonë dhe ideve tona jo vetëm në mjedisin e politikës shqiptare, por edhe më gjerë, duke përfaqësuar veten tonë.
Rinia shqiptare, sot, ka në dorë fatet e veta dhe të vendit, sepse ka një pasuri të madhe akademike dhe intelektuale, një forcë reale, të gjallë dhe freskët, një dëshirë për bërë ndryshimin, për të gjetur veten në vendin e vlerave dhe të proceseve reale njerëzore. Ajo thjeshtë duhet të ketë një nivel më të lartë bashkëpunimi, si dhe një nivel të lartë besimi për të konkretizuar të gjitha vizionet dhe idetë e saj.

e martë, 25 gusht 2009

Sllova dhe Mali i Korabit 2009

video

e diel, 09 gusht 2009

A jemi një shoqëri e dhunshme


Dr. Alban Daci
Botuar me 11.08.2009
Gazeta "Tirana Observer"

Pak ditë më parë, në Durrës, ranë në krye të detyrës katër policë, të cilët po luftonin kundër krimit, devijancës, të keqes dhe jo njerëzores. Nisur nga kjo ngjarje, që është e rëndë për shoqërinë tonë dhe e dhimbshme për familjet e dëshmorëve, mendoj se ne duhet ta analizojmë në shumë plane evoluimin e shoqërisë tonë në këto vitet e fundit.
Kohë më parë, gjatë periudhës time universitare, po ndiqja leksionet e lëndës «Historia e Amerikës», të cilën na e jepte një pedagog italian, që kishte kaluar një periudhë të gjatë jetese në shoqërinë amerikane dhe që vazhdonte të mbante marrëdhënie të ngushta me shoqërinë amerikane për interesa akademike. Ai na tregoi, se shoqëria amerikane është një shoqëri e dhunshme në të gjitha nivelet dhe për të na vërtetuar një gjë të tillë na tregon një histori nga jeta e tij personale. Profesori ynë na shpjegoi se shoqëria amerikane është në origjinë një shoqëri e dhunshme, se akoma sot beson tek drejtësia individuale. Për këtë arsye edhe në ditët e sotme shumë qytetarë amerikan mbajnë armë me leje si shenjë sigurie si dhe në respekt me të drejtat individuale.
Po shoqëria shqiptare a është e dhunshme? Nëse po, përse? Vrasja e katër policëve, të cilët ranë dëshmor në krye të detyrës nuk paraqet vetëm konsumimin e një vepre penale, por një masakër, sepse e keqja jo vetëm vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë tonë, por shumë herë ajo vendos edhe fatet e të mirës.
Mendoj se shoqëria shqiptare është një shoqëri e dhunshme, e mbushur me probleme dhe me konflikte të të gjitha natyrave. Ajo është e dhunshme për disa arsye si më poshtë.
1. Shoqëria shqiptare në fillimin e viteve 90-të u përball me ndryshime të mëdha të panjohura më parësi si:
a) emigracionin, ku shumë shqiptarë patën kontakte të drejtpërdrejta me botën e zhvilluar perëndimore pa pasur ndonjë kualifikim konkret për të qenë koherent me proceset e saj. Prandaj, kjo kategori emigrantësh në një moshë fare të re, pa pasur eksperienca jetësore, kualifikime ose profesione të mirëfillta nuk arritën asnjëherë të bënin një integrim të mirëfilltë dhe serioz në këto shoqëri. Në këto, kushte dhe për shkak të etjes së madhe që kishin për privilegje, para dhe për krenari, e cila u kishte munguar, u munduan me të gjitha mënyrat, kryesisht të paligjshme, që të integroheshin dhe të ndjeheshin të barabartë me qytetarët e vendeve që kishin emigruar.
b) Për shkak të emigracionit, shumë të rinj nuk patën mundësi të shkolloheshin deri në nivelet më të larta të arsimit as brenda në Shqipëri dhe as në vendet që kishin emigruar. Shumë shqiptarë, që në fillim të viteve 90-të, si dhe gjatë ciklit të tranzicionit, u gjendën në një moshë që kishin nevojë të arsimoheshin dhe të edukoheshin me vlerat e qytetarisë dhe me normat e larta të moralit, por proceset e shpejta që po ndodhnin në mënyrë të ç’rregullt dhe të pa kontrolluara i privuan dhe i ushqyen me devijancë të fortë jo qytetare, si e vetmja mundësi për t’i mbizotëruar kohës bashkë me proceset e saj.
