Alban Daci
Të dashur qytetarë çudirat në vendin tonë nuk kanë të sosur. Është bërë e
modës tashmë që çdo gjë e re që dëshiron të revolucionojë të vjetrën drejt
kahut të reformimit e progresit, të sulmohet e të denigrohet ashpërsisht dhe pa
të drejtë. Pra, hajde ta sulmojnë duke shpifur e paragjykuar. Kjo kategori
personash që tashmë janë në shërbim të pushtetit, nuk e kanë aspak problem të
hedhin baltë mbi çdo fenomen dhe aksion (demokratik) që mendon se pushtetit aktual
i ka ardhur fundi.
Lexova krejt rastësisht tek një e përditshme shqiptare, një shkrim sa bosh po aq edhe
absurd në të njëjtën kohë me titull: Aleanca Kuq e Zi është një parti
turke.
Së pari titulli i këtij shkrimi dukej qartë që nuk gjente qasje dhe prova konkrete
me përmbajtjen e tij. Pra, dukej qartë
se titulli ishte i rekomanduar nga persona që për hir të pushtet personal
përpiqen të hedhin baltë dhe të paragjykojnë Aleancën Kuq e Zi.
Nuk e di si Aleanca Kuq e Zi na qenka një parti turke? Nuk e kuptojmë se ku
këto “mendje” të ndritura i gjejnë këto konkluzione? Por, siç duket e rëndësishme
është të hedhin baltë dhe nuk kanë rëndësi argumentet. Nuk do të arrijnë ta bëjnë
një gjë të tillë me Aleancën Kuq e Zi.
Aleanca Kuq e Zi është parti shqiptare, e dalë nga shqiptarët dhe që përfaqëson
interesat e shqiptarëve si brenda ashtu edhe jashtë. Personin që e ka bërë këtë i shkrim i them,
se unë si shumë të tjerë, jam një ndër personat që bën pjesë tek Aleanca Kuq e
Zi dhe që beson tek misioni që ajo ka. Unë, nuk di të kem mbajtur ndonjëherë
flamurin turk. Përkundrazi, gjatë gjithë kohës që kam jetuar jashtë vendit për
të kryer studimet, kam mbajtur gjithmonë në xhaketë flamurin tonë kombëtar. Të
tillë janë të gjithë personalitet dhe aktivistët që bëjnë pjesë tek Aleanca Kuq
e Zi.
Nuk kemi pse të jemi turq, ne jemi
shqiptar dhe kemi plot arsye pse me u ndje krenar si të tillë. Ne jemi një ndër
popujt më të vjetër të Ballkanit dhe Europës, kemi një ndër kulturat më të
pasura dhe të vjetra të Kontinentit, kemi gjuhën tonë të bukur shqiptare e cila
është ndër më të moçmet dhe e vetmja në familjen e gjuhëve indo-europiane.
Ne kemi trashëgiminë tonë si popull që i përket Botës Perëndimore dhe që
gjithmonë ka inspiruar dhe ka luftuar për të qenë i lirë, i pavarur dhe
demokratik.
Për të vërtetuar se Aleanca Kuq e Zi është parti shqiptare, mjafton fakti,
se për herë të parë çështja e Bashkimit të Shqiptarëve futet si objektiv
strategjik në programin politik të një parti. Këtë gjë e ka bërë deri tani
vetëm Aleanca Kuq e Zi. Nuk ka ndodhur kurrë në këto 20 vite që partitë
ekzistuese dhe abuzuese ndaj qytetarëve të përfshinin çështjen e Bashkimit Kombëtar
në programet e tyre politike.
Përkundrazi, këto parti duke u servilosur dhe duke u shërbyer interesave
antishqiptare janë përpjekur që këtë çështjen historike të Bashkimit Kombëtar,
mundësisht ta censurojnë dhe ta fshijnë nga qarkulli i ideve iluministe dhe
akademike.
Aleanca Kuq e Zi beson se shqiptarët duhet të bashkohen në diçka më të
madhe se sa vetë Shqipëria. E drejta për bashkimit përmes vetëvendosjes është e
garantuar edhe nga e Drejta Ndërkombëtare në fuqi. Çdo popull ka të drejtë të
vendos për fatin e tij.
Aleanca Kuq e Zi beson dhe dëshiron integrimin e shqiptarëve në Bashkimin
Europian. Bashkimi Europian është përgjigja më e mirë e globalizimit.
Aleanca Kuq e Zi është beson se Shqipëria është një aleate besnike dhe e
përkushtuar në NATO, e cila është një aleancë e mbështetur tek vlerat e paqes,
demokracisë dhe lirisë së popujve.
Për Aleancën Kuq e Zi, Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimi Europian janë
partnerët kryesor strategjik. Gjithashtu, Aleanca Kuq e Zi duke i shërbyer
paqes kërkon të ketë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me fqinjët, por duke u
respektuar në të njëjtën kohë principi i reciprocitet, si e vetmja mënyrë për të
garantuar marrëdhënie miqësore në nivel bilateral dhe multilateral në Rajon.
Aleanca Kuq e Zi është për mbrojtjen dhe respektimin e minoriteteve sipas të
Drejtës Ndërkombëtare në fuqi. Aleanca Kuq e Zi nuk mendon se në proceset ku
jemi sot, shkëmbimi i territoreve është metodë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare.
Aleanca Kuq e Zi beson dhe respekton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve
sipas normave të kodifikuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në të Drejtën
Ndërkombëtare.