Friday, March 16, 2012

22 marsi i bekuar apo i mallkuar


Alban Daci

Për ne shqiptarët 22 marsi njihet si dita, ku pas një errësire të madhe totalitare doli në horizontin shqiptarë demokracia si forma më e mirë e qeverisjes. Megjithatë lind pyetja a erdhi me të vërtetë në Shqipëri demokracia që shqiptarët kishin ëndërruar dhe kërkuar? Pa dyshim që jo! Demokracia shqiptare ishte një fasadë e krijuar dhe e komanduar nga ish hierarkia më e lartë e Partisë së Punës. Demokracia nuk mund të ndodh me mendësi të vjetra, pamje të vjetra dhe me maskim për vlera të reja.
                Tre elementët më të rëndësishme të një demokracie jo vetëm nuk gjetën zgjidhje pas 22 marsit, por akoma edhe sot po vazhdohet të abuzohet me to nga. Elementi i parë është respektimi i pronës private, e cila në demokraci quhet e shenjtë dhe e pacenueshme. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga 22 marsi, çështja e pronës mbetet e pa zgjidhur. Qeveria aktuale si dhe lideri i saj historik që nga marsi deri në ditët e sotme ka bërtitur me të madhe në mitingje  duke u premtuar qytetarëve kthimin e pronës tek pronari. Megjithatë, lideri aktual jo vetëm që nuk ka vullnet dhe kapacitet politik për ta zgjidhur këtë çështje, por nuk e ka as në kulturë pronën private, pasi ai ka punuar dhe është formuar në një regjim, ku prona private ishte krim dhe tradhti kombëtare.
                Ky lider duke u formuar në periudhën e regjimit, dashje pa dashje është dhe mbetet komunist. Disa ish aleat të tij kanë filluar të bëjnë publike dokumente për të dëshmuar se ai nuk është demokrat siç na ka mashtruar në këto 20 vite, por një komunist i vjetër dhe i thekur. Nuk dua t’i hyj kësaj analize pasi nuk disponoj as prova e as fotografi që mund të dëshmonin një gjë të tillë.  Megjithatë, sociologu Emile Durkheimi është i mendimit se në formimin e një personi një rol shumë të rëndësishëm luan edhe mjedisi ku ai lind, rritet dhe formohet. Duke u nisur nga kjo teori, lideri i mazhorancës aktuale, është rritur dhe formuar gjatë kohës së regjimit dhe nga kjo rrjedh edhe konkluzioni se ai 24 karat ose jo, është i formuar si komunist. Meqenëse është i formuar si komunist, pronën e konsideron si jo të shenjtë, por si armike dhe të keqën me të madhe të zhvillimit social dhe ekonomik. Prandaj, pronarët nuk duhet të kenë shpresë dhe besim që një komunist i vërtetë në formim dhe fals në veprimet demokratike të zgjidh drejt e shpejt çështjen e tyre disa vjeçare.
Gjithashtu, një arsye tjetër për të besuar se është një komunist i formuar, është fakti se ai është një person që gjatë regjimit i bëri të gjitha karrierat akademike dhe profesionale pa pasur asnjë ferrë në këmbë. Ne e dimë shumë mirë, se të intelektualët dhe aristokratët e vërtetë që nuk pranuan të konvertoheshin në komunist u dënuan, torturuan, u bënë kulak si dhe u eliminuan edhe fizikisht. Kundër tyre u bë një luftë e madhe klasore, ku edhe fëmijëve të tyre u ndëshkuan njëlloj si ata. Fakti se lideri aktual i shumicës i realizojë të gjitha karrierat e tij profesionale gjatë regjimit do të thotë se ai ishte një njeri i dashur dhe mbi të gjitha i besuar për të. Pra, me pak fjalë ai konsiderohej një komunist i mirë që i besonte partisë dhe që ndiqte linjën e partisë pa bërë asnjë devijim.
Një element tjetër që vërteton faktin se me 22 marsin nuk erdhi në Shqipëri demokracia që kishin ëndërruar dhe dashur shqiptarët është moszgjidhja e çështjes së persekutuarve politik. Gjatë regjimit u dënuan, u torturuan dhe u eliminuan qindra shqiptarë intelektual të ndershëm dhe të dalluar. Fillimi i viteve ’90 qindra njerëz i gjeti të zhveshur nga prona, nga të drejtat, nga morali dhe dinjiteti njerëzor. Kjo kategori u quajtën të persekutuarit e regjimit. Lideri i shumicës aktuale për njëzet vjet ka bërtitur me të madhe se këtë shtresë të dënuar dhe të ndëshkuar padrejtësisht nga regjimi  do e dëmshpërblinte dhe do e ndihmonte për ta ri integruar në shoqëri. Edhe pse kanë kaluar plot 20 nga 22 marsi, kjo shtresë akoma edhe sot mbetet e diskriminuar. Pra edhe çështja e ish të persekutuarve ka mbetur e pazgjidhur dhe as nuk ka shanse të zgjidhet nga kjo shumicë dhe nga lideri i saj, përderisa ai ka formim komunist enverist.
Element tjetër që vërteton faktin se pas 22 marsit në Shqipëri nuk erdhi demokracia është fakti, se ashtu si ndodhi për 50 vite me radhë gjatë regjimit edhe pas 22 marsit është përdorur praktika se nëse një lider nuk luftohet politikisht ai mund të eliminohet edhe “fizikisht”. Shumica aktuale po përgatitet të festojë me zell 22 marsin e demokracisë, por në të njëjtën kohë pretendon të arrestojë dhe të dënojë liderin e AK, vetëm për faktin se ai është kundërshtari i tij politik. Lideri aktual i shumicës duhet të kthjellohet se në 22 marsin e 2012 shqiptarët janë të vendosur për të sjellë demokracinë e vërtetë dhe për të larguar çdo mbeturinë të atij regjimi që vazhdon akoma të qarkullojë në jetën tonë politike e sociale. Nëse gjatë regjimit kundërshtarët politik eliminoheshin edhe fizikisht, sot nuk ka asnjë hapësirë apo mbështetje qytetare që ajo të ndodh më.
Duke analizuar këto, atëherë del se 22 marsi ishte i mallkuar, sepse ajo datë jo vetëm nuk solli demokracinë e merituar dhe të ëndërruar nga shqiptarët, por solli lider me formim komunist dhe me maskë false demokratike. Megjithatë, 22 marsi i vitit 2012 është ditë e bekuar, sepse do të lind një  forcë e re politike, e cila është do të ndërtohet nga njerëz që nuk kanë formimin komunist, por atë më të mirin e auditore të universiteteve perëndimore. Ajo do të bazohet në interesat kombëtare të çdo qytetari si dhe në vullnetin e palëkundur për të themeluar demokracinë e merituar dhe të ëndërruar gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo forcë do të mbështes çdo iniciativë që ka të bëj me elementet demokratike qeverisëse e sociale në vend. 22 marsi i mallkuar mbaroi dhe një 22 mars i ri i bekuar dhe me aspirata të forta e reale demokratike sapo ka lindur.  Ky 22 mars është i identifikuar me ngjyrat kombëtare dhe i mbështetur vetëm në vlera reale e qytetare demokratike.