2. Për shkak të ndryshimit rrënjësor që ndodhi me përmbysjen e një regjimi të hekurt dhe mizor dhe me imitimin e një regjimi demokratik të modelit perëndimor për ta instaluar në vend, u krijuan parajsa për kultivuar të keqen, mizoren, çnjerëzoren. Mungesa e ligjit, ose e institucioneve të shtetit, krijuan një atmosferë mosbesimi tek qytetarët, të cilët filluan të silleshin dhe të jetonin sikur të ishin “Far West”, ku një pjesë e mirë e tyre u armatosën dhe të gjithë filluan të besonin tek drejtësia personale dhe tek larja e hesapeve.
3. Gjithashtu, në këto rrethana, për fatin tonë të keq, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit edhe politika bashkë me politikanët, që mund të konsiderohen elita e një vend në një dimension të gjerë kulturor, politik dhe qytetar na dhuruan vetëm skena dhune, dy luftime, beteja të përgjakshme. Në parlamentin shqiptar, që duhet të jetë çerdhja ku ligj duhet të lind i shëndosh, të aplikohet dhe të korrigjohet, gjatë periudhës së tranzicionit kemi parë vetëm një sallë që ngjan shumë më shumë me një amfiteatër gladiatorësh, ku parlamentarët tanë përlesheshin mes tyre sikur të ishin luan të savaneve afrikane.
Në këto rrethana, shoqëria shqiptare u shndërrua një shoqëri, ku më i respektuar se sa ligji i shtetit është ligji i xhunglës. Shoqëria shqiptare mendoj se është jo vetëm e dhunshme, por mbi të gjitha një shoqëri aspak tolerante. Për ta vërtetuar këtë dua t’iu jap disa shembuj që për fatin tonë të keq janë shumë aktual në shoqërinë tonë:
1. Në Shqipëri, sot një i ri mund të vritet nga një injorant ç’njerëzor duke e akuzuar rëndomtë, se përse e shikon.
2. Në Shqipëri, mund të vdesësh, sepse pa qëllim dhe rastësisht i gërvisht makinën dikujt.
3. Në Shqipëri, mund të vdesësh, sepse ti po udhëton me makinë dhe shikon para teje se dy makina të tjera janë ndalur në mesin e rrugës për të bërë muhabet për shtatë palë qejfe, duke shkelur çdo lloj rregullore të qarkullimit rrugor. Po t’iu kërkosh me të drejtë që të të hapin rrugën, ata të përgjigjen me breshëri armësh, duke të thënë se kush je ti që na kërkon një gjë të tillë.
4. Në Shqipëri, mund të humbësh jetën, sepse ti kalon në vijat e bardha të rrugës, dhe një rrugaç me makinë luksoze pa respektuar normat e shpejtësisë të asfalton në rrugë pa e pasur problem aspak dhe pa u shqetësuar për askënd.
5. Mund të rrezikosh jetën, sepse pa dashje, duke ecur rrugës prek në shpatull ndonjë person tjetër dhe ti i thua më fal, kurse ai të përgjigjet si një kafshë e vërtetë duke të thënë se: kush je t’i që më kërkon të falur.
Vrasja e katër policëve, të cilët ishin djem nënash, që luftuan kundër së keqes, na shqetëson të gjithëve duke na treguar se sa larg botës së civilizuar jemi. Mendoj se ka ardhur momenti që këtyre fenomeneve t’iu përgjigjemi të gjithë së bashku. Duhet të krijojmë organizata jo qeveritare, të cilat duhet të paraqesin programe dhe të veprojnë në terren që brezat e rinj të mos edukohen me ligjin e xhunglës, por të ushqehen me normat e qytetarisë si dhe të respektojnë ligjin.
Duhet ta pranojmë të gjithë se jemi një shoqëri e dhunshme dhe për të mos qenë të tillë duhet të forcojmë fortë ligjin si edhe ata që e zbatojnë atë. Mendoj, se ligji duhet të jetë i pamëshirshëm përballë çdo lloj formë kafshërore dhe ç’njerëzore, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të sigurt. Për ta realizuar këtë shteti dhe institucionet e tij duhet të bashkëpunojnë ngushtë edhe me shoqërinë civile.

