Në
vitin 1974, u bënë disa reforma të rëndësishme në nivel kushtetues
federal në Jugosllavi, të cilat kishin si objekt edhe minoritetet
kombëtare. Përderisa këto reforma u realizuan në nivel kushtetues
federal, atëherë prekën edhe Republikën e Maqedonisë, e cila ndryshoj
preambulën e kushtetutës së saj, duke nënvizuar se shteti maqedonas
ishte i popullit maqedonas dhe i minoriteteve shqiptare e turke.
Në
1989, republika maqedonase ishte seriozisht e shqetësuar për fatet e
federatës Jugosllave, përderisa shpërbërja e saj do të rivendoste në
qendër të vëmendjes “çështjen e Maqedonisë”, duke rindezur ambiciet
ekspansive të Serbisë, Greqisë dhe Bulgarisë mbi territorin maqedonas.
Kjo frikë i shtyu sllavët e Maqedonisë të ndryshonin përsëri preambulën e
Kushtetutës në mënyrë të tillë që Maqedonia të transformohej në një
shtet-nacional-etnik i popullit maqedonas.
Ndërsa, kushtetuta
1991-shit, vetëm në mënyrë të dukshme përcaktonte të ndërtonte një shtet
civil, duke u siguruar minoriteteve barazi të plotë në cilësinë e
qytetarit. Në fakt, preambula, vazhdonte të bënte referim tek shteti
maqedonas si shtet i popullit maqedonas dhe ky afirmim jep efekte
negative për shqiptarët, të cilën edhe njëherë pësojnë diskriminime
themelore dhe të shumta.
Le të themi, se ky cikël reformash me
natyrë kushtetuese e ka karakterizuar procesin e transformimit të
shtetit të Maqedonisë në mënyrë jo të njëtrajtshme, ku herë ka pasur
karakter reformues me tendenca demokratike, përfshirëse, bashkuese dhe
herë ka bërë hapa pas, me natyrë regresive, diskriminuese dhe
përjashtuese.
Nga shembujt që ndërmorëm më sipër, del se ecuria
ciklike e Maqedonisë është e karakterizuar me ulje, ngritje, tendenca
për të ecur përpara, nostalgjia për tu rikthyer mbrapa dhe kushtëzime
për të qëndruar në vend numëro. Do të ishte e drejtë të analizonim se
përse procesi transformues i Maqedonisë ka pasur këtë lloj cikli të
paqëndrueshëm, jo të njëtrajtshëm dhe jo të sigurt?
Sipas analizës
time për dy arsye: Së pari, sepse sllavët e Maqedonisë, duke pasur
probleme me identitetin e tyre, sepse nuk e gjejnë vetën tek e kaluara
historike (Nuk e kanë të qartë se nëse duhet të identifikohen në mënyrë
virtuale me popullin antik maqedonas për të shpëtuar nga pretendimet e
bullgarëve dhe serbëve, apo të identifikohen ashtu siç janë në të
vërtetë, si vazhdimësi e sllavëve të Jugut, të cilët erdhën në Ballkan
pas dyndjeve të tyre barbare. Pra, ata janë para dilemës: të paraqitemi
siç jemi me të vërtetë me identitetin tonë, apo të shtiremi me çdo kusht
sikur jemi të tjerë me identitetin e rremë.) dhe në të njëjtën kohë nuk
kanë kurajën të ndërtojnë një të ardhme të re të ndryshme nga e kaluara
e tyre.
Në këto rrethana, është rritur pasiguria dhe frika tek
ndjenja tradicionale e sllavëve të Maqedonisë. Ato, duke mos pasur
qartësi mbi identitetin e tyre, i kanë kultivuar vetës frikë për të
vendosur se nëse jenë të hapur me popujt e tjerë që de fakto
bashkëjetojnë – si për shembull shqiptarët (Kanë pasur në të kaluarën
historike dhe në të njëjtën kohë kanë me projeksion për të ardhmen,
identitetin e tyre të sigurt dhe mjaft të ndryshëm me të tjerët, sepse
ai ka qëndruar i konservuar në kushtet natyrore edhe ka mbijetuar në
momente të vështira të proceseve historike)- për të krijuar kushtet e
një bashkëjetese reciproke dhe demokratike.
Pra, në një far
mënyrë, sllavët e Maqedonisë, kanë pasur një frikë të madhe që të
mësonin të vërtetën për botën që i rrethon, si dhe në të njëjtën kohë
kanë pasur frikë se bota që i rrethon, do të mësonte të vërtetën e
identitetit të tyre të brendshëm. Kështu, ata nuk patën guximin e
mjaftueshëm për të pranuar realitetin e tyre dhe të popujve të tjerë si
dhe të mposhtin frikën duke e zëvendësuar atë më bashkëjetesën e bazuar
tek barazia, transparenca, dëshira për t’u integruar me çdo realitet
tjetër kombëtar të bashkë-pranishëm në territorin e përbashkët.