e shtunë, 01 gusht 2009

PLATFORMA E KOHËS


Botuar me date 3 dhe 6 shtator
Gazeta "BOTA SOT"

Organizata shqiptare
“Gjenerata Re Shqiptare”
gjeneratareshqiptare@gmail.com








PLATFORMA E KOHËS
“Të guxojmë për të ardhmen”

Lëvizjet sociale, janë konsideruar forma të veçanta të organizimit politik, përkrah partive dhe grupeve të presionit, përderisa shprehja e një aksioni kolektiv me vetëdije ka ndërmend të rithemeloj mbi baza etike, shoqërinë përmes formave të solidaritetit social.
Organizata shqiptare, “Gjenerata Re Shqiptare”, është një lëvizje sociale që ka lindur nga shoqëria civile, është rritur në labirintet e sferës sociale dhe për të përkrahur më së miri interesat e qytetarëve si brenda në Shqipëri edhe jashtë, në Diasporë.

Duam t’u tregojmë një histori shumë të bukur, reale, të prekshme dhe të mbushur me plot emocione, ëndrra, sakrifica dhe shumë përkushtim. Kjo është historia e disa qindrave/mijërave studentëve shqiptarë, që kanë kaluar detin, kanë lënë familjet e tyre dhe vendin e tyre për të marrë rrugën e gjatë të formimit universitar, që të pajisen në kulturën perëndimore, të themeluar mbi vlerat e demokracisë, me perspektivën për të siguruar një të ardhme më të mirë për vetën e tyre si individ, për familjet e tyre, për vendin e tyre, si qytetarë dhe bashkëkombës të tij.
Shumë të rinj vijnë nga Shqipëria për të studiuar në Itali, sepse kanë ndjekur programet televizive italiane, sepse duan kulturën italiane, sepse gjatë formimit shkollor të ulët dhe të mesëm kanë mësuar se Italia është një vend demokratik, ku ëndrrat bëhen realitet.
Sipas disa të dhënave jo zyrtare në Itali studiojnë rreth 12.000 studentë shqiptarë, ku 400 prej tyre kanë zgjedhur pikërisht Universitetin e Xhenovës.
Studentët shqiptarë, që studiojnë në Itali, janë një burim shumë i madh intelektual jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë.
Historikisht Italia dhe Shqipëria kanë një miqësi tradicionale të gjatë në kuadrin e marrëdhënieve dy paleshe, por prania e një numri kaq të madh dhe të rëndësishëm studentësh shqiptarë do të kontribuoj në përforcimin e më tejshëm të urës së marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Studentët shqiptarë, që studiojnë në universitete të ndryshme italiane, janë organizuar në organizata studentore për të qenë të përfaqësuar në mënyrë demokratike në mjedise universitare dhe shoqërore, si dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre legjitime. Kështu, më 28 nëntor të 2003, një grup i sapoardhur studentësh me iniciativën e të riut Alban Daci, i regjistruar asokohe në vit të parë në Shkenca Ndërkombëtare dhe Diplomatike, vendosën të themelojnë organizatën shqiptare “Gjenerata Re Shqiptare”. Vendosën ta quajnë kështu, sepse janë të rinj dhe nuk kanë aspak të bëjnë me të kaluarën e trishtueshme, por aspirojnë për integrimin e plotë të shoqërisë shqiptare në shoqëritë e tjera demokratike të botës.
“Gjenerata Re Shqiptare” ka qenë ndër të parat organizata që ka ngritur zërin kundër paragjykimeve të padrejta, që prej kohësh godisnin shqiptarët rezidentë në Itali. Organizata jonë ka organizuar takime, bashkëpunime, kërkime shkencore, kontakte me shtypin, aktivitete kulturore, si për shembull festa e “28 nëntorit” është organizuar për herë të parë në Xhenova brenda mjediseve të Fakultetit të Letërsisë dhe kishte objekt shkëmbimin ndërkulturor mes studentëve shqiptarë, italianë dhe erasmus (studentë nga të gjithë universitet evropiane që bëjnë pjesë në programin e ashtuquajtur erasmus, i cili ka për qëllim shkëmbimin e kulturave, ideve dhe njohurive).
Atë ditë, ishte bukur të shikoje se të gjithë komunikonin me një gjuhë të përbashkët, atë të kulturës, vëllazërisë dhe miqësisë mes popujve, ishte bukur të shikoje që studentët spanjoll mundoheshin të kërcenin vallet tradicionale shqiptare, ishte emocionuese të shikoje, që edhe pse nuk dinin shqip, studentët italianë përpiqeshin të këndonin këngët shqiptare, duke ndjekur ritmin e muzikës, ishte e paharrueshme të dëgjoje pjesëmarrësit, kur shpreheshin se “keni një muzikë të mrekullueshme”, “një kulturë të pasur dhe një gjuhë të ëmbël”.
Organizata “Gjenerata Re Shqiptare” për herë të parë në nivel kombëtar ka hartuar dhe ka paraqitur programin “Mirë se erdhët në Atdhe!” (Shteti shqiptar akoma nuk ka një program të tillë. Prandaj, do të ishte e drejtë dhe e domosdoshme që në linja kryesore të merrte për zbatim projektin e organizatës “Gjeneratës Re Shqiptare”) që ka si finalitet krijimin e oportuniteteve të drejta dhe të barabarta për të gjithë studentët shqiptarë, që pasi kryejnë studimet e larta jashtë vendit, të mund të kthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre në procesin e integrimit të Shqipërisë në zonën euro-atlantike, përmes kompetencave të tyre intelektuale të grumbulluara në universitete, si dhe me eksperiencat e tyre jetësore të jetuara në shoqëritë demokratike perëndimore.
Ky projekt duhet vlerësuar me nota të larta pozitive dhe nga shteti italian, sepse studentët shqiptarë, që vendosin të kthehen në Shqipëri, janë miqtë e rinj të Italisë, të aftë për të prezantuar kulturën dhe modelin e shoqërisë italiane.
“Gjenerata Re Shqiptare”, ka vendosur mjaft raporte institucionale, si: marrëveshja që ka bërë me Universitetin e Xhenovës (kryesisht me Fakultetin e Drejtësisë dhe atë të Shkencave Politike) për realizimin dhe njohjen e stage-ve të studentëve shqiptarë.
Nga 2003 deri sot kanë kaluar 6 vjet dhe të gjithë ne, themeluesit e “Gjeneratës Re Shqiptare”, jemi rritur, jemi më të pjekur, më të fortë, më largpamës. Shumë nga ne janë diplomuar dhe të tjerët janë në pritje. Tani, falë punës, përpjekjeve tona, vullnetit dhe vendosmërisë tonë, “Gjenerata Re Shqiptare” është e respektuar për rolin që ka luajtur, është e nderuar për historinë që ka ndërtuar, është e domosdoshme për misionin që mbart në supe. Ajo, tashmë, është shumë e pranishme edhe në botën e pafundme të komunikacionit modern, duke pasur në rrjetin e internetit, faqen e saj zyrtare www.studenti.forum-2007.com, me mbi 1500 anëtarë (të gjithë kanë mbaruar ose vazhdojnë studimet universitare dhe pasuniversitare në universitet më të prestigjioze perëndimore), me plotë rubrika të pasura, ku publikohen materiale të karakterit akademik, kulturor, aktualitete dhe informacione mbi Shqipërinë, Italinë dhe për gjithçka që ndodh në botë.
Italia është një vend i mrekullueshëm, ku kemi jetuar rininë tonë, e respektojmë për mikpritjen dhe ndihmën që na ka ofruar dhe për këtë e falënderojmë, por ne kemi dhe një dashuri të madhe dhe të pafundme për vendin tonë që fizikisht ndodhet larg, por shpirtërisht dhe mendërisht qëndron në zemrat tona.
Ne, jemi krenar që jemi shqiptarë, sepse kemi një histori të madhe; jemi një ndër popujt më të lashtë në Ballkan dhe në Evropë, por jemi dhe të vetëdijshëm për të respektuar popujt e tjerë, duke krijuar marrëdhënie vëllazërore dhe miqësie.
Vlera me të cilat identifikohet “Gjenerata Re Shqiptare” janë: dinjiteti i personit, liria dhe përgjegjësia, drejtësia, legaliteti, solidariteti dhe susidarieteti. Këto janë vlerat e mëdha të demokracive perëndimore, të themeluara mbi pluralizmin demokratik, mbi shtetin e së drejtës, mbi jo diskriminimin, mbi tolerancën, mbi pronën private, mbi ekonominë sociale të tregut.