Frika,
vazhdon të jetë aq shumë e fortë tek sllavët e Maqedonisë, sa ata i
konsiderojnë të gjithë qeniet e tjera njerëzore, por sidomos ato të
Ballkanit, si armiq potencial, si njerëz të rrezikshëm që duan t’i
sulmojnë nga momenti në moment për t’i eliminuar fizikisht. Për këtë
arsye – ata – preferojnë izolimin, duke provokuar për shkak të frikës së
brendshme, situata që mund të provokojnë një konflikt kundër të
gjithëve, sepse të “gjithë” janë kundër tyre.
Së dyti, po të
analizojmë më vëmendje del se: cikli i transformimit të shtetit
maqedonas është realizuar kryesisht mbi bazën e reformave kushtetuese.
Çdo do të thotë kjo? Maqedonia, ashtu si shumë vende të tjera të
Ballkanit ka qenë në fillim një diktaturë komuniste, më pas socialiste
dhe në hapat e para të pavarësisë, një vend në tranzicion, me probleme
demokratike dhe me interesa politike që përfaqësohen nga grupe të
ndryshme presioni në këtë vend.
Në këto rrethana, ndryshimet
kushtetuese në këtë vend nuk janë bërë nga një konsensus i gjerë
demokratik qytetarë, por nga vendimet e formës vertikale nga lartë
poshtë, të bazuara në interesat e elitës politike, e cila ka në
përbërjen e saja lobe dhe grupe presioni që përfaqësojnë interesat e një
pakice që jo gjithmonë, për të mos thënë asnjëherë konçidojnë me
interesat e gjera të qytetarëve të thjeshtë.
Prandaj, po të jemi
më të kujdesshëm, mund të themi se: nuk ka ndonjë ngjashmëri mes
sllavëve te Maqedonisë dhe elitës politike që i përfaqëson. Përderisa
Maqedonia ka pasur një të kaluar aspak demokratike, elita politike e saj
e ka justifikuar mos demokratizimin e vendit, mos garantimin e
standardeve minimale të jetës së qytetarëve të saj, mos realizimin e
reformave me politikë agresive nacionaliste, duke ju ushqyer qytetarëve
frikën e ekzistencës së tyre. Ata, u kanë mbushur mendjen qytetarëve, se
janë të rrethuar vetëm me armiq dhe për këtë fakt nuk mund të pranojnë
bashkëjetesën me asnjë popull tjetër legjitim që bashkëjeton në një
territor me ata.
Megjithatë, mendoj, se sllavët e Maqedonisë mund
ta mposhtin frikën e tyre dhe mund të bashkëjetojnë në paqe duke
respektuar edhe popujt e tjerë, vetëm nëse do të luftojnë për
demokratizimin e vendit. Duhet të krijohet një brez i ri udhëheqësish që
besojnë thellësisht tek respekti i popujve të tjerë, respektimi i çdo
qytetari si qytetar i botës moderne, pa dallim feje, kombësie, race,
seksi, bindje politike, orientimi kulturor.
Prania e asaj që për
ata konsiderohet si diçka ndryshe, duhet të pranohet si një pasuri me
shumë vlera integruese, prosperiteti dhe paqeje. Martin Luther King në
një fjalim të tijin ndër të tjera thotë se: “Njeriu ka mësuar të notoj
si peshqit, të fluturoj si zogjtë, por nuk ka mësuar të jetë i lirë”.
Sllavët e Maqedonisë, duhet të jenë të bindur, se njerëzit kanë lindur
për nga natyra të barabartë dhe për këtë arsye të drejtat e tyre
themelore nuk mund të mohohen për asnjë lloj arsye. Prandaj, ata duhet
të respektojnë çdo qytetarë pavarësish nga identiteti duke i garantuar
të drejtat legjitime. Po arritën të bëjnë realitet një gjë të tillë,
atëherë do ta kenë mposhtur frikën dhe do të keni ushqyer unin e tyre me
shpresën për të ndërtuar të ardhmen mbi bazën e tolerancës dhe
bashkëpunimit reciprokë.
Këtë punim nisur dhe nga titulli, dua ta
mbyll me një citim që ka bërë Barack Obama (Çmimin Nobel për Paqen) në
librin e tij “Guximi i shpresës” tek kapitulli “Raca”: “Natyrisht
racizmi dhe ndjenjat e ksenofobisë kanë minuar disa herët idealin e
Kushtetutës amerikane, se të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara
ligjit. Të fuqishmit dhe të privilegjuarit shpesh kanë shfrytëzuar ose
kanë nxitur paragjykimin për interesat e tyre, por në duart e
reformatorëve si: Harriet Tubman, Frederick Douglas, César Chavez,
Martin Luther King, idealet e barazisë kanë gradualisht modeluar mënyrën
tonë për të kuptuar vetveten, duke lejuar me i dhënë jetë një kombi
multikulturor, që nuk gjen krahasim në asnjë vend tjetër të Botës”.