Shqipëria, tashmë, falë punës që ka bërë maxhoranca aktuale e ideuar, drejtuar dhe menaxhuar nga Partia Demokratike me në krye liderin e saj historik, prof. Dr. Sali Berisha, nga një vend i vogël, është kthyer në një zonjë të vërtetë që jo vetëm në muajin prill u bë anëtare me drejta të plota në NATO, por falë diplomacisë koherente, vigjilente dhe këmbëngulëse që ka realizuar në ambientet e salloneve të diplomacisë ndërkombëtare, ka arritur të mbroj me dinjitet dhe me sukses interesat tona kombëtare, duke dhënë kontributin e saj të çmuar dhe të domosdoshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe për të qenë një faktor stabiliteti dhe prosperiteti për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare” që jemi lindur në vendin tonë, Shqipëri, por që jemi burrëruar, shkolluar në Perëndim, në këto momente mjaft të rëndësishme për vendin, ku shpresat dhe aspiratat tona janë për të vazhduar ndryshimin evropian në të mirë të qytetarëve, kemi vendosur të paraqesim vizionin tonë si një botë akademike për të dhënë kontributin tonë, që shpresa të luftoj dëshpërimin, guximi të sfidoj frikën dhe të vazhdoj rruga e integrimit në zonën euro-atlantike për të treguar se ne, nuk jemi sinonimi i kaosit dhe krizës me të cilën personifikohet opozita aktuale, por jemi rinia shqiptare që duam rrugë moderne dhe me standarde bashkëkohore që shqiptarët të mos kenë më barrikada mes tyre, por të komunikojnë, të shkëmbejnë dhe përforcojnë lidhjet e tyre historike dhe kombëtare, si dhe të jenë në marrëdhënie miqësore me fqinjët dhe popujt e tjerë.
Ne, “Gjenerata Re Shqiptare”, vijmë nga bota akademike, nga shoqëria civile dhe do të përfaqësojmë interesat e qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet e pjesëmarrjes politike deri në nivelet më të larta të pushtetit drejtues.
Ne, do të punojmë gjithmonë me principin se shteti dhe institucionet politike duhet të jenë në shërbim të qytetarëve duke i udhëhequr ata në rrugën e drejtë, atë të zhvillimit, sigurisë, prosperitetit, lumturisë dhe shpresës. Ne mendojmë se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo qytetari në shërbim të politikës, politika duhet të themelohet mbi vlera dhe jo mbi interesa.
Ne besojmë se: politika duhet të mbështes jetën dhe aktivitet e personave, familjeve, komuniteteve ndërmjetësuese dhe jo t’i shkatërroj dhe t’i gllabëroj.
Ne besojmë që shoqëria dhe shteti duhet të jenë në shërbim të personave dhe të mirës së përbashkët. Personat dhe komunitetet duhet të kenë të drejtën të realizojnë atë që mundin falë iniciativave të tyre. Pra, atë që organizatat e përmasave më të vogla nuk mund ta realizojnë duhet të besohen tek organizatat e nivelit më lartë: enteve lokale, Rretheve, Shtetit dhe organizatave mbishtetërore. Susidarieteti është formula më e mirë dhe më efikase që garanton funksionim e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm.
Ne, “Gjenerata Re Shqiptare”, mendojmë se: individi- me vlerat e tij dhe me principet, me moralin dhe me arsyen për të ekzistuar dhe t’u përmisuar-është principi dhe përfundimi i çdo komuniteti politik, i vetmi burim i legjitimitetit të tij.
Ne, “Gjenerata Re Shqiptare” duam: një shoqëri që kujdesët për më të varfrit dhe më të dobëtit. Nuk duam një shoqëri të ndarë mes më të pasurve dhe më të varfërve, mes të fortëve dhe më të dobëtëve. Ne, duam një shoqëri, ku të gjithë të gëzojnë një nivel jetese të përshtatshme. Besojmë se është detyrë themelore, si për shoqërinë ashtu edhe për Shtetin, të ndihmoj ato që nuk arrijnë këtë objektiv.
Pa ligje dhe pa rregulla nuk mund të ketë liri. “Gjenerata Re Shqiptare” beson se: liria e vërtetë është autonomia e përbashkët me përgjegjësi, liria e vërtetë bën çdo person të përgjegjshëm për aksionet në marrëveshje pikërisht me koshencën e tij përballë komunitetit, ku bën pjesë dhe për brezat e të ardhmes.
Ne, organizata “Gjenerata Re Shqiptare”, vendosëm të bëhemi aktiv në shoqërinë shqiptare, sepse kemi mënyrën tonë për të imagjinuar. Ne besojmë se nuk mjafton të mbash/kesh një kundërshtim në nivelin e të menduarit.
Nuk mjafton të jesh vetëm kritik, në radhë të parë duhet të jemi aktiv, të reagojmë, kjo është ajo që bën diferencën sot në sferën sociale. Të kesh thjeshtë një mendim kritik, por të mos jesh kritik në praktik dhe në të jetuarin e përditshëm, pra të mos kesh kapacitetin për të transformuar zemërimin e vërtetë - në vendin e punës tënde, në familjen tënde, në ambientin tënd- është kjo që bën diferencën për të ndryshuar gjërat.
Të gjithë ne, të rinjtë shqiptarë, kemi energji dhe forcë për të dhënë kontributin tonë në realizimin e evolucionit social, që Partia Demokratike nisi në fillim të viteve 90, atëherë, kur shpresa dhe zhgënjimi ecnin paralel me njëra-tjetrën.
Ne duhet të japim kontributin tonë, që ky evolucion social të ndodh në të gjitha fushat e jetës së përditshme; në punën që dikush bën, në profesionin që dikush ushtron, në marrëdhëniet ndërpersonale dhe publike që dikush ndërton, në marrëdhëniet e barabarta dhe reciproke mashkull-femër (rëndësia për të kaluar maskilizmin, paternalizmin etj).
Gjithashtu, ne, “Gjenerata Re Shqiptare”, përderisa jemi një forcë e re në moshë, mendime dhe në energji, si dhe duke njohur mirë situatën dhe nivelin e punësimit të të rinjve në vend, me anën e kësaj platforme duam të paraqesim disa pika në lidhje me këtë çështje, si më poshtë:
1. Të gjithë të rinjve duhet t’iu ofrohen oportunitete formuese, kualifikime, punësime ose Tirocinio-Stage (është formë punësimi dhe formimi, që zakonisht realizohet gjatë periudhës së studimeve të larta, ku universitet sipas programeve të studimeve realizojnë marrëveshje me institucione private dhe publike, që çdo student për një periudhë të caktuar të konvaliduar me kreditë formuese universitare mund të marrin eksperienca të drejtpërdrejta në sektor të ndryshëm punësimi). Universitetet shqiptare, deri tani, nuk kanë bërë asgjë në lidhje me këto çështje. Ne jemi të sigurt se universitet shqiptare kanë burime të mjaftueshme njerëzore për të realizuar një seri marrëveshjes si me institucionet publike dhe shtetërore, ku mund të dërgojnë studentët për të bërë praktika të drejtpërdrejta punësimi, që duhet të jetë pjesë e programit universitar (Tirocinio-Stage ose si aktivitete të tjera të konvaliduar me kreditë formues). Në Shqipëri, tashmë, ka një numër të konsideruar sipërmarrjes private që janë të gatshme të thithin në këtë formë intelektin shqiptar për t’i kthyer më vonë me kontrata të rregullta punësimi;
2. Për personat që kanë periudha më të gjata papunësie duhet t’iu ofrohet mundësia e një fillimi të ri, më në veçanti përmes një formimi vazhdues dhe një orientim në materien e karrierës në mënyrë që atyre t’iu rikrijohet mundësia për tu rikthyer në tregun e punës;
3. Personave që kanë një periudhë të paktën 5 vjeçare ose më të madhe, duhet t’u jepet mundësia për t’iu rikualifikuar sipas ofertave të kohës të punës, përmes masterave të shkurtër pa pagesë ose kurseve teorike dhe praktike;
4. Duhet të zvogëlohet taksa e braktisjes së shkollimit dhe duhet të përmirësohet sistemi ekzistues i sipërmarrjes përmes programeve të realizuar nga OJQ-të e specializuara në sektor dhe nga institucionet shtetërore.
Këto pika mund të përmbushen vetëm në se bashkëpunojnë fortë mbi bazën e interesave të përbashkëta organizatat e punësimit dhe ato të marrjes në punë (kryesisht sipërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha private) për të rritur numrin e Tirocinio-iove, mundësinë e rikualifikimeve, të përfitimit të kompetencave specifike.
Gjithashtu, tashmë, Shqipëria është bërë pjesë e sistemit Erasmus, por kjo nuk mjafton, sepse çdo fakultet i universiteteve shqiptare duhet të fillojë marrëveshjet bilaterale, unilaterale me fakultet e universiteteve evropiane. Tashmë, dy programet e rëndësishme të Bashkimit Evropian, Socrates dhe Leonardo da Vinçi, kanë promovuar me efikasitet një dimension ndërkombëtar në universitete dhe në shkollat e vendeve anëtare dhe për vendet kandidate në Bashkimin Evropian. Kualifikimet, si kompetencat linguistike dhe eksperiencat e punës në vendet e tjera, janë vitale për të ardhmen. Masat e Bashkimit Evropian janë ndërmarr për të hapur oportunitetet e sipërmarrjes për të gjithë, në Atdhe dhe jashtë, përmes partnershipit, sistemit të shkëmbimit dhe eliminimit të pengesave burokratike, që pengojnë njohjen e kualifikimeve të vendeve të tjera.
Sipas statistikave zyrtare më shumë se një milion persona kanë përfituar nga programet e promovuar nga Bashkimi Evropian. Tashmë, statusi i Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i jep mundësi të plotë për t’u bërë anëtare e këtyre dy programeve për të realizuar eksperienca ndërkombëtare linguistike, studimore dhe punësimi.
Ne, “Gjenerata Re Shqiptare”, jemi për oportunitete të barabarta mes gruas dhe burrit në karrierë dhe në punësim, si dhe për integrimin e personave me aftësi të kufizuar motorike në tregun e punësimit. Kjo mund të realizohet si më poshtë:
1. Të ndërmerren masa për të siguruar që një numër i madh i grave të hyjë në tregun e punës dhe të kenë mundësi hyrje në të gjitha sektorët e punësimit;
2. Përmisimin e strukturave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të asistencës së të moshuarve për të inkurajuar që gratë të qëndrojnë ose të hyjnë në tregun e punës;
3. Të hiqen në mënyrë progresive pengesat që vështirësojnë kthimin e grave dhe të burrave në punë pas një shkëputje;
4. Të konsakrohet një vëmendje e veçantë për vështirësitë që kanë takuar ose takojnë disabilit.
Ne, “Gjenerata Re Shqiptare”, jemi për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve si më poshtë:
Të rinjtë nuk duhet të punojnë para se të kenë mbushur 15 vjeç dhe nuk mund të bëjnë punë të jashtëzakonshme ( me orare të zgjatura) para moshës 18 vjeç;
1. Punëtorët duhet të disponojnë 11 orë pushimi nga njëra ditë pune tek tjetra (ka përjashtime për disa sjellje);
2. Duhet të ndërmerren masa specifike në lëndën e shëndetësisë dhe të sigurimeve shëndetësore.
Pra, së bashku duhet të punojmë për të thyer ato kategori dominimi, që të ushqejmë jetën tonë me liri, tolerancë, respekt, mirëqenie, prosperitet, dashuri, guxim, punë, dinjitet, barazi dhe lumturi.
Ju bëjmë thirrje të gjithë të rinjve që studiojnë, ose kanë mbaruar studimet universitare dhe pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit dhe që besojmë në idetë dhe aksionet tona e që duan të japin kontributin e tyre për të punuar për të tashmen dhe për të guxuar për të ardhmen.


Alban Daci
KRYETAR